Nga Roland Qafoku/
DITËLINDJA: 15 qershor 1894.
VENDLINDJA: Gurrazez, Skrapar.
VDEKJA: 14 gusht 1979, Boston, SHBA.
KARRIERA
1929-1940, kryeredaktor i gazetës “Dielli”.
1926-1940, sekretar i Federatës Panshqiptare “Vatra” në Amerikë.
SHIFRA
85 VJET
2 muaj e 1 ditë jetoi Refat Gurrazezi. Ai lindi më 15 qershor 1894, në fshatin Guarrezez të Skraparit, dhe ndërroi jetë më 14 gusht të vitit 1979, në Boston të Massachusetts të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
60 VJET
Ishte koha që Refat Gurrazezi e vuri veten në shërbim të çështjes kombëtare. Ai ka qenë sekretar i “Vatrës” dhe kryeredaktor i gazetës së parë të komunitetit shqiptar të Amerikës, “Dielli”.
13
ishte numri i rendor i Refat Gurrazezit në listën e hartuar nga Sigurimi i Shtetit, në të cilën ai ishte vendosur si anëtar i Federatës Panshqiptare “Vatra”. Për të Sigurimi kishte hapur një dosje të veçantë dhe e ndiqte për aktivitetin e tij.
REFAT GURRAZEZI PËR SKRAPARIN
“Mjerimi i shqiptarëve ka qenë, edhe është, se gjithmonë kanë qenë të përçarë, s’kanë pasur bashkim! E dimë që shumë njerëz nuk do t’a pëlqejnë këtë, dhe munt të na shajnë, po është fakt, dhe fakti është ky: Sipas mendimit t’onë, dhe s’jemi të lajthitur mi këtë pikë, vetëm dy gjëra janë që munt t’i bashkojnë shqiptarët: interesi i metelikut, dhe frika e kamxhikut, – dhe ajo po mbretëron sot: Frika.”
KANË THËNË PËR REFAT GURRAZEZIN:
Faik Konica, ministër i Shqipërisë në SHBA, 1932.
“Gëzohem kur marr Diellin (me editor Refat Gurrazezin) se në çdo numër shoh që ju i mbani kurdoherë përpara syve të mendjes fjalët që i çkëmbyem dhe përdorni një shqipe e cila ka kthiellsinë, ngjyrën, tingëllimin e gjuhës së gjallë të gjyshërve t’anë. Lavde më të madhe se këtë s’kam.”
Ilir Ikonomi, studiues, gazetar i “Zërit të Amerikës” SHBA.
“Refat Gurrazezi do të mbahet mend si një veprimtar i hershëm i “Vatrës”. Qysh nga viti 1920 ai kryesonte degën e saj në New Florence të Pensilvanisë, si një djalë i ri energjik dhe entuziast. Mund të thuhet se ai u mbeti besnik idealeve të “Vatrës” si pak njerëz të tjerë. Më ka bërë përshtypje se, edhe pse Gurrazezi bashkëpunonte ngushtë me Faik Konicën, nuk ngurronte ta kritikonte mikun e tij. Ai ka qenë për shumë kohë kryeredaktor i “Diellit”, edhe në vitet e vështira të kësaj gazete, por vdiq i harruar. Librin që na ka lënë, “Historia e Federatës Vatra”, e gjej të shkruar me korrektësi dhe paanësi të admirueshme. Analizat e tij për përçarjet e “Vatrës” janë mjaft të sakta, por fatkeqësisht nuk kanë shërbyer si mësime për të mos gabuar përsëri.”
Anton Çefa, studiues.
“Historia e Federatës “Vatra” është shkruar nga një atdhetar i ndershëm dhe vatran i përkushtuar. Duke i njohur personalisht militantët e “Vatrës”, duke qenë edhe ai vetë një nga ata, duke qenë pjesëmarrës në luftën politike si editor i “Diellit” në disa vite të vështira, Refat Gurrazezi na ka dhënë një gjykim mjaft objektiv për ngjarjet, personalitetet, veprimtarinë e “Vatrës”, natyrisht me ngjyrimet dhe peshën e atij objektiviteti, sa mund të mbajë një zemër e flaktë vatrani, një ithtar i Konicës dhe adhurues i Zogut.”
Idriz Lamaj, studiues në SHBA.
“Gurrazezi në kujtesën time mbetet Xha Refati. Këtë vatran të madh e njoha kur kishte nevojën e ndihmës dhe pakkush e ndihmonte. Me të më lidh një admirim për karakterin e fortë që kishte dhe shkrimet që la mbas. Shumë atdhetarë të njohur të mërgatës i mbyllën sytë në varfëri të madhe, pasi i shërbyen kombit dhe kulturës kombëtare për dekada me radhë. Disa prej tyre u kujtuan me ndonjë shkrim modest, e disa të tjerë i mbuloi pluhuri i harresës dhe nuk u dihen as varret. Një prej tyre, i cili i shërbeu me penë çështjes kombëtare për 60 vjet dhe vdiq në skamje të thellë, ishte Refat Gurrazezi.”
FAKTE TË VEÇANTA PËR REFAT GURRAZEZIN
- Refat Gurrazezi është figura më e lartë në fushën e publicistikës që ka nxjerrë krahina e Skraparit.
- Refat Gurrazezi nuk krijoi familje. Ai nuk u martua asnjëherë dhe vdiq i vetmuar në një azil, në Boston, të SHBA-së.
- Refat Gurrazezi jetoi në Detroit dhe në Boston, në rrethin e intelektualëve të Federatës “Vatra” dhe të gazetës “Dielli”.
- Refat Gurrazezi nuk mori në SHBA asnjë prej pjesëtarëve të familjes së vet nga Skrapari. Jetën në Detroit dhe në Boston e bëri kryesisht duke pasur miq nga Korça dhe Kolonja.
HYRJE
Në historinë e medias, politikës dhe diasporës shqiptare ka një emër që, ndonëse ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, jo vetëm nuk ka marrë asnjë vlerësim, por është lënë në harresë si një personazh i panjohur. Kryeredaktor i gazetës “Dielli” për 11 vjet, sekretar i “Vatrës” për 14 vjet, Refat Gurrazezi, nga fshati Gurrazez i Skraparit, është një nga personalitetet më të larta të komunitetit shqiptar në SHBA, me një kontribut të veçantë dhe shumëdimensional. Për 50 vjet i fshirë nga historiografia komuniste dhe për 30 vjet i mbuluar nga pluhuri i harresës, atij iu mohua gjithçka që ka bërë për komunitetin shqiptar të Amerikës, por edhe kontributi i madh për çështjen shqiptare. Bashkëpunëtor besnik, mik i ngushtë dhe dishepull i Faik Konicës, Refat Gurrazezi, në të vërtetë, e ka të shënuar emrin në librin e artë të plejadës së atyre shqiptarëve që e shkrinë jetën për kombin.
MASAKRAT E ANDARTËVE GREKË NË SKRAPAR NË SYTË E GURRAZEZIT
Ishte 20 vjeç në vitin 1914 Refat Gurrazezi, kur i pa me sytë e tij maskarat që andartët grekë bënë në zonën Skraparit, Korçës dhe Përmetit. Në fshatin e tij Gurrazez, por edhe në të gjithë krahinën e Skraparit mësynë të dalë nga brigjet qindra e mijëra grekë, të armatosur, që plaçkisnin e vrisnin ç’gjenin përpara. Kjo ishte një dramë që do të linte gjurmë në jetën e tij dhe që ai nuk e harroi kurrë. Për ta përshkruar se si ndihej një shqiptar në këtë periudhë, ai e risjell këtë kujtim në një moment të vështirë të jetës së vet në SHBA. Në vitin 1935, në mes të krizës ekonomike në SHBA, por edhe në momentin kur gazeta “Dielli” u mbyll për shkaqe po ekonomike dhe ai nuk kishte para për jetesë, ai shkonte nga Bostoni drejt Middle West-it, duke u endur si një i mundur në luftë që e ndiqte armiku. Në këtë moment iu kujtuan masakrat greke në vitet 1912-1913. Gurrazezi shkruante:
“At çast shkova nër ment luftën e viteve 1912-1913 dhe m’u çfaq përpara syve një ushtar shqipëtar i asaj kohe, – i mundur nga armiqtë, i këputur si mos më keq nga lufta, dhe i vënë përpara prej grekut, bullgarit dhe serbit.”
Një nga arsyet e mëdha që ai e la fshatin Gurrazez dhe Shqipërinë ishte sigurisht edhe masakra që shkaktuan grekët në vendlindjen e tij, por dhe në të gjithë krahinën.
NGA GURRAZEZI NË SHBA
Në vitin 1916 Refat Gurrazezi kishte shumë arsye që ta linte fshatin e tij të lindjes, Gurrazez të Skraparit, dhe të kaptonte oqeanin Atlantik për një jetë krejtësisht ndryshe nga ajo atje. Një fshat mbi 870 metra mbi nivelin e detit dhe pas asnjë mundësi, i rrinte ngushtë 22-vjeçarit që kishte ëndrra të mëdha. Kishte lindur atje më 15 qershor të vitit 1894 dhe me një fëmijëri dhe rini të varfër, atij, me një arsim elementar, ende nuk i ishte larguar trauma nga masakra greke ndaj banorëve të fshatit, të cilën e kishte parë me sytë e tij. Kur mbushi 22 vjeç e la Shqipërinë, shkoi në Itali dhe prej andej në Detroit të SHBA-së, me ëndrrën për një jetë ndryshe. Por nuk ishte e lehtë. Studiuesi dhe biografi i Gurrazezit, Idriz Lamaj, shkruan se në jo pak raste i mungoi edhe buka e gojës, por ama gazetën “Dielli” dhe “Vatrën” nuk e la kurrë. Madje, në Detroit e transferoi gazetën “Dielli” në momentin e saj më të vështirë, duke marrë edhe akuza, sepse Bostoni ishte kryeqyteti i shqiptarëve të Amerikës. Jetesa e tij në SHBA në fillim nuk ishte dhe aq e lehtë. Në Detroit punoi në një fabrikë dhe banoi në një apartament të vogël, me tre shqiptarë të tjerë. Studiuesi dhe biografi i tij, Idriz Lamaj, nxjerr nga arkivi një thënie të Gurrazezit gjatë kësaj kohe që, pavarësisht vështirësive, ai kontribuonte për atë që quhej shtëpia e madhe e shqiptarëve të Amerikës: “Nga rroga e vogël që merrja, paguaja pjesën e qirasë, ushqehesha, dërgoja diçka në Shqipëri dhe ndihmoja Vatrën.” Fati dhe aftësia e Refat Gurrazezit ishte lidhja e miqësisë me Faik Konicën që u kthye në mentorin e tij. Lamaj përshkruan jetën e Gurrazezit në gjurmët e Konicës:
“Kohën e lirë, pas punës së rëndë, Gurrazezi e kalonte duke lexuar e studiuar çdo gjë që kishte të bënte me Shqipërinë. Për një kohë shumë të shkurtër ai e përvetësoi stilin e shkrimit të Faik Konicës në një mënyrë aq të përsosur, sa pakkush mund të dallojë formën e shkrimit të tij nga shkrimi i Konicës. Ky burrë i heshtur nga natyra, me sjellje fisnike, i dashur, anëtar i palodhur i “Vatrës” dhe ndihmës i rregullt me shkrime i gazetës “Dielli”, jo vetëm tërhoqi vëmendjen e Konicës, por arriti të bëhej miku i tij më i ngushtë.”
KRYEREDAKTORI JETËGJATË I GAZETËS “DIELLI”
Gazeta “Dielli” mbetet jo vetëm gazeta e dytë më e vjetër në gjuhën shqipe, por gazeta institucion që nuk e ndërpreu asnjëherë botimin. Ajo mbijetoi edhe në ditët më të vështira, kur kriza kishte kapluar të gjithë SHBA-në. Një nga ata që bënë të mundur mbajtjen e saj gjallë ishte Refat Gurrazezi që e quante kandili kombëtar. Si e arriti këtë? E tregon vetë në 50-vjetorin e gazetës “Dielli”, në një shkrim të gjatë për historikun e kësaj gazete legjendare, duke e quajtur kandil kombëtar. Shkruan Gurrazezi:
“Kur mora drejtimin e Diellit në dorë në 1929, e nxora gazetën dy herë në javë për një mot e ca: më von, një herë në javë, më pastaj kur u keqësua ndodhja ekonomike, (Shënim: kriza ekonomike n’Amerikë e 1930-ës) një herë në dy javë dhe ndonjëherë më rrallë. Ca nga lufta e kundërshtarëve këtu edhe përtej Adriatikut, më tepër nga zia e papunësisë, vërtetë Dielli s’dolli dot në rregull sikundër duhesh, por prapë vazhdoi të dali. Nuk u mbyll si disa gazeta të tjera edhe s’dha falimento si shumë banka amerikane.”
Sakrificat e Refat Gurrazezit për gazetën nuk njihnin kufij. Edhe pse vetë në gjendje jo të mirë financiare, ata pak dollarë që kishte, i vinte në dispozicion të “Diellit.” Shkruan vetë Gurrazezi:
“Depozitoj disa mijëra dollarë në ‘Bankën Kombëtare të Vatrës’ për të vazhduar botimin e gazetës. Po ata vatranë që bënë therorira dhe hoqën gjith ato vuajtje në kohërat e vështira, ngushëllohen sot kur shohin se ‘Dielli’ sot arriu të festojë vërsën e artë.”
NË VATËR PËR VATRËN
Refat Gurrazezi i shërbeu Federatës “Vatra” si sekretar që nga viti 1926 deri në vitin 1940. Në disa raste ka shërbyer edhe si konferencier dhe organizator degësh. Ai ishte një playmaker në të gjitha punët e “Vatrës”, deri në zgjedhjet që bëheshin atje. Sigurisht që punët me “Vatrën” nuk ecnin vaj. Atje nuk mungonin edhe përplasjet, debatet, bërrylat dhe për të gjitha këto Gurrazezit i duhej të bënte betejat e veta. Arma e tij më e fortë ishte informacioni dhe këtë armë e përdori jo në dobi të vetes, por të “Vatrës”. Këtë e konfirmon një letër që në fakt Refat Gurrazezi ia dërgon mikut të tij, Pandeli Çeços, emrin e të cilit e shkruan P. Checho, në New York, i cili dikur jetonte në Boston ashtu si dhe Gurrazezi, dhe ku “Vatra” kishte qendrën e saj. Çeço ishte një prift nga fshati Lubckë i Përmetit, që është shumë afër Skraparit. Në një letër plot humor, por me logon e “Vatrës” dhe të shkruar me makinë shkrimi, i shkruan që t’i dërgojë çelësin e zyrës, sepse e ka marrë me vete. Shkruan Gurrazezi:
“Le ato që m’u zotove nuk m’i le, po të jetë e mundur na dërgo hapësin e zyrës se duam t’ia japim Taqos. Bye-bye dhe mos harro të na ftosh në dasmë.”
Por çelësi i derës nuk ishte asgjë përpara çelësave që duheshin për zgjidhjen e problemeve për zgjedhjet e “Vatrës”. Në një letër tjetër që Gurrazezi e shoqëron me një “shënim personal”, e cila nuk mban datë, por besohet se e ka shkruar vetë ai, me stilograf me bojë, bën një panoramë të gjendjes së Federatës “Vatra”. Me një kaligrafi për merak, që tregon shumë për karakterin e tij, Gurrazezi flet për intrigat që përdoreshin për ta penguar të zgjidhej sekretar i “Vatrës”. Shkruan Gurrazezi:
“Besoj se vatranët do të mund ta nxjerrin nga… i Vatrës tani kanë e po bëjnë propagandë dhe një nga kandidatët për ta pasur “ofiq” është zoti Hito Sadiku, i cili është i futur dhe unë e di se cili është njeriu që ka futur zotin Sadiku, por nuk besoj se do fitojë. Ai është vetëm që të më prishë punë mua dhe të fitojë një njeri tjetër që kanë ata ndër mend.”
Duke pasur ritmin dhe operativitetin e gazetarit, Refat Gurrazezi ishte shumë i interesuar që anëtarët e Federatës “Vatra” të mos ishin aktivë vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Dhe vepër për Gurrazezin do të thoshte që të ndihmonin me të holla. Së paku, sipas tij, të paguanin abonimet për gazetën “Dielli”. Më 4 gusht të vitit 1927, në cilësinë e sekretarit të “Vatrës”, Refat Gurrazezi u shkruan të gjithë atyre që e merrnin falas gazetën “Dielli”. Kjo jo vetëm ishte një harxhim i madh për financat e “Vatrës”, por në kushtet e vështirësisë financiare kjo e dëmtonte “Diellin” dhe “Vatrën” së bashku. I ndodhur në këtë situatë Gurrazezi u kërkon që nga ky moment ta paguanin si pajtimtarë gazetën “Dielli”. Shkruante Gurrazezi:
“Duke ju lutur të keni mirësinë dhe të na dërgoni pajtimin tuaj, e ashtu të mundim të vazhdojmë së ju dërguari gazetën në rregull, ndryshe, sipas vendimit të Kuvendit të Vatrës, jemi të shtrënguar t’ju presim gazetën gjthë atyre, pajtimi të cilëve të mos ketë arrirë në zyrat e Vatrës gjer më 10 të vjeshtës së parë 1927. Besojmë se nuk do t’ju vijë rëndë nga ky vendim që bëri Kuvendi i Vatrës, i cili u shtrëngua të bëjë një vendim të tillë, nga shkaku se harxhet e shoqërisë janë shumë të rënda dhe arka e saj është e varfër. S’kemi dyshim se që të gjithë zotëria juaj i çmoni shërbimet e Vatrës për çështjen tonë kombëtare dhe dritën që i ka dhënë popullit shqiptar me anë të Diellit. Tani që të mundim ta mbajmë gazetën dhe të përparojmë, duhet t’i japim ndihmën tonë që të gjithë.”
Por punët e Federatës “Vatra” nuk fokusoheshin vetëm te gazeta “Dielli”. Një nga punët si sekretar ishte edhe sigurimi i librave të nevojshëm në SHBA që duheshin dërguar në Shqipëri, veçanërisht për shkollat. Kjo kërkonte një njohje të madhe dhe kulturë, në mënyrë që të zgjidhej literatura e duhur dhe nxënësit të mësonin nga ata libra që vlenin më shumë. Është mjaft i dendur letërkëmbimi i vetë Gurrazezit me Ministrinë e Arsimit në Tiranë për këtë çështje. Por po veçojmë një letër të kryetarit të “Vatrës”, Arqile Tasit, që bën fjalë për impenjimin e Gurrazezit në këtë përzgjedhje: Shkruan Arqile Tasi:
“… Letrën tuaj që i drejtoheni sekretarit, zotit Refat Xh. Gurrazezi, më 15 janar 1927, e morëm dhe faleminderit. Sot morëm një letër nga Drejtoria e Arsimit nga Tirana, më 2 shkurt 1927, ku na kërkojnë listën e librave që do të blejë guverna dhe që duhet të dërgojmë.”
Si një xhevahir i rrallë mbërriti në vitin 1972 “Historia e Federatës Vatra”, një libër që Refat Gurrazezi e botoi si të parën histori të plotë të saj. Në fakt, ajo është njëkohësisht edhe historia e emigracionit shqiptar në SHBA dhe, pa dyshim, një pjesë e historisë së Shqipërisë. Një libër me vlerë, lidhur me të cilin vetë Gurrazezi sqaron paanshmërinë që ka treguar:
“Historia nuk shkruhet të lëvdojë miqtë dhe për të kritikuar armiqtë, ose kundërshtarët politikë, sido që gjëra të tilla kanë ngjarë në të shkuarën dhe mund të ngjajnë dhe në të ardhmen.”
Nuk ka asnjë punim, studim, referat apo qoftë edhe një kumtesë të thjeshtë për “Vatrën” ku të mos përshkruhet kontributi i Refat Gurrazezit, duke i përmendur më shumë punën, dhe shumë pak ose aspak emrin. Nuk merrte dafina, nuk pëlqente të përmendej për vlerat që kishte dhe modestia e tij ishte emblematike. Një nga librat ikonikë të historisë së shqiptarëve të Amerikës, me vlera të padiskutueshme, është ai i Vehbi Barjamin. Të bën përshtypje fakti që në 107 faqet e këtij libri, me format të madh, ka me dhjetëra faqe për “Vatrën”, por emri i Refat Gurrazezit, për kontributin e tij, për sakrificat e bëra, përmendet vetëm në diçiturën e një fotografie ku ai paraqitet duke folur për “Vatrën”.
GURRAZEZI DHE FAIK KONICA
Refat Gurrazezi ishte nxënës, më pas bashkëpunëtor, më pas mik i afërt dhe më pas dishepull i Faik Konicës. Nuk ka asnjë shqiptar në jetën e Faik Konicës që të ketë treguar ndaj tij atë besnikëri dhe atë vlerësim si Refat Gurrazezi. Idriz Lamaj e përmbledh këtë në pak fjali:
“Për një kohë shumë të shkurtër Refat Gurrazezi e përvetësoi stilin e shkrimit të Faik Konicës në një mënyrë aq të përsosur, sa pakkush mund të dallojë formën e shkrimit të tij nga shkrimi i Konicës. Ky burrë i heshtur nga natyra, me sjellje fisnike, i dashur, anëtar i palodhur i “Vatrës” dhe ndihmës i rregullt me shkrime i gazetës “Dielli”, jo vetëm tërhoqi vëmendjen e Konicës, por arriti të bëhej miku i tij më i ngushtë.”
Janë pa fund rastet kur Refat Gurrazezi e ngre në qiell Konicën. Ai nuk linte bisedë, shkrim, ose konferencë pa i përmendur “bëmat” e ustait. Në një fjalim shprehet se puna e tij ishte monumentale, e pakrahasueshme me askënd tjetër, përveç njërit, Fan Nolit. Në një shkrim të 29 nëntorit 1935, në 23-vjetorin e Pavarësisë, në gazetën “Dielli”, Gurrazezi shkruan:
“Puna më e madhe për fitoren e lirisë sonë u bë prej shqiptarëve të Amerikës. Shqiptarët e Amerikës nën hijen e Federatës Vatra dhe të udhëhequr prej zotit Faik Konica dhe Imzot Fan Nolit, bënë shërbimet më të mëdha për çlirimin e Shqipërisë dhe për shpëtimin e saj.”
Gurrazezi çmon kontributin e Konicës për gjuhën shqipe. Me shumë vlerësime ai tregon se si fjalën “ndoshta” në fjalorin e gjuhës shqipe e ka zbuluar pikërisht Faik Konica. Por janë pa fund shkrimet e tij për Konicën në fushën kulturore. Një prej tyre ishte një ngjarje e madhe mes shqiptarëve, kur më 4 korrik Faik Konica vuri në skenën e “Arlington Theatre”, në Kaliforni, tragjedinë “Othello” të Shekspirit, të shqipëruar nga Fan Noli. Si editor i “Diellit”, në numrin e 7 korrikut, ai e përshkroi me superlativa në faqen 2 dhe në faqen 5. Gurrazezi inkurajoi e botoi edhe disa shkrime të autorëve të ndryshëm, që ai vetë u kujdes dhe i redaktoi. Por erdhi një moment që, siç kishte fluturimet e tij me këdo, Konica bëri një sulm edhe ndaj mikut të tij, Gurrazezi. Në vitet ’30 “Vatra” u nda në dy pjesë bashkë me “Diellin”. Konica e quante herezi faktin që me Fazlli Panaritin kryetar dhe Gurrazezin sekretar, e kishin transferuar “Vatrën” dhe “Diellin” në Detroit. Ndërkohë që në Boston kishte edhe atje një federatë “Vatra” tjetër dhe një gazetë “Dielli” tjetër, me kryetar dhe editor Andrea Ilian. Në këto kushte, kur Bostoni quhej si kryeqyteti i shqiptarëve të Amerikës, Konica përkrahu “Vatrën” e Bostonit. Pajtimi i madh i dy degëve erdhi në vitin 1939, vetëm kur u pushtua Shqipëria nga Italia. Përfaqësuesit e “Vatrës” së Bostonit shkuan në Detroit dhe atje ranë dakord për mbajtjen e një kuvendi në Boston. Një nga firmat e këtij pajtimi të madh ishte edhe ajo e Refat Gurrazezit. Si një nga protagonistët e “Vatrës” në vitet ’30, në çdo studim emri i Refat Gurrazezit është në krye. I treti pas Faik Konicës dhe Vasil Panit, skraparliu linte pas emra të tillë, si Kristo Thanas, Andrea Ilia, George Prifti, Hito Sadiku, Petro Kolonja, Qerim Panariti dhe Nelo Drizari. Duke e njohur edhe vetë Lamaj shkruan:
“Gurrazezi ishte gazetar i shkëlqyer, polemist i ashpër, konferencier tribunal dhe një ndër personat më dinamikë të “Vatrës” në vitet ’30. Megjithëse e kishte Konicën udhëheqës shpirtëror, ai nuk i nënshtrohej as mjeshtrit të vet, kur mendonte se i prekej sedra e besimit politik e atdhetar. Shkrimet e tij të vëllimshme publicistike i njoh mirë. Atë e njoha edhe nga afër, në vitet ’70, natyrisht kur ishte i thyer nga pleqëria dhe i këputur nga varfëria. Gurrazezin e njoha atëherë kur ishte editor i “Diellit” dhe shkruante e redaktonte, duke iu dridhur duart. Këtë vatran të madh e njoha atëherë kur kishte nevojën e ndihmës dhe pakkush e ndihmonte.”
GURRAZEZI, NJË ARMIK I FAN NOLIT
Të ishe mik i afërt i Faik Konicës do të thoshte të të ndiqnin të gjitha miqësitë dhe armiqësitë e tij. Refat Gurrazezin e ndoqën tërë jetën tallazet dhe ulje-ngritjet e ustait, siç e quante Konicën. Një prej tyre ishte marrëdhënia me Fan Nolin. Kështu, në vitet ’30 Refat Gurrazezi ishte po aq armik me Fan Nolin, sa edhe Faik Konica. Ishte koha kur Noli sapo ishte kthyer nga Evropa dhe gazeta “Dielli” në të cilën Gurrazezi ishte kryeredaktor, i kishte shkarkuar të gjitha bateritë kundër izmot Nolit. Nga ana e tij vetë Noli e kishte “Diellin” halë në sy. Ndërsa Federatën “Vatra” e quante kufomë mbi gropën e varrit, kurse kuvendin e saj të dështuar.
Një ngjarje solli majën e përplasjes mes tyre. Në korrik 1931 u mbajt kuvendi i Vatrës për të cilin Noli thoshte se qe një dështim, për mungesë pjesëmarrjeje. Gurrazezi e pranoi që në kuvend kishin marrë pjesë vetëm pak delegatë, por e shpjegon pjesëmarrjen e ulët me faktin se nuk përballonin dot shpenzimet e udhëtimit, nga kriza që kishte pllakosur SHBA-në. Në gazetën që Gurrazezi e redaktonte vetë shkruhej:
“Kur e ndjen shumë thellë kamxhikun e Gurrazezit, Fan Noli do që ta nxjerë inatin gjetkë: sulet si qen i tërbuar dhe atakon pabesisht Faik Konicën.”
Sulmet, akuzat, kundërakuzat dhe deri ofezat tipike shqiptare mes Faik Konicës dhe Fan Nolit në këtë periudhë arritën kulmin. Si njeri i Konicës, Gurrazezi në këtë duel titanësh mbante anën e ustait të vet. E ka intervistuar disa herë dhe në ato intervista ustai pati derdhur gjithë repertorin e sharjeve ndaj imzot Nolit. Për shkaqe ekonomike, gjatë kësaj kohe “Dielli” u mbyll. Në vitin 1932 u rihap, në muajin mars, dhe që në numrin e parë Refat Gurrazezi shkarkon përsëri bateritë ndaj Nolit që, sipas tij, ishte gëzuar për mbylljen e “Diellit”. Këtë herë, bashkë me të, bën paketë edhe Kostë Çekrezin. Shkruan Gurrazezi:
“Me rastin e pushimit të ‘Diellit’, hapsaniku i falur, spiuni i dënuar për tradhëti, Kostë Çekrezi, së bashku me revolucionarët e arratisur dhe bolshevikët pa fe dhe pa kombësi, u gëzuan për mbylljen e ‘Diellit’.”
Pas 14 vitesh Refat Gurrazezi u largua si sekretar i “Vatrës”. Në këtë ikje kishte gisht edhe George Prifti, konsull në Boston. Me ofiqin e një diplomati, Prifti nuk i harroi konfliktet e vjetra me Gurrazazin dhe më shumë se një herë pati kërkuar largimin e tij edhe si sekretar i “Vatrës”, edhe editor i “Diellit”. Arsyeja, sipas tij, ishte qëndrimi i tij intransigjent kundës vatranëve të moderuar dhe peshkop Nolit. Dhe kështu ndodhi. Viti 1940 ishte për Gurrazezin i fundit si kryeredaktor i gazetës “Dielli”, por edhe si sekretar i “Vatrës”.
GURRAZEZI NË NDJEKJE NGA SIGURIMI I SHTETIT
Nuk është ndonjë zbulim që Sigurimi i Shtetit kishte depërtuar deri në Federatën “Vatra”, në SHBA. Madje, edhe në gazetën “Dielli”. Janë pirgje me disqe dhe fashikuj në arkivat shqiptare që vërtetojnë se krerët e “Vatrës” dhe redaktorët e “Diellit” ishin nën survejim. Për ta dërgoheshin rregullisht të dhëna të hollësishme për llogari të Sigurimit të Shtetit. Refat Gurrazezi ishte shqiptari i 13-të mes 24 më kryesorëve që Sigurimi i ndiqte dhe i kishte në shënjestër. Madje, ekziston një plan i detajuar masash që Sigurimi kishte për ta shkatërruar “Vatrën”. Pra, Gurrazezi ishte dy herë në shënjestër, një herë si editor i “Diellit” dhe një herë si veprimtar i “Vatrës”.
ATA QË E NJOHËN “XHA REFATIN”
Ndonëse u largua nga drejtimi i gazetës dhe si sekretar i “Vatrës”, Refat Gurrazezi nuk u tërhoq mënjanë nga lufta për çështjen kombëtare. Ai mbeti nga më aktivët në komunitetin shqiptar në SHBA. Idriz Lamaj ishte djalë i ri kur e njohu dhe e takoi Refat Gurrazezin në SHBA. Në kujtimet e veta e përshkruan atë si një nga njerëzit më pasionantë dhe më kontribues të “Vatrës”. Shkruan Lamaj:
“Gurrazezin e takova për herë të parë në Selinë e Tij të Shenjët, në zyrën “Vatrës”, 25 Huntington Ave. Boston, Mass; në atë zyrë të vogël, gjysëm të errtë, me një tavolinë pune e dy-tre karrige për mysafirë, me libra të shpërndara dhe gazeta e letra të pluhrosura, ku mëmzi lëvizje dhe të zihej fryma. Në një qosh të zyrës, në anën e majtë të tavolinës së punës, ai kishte edhe një lavaman të vogël. Aty herë pas here mbushte një gotë letre me ujë për të lagur gojën. Në atë ambient të ndotur nga pluhuri i letrave dhe tymi i duhanit, gdhihej dhe errej kalorësi veteran i Federatës “Vatra”, i cili varfërinë e thellë në pleqëri e përballoi me stoicizëm të pashoq dhe me kryelartësinë e burrave të vjetër shqiptarë. Kur i shkonte ndonjë mik për ta vizituar, ose për të pirë një kafe me të, ai nuk e lëshonte pa e qerasur. Shpenzonte edhe ata dy-tre dollarët e fundit që i kishte ruajtur në xhep vetëm për raste të tilla. Gurrazezin e njoha atëherë kur i dridheshin duart dhe ai shkruante e redaktonte në një makinë të vjetër shkrimi, të dhuruar nga Faik Konica.”
VDEKJA NË AZIL E NJË KOLOSI MODEST
Më 14 gusht të vitit 1979, në moshën 85-vjeçare, Refat Gurrazezi mbylli sytë përgjithmonë. Për fat të keq, ai nuk krijoi familje dhe pleqërinë e thellë e kaloi në një azil pleqsh, pranë Bostonit. U mësua që përpara se të vdiste kishte shprehur dy dëshira: Të vdiste në zyrat e “Vatrës” dhe të prehej pranë varrit të Faik Konicës. Kur ndërroi jetë, askush nuk nuk iu ndodh pranë. Asnjë mik dhe asnjë i afërt. Por komuniteti shqiptar atje ia bëri të gjitha nderimet e duhura. Duke qenë se ishte mysliman, imam Vehbi Ismaili i bëri të gjitha shërbesat fetare. Ndërsa miku i tij i vjetër, humanisti Antony Athanas, shtroi një drekë në kujtim të tij. Teksa arkëmorti futej në dhe, kryetari i Federatës “Vatra” në atë kohë, Andrea Ilia, mbajti një fjalim, që nga shumë shqiptarë cilësohet nga më prekësit i mbajtur ndonjëherë. Larg fjalëve klishe, si “i madh” apo “gjigant”, Ilia e vuri theksin te fakti që në vend të familjes Gurrazezi kishte pasur “Vatrën”, “Diellin” dhe mikun e tij të jetës, Faik Konicën. Ilia, në atë fjalim, që më pas u botua edhe në gazetën “Dielli” tha:
“Refati punoi pa kursyer për ‘Vatrën’, kur me rrogë e kur pa rrogë, kur me bukë e kur pa bukë. Fjeti në bodrum të shtypshkronjës, se s’kishte mjete për fole gjumi si të tjerët dhe s’ja duronte shpirti të pushohej botimi i gazetës ‘Dielli’. Dëshirat e tij në kohët e fundit qenë dy: të vdiste në zyrën e ‘Vatrës’ dhe të varrosej pranë Faik Konicës. Për fat të zi, asnjë nga ne s’e ka në dorë të zgjedhë vendin për të dhënë shpirt. Pranë Konicës nuk kishte vend. Por trupi i Refatit u mbulua fare afër dëshirës së tij, nëpërmes shumë patriotëve në Forest Hills Cemetery, në Boston, Mass …”
Ndërsa njeriu i fundit që e ka njohur nga afër, Idriz Lamaj, bën një përcaktim edhe më me vlerë për figurën e tij:
“Gurrazezi në kujtesën time mbetet Xha Refati. Këtë vatran të madh e njoha kur kishte nevojën e ndihmës dhe pakkush e ndihmonte. Dikur me të më lidhi një miqësi dhjetëvjeçare, sot me të më lidh admirimi për karakterin e fortë që kishte dhe shkrimet që la mbas.”
ZËRI ORIGJINAL I REFAT GURRAZEZIT
10 vjet përpara se të ndërronte jetë Refat Gurrazezi ishte i ftuar special në një konferencë shkencore për Federatën Vatra. Më 30 nëntor 1969 ai ishte një nga pjesëtarët e podiumit të kësaj konference dhe një nga ata që mbajtën referat. Në një audio rreth 50 minuta kemi zërin e Refat Gurrazezit. Është një konferencë e mbajtur më 30 nëntor 1969 në Boston për Federatën “Vatra.” Në të mbajnë fjalim Dhimitër Berati, N. Guzzetta, Giuseppe Schiro dhe Nelo Drizari. I dyti në radhë në këtë audio është zëri i Refat Gurrazezit. Skraparliu që e njeh mirë historinë dhe gjeografinë e trekëndëshit Berat, Skrapar, Korçë, në hyrje të fjalës së tij bën një portretizim të Dhimitër Beratit, firmëtarit të Pavarësisë, dhe njëri nga apostujt e kolonisë shqiptare të Amerikës. Tha Gurrazezi për Beratin:
“Është korçar, por emrin e ka Berati. Babai i tij ishte lindur dhe rritur në Berat dhe vajtur në Korçë. Por gjene prapë emrin e Beratit e mban. Ai foli shumë bukur për kolloninë e Bukureshtit. Por nëse ai ka vlerësim për shqiptarët e asaj kollonie, ata i kanë një borxh Vatrës. Ai borxh qe më 1919, kur kollonia e Bukureshtit donte të dërgonte delegacionin e saj në Konferencën e Paqes, në Versajë e s’kish para, mori hua nga Vatra dhe kryetar i delegacionit qe Pandeli Evangjeli.”
Ndonëse kishte dekada që jetonte në SHBA, Refat Gurrazezi flet një shqipe të bukur. Madje, ai identifikohet si skraparli pikërisht nga një tufë fjalësh dialektore të asaj zone, që ai i ka pjesë të fjalorit të vet, si këndoi, lëvdoi, tjatër, zemërqëruar, fjalëkripur, burrë me fletë, ca (disa), harxhe. Pas hyrjes Gurrazezi trajton çështjen për të cilën është më kompetent, historinë e “Vatrës”. Në 10 minuta e 48 sekonda (në audio nis në minutën 19.45 dhe mbaron në 30.33) ai mban një fjalim me kompetencë dhe si një protagonist nga më të rëndësishmit. Përmbledh gjatë kësaj kohe historinë e “Vatrës”, kontributin e saj dhe të “Diellit” si gazetë, ndërsa me modestinë që e karakterizon nuk flet kurrë për veten:
“Diellin mund të quajmë dekanin e shtypit shqiptar që ka vazhduar pa rreshtur në shërbim të popullit shqiptar, duke predikuar ungjillin e kombësisë. Në tërë këtë kohë të gjatë Dielli ka qenë stërvitës i popullit shqiptar në fushën politike dhe kulturale. Le ta lëmë politikën, por të flasim për të dytën, në zhvillimin kultural dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Në shtypshkronjën e Diellit, Vatra botoi 5 libra shqip njëherësh për shkollat e mesme të Shqipërisë, të cilat janë ‘Historia e Shqipërisë’, ‘Historia e vjetër’, ‘Historia mesjetare’, ‘Historia e re’ dhe ‘Këndime’. Vatra shtypi aherë 200 mijë copë.”
Ky ishte Refat Gurrazezi, skraparliu më modest në histori. Fjalëpak, por punëshumë, ai është skraparliu me një kontribut të çmuar në diasporë, në koloninë e shqiptarëve të Amerikës, në federatën “Vatra” dhe drejtimin e gazetës “Dielli”. Një kontribut që ndonëse është harruar, nuk është tretur. Ai e shkoi jetën në shërbim të kombit dhe njerëz të tillë i bëjnë nder jo vetëm fshatit të vogël Gurrazez, mes maleve të Skraparit, por gjithë kombit shqiptar.