Dielli
Situata në Partinë Demokratike vazhdon të mbetet e pazakontë. Çarja dhe ndarja duket më afër se kurrë. Beteja politike, mediatike dhe gjyqësore ka hyrë në fazën e saj më të egër. Kuvendi i Bashës dhe referendumi i Berishës shkarkuan njëri-tjetrin. Deputetja Albana Vokshi sot ka lexuar rezultatet e referendumit, të thirrur nga Sali Berisha për shkarkimin e Lulzim Bashës nga kryetar i Partisë Demokratike. Rezultatet e Referendumit u lexuan jashtë ambienteve të selisë së PD, në prani edhe të ish-liderit demorkat, Doktor Berisha. Në total tha Vokshi, kanë votuar pro shkarkimit të Bashës 43385 demokratë. Ndërsa pas mbledhjes së kryesisë, Lulzim Basha në një konferencë për gazetarët u shpreh se: “Sot PD është pastruar nga e shkuara dhe është më pranë qytetarëve”. Më tej z. Basha shtoi se: “Sali Berisha është përjashtuar tashmë si anëtar i grupit parlamentar të PD, si anëtar i Këshillit Kombëtar, për shkak të vendimit të Kuvendit Kombëtar, rrugët e Berishës me organet drejtuese të PD janë ndarë. Me veprimet e tij është vetëpërjashtuar” përfundoi Basha.