
Nga Mihallaq Qirjo/
Libri “Albanesen und die Grossmächten” (“Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”), botuar në vitin 1913 nga ish-kryeministri serb Dr. Vladan Georgevitch, është një ndër shembujt më të rëndë të propagandës antishqiptare që historia e Ballkanit njeh. I shkruar në kohën e Konferencës së Londrës, në prag të formimit të shtetit shqiptar, ai paraqet një përpjekje sistematike të autorit për të delegjitimuar ekzistencën e kombit shqiptar dhe për të justifikuar aneksimin e territoreve shqiptare nga Serbia.
Duke lexuar këtë libër, kuptova më thellë edhe mesazhin simbolik të novelës “Krushqit janë të ngrirë” të Ismail Kadaresë. Akulli në marrëdhëniet shqiptaro-serbe ka qenë gjithmonë i trashë dhe i pathyeshëm. Georgevitch është përfaqësues tipik i politikës serbe të kohës, një qasje që, fatkeqësisht, nuk ka ndryshuar ndjeshëm as sot. Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës, propagandat agresive, nostalgjia për dominim, madje dhe mohimi i së kaluarës, janë vazhdimësi e të njëjtit qëndrim.
Në veprën e tij, autori, ish-kryeministër i Serbisë gjatë viteve përkatëse, ndërton një narrativë historike që synon të legjitimojë pretendimet territoriale të shtetit serb mbi trojet shqiptare. Duke u nisur nga dyndjet e fiseve sllave në Ballkan rreth vitit 650, ai përpiqet të vendosë serbët jo vetëm në territoret që ata banojnë sot, por edhe në një hapësirë më të gjerë, që përfshin Kosovën dhe pjesë të Shqipërisë së veriut dhe të mesme, deri në lumin Shkumbin. Autori argumenton se gjatë një periudhe shtatëqindvjeçare, shqiptarët që banonin në këto territore u sllavizuan, përkatësisht, u serbizuan, duke lënë të nënkuptohet një asimilim të gjerë kulturor dhe etnik. Ai pranon, megjithatë, se në disa zona të thella malore, të izoluara dhe të pazhvilluara sipas tij, arritën të mbijetojnë bashkësi shqiptare të paasimiluara. Në vijim, autori trajton periudhën pesëshekullore të sundimit osman, me theks të veçantë në veriun e Shqipërisë.
Që në hyrje të veprës së tij, autori përpiqet të fitojë besueshmërinë e lexuesit duke theksuar se informacionet mbi shqiptarët i mbështet kryesisht në burime të huaja, të konsideruara të paanshme. Ai i referohet veçanërisht disa studiuesve dhe udhëtarëve të huaj austro-hungarezë, si G. von Hahn, Baron Nopcsa, Dr. Karl Steinmetz dhe Dr. Siebertz, por përmend gjithashtu edhe burime italiane e franceze. Në këtë mënyrë, synon të distancohet nga çdo ndikim apo frymëzim që mund të perceptohet si i motivuar nga interesat serbe.
Pjesa më e madhe e veprës, mbi dy të tretat e saj, i kushtohet argumentimit pse shqiptarët, sipas autorit, nuk duhet të kenë një shtet të tyre. Ai përpiqet të argumentojë gjerësisht mungesën e elementëve përbërës të një kombi të mirëfilltë dhe, rrjedhimisht, mohon të drejtën e shqiptarëve për të krijuar një shtet kombëtar. Autori thekson se shqiptarët nuk përbëjnë një popull të bashkuar, por një grup fisesh të izoluara, pa jetë komunitare të mirëfilltë. Sipas tij, organizimi i jetës në mënyrë të shpërndarë dhe klanore tregon për mungesën e vetëdijes kombëtare dhe për pamundësinë e ndërtimit të një shteti funksional. Një nga shtyllat e argumentit të tij është mungesa e një gjuhe të unifikuar. Ai pohon se veriu dhe jugu i Shqipërisë flasin në mënyrë aq të ndryshme saqë komunikimi mes tyre kërkon përkthim. Sipas autorit, gjuha shqipe ka qenë historikisht e pashkruar dhe vetëm pas Kongresit të Manastirit (1908) u krijua një alfabet i përbashkët. Ai shkon më tej, duke pretenduar se fjalori i shqipes është i përbërë në pjesën dërrmuese nga fjalë të huaja: rreth 4000 fjalë sllave, 2000 greke, 1000 turke, dhe vetëm 400 fjalë të mirëfillta shqipe. Autori mohon ekzistencën e një historie të shkruar, një kulture të formësuar apo një folklori të pasur shqiptar. Ai pohon se shqiptarët nuk kanë këngë apo legjenda, përveç ndonjë proverbi që, sipas tij, reflekton dhunë dhe barbarizëm. Duke iu referuar jetesës së shqiptarëve, ai përmend Kanunin e Lekë Dukagjinit si sistemin rregullator të jetës shoqërore, të cilin e përshkruan si të egër dhe të prapambetur. Thekson se gjakmarrja dhe diskriminimi i gruas janë elementë thelbësorë të këtij sistemi, duke penguar zhvillimin e ndjenjës së bashkësisë dhe funksionimin normal të familjes, si njësi bazë e çdo kombi të zhvilluar.
Në vështrimin e autorit, krijimi i një shteti shqiptar është një gabim i rëndë i Fuqive të Mëdha, veçanërisht në kuadër të Konferencës së Londrës. Ai shpreh shqetësimin se në zemër të Europës do të formohet një shtet mysliman, çka sipas tij përbën një kërcënim për identitetin e krishterë të kontinentit. Gjithashtu, ai mohon pretendimet se Serbia është një fuqi pushtuese në raport me trojet shqiptare. Sipas tij, këto territore kanë qenë historikisht serbe, të uzurpuara më vonë nga shqiptarët, veçanërisht pas lëvizjeve demografike të shekullit XVII. Ai pohon se Shkodra ka qenë pjesë e trashëgimisë historike serbe, ndërsa shqiptarët kanë jetuar të izoluar në malësitë e Mirditës, Matit, Dibrës, Dukagjinit dhe Kelmendit. Sipas autorit, gjatë periudhës së sundimit osman dhe në veçanti gjatë shekullit të fundit të tij, shqiptarët u rreshtuan në anën e Perandorisë Osmane dhe luftuan kundër përpjekjeve për pavarësi të popujve të tjerë të Ballkanit. Ai e interpreton këtë si mungesë të vetëdijes kombëtare dhe si një faktor tjetër që justifikon mohimin e të drejtës për një shtet të tyre. Ky përshkrim përfaqëson një qëndrim ekstremisht negativ, që synon të mohojë identitetin kombëtar shqiptar përmes një sërë argumentesh që shpesh janë të njëanshme, të deformuara ose të ndikuara nga ideologji politike e gjeopolitike të kohës.
Kapitulli i fundit i librit përpiqet të shpjegojë qëndrimin e Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare në Konferencën e Londrës. Duke ndjekur një linjë të qartë të historisë politike të kohës, autori mundohet të justifikojë dhe të shtyjë përpara planin e aneksimit të territoreve shqiptare nga Serbia dhe Greqia – një projekt që, sipas tij, do të ndihmonte edhe interesat e Austro-Hungarisë dhe Italisë për dominim në Ballkan veçanërisht në bregdetin lindor të Adriatikut. Sipas këtij këndvështrimi, një ndarje e tillë e territoreve shqiptare do të siguronte stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm për Gadishullin Ballkanik. Megjithatë, kjo zgjidhje nuk përfaqësonte interesat e mirëfillta të vetë serbëve, pasi autori konkludon se Austro-Hungaria kishte për qëllim eliminimin e shtetit serb, ndërsa Italia synonte të shtrinte pushtetin e saj përgjatë gjithë bregdetit të Adriatikut.
Ajo që lë një shije të hidhur pas leximit të këtij libri është urrejtja e përhapur dhe e paarsyeshme ndaj shqiptarëve, një urrejtje që nuk është thjesht e pamotivuar, por e mbështetur mbi keqpërdorim të burimeve të huaja, shtrembërim të fakteve dhe interpretime të qëllimshme jashtë kontekstit. Nëse sot shohim një refuzim kokëfortë të pavarësisë së Kosovës, dëbime, mohime identiteti e deri te përpjekje për asgjësim, ky qëndrim ka rrënjë të thella dhe historike.
Nëse autori e ka përkushtuar gjithë energjinë dhe mendjen e tij për të denigruar shqiptarët, për t’i mohuar si popull, si etni dhe si banorë autoktonë të trojeve të tyre mijëravjeçare, atëherë ne kemi detyrimin të rrëzojmë ‘argumentet’ e tij, paragjykimet e tij të egra, kontradiktat dhe urrejtjen e verbër që përçon në çdo faqe. Autori bie në kundërshtim me vetveten: shqiptarët, në një rast, cilësohen si “malësorë me bisht” (faqe 4), dhe vetëm pak faqe më tej (faqe 27), përshkruhen si antropologjikisht të ngjashëm me serbët e malazezët. Kjo nuk është thjesht mungesë koherence, por një paradoks që vjen nga dëshira për t’i poshtëruar shqiptarët, pavarësisht të vërtetave.
Mohimi i ekzistencës së gjuhës shqipe është një tjetër absurditet që rrëzohet lehtësisht. Gjuha shqipe është një degë e parë e familjes indoevropiane, e dokumentuar dhe e njohur shkencërisht, ndërsa serbishtja bën pjesë në degën sllave, që është në nivel më të ulët të klasifikimit historik-gjuhësor. Pretendimi se nuk mund të krijohet një shtet shqiptar për shkak të mungesës së “traditës shtetërore” është një tjetër përpjekje për të zhvlerësuar të kaluarën. Historia shqiptare rrënjoset thellë në lashtësi, te ilirët, paraardhësit tanë, që përbënin mbretëri të strukturuara dhe të fuqishme, të krahasueshme me poliset greke dhe perandorinë romake. Në mesjetë, principatat shqiptare ishin pjesë e strukturave feudale të kohës. Në vitin 1444, Skënderbeu bashkoi princat shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, bërthama e shtetit shqiptar të mëvonshëm. Përpjekja për të mohuar kulturën shqiptare është tjetër absurditet. Legjendat e Kostandinit dhe Doruntinës, të Mujit e Halilit, e kalasë së Rozafës, këngët polifonike të Labërisë, janë dëshmi e një kulture të gjallë, të trashëguar brez pas brezi, me vlera universale dhe unikalitet të spikatur. Edhe ngjashmëritë mes legjendave të popujve fqinj nuk janë prova për mungesë kulture, por pasqyrim i shkëmbimeve kulturore në rajon. Autori përpiqet të identifikojë shqiptarët vetëm përmes fesë myslimane, duke paraqitur shtetin shqiptar si një “shtet muhamedan në mes të Europës”. Por e vërteta është se shqiptarët përbëhen nga dy besime kryesore – islami dhe krishtërimi, të cilat kanë bashkëjetuar në paqe për shekuj me radhë, duke ndërtuar një identitet unik e gjithëpërfshirës.
Për të denigruar shqiptarët, autori thekson pjesëmarrjen e tyre në strukturat e Perandorisë Osmane. Por harron se kjo ka ndodhur me të gjithë popujt e pushtuar – serbë, grekë, bullgarë. Si shqiptarët, ashtu edhe serbët dhe grekët kanë pasur përfaqësues në nivelet më të larta të administratës osmane. Ironikisht, ndërsa Skënderbeu për 25 vjet u bë mbrojtësi legjendar i Perëndimit të krishterë nga osmanët, mbretërit serbë lidhnin aleanca me sulltanin.
Pretendimi serb se shqiptarët e Kosovës janë “pushtues” të trojeve serbe është një mohim flagrant i historisë. Dardanët, paraardhësit e shqiptarëve të Kosovës, jetonin në ato troje shumë përpara ngulimeve sllave në shekullin e 7-të. Mohimi i këtij fakti nuk është vetëm naivitet, por një përpjekje për të rishkruar historinë në mënyrë të qëllimshme.
Vendimet e Konferencës së Londrës në vitin 1913 ishin të rënda për shqiptarët. Kosovës, Çamërisë, viseve shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi iu mohua e drejta për të qenë pjesë e shtetit shqiptar. Edhe sot, dëgjohen zëra që ankohen se Serbia nuk ka marrë “çfarë i takon historikisht”, duke harruar se pretendimi i tyre ishte të mos ekzistonte fare Shqipëria.
Qëndrimi ekstrem antishqiptar i shprehur në këtë libër është pjesë e një vazhdimësie të dhimbshme që shtrihet nga viti 1913 e deri në ditët tona. Serbia e ka sunduar Kosovën për dekada, por nuk arriti kurrë të asimilojë shqiptarët. Përkundrazi, çdo përpjekje për bashkëjetesë është shoqëruar me shtypje, mohime dhe përçmim. Edhe sot, me gjithë ndryshimet në arenën ndërkombëtare, fryma politike në Serbi nuk ka ndryshuar. Ajo mbetet e mbushur me po të njëjtat ndjenja armiqësore ndaj shqiptarëve. Udhëheqësit e sotëm të Serbisë karakterizohen nga i njëjti zell antishqiptar si autori i librit. Me gjithë dëshirën tonë për një të ardhme më të mirë, realiteti shpesh mbetet i ngrirë në të njëjtat ndjenja të vjetra të urrejtjes.