Nga Prof. As. Dr. Zef Gjeta/Duke qëndruar në shtëpi, i detyruar nga rregullat e vendosura nga qeveria në kuadrin e mbrojtjes nga Covid-19, përveç leximit, të shkruarit e punëve familjare, kam parë edhe televizor. Programet që transmetojnë, cilësia e tyre, por edhe ndërhyrja e qeverisë (identifikuar e personalizuar tek kryeministri), më bënë që të ulem e të shkruaj këtë material në formë të një reflektimi.
Fillimisht është me rëndësi të them se nuk jam i angazhuar politikisht me asnjë krah të politikës (disa e quajnë edhe si mangësi timen), por edhe po të isha, njeriu duhet të jetë realist kur flet e kur shkruan. Që të mos zgjatem, merakun e kam të lidhur me përballimin e kësaj situate të virusit në vendin tonë. Janë marrë masa, të cilat për bindjen time kanë ndikuar në mos përhapjen në e kësaj sëmundje. Por, e thënë këtë, çfarë ka më tej?
Më duket se ka një sërë fenomenesh dhe praktikash, të cilat të bëjnë të mendosh se gjërat nuk po shkojnë mirë e që qeverisemi keq. Ne kemi qënë të qeverisur keq prej shumë kohësh. Por, pa patur si mision të shaj mbretin e diktatorin (i kanë kritikuar tashmë kushdo që ka mundur të shkruajë), së paku këto tre dekadat e fundit jemi qeverisur shumë keq. Aq keq, sa qeveritë që pasuan njëra tjetrën.Ato kishin garë me veten si t’ia kalojnë asaj paraardhëse për keq qeverisje. Të gjitha këto, na kanë sjellë në situatën kur shfaqen fenomene negative dhe që nuk po e lënë këtë vend të zhvillohet. Disa prej këtyre fenomeneve mendoj se janë:
Protagonizëm fals deri në kult individi.
Udhëheqësit tanë, ata që kanë “uzurpuar” postin, sapo janë “akomoduar” në atmosferën e zyrës, kanë filluar të shfaqin “njëshin”. Duan të kontrollojnë çdo gjë, mendojnë se dijnë çdo gjë, krijojnë insinuata sikur vetëm prania e tyre është shpëtimi i vendit tonë dhe i kombit mbarë. Kjo ka ndikuar që termi administratë të jetë vetëm një garniturë pa shije dhe formë, e pazonja të bëjë asnjë rezistencë, asnjë oponencë, asnjë vërejtje për çfarëdo lloj situate që krijon lideri, për çfarëdo lloj paligjshmërie, sido dhe kurdo që është shfaqur. Një mik imi disa vite më parë më ka thënë: “administrata jonë është e llastuar dhe e kastruar”( e tredhur.) dhe mua më duket krejt e vërtetë . Natyrisht që kjo nuk karakterizon çdo individ që punon në shtet, por në të shumtën e rasteve, kështu është.
Nepotizëm.
Duke qënë që liderat nuk janë të mbështetur në parime, as në profesionalizëm, janë të prirur që për punësim të ndjekin zinxhirin e neporizmit. Në parti thirret fisi, kushërinj të liderit e kushërinj të gruas të liderit, e kështu me rradhë.. Kjo pasohet edhe në administratë. Por, kjo tendenceë ndiqet edhe në biznes: pas çdo ndryshimi në pushtet, ndodh edhe favorizimi e ngritja e biznesit të atij krahu, duke penguar dhe diskriminuar çdo biznes që nuk është i lidhur me liderin dhe sinxhirin nepotik. Kjo ka bërë që struktura “Yes-men!” të jetë e pranishme jo vetem në administratë, por edhe në ambjentet e biznesit. Kjo gjë ka sjellë një asfiksi të iniciativës së lirë dhe ka nxitur ryshfetin, informalitetin dhe fenomene të tjera që e dëmtojnë ndjeshëminiciativën e lirë.
Papërgjegjshmëria dhe paligjshmëria
Këto janë janë fenomene të tjera që po shoqërojnë zhvillimet në vend në këto vite. Të nxitur nga të huajt, për t’ju hedhur “hi syve” atyre dhe popullit, pushtetarët hartojnë e miratojnë ligje, në dukje mjaft të mira. Por, sapo vjen puna për zbatim, se ku e gjejnë një kleçkë, një shteg, një të çarë në ligj, një përjashtim, që askush s’e paska parashikuar, por që kushtet specifike e “imponojnë” këtë. E kështu, rast pas rasti, ligji bëhet leckë dhe përjashtimi behët një zakon i përhershëm, që i kthen veprimet në paligjshmëri. E gjitha kjo përfundon në një lloj paligjshmërie, për të cilën thuajse asnjë zyrtar nuk ka pësuar ndonjë “dhimbje koke”. Kjo papërgjegjshmëri lidhet si me zhvatjen e vazhdueshme të shtetit deri në “shtresën” e fundit të mundëshme, por shtrihet edhe në mungesën e inventarit. Nuk trashëgojmë dokumentacionin e duhur zyrtar, por edhe kur ky është, ose e neglizhojmë ose e zhdukim. Kështu mund të shpjegohet periudha 30 vjeçare pa mbyllur çështjen e ish të përndjekurve. Po kjo periudhë nuk na mjaftoi të zgjidhnim problemin e ish pronarëve, në kushtet që sistemi i kaluar kishte të shënuar çdo fakt apo sajesë ndaj të dënuarve, kur ai shtet kishte të regjistruar çdo centimetër katror tokë (qoftë edhe atë jo produktive). Kjo “edukatë” u shfaq thuajse masivisht gjatë gjithë këtyre tre dekadave: zyrat dorëzohen pa inventar (sa herë që ka rotacion), investimet nuk lënë gjurmë (janë investuar miliarda dollarë në Shqipëri dhe nuk ka një zyrë që të tregojë sa dhe ku janë shpenzuar), njoh disa sisteme kanalesh në Myzeqe që janë investuar mbi tre herë gjatë këtyre dekadave, e aktualisht nuk punojnë ose punojnë fare pjesërisht, deri edhe shpenzimet e buxhetit të shtetit nuk monitorohen, pra nuk ka një “inventar” se ku shkon paraja.
Frikë dhe nënshtrim
Ky ëshë “parimi” i të udhëhequrit në këtë vend. Të edukuar në sistemin e kaluar, të katapultuar nga “rruga” në politikë, pa eksperiencë, të panjerëzishëm, udhëheqësit tanë nuk dinë të dëgjojnë, nuk dinë të dialogojnë, nuk dinë të “ngjizin” vendimet me kolegjialitet, e për pasojë ushtrojnë udhëheqjen me “dorë të hekurt”. Kjo filozofi justifikon edhe situatën kur këshillëtarët e udhëheqësve të lartë janë në mes 26-40 vjeç, avantazhi kryesor i të cilëve është njohja e anglishtes dhe predispozita e tyre për të bërë çdo punë që u kërkojnë shefat. Ndërkohë që një këshilltar, duhet të jetë një njeri i zgjedhur nga më të mirët në fushën e vet, që ka dhënë kontribute, që ka repuracion, e që jo detyrimisht por duhet të jetë mbi 55 vjeç. Përndryshe është i emëruar këshilltar, por bën punën e sekretares së “tulatur” që pret urdhëra dhe që përgjigjet: “Si urdhëron shef!”.
Gjithë sa u përshkrua, çon në një populizëm të skajshëm, a si quhet rëndom në “kinezeri”, sikur udhëheqësi nuk fle natën për shkak se kujdeset për shtetasit e vet, se ai nuk ha dot bukë, sepse janë njerëzit pa punë, apo nuk rri dot me pushime në vend, sepse i vjen keq për fshatarët. Aktrimi para kamerave (që janë 24 orë “live”), bën që të perdhosin figurën dhe pozicionin që mbajnë, bën të duken krejt pa bojë në sy të popullit.
Pa dashur të zgjatem shumë në këtë arsyetim (megjithëse edhe të shkruhen njëmijë faqe nuk e tregojnë dot sa keq jemi qeverisur këto tre dekada), dua të ndalem në disa aspekte që janë dëmtuar deri në prag të “mosqënies” nga këto praktika e veprime kaq të shëmtuara të qeveritarëve e pusht-etarëve tanë.
*Janë dëmtuar pa kthim: industria dhe mineralogjia. Minierat janë katandisur në atë farë derexheje, sa duhen investime të shteteve të pasura (ose totalitare) për t’i kthyer në punë, pasi janë dëmtuar keqas. Në galeritë, janë shkelur rregullat teknike dhe janë shfrytëzuar pa kriter. Për uzinat e fabrikat nuk po flas, se mund të dukem qesharak.
*Janë dëmtuar e “zgerlaqur” polici, mjeku, juristi, mësuesi , pedagogu, gazetari e deri tek zyrtaruci më provincial. Vetështetarët, politikanët, deri edhe vetëdrejtuesit e tyre (të dale nga “gjiri” i tyre), kanë sharë, mallkuar, akuzuar, llastuar, diskredituar këto figura që në kushte normale duhej, të mirëpaguheshin, t’u kërkohej llogari, pasi ato janë jo vetëm pasqyra e shtetit, por edhe farkëtuesit e së ardhmes.
*Janë goditur e çuar në “zgrip” sektorë jetikë të venditsi: shëndetësia, arsimi dhe bujqësia. Duke mos u investuar, duke u deleguar në drejtim njerëz pa as më të voglën njohuri për këta sektorë, duke mos i konsideruar jetikë, i kanë sjellë në atë stad kur kanë mbetur “kockë e lëkurë”. Shëndetësia jonë nuk kishte mjete mbrojtëse për mjekët apo personelin ndihmës, nuk ka as gjysmën e ilaçeve për të shtruarit, nuk shërben dot si referencë për të sëmurët apo të afërmit e tyre, që në të shumtën e rasteve i shikojnë si “armiq” dhe jo si shpëtimtarë. Mësuesit janë në ditën e tyre më të keqe: të vjetrit nuk ndjekin dot metodat e reja, të rinjtë nuk kanë as njohuritë e duhura e as përkushtimin për profesionin. Janë të paguar keq e të pa vlerësuar. Aq më keq bujqësia është e pafinancuar, e keq referuar, e dëmtuar nga prishja e strukturave kërkimore dhe të këshillimit.Ajo mezi mbahet në këmbë. Është aq keq, sa një bujk që sot quhet “qytetar” nuk konsiderohet as si profesion, as si njeri. Blegtori nuk e ka të lehtë të gjejë një të “voblektë” ta marrë për nuse.
*Kanë “startuar” në mënyrën më të keqe sipërmarrja private, infrastruktura dhe turizmi. Që të dy këta sektorë janë nisur mbi bazë të fallsifikimit: biznesmenët e parë ishin të “fortët” që mundën të “zhvasin” ndonjë gjë nga shteti, ndërsa turizmi u iniciua mbi bazën e grabitjes së tokës (rërës a detit) dhe ndërtimet e paplanifikuara e të paligjshme. Pasojat janë të dukshme: bisnesi i tulatur, pa iniciativë e pa kreativitet, ndërsa turizmi me pamundësi të përballojë asnjë lloj fluksi të dëshiruar me turistë sado pak elitarë.
*Është dëmtuar deri në “shkatërrim” institucioni përfaqësues i këtij vendi: “Akademia e Shkencave”.
E udhëhequr nga politikan (ish-shkëncëtar i vetëshpallur), me botime minimale, me anëtarë të përzgjedhur me “lupën” e politikës, nuk ka as opsion, as financim, as një “busull” se ku do të shkojë. Ky institucion është më mirë të mos ishte se siç është në gjendjen aktuale.
Natyrisht që nuk dua të merren hiç me sallën e Parlamentit, apo kabinetin e qeverisë të cilat pa asnjë hezitim mund të konsiderohen si: “Teatri i Estradës” dhe “Teatri i Komendisë” i këtij vendi.
Të gjitha këto nuk i rendita për t’u dukur “ i mençur ”, por për të argumentuar një gjë: nëse shteti do të ishte ai që duhet dhe jo ky që është katandisur, pandemia e virusit do të ishte planifikuar dhe përballuar ndryshe. Nëse strukturat do të funksiononin “mbyllja”portave do të bëhej menjëherë, të dyshuarit do të gjurmoheshin, do të testoheshin, do të kuroheshin dhe pjesa tjetër e vendit do të funksiononte: me kujdes, por jo të paralizuar e të bllokuar siç jemi. Kjo, jo vetëm se nuk na e mbajnë “këllqet” e buxhetit, as të shtetit as të privatit, por edhe për arsye njerëzore (një muaj të izoluar, si të ishim të gjithë të burgosur), për arsye shëndetësore (shumë njerëz po i drejtohen psikologëve), as për 1000 arsye të tjera.
Megjithatë, në këtë situatë të paprecedentë, dëshiroj të falenderoj të gjithë mjekët dhe personelin shëndetësor që u përball me situatën në mënyrë dinjitoze. Përgëzoj edhe të gjithë ata që u morën me kërkimin shkencor por edhe ata që shpëndanë lajme të mira. Për të tilla lajme ka nevojë popullata (që nuk e din edhe aq thellë shkencën mjekësore), por mezi pret të dëgjojë se përtej disa “protokolleve”, virusi po largohet dhe po punohet intensivisht për vaksinën që do të na mbrojë prej këtij “përbindëshi” të padukshëm.
Në këtë situatë të “ngulimit” në shtëpi të populates, pashë që “trimat” nuk u shfaqën edhe aq. Mendoni sa mëkatarë janë, sa frikë kanë si nga virusi si nga qeveria. Megjithëatë janë të rinj e të “mbrojtur” nga virusi, nuk kishin guxim të dilnin. Megjithëse janë “gangstera”, i tremben urdhërit për të mos dalë. Kam bindjen e plotë se nuk kanë dalë pasi janë mëkatarë deri në palcë, e prandaj u ka hyrë frika aty ku nuk thuhet.
Në mbyllje të këtij refleksioni, i lutem qeverisë, kësaj aktualës e çdo lloj qeveria që do të vijë:
*Të mos trembet nga këta “gansterat” që më së shumti kanë ndërruar brekët këtë muaj!
*Të mos u ndërhyjë në punë profesionistëve, por t’i lërë ata të punojnë, e mundësisht t’u plotësojë kërkesat për bazëmateriale!
*Të mos u japë mundësinë çdo “hori” apo “halabaku” të jetë pjesë e administratës!
*Të financojë me prioritet sektorët jetikë: arsim, shëndetësi, bujqësi, turizëm!
*Të lërë në dorë të shkencëtarëve Akademinë e Shkencave, ta financojë e ta nxisë të ketë studime me taban kombëtar!Kam fare pak shpresë që këto gjera që parashtrova, të meren parasysh nga politikanët aktualë. Por, kur je në karantinë, njeriu edhe “filozofon”. Së paku u jep lexuesve