
Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra e vizituan artistët e shkëlqyer regjisori Bujar Alimani dhe aktorët Yllka Lota e Herion Mustafaraj e kostumografja e skenografja Albulena Beqiri. Ata u pritën nga sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj, vatrani legjendar Marjan Cubi dhe këshilltari për art e kulturë Nazim Salihu. Dr. Camaj u shpjegoi artistëve historinë e Federatës Vatra e gazetës Dielli dhe rolin historik që këto dy institucione atdhetarie kanë luajtur në dobi të komunitetit shqiptar e çështjes kombëtare në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vatrani legjendar Marjan Cubi tregoi në detaje përpjekjet e patriotëve vatranë për ta trashëguar e forcuar Vatrën e Diellin si asete patriotike e historike kombëtare. Këshilltari për art e kulturë Nazim Salihu në fjalën e tij theksoi rëndësinë e mbështetjes së artit e kulturës shqiptare në Amerikë e sidomos artistëve tanë të shkëlqyer që lartësojnë kombin në mërgatën e Amerikës. Artistët shprehën emocion dhe nderim për Vatrën e historinë e saj teksa regjisori Bujar Alimani ftoi vatranët e publikun për të ndjekur dramën “Netë të Bardha” e adaptuar për skenë nga romani i Fjodor Dostojevskit. Bëhet fjalë për kërkimin e lumturisë së njeriut në një krizë të thellë ekzistenciale në një botë në të cilën ndihet krejt i vetëm. Dashuria si e vetmja dritë në tunel dhe zhgënjimet e herë pas hershme mes botës së shurdhët dhe indiferente janë linjat kryesore të dramës ku karakteret kryesore si dy planete enden në qiej ku sa tërheqin po aq shtyjnë në gravitete njëri -tjetrin. Për herë të parë në gjuhën shqipe e sjellin në Nju Jork një grup artistësh shqiptarë që me këmbëngulje dhe sakrifica arrijnë ta bëjnë të prekshme dhe ta përçojnë te komuniteti ynë. Këtu interpretojnë Herion Mustafaraj dhe Yllka Lota, regjia Bujar Alimani, skenografia e kostumet Albulena Beqiri, asistente kostumografe Dea Spiro Mustafaraj, dizenjmi i dritave dhe zerit Tan Kazazi, menaxher produksioni Damian Pervizi, producent Alfred Tollja. Vihet në skenë në Producers Club Theaters në datat 10 Maj ora 8 pm
11 Maj ora 7 pm , 16 Maj ora 8 pm, 17 Maj ora 8 pm dhe 18 Maj ora 7 pm 2025.