Nga Mimoza Dajçi/
M.D – Përshëndetje Z. Ejlli, gëzohem që jemi së bashku në këtë bisedim artistik, për të folur rreth kinematografisë shqiptare. Ju edhe pse i ri në moshë, keni arritur sukses si kineast. Si ja dolët, kujt ja dedikoni këto arritje?
Jotti Ejlli – Përshëndetje Mimoza edhe unë ju falenderoj për këtë bisedë, por është akoma herët për të folur për suksese, janë gjëra të vogla që bëhen të mëdha me kalimin e kohës. Ndonëse mosha më tregon të ri, unë kam mbi 12 vite që jam pjesë e skenës artistike. Ose më saktë prapaskenës artistike. Çdo gjë i dedikohet viteve të gjata shkolle dhe pune.
M.D – Si lindi tek ju pasioni për artin skenik?
– Jotti Ejlli – Kam qenë gjithmonë i tërhequr nga arti, duke filluar që në moshë të vogël me dhuntinë time për pikturën, pasionin për muzikën dhe prodhimet kinematografike me të cilat unë kam ndarë një pjesë të madhe të fëmijërisë dhe adoleshencës. Pavarsisht pasjonit tim për muzikën nuk ishte dëshira ime që të profilizohesha në një fushë të veçantë.Pasioni im dalë nga dalë u shëndërrua duke krijuar mundësitë për të tjerët që të shfaqin talentet e tyre. Unë isha inicjator i shumë evenimenteve artistike në qytetin tim të vogel duke nxjerrë shumë talente që më pas hynë dhe në skenën kombëtare shqiptare. Kuptova që më pëlqente të isha pas skenës dhe të organizoja të tjerët me qëllimin për të argëtuar publikun. Me kohën kuptova që mënyra e shprehjes së artit tim ishte të qëndroja pas skenës, ose në rastin konkret pas kameras.
M.D – Pas shkollës së mesme në Shqipëri, ju ndoqët studimet në Universitetin e Firences (Itali) dega kinematografi. Pse u përqëndruat pikërisht në këtë fushë, menduat se këtu mund të shkëlqenit si artist?
Jotti Ejlli – (Disiplinat e Artit të Muzikës dhe Spektaklit) ishte dega ku unë u magjepsa dhe e ndoqa me shumë interes. Më interesonte të dija çdo detaj të artit në përgjithësi, gjatë viteve të studimeve kuptova që pasjoni im dhe ku gjeja më shumë veten ishte Kinemaja. Pasion të cilin e ndoqa duke ndjekur profilizimin në Kritikën e Kinemasë.Pas diplomimit u regjistrova në një shkollë profesionale për filmmaking, për të thelluar më shumë dijet e mija në këtë fushë.Kinemaja si arti i 7-të është për mendimin tim forma më e madhe e shprehjes artistike.
M.D – Duke mos lënë në harresë muzikën, ju në Itali Jotti studjuat edhe për muzikë, a menduat se muzika do t’ju shërbente për një përsosmëri të bukur mes filmit me muzikën?
Jotti Ejlli – Muzika padyshim më ka skalitur shumë shqistat, më saktë kur unë punoja si DeeJay dhe vendosja muzikën për qindra njerëz që unë nuk i njihja, ishte detyra ime që të argëtoheshin. Ndjesi e emocioneve që të jep kjo punë nuk mësohet në shkollë dhe pothuajse në asnjë vend tjetër. Me kalimin e viteve unë krijova një ndjesi perceptimi të ndjenjave të shumë njerëzve pa komunikuar në mënyrë direkte me to. Dhe ky është ndjesia e ritmit. Dhe është pikerisht ritmi pika ime me e forte ne prodhhimet kinematografike, ritmi i tregimit të ngjarjes, ndërthurja e saj me muzikën dhe sekuencat e imazheve.
M.D – Filmi juaji i parë është “Rosso Fuoco”. Film i cili arriti të mbërthente audiencën pa frymë përballë ekranit të vogël. Si u ndjetë pas këtij realizimi?
Jotti Ejlli – “Rosso Fuoco” ishte një detyrë që duhet të kryeja, praktikisht diçka që po e tregoja prej shumë kohësh me fjalë por që nuk kuptohej mjaftueshëm idea. Kishte nevojë që mendimet të ktheheshin në imazhe. Prodhimi u mirëprit nga audienca e cila është gjithmonë e vëmëndshme kur bëhet fjalë për forcën e kinemasë, për atë emocion që vetëm kjo fushë mund të përcjellë. Unë u ndjeva i kënaqur dhe i konfirmova vetes vazhdimin e përcjelljeve të emocioneve në këtë fushë.
M.D – Shumë të rinj shqiptarë pasi kanë përfunduar studimet jashtë, kanë preferuar të qëndrojnë përsëri atje. Po ju, pse u kthyet në atdhe? A shikonit ndonjë dritë jeshile në horizontin e punës tuaj krijuese? Apo nëse më lejohet arsye familjare?
Jotti Ejlli – Shqipëria është një vend që ka nevojë për njerëz që të vazhdojnë trashëgiminë kulturore. Besoj fort se kinematografia shqiptare ka shumë për të dhënë. Ne jemi një popull me një shumëllojshmëri kulturash. Vetë pozicioni gjeografik i Shqipërisë bën që të jemi pothuajse një nga vendet e veçanta ku ndërthuret kultura lindore dhe ajo perëndimore, por me baza shumë të hershme autoktone.Kthimi në Shqipëri ishte rezultat i shumë faktorëve, po mbi të gjitha është nevoja e zbulimit të brendshëm artistik ku çdo artist me kalimin e kohës duhet ta gjejë dhe ta amplifikojë. Dhe mendoj që unë këtë “un” artistik duhet ta gjeja në Shqipëri.
M.D – Shumë shpejt do të vinte tek ju filmi “Hije”, ku në nëntor të vitit 2015, Qendra Kombëtare Kinematografike në Tiranë do t’ju suportonte në një konkurs me një shumë të konsiderueshme të hollash. Çfarë ishte për ju ky film, sa i rëndësishëm ishte për audiencën shqiptare veçanerisht?
Jotti Ejlli – Hije sjell realitetin shqiptar duke reflektuar në të kaluarën. Unë kam jetuar për shumë vjet jashtë Shqipërisë dhe ndoshta këtë realitet e shoh në një mënyrë më të ftohtë. “Hije” sjell një hishtori shqiptare në një gjuhë filmike të pa exploruar në Shqipëri. Realizimi i një filmi thriller në Shqipëri është akoma një eksperiment i cili do vlerësohet nga publiku.Prodhimi kinematografik kalon në disa faza shumë komplekse dhe ka shumë nevojë për mbështetje financiare. Por kur është dëshira vullneti dhe puna, një zgjidhje gjendet gjithmonë.
Projekti nisi me mbështetjen e Kinostudio “Dardan” e cila propozoi projektin në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë për ndihmë financiare. Dua të them që forca e skenarit e bëri projektin të vazhdonte në hapa të sigurtë, ku aktorët elitë të Shqipërisë pranuan të ishin pjesë e projektit ndonëse buxheti ishte shumë i vogël.
Një ndihmë e madhe erdhi dhe nga bashkëpuntorët e mi në Itali, të cilët iu përgjigjën kërkesës time për një bashkëpunim. Mbështetja e madhe erdhi nga SAE Institute Milano e cila mundësoi disa hapa deçiziv të realizimit të filmit.
M.D – A mund të njihemi me personazhet kryesore të këtij filmi dhe nga kush interpretohen ato?
Jotti Ejlli – Personazhet janë karaktere të veçantë të cilët janë sjell në jetë nga një kastë mjaft prestigjoze aktorësh. Kam patur nderin të bashkëpunoj me profesionistët si Alfred Trebicka, Gent Kame, Eglantina Ceno, Sokol Angjeli, Kastiot Shehi si dhe aktorë të rinj që vijnë për herë të parë në ekran, por kanë surprizuar me talentin e tyre, Antonio Kowdrin, Kol Kunora etj…
M.D – Po artistë të huaj, kanë qenë protagonistë të filmit tuaj?
Jotti Ejlli – Jo të gjithë artistët ishin shqiptarë.
M.D – A mendoni se filmi “Hije” ishte një produksion i mirëfilltë i juaji si regjisor i ri?
Jotti Ejlli – Hije është një film i mirëfilltë indipendend. Ka një gjuhë shumë të qartë kinematografike dhe një forcë të madhe në përcjelljen e idesë. Pavarësisht se më sipër përmenda buxhetin e vogël, në prodhimin e filmit nuk kam bërë asnjë kompromis në humbjen e kualitetit teknik dhe human. Filmi është realizuar në të gjitha parametrat filmike botërore. Ishte një sfidë e përditshme me kohën, por në fund çdo lodhje paguhet.Artisti s’është asnjëherë i kënaqur me punën e tij, por kinemaja ka të përfshirë shumë faktor. Unë e shoh këtë prodhim me këmbë në tokë dhe jam mëse i kënaqur me produktin e realizuar.
M.D – Pak kohë më parë ju Z. Ejlli ishit i ftuar në Javën e Festivalit të Filmit Shqiptar në New York, ku ishit fitues i dy Çmimeve?
Jotti Ejlli – Në Javën e Filmit Shqiptar në New York ishte Rosso Fuoco i cili mori dy çmime. Çmimin e kolonës zanore më të mirë, dhe surpriza ime e madhe, ishte Çmimi e publikut. Them surpriza e madhe sepse filmi ishte në gjuhën Italiane, nuk e prisja të përcillej kaq fort mesazhi. Jam ndjerë vërtet shumë i nderuar dhe i emocionuar, sepse misioni i një filmi është të përcjellë një ndjenjë, dhe kur kjo vlersohet nga publiku mund të them që është vlersimi më i madh që mund të marrësh.
M.D – Cili është regjisori apo regjisoria juaj e preferuar shqiptare, qoftë edhe e/i huaj?
Jotti Ejlli – Të flasësh për kinematografinë shqiptare është pak delikate, sepse prodhimet para ’90 kanë pasë një ngurtësim në shprehje, pra sado që kanë shumë vlerë për kohën, nuk mendoj që regjisorët kanë dhënë një mendim të plotë mbi perceptimin e tyre.Preferencat e mia janë ato produkte filmike ku regjisorët e kanë kaluar cakun e përcjelljes thjeshtë të imazheve. Më pëlqen kinematografia simbolike dhe metaforike, filmi komunikon në mënyrë direkte dhe indirekte me publikun. Mund të përmend këtu të gjithë fimografinë e Stanley Kubrick.
- D – A mendon se filmografia shqiptare ka avancuar, si e sheh prespektivën e saj?
Jotti Ejlli – Mendoj që është akoma herët, kinemaja shqiptare nuk ka avancuar me hapin e kohës. Pas viteve ’90 u ndje një frymë e kthimit në prodhimin e filmave neorealist. Ishin vitet kyçe ku në botë kishte një boom në zhvillimin e zhanerave të ri kinematografik, me mundësitë e teknikave që erdhën në ato vite. Dëshira për tu kthyer në prodhimin e filmave Neorealist që fqinjët tanë i kishin prodhuar para 50 viteve nuk ndihmoi në zhvillimin e kinematografisë. Dhe pasojat ndjehen në çdo prodhim shqiptar të këtyre 25 viteve, sepse janë filma pa identitet. Mund të them në vendin e gabuar në Kohën e gabuar.
Një përgjegjësi e madhe është dhe sistemi arsimor në Shqipëri i cli, në mendimin tim, nuk ka avancuar me kohën por ka ngelur shumë shumë prapa. Unë jam shume dakort që duhet studiuar e kaluara dhe bazat e kinematografisë, por ato principe janë evoluar aq shumë saqë sot nuk i përgjigjen nevojave të prodhimit dhe kreativitetit.
M.D – Sa i ndjekur është filmi në Shqipëri, a tregohen dashamirës shqiptarët ndaj një produksioni vendas, krahasuar me atë të huaj në përgjithësi?
Jotti Ejlli – Fatkeqësisht kjo është pasoja më e madhe e mos-avancimit që përmendëm më sipër. Publiku sot ka një pafundësi zgjedhjesh në mbarë botën dhe nëse do ti tërheqësh vëmendjen duhet të flasësh me gjuhën që bota flet. Në Shqipëri Filmbërësit e kanë harruar publikun, dhe si pasojë publiku e ka harruar filmin shqiptar.
Më vjen shumë keq për këtë, dhe nëse kjo duhet të ndryshojë duhen mbështetur breza të rinj të cilët kanë dëshirë dhe kurajo për të eksperimentuar dhe ndryshuar gjërat. Edhe pse diçka ka filluar të nuhatet, akoma shikohet me skepticizëm ky ndryshim.
M.D – Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Jotti Ejlli – Planet janë të shumta, gjithmonë në prodhimin kinematografik. Një film i ri do fillojë së shpejti njëkohësish po punojmë fort në krijimin e kontakteve që të forcojmë prodhimin në Shqipëri dhe ti kthejmë vëmendjen studiove ndërkombëtare në mbështetjen e produktit shqiptar. Duhet punë dhe mbështetje, uroj të gjejmë gjuhen e duhur në Shqipëri që të kemi një zë më të fortë jashtë saj.
M.D – A e shikoni ju Z. Ejlli se një ditë në duart tuaja, mund të keni një “Oskar” si Dhuratë?
Jotti Ejlli – Nuk dua të tregohem modest, por synimi im nuk janë çmimet. Oskari për mua është çdo njeri që shkon në kinema dhe ndan kohën e tij me mua. Mund të ketë shumë arsye ku ti mund të marresh një vlerësim nga profesionistët, por çmimi më i madh që mund të marrësh është sinqeriteti I publikut të thjeshtë.
M.D – Faleminderit Jotti
Jotti Ejlli – Faleminderit edhe juve Mimoza