• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Drejtësia mbi krimin!

November 23, 2017 by dgreca

41480013_303

Ne Foto:Ratko Mladiq: Përbindëshi para drejtësisë-Burgim te Perjetshem//

Nga Mimoza Dajçi/

Dy vite më parë, po në muajin nëntor të vitit 2015 ndodhesha me tim atë në Hagë, me një grup aktivistësh për të drejtat e njeriut e misionerë të paqes në botë. Si kosovar e si familje patriotësh, gjak nga familja e Boletinëve të Kosovës martire, me vete mora edhe tim atë.

Megjithëse i rënduar nga hallet e jetës si ish i burgosur politik në Shqipëri, por edhe shqetësimi familjar pasi një muaj e një javë më parë sapo na kishte lënë për jetë ime më, bashkëshortja e tij. Por kur mësoi se do të ishim prezent edhe në një seancë gjyqēsore për krimet kundra njerëzimit në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, shfaqi dëshirën për të më shoqëruar. Sigurisht që ja plotësova, ashtu sikurse i shëtisja çdo fundjavë me makinë të dy prindërit e mi buzë oqeanit si në verë ashtu edhe në dimër.

Siguruam biletat për këtë udhëtim dhe u nisëm. Atje na u dha rasti, edhe sipas axhendës së programuar të vizitonim Institucione dhe Qëndra të rëndësishme botërore të drejtësisë, politikës, artit, kulturës, Interpolin etj.

Por interesimi më i madh për momentin për ne, mua e tim atë ishte Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, ku në një seancë gjyqësore po zhvillohej gjyqi ndaj kriminelit Ratko Mlladiç, pikërisht atij që sot kjo Gjykatë i dha dënimin e merituar. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është një Institucion i rëndësishëm i OKB. Kishte kohë popullsia e pafajshme në Bosnje e të gjithë paqedashësit në botë që prisnin të jepej vendimi përfundimtar i tij. Shtyhej këtë muaj, këtë vit, saqë edhe me tim atë prisnim se çfarë do të ndodhte, por sigurisht duke patur besim se ai duhej të dënohej.

Pas një kontrolli të imët tek hyrja e Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë u gjendëm përballë Trupit Gjykues dhe kriminelit Ratko Mlladiç. Salla e gjyqit një ambjent modern, sigurisht nën elementet e sigurisë së lartë midis të akuzuarve dhe pjesëmarrësve në sallë. Rojet dhe kamerat e sigurisë të ndiqnin ngado. Sapo u ulëm, Ratko, kureshtar pyeti me kokë në gjuhën e tij njerëzit ulur në të djathtë përballë xhamit hermetik, se kush ishim ne. Ata (djemtë e tij siç na treguan më pas rojet) menjëherë kthyen kokën, menduan se ishim dëshmimtarë okularë të ngjarjes kundër të akuzuarit, por kur një punonjës shoqërues serb i asaj gjykate, i shpjegoi se ne nuk ishim dëshmimtarë por misionerë të paqes u “çlirua”. Filloi të qeshte e të bënte xheste humori, një bashkëbisedim i shtirur mes tij e djemve të tij në sallë matanë xhamit të tejdukshëm. Lëvizte, rrotullohej në poltroin rrotullues, saqë na la një shije të hidhur ky moment, saqë po thonim me njëri tjerin; ky zotëri është në burg apo në kafe.

Ratko Mlladiç si komandat i forcave serbe të Bosnjes, ose i njohur si kasapi Bosnjes akuzohej për genocid  dhe krime ndaj njerëzimit, krime të luftës. Ai është përgjegjës për ekzekutimin e 8 mijë burrave myslimanë në korrik të vitit 1995, që njihet si mizoria më e madhe e kryer në Europë pas Holokaustit. Megjithëse ai i ka hedhur vazhdimisht poshtë të gjitha akuzat ndaj tij, por ato janë faktuar si vrasje, tortura, dhunime, shfarosje, dhe bombardime.

Kaloi një vit, dy e im atë më pyste herë pas here nëse përfundoi gjyqi i tij apo jo. U fol se do të dënohej me burgim të përjetshëm. Dhe ja sot, si dy vite më parë, më në fund krimineli Ratko Mlladiç mori dënimin e merituar. Im atë u nda nga jeta në muajin dhjetor të vitit 2015.

Vendimi që u morr ndaj Ratko Mlladiç është gjykimi i fundit nga ky Tribunal qysh prej datës së themelimit në Hagë në vitin 1993, për dënimin e krimeve të kryera në luftrat Ballkanike të viteve 90 të.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Drejtësia mbi krimin!, Mimoza Dajci

Dita Kombëtare kundër krimeve të komunizmit në SHBA

November 11, 2017 by dgreca

1 Moza 2Nga Mimoza Dajçi Boletini/Washington, D.C- Nga datat 7 – 9 Nëntor 2017 me rastin e 100 Vjetorit të përmbysjes së komunizmit në Rusi (1917 – 2017) Organizata Amerikane “The Victims of Communism” themeluar nga Z. Marion Smith zhvilloi evenimentin më të rëndësishëm për të drejtat e njeriut, ish të burgosurve e të persekutuarve politikë në botë, duke fillluar me revolucionin bolshevik në Rusi e vende të tjera të botës, ku sigurisht përfshihet Shqipëria dhe Kosova.

Më datë 7 Nëntor 2017 Presidenti i Amerikës Donald Trump ka shpallur një Ditë Kombëtare në Përkujtim të Viktimave të Komunizmit, ndërsa Parlamenti Europian Ditën Përkujtimore për viktimat e rregjimeve totalitare dhe autoritare (që njihet si dita e fjongos së zezë në disa shtete) e ka vendosur më datë 23 Gusht të çdo viti.

Dokumentarët, ligjëratat e kumtesat u mbajtën në Librarinë e Kongresit Amerikan në Washington, DC. Folësit kryesorë ishin ish të burgosur e të persekutuar politik nga rregjimi komunist në Rusi e vende të ndryshme të botës, Senatorë, historianë si dhe aktivistë të të drejtave të njeriut.

Pjesëmarrja ishte e gjerë, të ftuar nga Shqipëria ishin Kryetarja e Autoritetit  për Informim  mbi Dokumentacionet e ish Sigurimit të Shtetit Znj. Gentiana Sula dhe nënpunësi i lartë i këtij Institucioni ish i persekutuari politik dhe aktivisti i të drejtave të njeriut Z. Simon Mirakaj, Federata Pan Shqiptare “Vatra”, ish të persekutuarit politikë Dr. Gjon Buçaj me zonjën Nikoletën e familje, Znj. Merita Bajraktari McCormack, Z. Agim Rexha me zonjën, ish i burgosuri politik Pëllumb Lamaj, ish i persekutuari politik Çesar Ndreu, Ambasada Shqiptare në Washington, DC. si dhe Organizata e Gruas Shqiptare Amerikane “Hope & Peace” në SHBA.

Premiera e Filmit dokumentar of “Women of The Gulag” me producentë Maria Yarovskaya dhe Dr. Paul R Gregory dedikuar gruas ish të burgosur politike në Rusi gjatë kohës së Stalinit u mbajt në Kineman Landmark po në Washington, DC. e u ndoq me shumë interes nga shikuesit, pasi dihet komunizmi nuk kurseu as gratë, por i dhunoi, masakroi dhe i shkatërroi jetën njësoj si edhe burrave.

Si parantezë, ndoshta e parëndësishme për të gjithë lexuesit, por vetëm për ata që nuk e njohin persekucionin tim politik, personalisht kam përjetuar persekucion politik nga im atë, si ish i burgosur politik Grupi A1- nga torturat në burg dhe im xhaxha i pushkatuar politik pa gjyq nga forcat sllavo komuniste me në krye Shefqet Peçin (Grupi A nga Qeveria Shqiptare) pranova me kënaqësi ftesën për të marë pjesë në këtë takim jubilar për të drejtat e shtresës së persekutuar politike nga rregjimi komunist.

Edhe pse kam jetuar në Tiranë, ku mijra shqiptarë u internuan e kanë përjetuar tmerre e vuajtje pa fund edhe unë kam kaluar një fëmijëri e rini të vështirë si nga ana politike, ekonomike, sociale, punësimi, strehimi etj. E ndjeja diskriminim si delja e zezë mes të bardhave. Shkallët e pallatit ku banoja edhe pse ende fëmijë sa herë i hypja e zbrisja, nuk më përshëndesnin komshinjtë, shrehnin përbuzje, përçmime, etj. Thuajse për ta isha e padukshme. Çështje biografie…

Pra nga lufta e klasave prekej e kishte pasoja çdo inidvid, fëmijë apo i rritur që kishte prindërit apo një pjesëtar tjetër të familjes në burg politik, internuar politik pavarësisht se ku jetonte.

Çudi, por burgu ordiner i asaj kohe ishte lule, qeveria, “fronti demokratik” i lagjes nuk i trajtonte armiq  të popullit vjedhësit e pasurisë së përbashkët, intrigantët, shpifësit dhe dhunuesit!!!! Mbi ata nuk zhvillohej luftë klasash!!!

Sipas të drejtave ndërkombëtare e Qeverisë së Danimarkës e shteteve demokratike në botë, fëmijët e ish të burgosurve politikë automatikisht njihen si viktima të komunizmit dhe ish të persekutuar politikë – Grupi C.

Nuk jam ekzemplar i plagëve, halleve e derteve që ka kaluar për afro gjysëm shekulli popullsia shqiptare e pafajshme nën diktaturë, por edhe mua më është mohuar në rini arsimimi i lartë, lagja më dërgoi me punë të detyruar në Minierën e Qymurgurit në Valias –  punë me 3 turne, pastruese në Spitalin Pediatrik në Tiranë me 3 turne, në fermën e Tapizës për hapje tokash të reja – po me detyrim nga këshilli i lagjes. Aksion politik ky për gati 300 të rinj të kryeqytetit me damkë në biografi nga komitetet ekzekutive të lagjeve përkatëse. Person pergjegjës i kësaj nisme ishte Hysen Shahu.

***

Veprimtaria për këtë 100 vjetor në përkujtim të mbi 100 mijë viktimave nga komunizmi kaloi me emocione dhe kujtime të thella qysh nga periudha e shkuar e deri më sot, duke filluar me komunizmin në Rusi, si djepi i përhapjes së propagandës kuqe që shkatërroi njerëzimin e botën mbarë, ku si rrjedhojë plagë të pambyllura ka akoma kjo shtresë kudo në botë. Shqipëria që është specifikuar si vendi që ka përjetuar diktaturën më të egër në Europë “u prezantua” në këtë event gjithashtu edhe me flamurin e kuq, shqiponjën e zezë dy krenare dhe pa yllin e kuq pranë flamuarit amerikan, mes 25 flamujve të tjerë të shteteve që kanë përjetuar genocid ishte rradhitur edhe flamuri i Kosovës.

Ndjeva mall për vendin tim, për trojet tona, Kosovën martire, andej nga kam edhe origjinën, nga Boletinët e Mitrovicës, ku makineria serbe e malazeze shtypi historikisht dhunshëm e masakroi barbarisht trupat e gjakun të të parëve tanë, vajzave e djemve më të mirë shqiptarë. Heronjve të kombit, për të cilët përulemi sot me respekt.

Darka e cila u quajt si një përkujtimore zije nga historiani skocez Dr. Niall Ferguson u zhvillua në një nga Sallat madhështore të Union Station në Washington, DC. i cili ndër të tjera në fjalën e tij tha se: Për jetët e humbura nga komunizmi duhet treguar keqardhje dhe respekt i njëjtë si dhe për viktimat nga Holokausti. Elementi i përbashkët i të gjitha kumtesave ishte fakti se ka mangësi të theksuar informacioni mbi krimet e komunizmit në botë, konkluzion i dalë edhe sipas një sondazhi që kjo organizatë kishte mbajtur për gjeneratën millenials dhe studenët e universiteteve amerikane të cilët pyesin profesorët e tyre se si ka mundësi që dimë kaq shumë për Holokaustin e jo për komunizmin, ndërkohë që Lenini dhe Stalini kanë vrarë më shumë njerëz në numër se sa Hitleri?

Në diskutime e sipër u hodhën ide se si të veprohej në mënyrën e duhur për konkretizimin e këtyre krimeve, pasi një emigrante nga Rusia shrehu pakënaqësinë duke thënë se, ata që kanë lyer dyert me gjak janë duke e mbyllur karrierën e tyre në mënyrë të shkëlqyer, me para, me poste, lëvdata, dekorime, me elozhe dhe në lluks, pra kanë qenë e janë akoma të privilegjuar e në krye të vendit. Të njëjtën pakënaqësi ngriti edhe një emigrante nga Polonia duke thënë se ky është një shqetësim i madh për të gjitha vendet ish komuniste.

Ndërsa Sekretarja e Shtetit për Dialogun Ndërkombëtar në Poloni Shkëlqësia e saj Senatorja Anna Maria Anders tha se duhet bërë punë edukative nëpër shkolla, pasi është përgjegjësi e akademikëve që femijët nëpër shkolla nuk kanë informacionin e duhur dhe mënyra më efikase që gjeneratat e reja mos të mbeten nostalgjik ndaj rregjimit komunist (të cilin nuk e kanë jetuar) të mos ta idealizojnë. Duke u bërë  e njëjta punë promovuese si me Holokaustin nëpër tekstet shkollore. Politikani, editori dhe opinionisti i gazetës Washington Times – David A. Keene, genocidin komunist në Shqipëri e krahasoi të njëjtë sikurse sot diktaturën komuniste në Korenë e Veriut.

Gjatë darkës apo edhe në Librarinë e Kongresit pata rast të takoj e bisedoj nga afër rreth këtyre ngjarjeve të dhimbshme me Z. Simon Mirakaj, Znj. Gentiana Sula, bisnesmenen Lindita Komani, Pëllumb Lamaj, politikanë dhe aktivistë të drejtave humane David A. Keene së bashku me bashkëshorten, profesorin e historisë amerikane e botërore Leonard Gerson, Drejtorin e “Hoover Institution” Michael G. Franc, Senatorin Republikan Ted Cruz, i cli foli ne nje nga panelet e paradites ku ndau ekesperiencen e tij personale dhe familjareve te tij emigrant nga Kuba ne SHBA, Asistenten Ekzekutive pranë “Victims of Communism” Mariza Smajlaj (shqiptare), përfaqësuesin e Institutit të Kërkimeve Hungareze Gabor Balogh etj. Moderator i mbrëmjes ishte themeluesi dhe Drejtori Ekzekutiv i “Victims of Communism Memorial Foundation” Z. Marion Smith.

Filed Under: Histori Tagged With: Dita Kombëtare kundër krimeve të, komunizmit në SHBA, Mimoza Dajci

Musine Kokalari, simboli i sakrificave të vajzave dhe grave në diktaturë

February 11, 2017 by dgreca

Flet, Mimoza Dajçi, themeluese e The Women’s Organization “Hope & Peace”/2 mimoza-dajciIntervistoi: Albert Vataj/

Nga përtej Atlantiku, nga toka e premtuar e kauzave të shenjta të lirisë dhe demokracisë, nga SHBA-të, mbërrin në tokën që lëngon prej kujtesës së vuajtjeve, zëri i një ndërmendeje, kushtrimi i një mirënjohjeje, solemniteti i një kremteje. E kush do ta meritonte më mirë këtë kujtesë të përkorë, këtë sublime përkujtuese, se sa Musine Kokalari, simboli i martirizimit të vajzave dhe grave në diktaturë. E kush më me ndjenjë dhe pasion, përkushtim dhe përgjegjësi, zemër dhe shpirtërore do ta bënte këtë më mirë se Mimoza Dajçi, ajo e cila ka qenë dhe vijon të jetë në radhën e parë të uraganit të të denoncimit të veprave makabre të diktaturës. Sepse ajo e di e di më mirë se askush se si dhëmb plaga e asaj të shkuare.

Emri i Musine Kokalarit lidhet me veprën më sinjifikative që është plazmuar në eterin e Shqipërisë së kohëve të errëta të diktaturës, të kohës së absurdit, të kohës së nënshtrimit, persekutimit, represionit dhe masakrave, të asaj kohe që gjithçka ishte e ndaluar. Kontributi vetmohues patriotik dhe ai i vleftë letrar i Musine Kokalarit, mbeten edhe sot një pikë referimi. Ndërgjegjja e shoqërisë shqiptare, vetëdija e opinionit publik, kujtesa, gjenden kushtruese në këto ditë kremteje, në këtë vlerësim që kapërcen kufinjt.  Është 100- vjetori i lindjes së Musine Kokalarit, përkujtimi si obligim, ajo që ka bashkuar shqiptarët në SHBA. Është Mimoza Dajçi, themeluese e Organizatës së Gruas The Women’s Organization në SHBA, nismëtarja dhe finalizuesja e kësaj ndërmendje. Në intervistën dhënë për “Koha Jonë” ajo rrëfen gjithçka që ka lidhje me finalizimin e këtij kushtimi për martiren Musine Kokalari. Ajo kërkon të ndajë me lexuesit e gazetës për aktivitet që janë organizuar në nderim të emrit dhe veprës së Musine Kokalarit, disidentes së parë shqiptare, gruas që mbetet shëmbëllim i kalvarit të gjatë të vuajtjeve dhe sakrificave të dhjetëra e dhjetëra grave dhe vajzave, të cilat besuan te aspiratat e larta të atdhedashurisë, besuan tek liria dhe u bënë theror i këtyre idealeve.

– Znj. Dajçi si themeluese e Organizatës së Gruas The Women’s Organization “Hope & Peace” në SHBA, si përfaqësuese e interesave dhe rolit të gruas çfarë mund të na thoni në lidhje me veprimtarinë në përkujtim të 100-vjetorit të lindjes së heroinës shqiptare, Musine Kokalari, a do të kishit diçka që do të dëshironit ta ndanit me me lexuesit e “Koha Jonë” për këtë kremtim?

Së pari dëshiroj t’ju falënderoj juve për interesimin e treguar në vlerësimin e figurës shumëdimensionale të martires së deomkracisë, Musine Kokalari. Kjo figurë, emri dhe vepra, kurajoja dhe kontributi, meritojnë një vëmendje dhe vlerësim të veçantë. Ky përvjetor nuk mund të kalonte as këtu në SHBA pa atë interesim që është në një farë mënyre një mirënjohje e jona për gjithçka bëri ajo grua e kurajshme, ajo idealiste që nuk u step në realizimin e aspiratave të saj as para represionit dhe mizorisë së diktaturës. Organizata jonë e Gruas “Hope & Peace” në New York ose “Shpresë dhe Paqe”, ku si bashkëthemeluese është edhe Znj. Merita Shkupi, morëm inisiativën për të përkujtuar 100-vjetorin e lindjes së Musine Kokalarit.

Në mënyrë që kjo veprimtari të na dalë sa më mirë dhe me nivelet që kërkon koha, e denjë për këtë emër dhe këtë vepër guximi dhe krenarie, puna organizative zë fill katër muaj më parë. Gjithçka nisi me krijimin e një grupi pune, i cili do të merrej me hartimin e platformës dhe realizimin e çdo komponenti përbërës të kësaj strukture organizimi. Në këtë grup pune përfshimë personalitete të njohura shqiptare nga fusha e letërsisë, historisë, artit dhe gazetarisë, si dhe poeten dhe humanisten e njohur, Rita Saliu, shkrimtaren Eglantina Mandija, e cila në krijimtarinë e saj ka shkruar shumë për heroinën Musine Kokalari. Gjithashtu në këtë organizëm veprues, vlerësojmë pjesëmarrjen e veprimtares së njohur, Merita Shkupi, gazetares dhe autores së “Hymnit të Nënë Terezës”, Dijana Toska, publicistes dhe gazetares, Elida Buçpapaj, gazetarit dhe ish-të persekutuarit politik, Beqir Sina, studiuesit dhe historianit ish-të persekutuar politik, Agron Alibali, violinistes me famë botërore, Suzana Nehani Bezhani, balerinës, Tatjana Petrela, pianistes, Elona Muça, aktivistes, Violeta Mirakaj, Dia Saraçi, Lindita Semanjaku, etj… Në mënyrë që gjithçka të funksiononte sa dhe si duhet me të gjithë anëtarët e këtij grupi pune kemi patur takime dhe konsultime të herëpashershme, këtu në në New York, me disa të tjerë që jetonin më larg kemi zhvilluar “Conference Call”.

Në hapat vijues, sipas asaj platforme ne u drejtuam Fedaratës Pan Shqiptare, “Vatra” në New York, ku u pritëm nga Presidenti i saj, Dr. Gjon Bucaj, i cili e mirëpriti iniciativën tonë dhe shprehu gatishmërinë për të na mbështetur duke na ofruar ambientet e “Vatrës” për zhvillimin e aktivitetit. Dhe me këtë rast ne e falënderojmë Dr. Buçaj për përkrahjen që na afroi.

Po pse vendoset që ta mbanit pikërisht në “Vatër” këtë veprimtari, apo keni bashkëpunim të rregullt me Organizatën “Vatra”?

Ne kemi patur në vijimësi një bashkëpunim të frytshëm me Federatën “Vatra”, që në kohën kur drejtohej nga i nderuari, Agim Karagjozi, për të cilin sigurisht ruajmë akoma respekt e konsideratë të veçantë. Përsa i përket përzgjedhjes, ne jo se nuk kishim ambiente të tjera se ku mund ta mbanin këtë veprimtari, pasi na u afruan edhe disa të tjerë auditore universitare dhe kulturore, por qëllimi ynë ishte sa fisnik dhe patriotik aq edhe historik. Dhe është pikërisht “Vatra” ajo vatër e nderuar dhe e vlerësuar, ai tribun i fjalës edhe veprës patriotikëve të shqiptarëve në SHBA dhe jo vetëm, që i jep atë shkallë të lartë vlerësimi, i atribuon këtij aktiviteti atë çfarë e ngre në nivel kremteje kombëtare. Sepse “Vatra” është e para qendër historike shqiptare në SHBA qysh në kohën e figurave potenciale historike, si Fan Noli dhe Faik Konicës. Ne si organizatë i kemi zhvilluar shpesh aktivitetet tona në ambiente të tjera shumë prestigjioze siç janë universitetet amerikane, ku sallat na janë afruar pa pagesë, ku me këtë rast falënderojmë Profesorin e “Monroe College” në Bronx patriotin e devotshëm Z. Haxhi Berisha, i cili na ka përkrahur gjithmonë në çdo veprimtari tonën. Por për vlerat që folëm më sipër ne vendosëm që ta mbanim në “Vatër”.

Gjithashtu nuk mund të rri pa e shprehur faktin se sapo u shpërnda njoftimi, patëm shumë telefonata, e-mail-e nga personalitete të ndryshme shqiptare, të cilët ishin të gatshëm të jepnin sado pak ndihmesën e tyre për mbarëvajtjen e kësaj veprimtarie madhore. Ndërmjet tyre dëshiroj të përmend mbështetjen e madhe që na dhanë, Muzeu Historik “Musine Kokalari” në Gjirokastër dhe vetë mbesat e Musine Kokalarit – zonjat Arjeta, Evi dhe Enit Kokalari Lulushi.

Çfarë ndihme konkretisht ju afroi muzeu “Musine Kokalari” dhe mbesat e saj?

Mbështetja nga Muzeu Historik “Musine Kokalari” dhe mbesave, Arjeta, Evi dhe Enit janë konkrete dhe shumë me vlerë, që kishin të bënin me me materialet ekskluzive që na dërguan dhe paraqitën, të cilat e pasuruan së tepërmi arkivin e këtij aktiviteti nga jeta dhe vepra e Musine Kokalarit, ku përfshihen dorëshkrimet origjinale të Musinesë, dokumentet, krijimtari, foto të saj me familjen, letra e korrespondenca me familjarët etj. Me këtë rast më lejoni të falënderoj në mënyrë të veçantë, Arjeta Kokalari është edhe njëra nga mbesat e familjes që kujdeset në mënyrë të shkëlqyer për Shtëpinë Muze, “Musine Kokalari” në Gjirokastër, ndërsa Evi dhe Enit i janë bashkangjitur punës tonë përgatitore me të gjitha mundësitë dhe kohën e tyre.

A mund të na flisni pak për figurën e lartë te martires, Muisne Kokalari, që nuk kurseu as jetën e saj të re për çështjen kombëtare?

Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adanë, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta. Dhjetë vjet më vonë, pra në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.

 

“Për shëndetin tim nuk i drejtohem kujt, aq më pak atij që kishte në dorë të më lehtësonte dënimin”. Kështu shkruante Musineja vetëm pak kohë para se të vdiste, duke lënë të kuptohej se “ai” nuk ishte veçse Enver Hoxha, i cili u kujdes deri në fund për dënimin e saj. E konsideruar si kundërshtare e regjimit komunist, ajo u dënua me 20 vjet burg dhe më pas u internua për 22 të tjerë në Rrëshen, ku vdiq në vitin 1983, nga kanceri. Bashkëkohësit tregojnë se nuk iu dha mundësia as të kurohej në spitalin onkologjik. Vdiq e vetme dhe u varros nga varrmihësit. Kur e zhvarrosën vite më vonë, u pa se duart e saj ishin të lidhura me tela me gjemba.

Diçka më specifike në lidhje me atë që do të çonte atë në bankën e të akuzuarve?

Fakti që ajo kishte krijuar së bashku me Skënder Muçon, Partinë Socialdemokrate, në vitin 1943, nuk mund të anashkalohej nga sistemi njëpartiak i Enver Hoxhes. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria po vihej nën diktaturë, si kundërveprim i kësaj të fundit u themelua më 6 nëntor të vitit 1946, në Tiranë, grupimi i parë opozitar antikomunist “Bashkimi Demokratik Shqiptar”, një aleancë e Partisë Socialdemokrate, kryesuar nga Musine Kokalari, me Frontin e Rezistencës, drejtuar nga Sami Qeribashi dhe me Grupin Monarkist, të drejtuar nga Qenam Dibra.

Musineja u bashkua me disidentët e tjerë të opozitës, e cila sipas ideve të saj, do të ishte ilegale dhe do të luftonte me mjete demokratike për një Shqipëri ndryshe. Ajo nuk mund të pranonte diktaturë, ndaj dhe i shfaqi hapur bindjet politike, por në të njëjtën kohë dhe diktatura nuk mund ta pranonte Musinenë, ndaj e goditi për vdekje.

Në hetuesi dhe në gjyq, Musine Kokalari do të depononte: “Mbas Mbledhjes së Mukjes, kam marrë pjesë në Ballin Kombëtar si socialdemokrate dhe kam qenë përgjegjëse e gazetës ‘Zëri i Lirisë’, ku kam botuar artikuj ku flitet për çështjen e Kosovës në bazë të Kartës së Atlantikut. Kriteri për të luftuar ishte jo për qëllimin e përfitimit të disa klikave, por për demokratizimin e vendit”.

Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së heroinës, Musine Kokalari dhe me kërkesë të familjareve të saj, nga Komisioni Shtetëror i Autoritet Hapet Dosja është kërkuar më në fund fillimi i të shumëkërkuarës hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit, konkretisht me dosjen e Musine Kokalarit, ju si e shikoni këtë proces dhe si po e vlerësoni shpërndarjen e dëmshpërblimeve për ish-të përndjekurit politikë në Shqipëri?

Hapja e dosjeve ndoshta është shumë e vonuar, por mbetem me bindjen se ato duhet të kishte ndodhur kohë më parë që shoqëria shqiptare, politika, shteti të ishin të çliruar nga barra e rëndë e së shkuarës. Hezitimi i vazhdueshëm i politikës për ta shtytur për në një kohë të mëtëjme këtë hap të distancimit nga diktatura komuniste, nga veprat e përbindshme të Sigurimit të Shtetit, është sa i pakuptimtë aq dhe absurd. Nuk përjashtohet mundësia se kanë qenë  segmente të caktuara brenda klasës politike shqiptare të interesuar që hapja e dosjeve të mos konkretizohej. Është pikërisht kjo klasë politike, e cila ka në radhët e saj njerëz të ish-nomenglaturës komuniste, ka ish-bashkëpunëtor të zellshëm të Sigurimit të Shtetit, të cilët jo vetëm nuk kanë kërkuar ndjesë për veprat e së shkuarës, por duket se janë bërë pengesë energjike që ky detyrim moral dhe politik të mos merrte zgjidhje. Përsa i përket dëmshpërblimeve ato duhen përshpejtuar pasi mijëra njerëz që kanë vuajtura nga ai regjim po ndahen nga kjo jetë pa marrë shpërblimin e torturave që hoqën nëpër burgje e kampet e përqendrimit shqiptar dhe kjo është e dhimbshme dhe e pafalshme, pasi siç dihet Shqipëria është klasifikuar si vendi që ka përjetuar diktaturën më të egër në Europë.

Nga media kemi lexuar se organizata juaj i ka kërkuar Presidentit Bujar Nishani që për gruan intelektuale dhe të guximshme të vendoset Çmimi “Musine Kokalari”, a keni marrë përgjigje nga Ai, nëse po a mund ta bëni publike?

Jo nuk kemi marrë përgjigje akoma, por shpresojmë të na miratohet si kërkesë.

Po ju Mimoza Dajçi a keni qenë pjesë e asaj viajtje, atij persekucioni politik gjatë rregjimit komunist në Shqipëri?

Po sigurisht që kam vuajtur edhe unë nga ai regjim makabër. Xhaxhai im Rasim Dajçi është pushkatuar pa gjyq nga rrëgjimi sllavo – komunist në Prizren. Edhe im at, Enver Dajçi, ndjesë pastë, i përket atij kalvari të gjatë vuajtjesh, ai dënua për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Në këto kushte linda dhe u rrita unë. Më kujtohet se kur isha ende fëmijë sa sa herë ngjitesha dhe zbrisja shkallëve të pallatit me dukej vetja e padukshme, sepse nuk më përshëndesnin disa nga  komshinjtë tanë. Aq keq dhe aq të parespektuar silleshin ata edhe me mua fëmijë në atë kohë në lagjen ku jetonim në Tiranë. Sigurisht nuk kam vuajtur si mijëra fëmijë, të rinj e të moshuar të tjerë nëpër kampet e përqendrimit shqiptar, por përsëri peshën e rëndë të luftës së klasave dhe diskriminimin e diktaturës komuniste e kam ndjerë në çdo kohë dhe kudo. Shkolla e lartë nuk me doli, zyrat e lagjes më dërguan për të punuar për disa vite radhazi, me punë të detyruar në fermë dhe nëpër disa punë të tjera të rënda.

Shqipëria po pret në qershor të mbajë zgjedhjet e reja parlamentare ku përfshirja e gruas në politikë është në kuotën 30%, sipas jush a është i mjaftueshëm ky përfaqësim ndërkohë që atje ka shume probleme sociale dhe dhunë nëpër familjet shqiptare?  

Unë mendoj se përfshirja e gruas në politikë në kuotën parlamentare 30% është e pamjaftueshme. Shqipëria ka shume probleme sociale, ekonomike por edhe politike, femra atje diskriminohet edhe në auditorët e politikës dhe rastet i kemi të shumta. Në Shqipëri ka shumë dhunë, ka shumë krime ordinere, ka vrasje pa fund, ka prerje kokash nga kryefamiljari tek bashkëshortja, ka hedhje të nënës nga dritarja duke mbetur fëmijët jetimë. Kemi mos barazi gjinore në politikë. Prandaj nëse kjo shifër do të rritet do të shikojmë se atje do të kemi ndryshime të dukshme mes palëve dhe brezave që do të vinë. Pra unë jam për përfshirjen e gruas në politikë dhe vendimmarrje në kuotën 50%.

Cili është misioni i organizatës tuaj dhe në çfarë ndihmash keni operuar konkretisht?

Ne jemi një organizatë joqeveritare, jofitimprurëse, humane që merremi me kujdesin e gruas, nënave dhe fëmijëve, përfaqësimin dhe mbrojtjen e tyre. Shpesh kemi ngritur zërin për të drejtat e gruas ish të persekutuar politike në Shqipëri, për të drejtat e gruas së vrarë, zhdukur e keqtrajtuar nga makineria makabre serbe në Kosovë, kemi ngritur zërin për të drejtat e gruas në Çamëri, Maqedoni e për të gjitha trevat shqiptare. Në një rast përmbytjesh në Shqipëri ne së bashku me Z. Aleks Nilaj dhe Znj. Edith Blitzer kemi dërguar ndihma humanitare në Jug të vendit nëpërmjet Kryqit të Kuq Shqiptar.

Ne Mimoza, ju kemi përcjellë nëpërmjet medias elektronike dhe asaj të shkruar, ku jemi informuar se ju edhe disa anëtare të organizatës që ju tashmë drejtoni jeni dekoruar nga personalitete të larta të Amerikës, si do ti vlerësonit këto medalje që u janë akorduar?

Po është e vërtetë që si unë ashtu edhe disa nga anëtaret e organizatës tonë jemi vlerësuar me disa tituj e çmime prestigjioze nga personalitete të larta amerikane. Akordimet që na janë dhënë, sigurisht flasin për kontributin tonë human dhe shoqëror që japim për të drejtat e gruas dhe fëmijëve dhe komuniteteve të ndryshme në SHBA, por për ne një vlerësim, një çmim do të thotë shumë dhe na jep kurajon për të ndërruare nisma akoma më të mëdha në ndihmë të komuniteteve. Ne jemi dekoruar nga Presidenti i Bashkisë në Bronx Z. Ruben Diaz Jr. për “Merita të Veçanta” nga Kontrollori i Lartë i New York-ut Z. Scott Stringer me Mirënjohje të Ndryshme, si dhe nga disa organizata që bashkëpunojnë me OKB me Medaljen “Ambasadore e Paqes”.

Faleminderit Znj.Dajçi

Faleminderit edhe juve.

Filed Under: Interviste Tagged With: Mimoza Dajci, Musine Kokalari, ne diktature, simboli i sakrificave të vajzave

DO TE PERKUJTOHET NE VATER 100 VJETORI I LINDJES SE MUSINE KOKALARI

January 24, 2017 by dgreca

Organizata e Gruas The Women’s Organization “Hope & Peace” me mbështetjen e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës “Vatra” do të organizojë Sesion Përkujtimor me rastin e 100 Vjetorit të Lindjes së Heroinës sonë kombëtare Musine Kokalari …./

15 Musine ok

Me rastin e 100 Vjetorit të Lindjes së Heroinës sonë kombëtare Musine Kokalari, Organizata e Gruas The Women’s Organization “Hope & Peace” me mbështetjen e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës “Vatra” do të organizojë një Sesion Përkujtimor kushtuar jetës dhe veprës së Martires Musine Kokalari.

Takimi mbahet në Selinë e “Vatrës” në adresën: 2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458.

Më datë 11 Shkurt 2017, ora 11.30 AM.

Ftojmë çdo individ dhe të gjitha organizatat e shoqatat shqiptaro-amerikane në SHBA të na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre.

Per me shume informacion mund te na kontaktoni ne numrat e telelfonit: Nr. Vatres, (917)280-8146

Faleminderit

Grupi Organizativ

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: 100 vjetori, i lindjes, Mimoza Dajci, Musine Kokalari

Kronikë nga protesta e shqiptarëve në Manhattan për lirimin e Ramush Haradinaj

January 10, 2017 by dgreca

3-markoNga Mimoza Dajçi/

3-sebiaE hënë 9 janar 2017. Ndodhemi midis 66 dhe 67 -St, në 5 Avenue, në zemër të Manhattani-t.  Janë qindra shqiptarë që janë solidarizuar për të protestuar ndaj arrestimit të padrejtë të ish liderit të UÇK dhe ish Kryeministrit të Kosovës Z. Ramush Haradinaj. Vendi ku janë mbledhur shqiptarët për të treguar shqetësimin e tyre paqësor ndodhet përballë Konsullatës së Misionit Serb në New York. Një grup organizatash dhe shoqatash jo qeveritare shqiptaro – amerikane së bashku me Federatën Panshqiptare “Vatra” kanë ngritur zërin e tyre për lirimin e menjëhershëm të Z. Ramush Haradinaj nga qeveria franceze.
Një protestë e tillë kryesuar nga Federata “Vatra”u zhvillua nga komuniteti shqiptar edhe në Washington D.C përballë Ambasadës Franceze etj.
1-ibrahim
Protestat filluan sot në orën 11 AM paradite e vazhduan deri në ora 1 PM të drekës, protestën në New York e kryesoi Shoqata “Albanian American Community” dhe pas saj janë Federata Panshqiptare “Vatra”, Albanian American Association Ana e Malit, “Albanian American Council”, “Dibra Community Organization”, “Rrënjët Shqiptare”,  Foundation Plave Guci, “Rugova Association”, “Sons and Daughters of Albania in America”, Albanian Open Hand Association, The Women’s Organization “Hope & Peace”, etj.
1-markuSot shqiptarët ndodhen përpara një skandali dipllomatik e politik, ku lideri i Kosovës ish udhëheqësi i UÇK ndodhet i arrestuar që nga e mërkura e kaluar nga autoritetet franceze në aeroportin e Bazelit – Francë, me një urdhër të kaluar të qeverisë serbe. Z. Haradianj ka vizituar edhe më parë Francën dhe nuk është ndaluar nga policia vendase. Eshtë lënë i lirë si i pafajshëm dy herë nga Gjyakata Ndërkombëtare e Hagës si i pafajshëm, ndërsa sot pikërisht në këtë kohë ndodh ky arrestim i tij?
Nuk dua ti paragjykoj situatat, por më duket se historia po përsëritet e njëjtë si, në momentin kur vite më parë më datë 23 janar 1916 xhandërmaria malezeze urdhëruar nga qeveria e vendit vrasin heroin e kombit Isa Boletini vetë i tetë. Ndërsa ata që e prenë në besë ishin disa diplomatë franceze. Konsulli francez Bikok, “i afron” ndihmë Isa Boletinit duke i thënë se ai me trimat e tij mund të shkojnë në ambasadën franceze ku mund të marin vizë për një vend neutral, ndërkohë që me bujarinë e tyre Anglezët e ftojnë Boletinin dhe patriotët e tjerë, për ti marrë në mbrojtje. Por nisur nga Ligjet e Maleve Boletini preferon mikun që i hapi derën i pari. Dhe kështu ndodhi tragjedia e vrasjes së Isa Boletinit me djemtë, nipat dhe luftëtarët e tjerë të lirisë, se “miku që i hapi derën i pari” i preu në besë.
Personalisht si brez i tretë e familjes së Boletinëve në Kosovë, këtë ngjarje dhe të tjera për heroizmat e Bacës Isë e luftëtarëve të tij mi ka treguar gjyshja ime Hajrije Boletini Dajçi dhe daja i babait tim ish Prefekt në Fier Tafil Boletini, i cili edhe ky vinte shpesh në shtëpinë tonë në Tiranë e që ka qenë dëshmimtar okular i asaj ngjarje të rëndë.
Sot protestuesit përballë konsullatës serbe dhe asaj franceze në New York valëvitën me krenari flamujt shqiptarë, amerikanë, flamurin e Kosovës, dhe flamurin e Shqipërisë Etnike me dy figurat – legjenda të Pavarësisë Ismail Qemali dhe Isa Boletini. Në banderolat që ata mbanin nëpër duar, shkruhej se lideri historik i Kosovës Ramush Haradinaj është një Hero, e duhet të lirohet sa më parë nga autoritetet franceze. Mes qindra pjesëmarrësve të binte në sy portreti i Heroit Ramush Haradinaj dhe shpalosja e tre flamujve të mëdhenj me shqiponjën dy krenare në mes dhe një tjetër flamur i madh që u shpalos në sheshin përpara konsullatës ai i Shqipërisë Etnike.
 Gjatë kësaj proteste paqësore tubimin e hapi një nga organizatorët kryesorë Assamblyman Mark Gjonaj, veprimtari i njohur i çështjes shqiptare kombëtare Z. Harry Bajraktari, Presidenti i Shoqatës “Rrënjët Shqiptare” Marko Kepi. Në emër të organizatës së gruas “Hope & Peace”, përshëndeti Znj, Mimoza Dajçi, e cila e ndjente si obligim shpirtëror pjesëmarrjen e saj në këtë protestë, pasi në dejet e saj ka gjak nga familja e heroit tonë kombëtar Isa Boletini. Gjithashtu vlen për tu theksuar prania e kësaj organizate në këtë tubim, si e vetmja OJQ gruaje shqiptare – amerikane që përkrahu pa asnjë lëkundje Çështjen Haradinaj në SHBA për lirimin e tij.
Në parrullat që hodhi Z. Mark Gjonaj dhe Z. Harry Bajraktari ishin: “We never forget serbia committed genocide against albanians”, “Freedom for the Hero Ramush Haradinaj”, “Ramush Haradinaj është Hero”, “France must free Haradinaj now”, “Drejtësi dhe Paqe”, etj.
Moti tepër i keq, me temperatura nën zero, e përsëri rradhët e protestuesve sa vinin e shtoheshin, asaj ju bashkangjitën edhe kalimtarët e rastit, kureshtarë dhe turistë të ndryshëm. Pjesëmarrja ishte e konsiderueshme. Nuk munguan këngët patriotike. Këngëtarët Albërie Hadërgjonaj dhe Meda Përgjegjaj, kënduan këngë kushtuar vatanit dhe heronjve të kombit. Thirrjet me artopalant të Z. Mark Gjonaj, Z. Harry Bajraktari, Marko Kepi, Znj. Dajci, Albërie Hadërgjonaj etj, flinsnin për paqe, drejtësi dhe për lirimin e menjëhershëm të Heroit të kombit Ramush Haradinaj. Gjithashtu Z. Gjonaj në fjalën e tij preku genocidin serb në Kosove nga makineria serbe mbi popullin e pafajshëm të Kosovës, të zhdukurit dhe dhunën ndaj femrës shqiptare gjatë periudhës 1998 -1999 në Kosovë etj.
Pas Konsullatës Serbe, protestuesit shoqëruar me disa autobusa u nisen drejt Kosnsullates Franceze po ne Manhattan, ku edhe aty kënduan këngë patrotike. Z, Mark Gjonaj mbajti përsëri fjalën e rastit e bëri thirrje që protesta të vazhdonte në mënyrë paqësore dhe thirrje për lirimin e Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze.  Edhe në sheshin përpara Konsullatës Franceze u shpalosën flamujt shqiptarë, amerikanë dhe të Shqipërisë Etnike.
Assamblyman Z. Mark Gjonaj së bashku me Z. Harry Bajraktari e me disa veprimtarë të spikatur të komunitetit shqiptar Sony Vataj, Meda Përgjegjaj, Albërie Hadërgjonaj, Mimoza Dajçi dhe telekronistin Skënder Pali, ju drejtua Konsullit Francez me një Peticion firmosur nga shumë OJQ dhe organizata të ndryshme jo qeveritare që veprojnë në New York e më gjerë për lirimin e menjëhershëm të ish Kryeministrit të Kosovës Z. Ramush Haradinaj. Ky tubim paqësor u përcoll nga stacione televizive amerikane dhe shqiptare, si dhe nga TV – Alba Life me operator Z. Skënder Pali.
Të pranishëm sot në protestë gjithashtu ishin gazetari dhe aktivisti i palodhur i diasporës Z. Beqir Sina, Gjekë Gjonlekaj, Ferro Gjonbalaj, Esad Rizai, Haxhi Dauti, Skënder Kodra, Hilmi Berisha, Roza Gjonaj, Sony Vataj, Ilir Fundo, Natalia Herndandez, Ukë Lushi, Florian Krasniqi, Valon Nikçi, Dia Saraçi, Ismer Mjeku, Vera Mjeku, etj.
Protesta në mbrojtje të Z. Ramush Haradinaj sot në Manhattan – New York, kaloi e qetë paqësore dhe konform ligjeve dhe rregullave amerikane.

Filed Under: Featured Tagged With: Manhattan, Mark Gjonaj, Mimoza Dajci, proteste, Ramush Haradinaj

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 15
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT