Koço Danaj: Greqia reagon për marrëveshjen detare në reminishencë të Megali idesë, me Himarën dështoi për të ndërhyrë në punët tona të brendshme/
Nga Joana Tafa/
Kryetari i “Lista për Shqipëri Natyrale”, Koço Danaj, në një intervistë për gazetën “Sot”, ka komentuar qëndrimi e palës greke sa i përket shitjes së detit dhe reformës territoriale, thirrjet antishqiptare të Greqisë, inferioritetin e politikës greke ndaj asaj shqiptare, si dhe problemin e çështjes çame, një problem që mbetet ende i pazgjidhur. Ndërsa pak ditë më parë Prokuroria hapi dosjen për marrëveshjen detare, Greqia doli hapur në mbrojtje të një prej kryenegociatorëve kryesorë Lulzim Basha. Në këtë kuadër, Danaj e ka konsideruar këtë qëndrim të palës greke si një reminishencë e Megaliidesë greke që herë pas here shfaqet në Greqi sa herë ajo ka probleme me fqinjët. Sipas Danajt, politika greke sillet ndaj Shqipërisë si “aneks” i Agimit të Artë. Ai tha se politika greke është inferiore përballë Shqipërisë dhe politikës së saj, dhe sipas kreut të “Lista për Shqipëri Natyrale”, Greqia duke mos e përballuar këtë politikë me metoda bashkëkohore, ka thërritur në ndihmë Megaliidenë e Janis Koletisit të para 165 vjetëve. Ndërsa sa i përket pretendimeve të Athinës për ndarjen territoriale, kryesisht për Himarën, Danaj tha se janë një përpjekje e dështuar për të ndërhyrë në punët e brendshme të një vendi sovran.
Si e shikoni reagimin e Greqisë për marrëveshjen detare. A është kjo një ndërhyrje në punët e brendshme dhe cenim i sovranitetit?
Po, nuk është asgjë tjetër, veçse një reminishencë e Megaliidesë greke që herë pas here shfaqet në Greqi sa herë ajo ka probleme me fqinjët. Po ju sjell një shembull, qeveria greke, institucionet e drejtësisë greke kanë hapur një proces brenda vendit kundër deputetëve dhe militantëve të Agimit të Artë. Dhe kjo është shumë pozitive. Por…e njëjta qeveri në marrëdhëniet me fqinjët, pra edhe me Shqipërinë, sillet sikur të ishte aneks i Agimit të Artë. Ndërsa, lidhur me sovranitetin e Shqipërisë, Greqia është e paaftë dhe e ka të pamundur ta cënojë atë.
A mendoni se politika shqiptare është më inferiore se politika greke?
Jo, nuk e mendoj një gjë të tillë. Më inferior është ai që në marrëdhëniet me fqinjët përdor kode politike të para 100 vjetëve. Pra është politika greke që është inferiore përballë Shqipërisë dhe politikës së saj. Dhe duke mos e përballuar këtë politikë me metoda bashkëkohore, “thërret” në ndihmë Megaliidenë e Janis Koletisit të para 165 vjetëve.
Si i shikoni pretendimet e Athinës për ndarjen territoriale, kryesisht për Himarën?
Si një përpjekje të dështuar për të ndërhyrë në punët e brendshme të një vendi sovran. Por që dështoi pa arritur të formësohet qoftë edhe si përpjekje.
Sipas vlerësimit tuaj, çfarë zgjidhje duhet t’i jepet çështjes çame dhe sa janë shanset për zgjidhjen e saj?
Është tashmë një problem i shtruar për zgjidhje dhe do të zgjidhet në përputhje me normat dhe klauzolat e marrëdhënieve të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ka një problem që duhet evidentuar më hapur nga politika shqiptare dhe politologjia shqiptare. Greqia përballë problemit të Çamërisë, ndodhet përballë dy problemeve të mëdha. Problemi i parë ka të bëjë me faktin se duke e njohur si çështje të pazgjidhur, do ti duhet të pranojë gjenocidin që ushtroi në vitin 1944, pra duhet të pranojë të dënohet si çdo shtet që ka kryer gjenocid. Dhe problemi i dytë, ka të bëjë me territorin, ajo do të detyrohet të lëshojë një pjesë të territorit që ja ka grabitur padrejtësisht Shqipërisë. Nocioni “Çamëri” nuk mund të eliminohet duke e quajtur “Thesproti”, ashtu si Qafa e Botës në Konispol nuk mund të tjetërsohet duke e quajtur “Mavromatis” (Syri i Zi”)
Cili është komenti juaj për thirrjet antishqiptare të komandove grekë?
Si një tregues konkret i shndërrimit të qeverisë greke nga qeveri demokratike në aneks i Agimit të Artë kur vjen puna e marrëdhënieve të saj me fqinjët, veçanërisht me Shqipërinë.
Sipas mendimit tuaj, cilët janë faktorët nxitës të linjës antishqiptare në Greqi?
Ekzistenca e doktrinës së Megaliidesë në thelbin e politikës greke sa herë që flitet për Shqipërinë. Shteti grek është shtet Teokratik dhe politikanët e tij e dinë fare mirë se ata nuk janë pasardhës të helenëve, pavarësisht përpjekjeve të mbretit të parë të tyre, gjermanit Oton. Prandaj ata janë xhelozë kur shikojnë se ngjitur me ata, ekziston një shtet dhe një shoqëri siç janë shqiptarët që vazhdojnë të kultivojnë Pluralizmin e Zotave njësoj si dikur në lashtësi, njësoj si helenët e lashtë. Grekët ë sotëm dhe politikanët e tyre kanë më shumë libra historie, shqiptarët e sotëm dhe politikanët e tyre kanë më shumë histori reale që vjen qysh nga lashtësia. Ky është thelbi i antishqiptarizmit të tyre.
Si e shikoni faktorin shqiptar në rajon në raport me atë serb dhe grek?
Faktorin shqiptar që nga Presheva në Prevezë, që nga Durrësi e deri në Shkup e shikoj si faktorin kryesor paqebërës të rajonit. Ndërsa faktorin sërb dhe atë grek, si faktorin kryesor destabilizues në rajon. Uroj ta kuptojnë këtë sa më parë në Berlin, Uashington dhe në Bruksel. Ashtu siç uroj të civilizohet edhe politika greke e ajo serbe. Nga ky civilizim i tyre, rajoni do të ketë përfitim të madh.
-Ku ndryshon Shqipëria Natyrale nga Shqipëria e Madhe?
Shqipëria e Madhe, e para është një apelacion nazisto-fashist, që lindi pas marrëveshjes Çiano- Ribetrop të tetorit të 1941-it, pasi ishte pushtuar i tëri Ballkani. Sipas kësaj marrëveshjeje, u vendos që një pjesë e trojeve shqiptare, si Presheva, Bujanovski, Kumanova, Kaçaniku, t’i jepeshin Bullgarisë së Madhe. Veriu i Kosovës t’i jepej Serbisë. Pjesa tjetër u quajt Shqipëria e Madhe. E para, nuk është Shqipëria e Madhe në kufijtë e saj Natyrorë. E dyta, është një apelacion nazisto-fashist. Ndërsa Shqipëri Natyrale, do të thotë që, Shqipëria të jetë në kufijtë e saj natyrorë, të cilën e shpallën zyrtarisht, me akt juridik ata 40 burra në Kuvendin e Vlorës, më 28 Nëntor 1912. Dhe këtë akt juridik të Nëntorit 1912 nuk është çështja që Fuqitë e Mëdha e diskutuan dhe e hodhën poshtë. Përkundrazi. Nuk e mori fare parasysh. Ne kërkojmë një të drejtë, si çdo komb tjetër. Që hajdeni, të ulemi e ta diskutojmë. Nëse ky akt juridik, ju, bashkësia ndërkombëtare, nëse keni dokumente, le ta hidhni poshtë dhe ne le të pranojmë këtë Shqipëri artificiale që është sot. Por, nëse argumentet janë në favorin tonë, atëherë, do të na jepni ne, shqiptarëve të drejtë. Eduard Grej thotë në kujtimet e tij: “Ne i copëtuam kufijtë e Shqipërisë me të drejtën e forcës të së madhit, mbi të voglin”. Sot jemi në një kohë tjetër e flasim me forcën e së drejtës, forcën e argumenteve. Për forcën e fakteve. Ndaj bashkësia ndërkombëtare duhet ta lejojë Shqipërinë Natyrale, dhe ta ketë të qartë, që vetëm kjo Shqipëri Natyrale e qetëson dhe e stabilizon paqen në Ballkan. Joana Tafa
Zoti Danaj, ben pune te madhe ndaj ceshtjes shqiptare. Atij i duhen perkrahes te cdo natyre. Kur sot kerkon dicka te argumentuar, per t’u zgjidhur, ndoshta merre edhe 100 vjet, por dokumentari do te vendoset ne arhiva dhe kohe pas kohe do te kontrollohet. Bashkatdhetar, ju lutem perkrahni deshiren dhe idealin e tij; ai boll e argumenton ceshtjen shqiptare.