
Nga Astrit Lulushi
Rënia e qytetërimeve ka tërhequr prej kohësh vemendjen e
historianëve.
Arnold Toynbee (1918–1950) në librin e tij “A Study of
History” trajton rreth 30 qytetërime që njerëzimi ka kaluar. Sipas tij, në
shumicën e rasteve qytetërimet kanë qenë vetë përgjegjëse për rënien e tyre.
Vetë-shkatërrimi është natyrë e njeriut. Sidoqoftë, rrënimi i qytetërimeve
është ndihmuar edhe nga faktorë të ndryshëm të jashtëm.
Perandoria Romake, për shembull, ishte viktimë e
zgjerimit të tepruar dhe e udhëheqjes së dobët. Por ajo gjithashtu u gjunjëzua
kur u dynd nga visigotë dhe vandalë nga viti 410 deri më 455.
Rënia është shpesh e shpejtë dhe madhështia nuk shërben si
vaksinë për të siguruar imunitet. Në vitet 390, Perandoria Romake mbulonte një
sipërfaqe prej 1.9 milionë kilometra katrorë dhe vetëm 5 vjet më pas, ajo
shtrihej vetëm në 770.000 kilometra katrorë. Prej viti 476, sipërfaqja që zinte
ishte zero.
Rënia mund të përkufizohet si pakësim i shpejtë e numrit të
popullsisë dhe humbje e identitetit. Shërbimet publike rrënohen dhe çrregullimi
vjen ndërsa qeveria humbet monopolin.
Rënia mund të vijë pavarësisht nga shkalla e lartë e
zhvillimi. Qytetërimi i sotëm, për shembull, mund të jetë më i avancuar, por
kjo nuk e mbron nga kërcënimet që kanë hasur qytetërimet e kaluara. Aftësitë
teknologjike sjellin edhe sfida.
Ndërsa nuk ekziston një teori e vetme e pranuar përse bien
qytetërimet, historianët propozojnë shpjegime të ndryshme, duke përfshirë
ndryshimet klimatike. Rënia e Anasazit, Mayas dhe shumë qytetërimeve të tjera
kanë përkuar të gjithë me ndryshime klimatike të papritura, zakonisht thatësira.
Rënia mund të ndodhë kur shoqëritë tejkalojnë kapacitetin e
mjedisit të tyre. Kolapsi ekologjik vjen nga shpyllëzimi i tepruar, ndotja e
ujit, degradimi i tokës dhe humbja e biodiversitetit.
Qeverisja nga elita oligarkësh është një recetë për rrënie
qytetërimesh. Pasuria dhe pabarazia politike mund të jenë nxitësit qendrorë të
shpërbërjes sociale, ashtu si edhe oligarkia dhe centralizimi i pushtetit. Kjo
jo vetëm që shkakton shqetësime sociale, por pengon aftësinë e një shoqërie për
t’iu përgjigjur problemeve ekonomike.
Hstoriani Joseph Tainter është i mendimit se shoqëritë në
fund rrënohen nën peshën e kompleksitetit dhe burokracisë së tyre të akumuluar.
“Katër kalorësit” që shënojnë fundin e qytetërimit
janë lufta, fatkeqësitë natyrore, uria dhe sëmundjet epidemike.
Një shpjegim përfundimtar përse qytetërimet bien, nuk ka. Por
dihet se njeriu rrëzohet nëse ecën sy mbyllur, dhe është i dënuar nëse nuk e
përfill të kaluarën.