
Frano Kulli/
Më 1907 Fishta i boton satirat e deriatëherëshme në vëllimin “Anzat e Parnasit”, siç dihet. Po se ç’ndjesi e vlerësim kishte Fishta për ato, posë të tjerash na e bën me dije edhe një ndodhi e shënuar e kohës.
Ngjarjen na e përshkruan At Pashk Bardhi një bashkëvëlla françeskan: “Në vjetë 1907, nuk më bje në mend se në ç’muej, nëpër liqe të Shkodres kthete prej nji udhëtimi qi kishte bâ në Vjenë Abâti i Mirditës, Emzot Doçi. At Fishta, At Benardin Shllaku e unë i duelem përpara ku ndaloi vaporri. Kur hime n’lunder për me ardhë në qytet [Shkoder] e thirri Fishten me ndjejë bri tij e i kallxoi se në Vjenë të gjithë, profesora e studenta e të gjithë qi u merrshin ndopak me gjuhë shqype ishin t’entuzjasmuem per “Oso Kuken” [Kënga e dytë e Lahutës] e lavdet qi i kish ndie prej sish nuk dijte me i shprehë. N’ket kohë Atë Fishta e pveti:”Po per “Anza t’Parnasit”, monsinjore, shka thojshin… “… Është i vetëmjaftueshëm edhe pohimi i kësaj bisede për të ndaluar te vendi që zinte satira në aspiratën krijuese të Fishtës, që heret.
Unë e solla këtë shembull para jush, të dashur miq, për t’i pri nji qasjeje, që përkon me takimin tonë edhe pse i bindur se çdo krahasim çalon. Unë, kam tri dekada e gjysë që e lexoj poezinë e Marash Mirashit dhe e lexoj përtej miqësisë sime me të, sikundërse e ndjek me po të njëjtin rrespekt e dashuri publicistikën e tij, e cila ka ecë pa u ndalë një korsi krejt të përveçme nëpërmjet një hapësire të blertë plot jetë, prej fiks tri dekadash. Por prej një viti e këndej, kur ai pati sjellë në shtëpinë tonë botuese romanin e tij “Brirët”, jam ndje për një çast në pezullínë që të shkakton një e papritur e fortë, fort e gëzueshme. Poeti dhe publicisti, prej një vendi të dallueshëm ku tashmë gjindej në hierarkinë e poezisë moderne dhe të letrave shqipe bashkëkohore përmes dy zhanrreve të sipërpërmendura, na suprizon së fundi me satirën e tij. Tani mbasi ka kaluar fiks një vit botimi i romanit “Brirët”, do të ishte modesti e tepruar e autorit, po edhe e imja si botues sikur të thonim vetëm se është mirëpritur a ka qenë i suksesshëm. Feed back-u (reagimet) që kemi përftuar prej tij është i përmasave përtej sa thashë; jo vetëm se është vlerësuar me çmim në një prej konkurseve kombëtare më prestigjoze që bëhen sot në Shqipëri, por ajo është çmuar si njëra prej veprave më të mira letrare të zhandrrit të prozës së gjatë satirike, kaq pak e lëvruar në letërsinë tonë bashkëkohore. E vetëmjaftueshme kjo për ta shënuar poetin e talentuar e publicistin par exellence edhe si një lëvrues-mjeshtër të kësaj gjinie.
“Vula” është një romani tij i dytë satirik ku një vulë bëhet epiqendra e një komedie politike. Republika e Absurdisë shfaqet si një laborator grotesk, ku personazhet luftojnë jo për ideale, po për një copë metali që vulos më shumë imagjinatën sesa realitetin.
-Në Republikën e Absurdisë, logjika nuk kishte më vlerë- citon diku autori-E,me të vërtetë, në një qytet ku bashkëjetojnë kullat, pallatet mjerane të një kohe të shkuar dhe thashethemet, kishin me qenë shtrati e sfondi i denjë pamor e thelbësor i një republike të kësisojshme. Me humor të mprehtë, dialogje të një çmendurie të ëmbël dhe situata që shpesh ngrihen dhe bien si skena të një teatri absurd,”Vula” është një reflektim komik dhe tragjik i politikës së sotme ku absurdi është ligj dhe grotesku normalitet. Që mbartet prej personazhesh, që po kështu thirren me emra komikë, Baz Gardhi, Sul Moka, Belo K, deputeti Jeniçer Vakia, Eduardo, moderatori Çun Hasi, Blind Kuku; analistë Star Kolonja, Armend Shijaku, Niko Leci, vetë ajo Eli Libovari, gjuhëtari absurdolog Pal Karadushi . Që të gjithë navigojnë nëpër detin e boshit; flasin pa mendim dhe mendojnë pa fjalë. Ase emrat e Selive diplomatike: Ambasadat e Rraboshtës Ambasada e Rrogozhinës, Principata e Ishullit të Sazanit, Vatikani Ballkanik…
Njësoj thirret struktura qeveritare imagjinare, e Partisë së iluzionit demokratik, gjithashtu po kaq komike me ministra në heshtje, pa shpallje publike; Ministër i Iluzioneve të Integrimit, Zëvendësministër për Rrëfimet Heroike , Sekretar Shteti për Ëndrrat e Shkurtra me Efekt të Madh, studiues i gjuhës absurdishte etj. Neologjizma që e përmbushin romanin me plot konotacion sarkastik. Personazhe të tillë komikë, duke livruar (lëvizur) e jetuar në një terren flù po kaq komik, krijojnë për lexuesin ndjesi e frymë fluturake plot nënqeshje e përqeshje. Po edhe me ndjesi dhimbjeje në skutat e shpirtit, që mbajnë vulën e sarkazmës së thellë. Çka kishte me qenë edhe thelbi i një letërsie të mirë të kësaj gjinie. Dhe autori e ka arritë këtë pa u ndjerë fort në nevojë t’i krijojë këto gjendje me fantazinë e tij; ato ia dhuron realiteti i përjetuar përimtësisht. Kjo nuk është thjesht një histori, është e tashme që po ngjet, është diagnoza e një sistemi që ka humbur logjikën, por jo aftësinë për spektakël. Dhe spektakli është sa gazmor aq edhe drithërues.
Dhuntia e spikatur shkrimore e Marash Mirashit veç sa e luçidon farsën e vëzhguar, i heq asaj skorjen e ndryshkun me mjetet e tij stilistike me të cilat e ka pasuruar përvoja e gjatë krijuese me përdorimin e përpunimin me art të fjalës. Boshi i gjithë asaj çfarë ndodh mbushet figurshëm me fantazinë mjeshtrore përshkruese të autorit: Kompjuteri nuk punonte, jo nga mungesa e energjisë, po e arsyes për të funksionuar; zëdhënësja zyrtare e njohur për artikulimin pa përmbajtje, kasaforta qesh me të dy…Diku tjetër: Sipas teorive, minjtë i paraprijnë transformimit. Kur miu hyn, historia del. Dhe kjo e fundit ka filluar të lëvizë…Ky nuk është një duel mes dy burrash. Është një duel mes dy boshllëqeve.
“Në Selinë e Lanës, me një kaçavidë dhe përkrenare… Dhjetëra burra me mburoja dhe shpata përpiqeshin të hynin brenda. Selia e partisë kthehet në manastir politik. Juli lutet përpara kasafortës, doktori është nisur për luftë.” Kështu flet me vete Lideri i interjereve të Selisë, ku ruhet vula, ajo copa metalike e kthyer në bestyt. Kurse Doktori, dikur njeriu që vuloste historinë, sot endet pas një cope metali, si një fantazmë që kërkon të rikthejë veten në skenën e të gjallëve. Dhe VULA-bestyt shetit në sqepin e një Zogu ORAKULL, si dëshmi se mitet as nuk shiten as nuk blihen.
Duke ndjekë hullinë e leximit a nuk të vjen këtu një asosacion (bashkëshoqërim) ndjesish e përjetimesh estetike të kohës moderne me satirën e epërme të Servantesit të shekullit të 17, “Don Kishoti” i të cilit është ndër perlat e pakontestuara të letërsisë botërore të kësaj gjinie ? E që autorin e radhit ndër lëvruesit më në shenjë të kësaj gjinie edhe këndej Fishtës; Dritëroit, Dionis Bubanit, Hyskë Borobojkës (Qamil Buxhelit), Kolë Jakovës, Pëllumb Kullës e Paulin Selimit a përpjesëshëm edhe me ndonjërin prej romaneve të Stefan Çapalikut.
Vetëmjaftueshëm për tu ndjerë i suksesshëm.