
Ajet Delaj – New York/
Dështimi i sistemit politik postkomunist dhe mbajtja e Shqipërisë e shqiptarëve si vendi dhe populli më i varfër në Europë është pasojë e një abuzimi të frikshëm me pushtetin në të gjitha drejtimet.
Në një krizë të thellë politike, ekonomike dhe administrative, në një vend demokratik është Kushtetuta ajo që e rikthen shtetin dhe pushtetin në shinat ku duhet të jenë. Mirëpo, fatkeqësisht, një pushtet dhe shtet me mentalitet sulltanati është kujdesur që, në kuadër të sundimit absolut, të vendosë një president kukull, vetëm sa për të marrë rrogën. Madje ka shkuar deri aty sa moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të mos ketë asnjë sanksion në legjislacionin shqiptar, duke nxjerrë jashtë loje vetë Kushtetutën e vendit.
Pra, ajo që shqiptarët ëndërruan dhe nisën në vitin 1990 është harruar dhe tradhtuar prej kohësh. Ligjit dhe funksionimit të sistemit demokratik i është vënë kapaku prej vitesh. Në këto kushte, kur Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është shqyer disa herë në kundërshtim flagrant me parimin e referendumit popullor mbi te cilat eshte approvuar ne 1998ten dhe shqyerja e saj disa here eshte bere fatkeqësisht me dakordësinë e lidershipit politik, trashëgimtar të ish-Partisë së Punës, edhe ajo që ka mbetur është dhunuar në mënyrë të frikshme.
Asnjë përpjekje për të reformuar sistemin politik dhe ekonomik të Shqipërisë nuk mund të jetë funksionale, për sa kohë që aktorët kryesorë të pushtetit dhe opozitës janë pikërisht ata që, me vetëdije të plotë, nuk kanë ngritur një sistem demokratik dhe ekonomik funksional, për shkak të interesave të tyre të ngushta politike, ekonomike dhe kriminale, si dhe të atyre që i kanë sjellë në pushtet.
Ne kuader te kesaj situate te renduar shumeplanshe rinia dhe populli shqiptar kanë zbritur në rrugë në një protestë kombëtare madhështore, ku duket se largimi pa kushte i këtij establishmenti politik 36-vjeçar eshte i panegociueshëm.
Koha ka ardhur që organizatorët e protestës kombëtare të paraqesin një platformë politike, strategjike dhe ekonomike, e cila të shërbejë si bazë për të ardhmen mbi të cilën do të ndërtohet Shqipëria e Re, apo Republika e Re, quajeni si të doni.
Parimet themelore të Republikës së Re
Ngritja dhe konsolidimi i sistemit demokratik sipas parimeve dhe vlerave më të mira të demokracisë amerikane.
Përcaktimi i Amerikës si aleati strategjik dhe partneri kryesor i Shqipërisë dhe shqiptarëve, si shprehje e vullnetit të shumicës dërrmuese të popullit shqiptar.
Ndërtimi i një ekonomie të tregut të lirë, ku në themel të saj të qëndrojë paprekshmëria dhe shenjtëria e pronës private.
Konsolidimi i ndarjes së pushteteve mbi bazën e parimit: sistem kushtetues, juridik dhe gjyqësor i përhershëm, ndërsa politikanë të përkohshëm.
Hartimi dhe miratimi i një Kushtetute të re me referendum popullor, ku garant i saj të jetë Presidenti i Republikës, i zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë nga populli, i cili njëkohësisht të ushtrojë edhe funksionin e Kryeministrit.
Ndërtimi i sistemit legjislativ sipas modelit amerikan, me Senat dhe Dhomë Përfaqësuesish, duke pasur si synim e krijimin e hapsirave te nevojshme per bashkimin kombetar.
Sanksionimi i qartë në Kushtetutë i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, së bashku me penalitetet dhe sanksionet për çdo shkelje të tyre.
Krahas themelimit të Republikës së Re, të shpallet edhe flamuri i shtetit, ndërsa flamuri kuqezi me shqiponjën dykrenare të mbetet flamuri i Kombit Shqiptar.
Mendoj se këto mund të jenë disa nga parimet baze mbi të cilat duhet të ngrihet Republika e Re. Kam bindjen se ato gëzojnë mbështetjen e pjesës dërrmuese të shqiptarëve, veçanërisht të atyre që sot kanë mbushur sheshet në një protestë civile dhe qytetare, të paprecedentë në historinë tonë.
Teknikalitetet e ngritjes së sistemit kushtetues, juridik, penal dhe civil, si dhe hartimi i ligjeve për funksionimin e gjykatave në të gjitha nivelet, janë detyrë e konstitucionalisteve , juristëve dhe specialistëve të fushës, të cilët padyshim numërohen me dhjetëra e qindra ne mesin e atyre qe protestojne keto dite në Shqipëri, ashtu edhe në diasporë.
Ka ardhur koha që populli shqiptar të marrë fatet e veta në dorë, sepse këto ditë po deshmojnē se jo vetëm i ka kapacitetet, por edhe energjinë dhe vullnetin për të themeluar Republikën e Re.