
Katror.info/
Pas një pauze të shkurtër të festivaleve, qendra e qytetit po rikthehet në një vatër gjallërie me nisjen e edicionit të shtatë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë ‘Republika’. Për tri ditë me radhë, ky festival do të sjellë një mori aktivitetesh, duke bashkuar 17 poetë nga Ballkani dhe vende të ndryshme të botës. Një festë e fjalës artistike që rikthen poezinë në zemër të qytetit!
Në një intervistë për Katror.info, organizatorja e festivalit, Vlora Ademi, rrëfen se si lindi ideja për Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë ‘Republika’ dhe si ka evoluar festivali ndër vite.
“Mungesat dhe zbrazëtinat, gjithherë na grishin për krijime. Dhe duke qenë se Prishtinës i mungonte nji platformë serioze dhe e randësishme ku poetët shqiptarë dhe të huaj do të mund të bashkëjetonin në nji koncert të poezisë, atëherë m’u ndriçua mendja për krijimin e nji Republike të poetëve”, thotë ajo.
”Jo rastësishtc’Republika’ e poetëve u kriju n’vigjilije të 10 vjetorit të Republikës shtet dhe, si simbolikë, filloi me 10 poetë, duke iu shtu përvitshëm nga nji. Sot, në 17 vjetorin e Pavarësisë, ‘Republika’ i mirëpret 17 poetë nga vende të ndryshme të botës”, thekson ajo.
Sipas Vlora Ademit, festivali ‘Republika’ që nga edicioni i tij i parë ka synuar të promovojë diversitetin kulturor, dialogun ndërkulturor dhe vlerat njerëzore, duke i dhënë një hapësirë të veçantë poetëve të rinj dhe zërave të margjinalizuar.
Në pyetjet tona rreth vlerave që ky festival synon të përçojë, rëndësisë së tij si platformë për zëra të rinj, Ademi thekson; ‘Republika’ si festival, qysh në edicionin e parë ka fillue me e promovue diversitetin kulturor, qëllim parësor ky përmes të cilit promovohet ndjeshmënia dhe vlerësimi për kultura të tjera. Në këtë rrethanë, jo ma pak i randësishëm asht edhe dialogu dhe mirëkuptimi ndërkulturor, i nxitun nga shkëmbimi i ideve dhe perspektivat në mes të artistëve. Dhe e treta, por jo e fundit për nga randësia them se asht promovimi i vlerave njerëzore.
Ajo nënvizon se festivali ka një mision të qartë për të fuqizuar zërat e rinj dhe të margjinalizuar, duke kontribuar kështu në forcimin e demokracisë kulturore dhe zhvillimin e komunitetit artistik.
Ndërsa për edicionin e sivjetmë, Ademi premton një program artistik të mirëkonceptuar, ku poezia do të ndërthuret me forma të ndryshme arti për të krijuar një përvojë unike për publikun.
”Nji program artistik të mirëkonceptuem dhe jo të tepruem, duke i integru disa forma të artit”, thotë ajo.
Edicioni i shtatë i Festivalit ‘Republika’ sjell një program të zgjeruar dhe një qasje ndryshe nga vitet e kaluara, duke synuar një audiencë më të gjerë përmes një ndërthurjeje të pasur të arteve
Sipas organizatores Vlora Ademi, ky edicion karakterizohet nga një diversitet artistik që bashkon natyrshëm poezinë, baletin, muzikën, ekspozitat, dokumentarin, promovimin letrar dhe aktrimin.
”Përpos që ‘Republika’ asht ba shkak që disa poet, me ardhë për të parën herën Kosovë, në këtë edicion e kemi sjellë nji shfaqje baleti të kombinueme me poezi, element tjetër ky, që identifikon dhe e cilëson si festival të dallueshëm për nga formati dhe e rangon në nji nivel tjetër festivalesh duke kontribue në pasunimin e skenës kulturore në vend. Nga ky vit e kemi nji ‘Republikë’ me format të zgjanuem. Këtë edicion e karakterizon nji diversitet artistik, përmes të cilit krejt natyrshëm bahen bashkë poezia, baleti, muzika, ekspozita, dokumentari, promovimi e aktrimi” bëri të ditur ajo.
Për këtë edicion, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë premierën e baletit ‘T’PAANËT’, me koreografi të balerinëve Leonora Rexhepi dhe Muhamet Bikliqi, si dhe shfaqjen e dokumentarit ‘KUFIRI I KUQ – T’huej mes t’vetëve’, me producente Blerina Gjoka, bashkëpunim i Fondacionit Kujto.al (Tiranë) dhe organizatës Social Creativity (Prishtinë), i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit “Kultura dhe Kreativiteti për Ballkanin Perëndimor” dhe i zbatuar nga British Council.
Gjithashtu në këtë edicion është edhe promovimi i librit ‘Nata e qejve’ të shkrimtarit, Primo Shllaku, njiherit edhe Laureat i Edicionit të Parë të Festivalit RESPOETICA në Prizren, për kontributin e tij të paçmueshëm në fushën e gjuhës, artit e kulturës. Për librin do të flasin, studiuesja, Esma Dodaj dhe studiuesi e shkrimtari, Adil Olluri. Ndërsa ngjarjen do ta moderojë, shkrimtari, Azem Deliu.
Një pjesë e programit të këtij edicioni përfshin edhe ekspozitën ‘Homazh’ të fotografit Fahredin Spahija, e cila nderon 17 figura të shquara të kulturës shqiptare që tashmë nuk janë më mes nesh. Kurator i kësaj ekspozite është esteti, Primo Shllaku.
Një tjetër pikë e rëndësishme e festivalit do të jetë paneli mbi përkthimet letrare, me temën ‘Kontributi i përkthyesve në pasurimin dhe riaktivizimin e gjuhës shqipe’, ku do të diskutojnë përkthyes dhe studiues si Elmaz Fida, Ana Kove, Arjan Kallço, Vlora Konushevci dhe Gazmend Bërlajolli. Gjithashtu, për pjesën muzikore, sopranoja Ardiana Bytyqi Ismajli do të performojë nën shoqërimin e Urim Maliqi-it dhe Genc Hajriz-it.
Në këtë edicion marrin pjesë 17 poetë nga vende të ndryshme, përfshirë Primo Shllaku, Christos Armando Gezos, Rafaël Newman, Dalila Hiaoui, Vlora Konushevci, Ardita Jatru, Ilire Zajmi, Shqiptar Oseku, Enkeleda Ristani, Ndue Ukaj, Gabriela Mujaj, Xhevat Latifi, Aziz Mustafa, Ardiana Shala Prishtina, Marsela Neni Haxhimusai, Bruna Gjoni Përvathi dhe Emin Z. Emini.
Ky festival, përmes organizimit të tij të kujdesshëm dhe të pasionuar, na rikthen në vëmendje rolin e veçantë të poezisë në Kosovë, ndonëse sipas organizatorës së festivalit Vlora Ademi vërehet një mungesë e kritikës së mirëfilltë në lëmin e poezisë.
“Roli i poezisë në Kosovë sot asht i shumëfishtë dhe vazhdon me mbetë i randësishëm si shprehje kulturore e identitetit dhe promovimit të gjuhës. Dhe pavarësisht mungesës së nji kritike të mirëfilltë, poezia në Kosovë vazhdon me qenë za i randësishëm dhe pjesë e pandashme e kulturës”, thotë Vlora Ademi.
Në thelb, Festivali ‘Republika’ nuk është vetëm një ngjarje poetike, por një urë që lidh botët letrare, një platformë që sfidon kufijtë dhe një hapësirë ku arti bëhet mjet i ndryshimit. Përmes këtij festivali, poetët shpalosin zërin e tyre përtej kufijve, duke u bërë pjesë e një skene globale ku fjalët nuk janë thjesht vargje, por ura komunikimi, ballafaqimi dhe njohjeje.
Por ashtu si çdo vizion i madh, edhe ky festival përballet me sfida, qoftë mungesa e hapësirave adekuate apo vështirësitë financiare, megjithatë ato nuk e lëkundin thelbin e tij.
“Nji kryeqytet me mbi 500.000 bamorë, sot nuk ofron hapësina publike që do ta mbulonte gjanësinë e larminë e programit të festivalit. Edhe ato hapësina që kanë predispozita dhe janë adekuate për realizim të nji programi kulturor, letrar dhe artistik, siç asht edhe Bibloteka Kombëtare, janë ba të paqasshme” thotë organizatorja Vlora Ademi.
Vizioni i organizatores dhe festivalit është i qartë, vendosja e Kosovës në një qendër të rëndësishme të artit dhe letërsisë botërore, duke e bërë ‘Republikën’ një pikë referimi për krijuesit ndërkombëtarë.
”Nga perspektiva ime, si organizatore, poezia ka nji fuqi të jashtëzakonshme për me i ba bashkë njerëzit, për me ndiku në mendësinë e shoqnisë dhe për me kriju hapësina të reja dialogu. Kjo mundet me u manifestue përmes krijimit të dialogu, ruajtjes së kujtesës dhe duke sfidue status quo-të”, përfundon ajo.
‘Republika’ është më shumë se një festival, është një ftesë për të dëgjuar, për të ndjerë dhe për të besuar në fuqinë e fjalës. /Katror.info