
Prof. Afrim Krasniqi/
“Republikë pa republikanë: Tranzicioni në Shqipëri dhe eksperimentet në kërkim të një sistemi funksional qeverisës” – referimi në konferencën “Sistemi republikan në Shqipëri përgjatë një shekulli”. Është 100 vjetori i Republikës dhe IH zgjodhi ta ketë objekt studimor ecurinë e ideve republikane prej vitit 1925-2025.
E dini që ne e nisëm pluralizmin me një vendim politik (Plenumi 13 i PPSH) dhe jo me një vendim institucional (Kuvend/Presidium/Qeveri)?
E dini që sistemi pluralist 1991 bashkëjetoi rreth 4 muaj me Kushtetutën e vitit 1976 që ndalonte pluralizmin politik?
E dini që deputetët e legjislaturës së parë pluraliste ishin part time, mbi 85% e tyre punonin në administratë/strukturën ekzekutive ndërkohë që si deputet duhej të kontrollonin ekzekutivin?
E dini që në vitin 1991 aq i brishtë ishte koncepti i ndarjes së pushteteve sa një deputet u zgjidh njëkohësisht edhe zv/kryetar në Gjykatën e Lartë apo se deputetë u zgjodhën edhe kryetarë gjykatash e komandantë divizionesh, në të gjitha rastet, pa dhënë dorëheqje?
E dini që mediat e para (të lira) në Shqipëri ishin gazetat partiake, pra media lindi si media partiake pluraliste?
E dini që debati mbi formën e regjimit “zgjati” më pak se 5 minuta, por në vitin 1997 më shumë se një e treta e votuesve zgjodhën monarkinë?
E dini që reformat kryesore u imponuan nga jashtë, erdhën si eksperimente dhe vijuan të tilla, dhe se demokracia nuk nisi si konsensus mbi reformat, por konsensus për bashkë-administrimin e status quos?
Në këtë mënyrë shteti republikan erdhi para kulturës republikane? Në një mjedis të tillë ishte sfidë dhe aspiratë kultura ligjore dhe kushtetuese, aplikimi i demokracisë funksionale, ndarja e pushteteve dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për rolin dhe përgjegjësitë e tyre në mbrojtjen e vlerave demokratike. Ligjërimi e premtimet pro perëndimore bashkëjetuan madje u dominuan nga konceptet orientale e lindore të politikës, personalizimi, konflikti permanent dhe drejtimi përmes turmave.
Një histori e gjatë që meriton të shkruhet. Debati në konferencë me kolegë studiues nga IH Tiranë e IH Prishtinë, Fakulteti i Drejtësisë etj, i kontribuoi me modesti & profesionalizëm kësaj sfide dhe përgjegjësie.