Sokol Paja/
Revista “Lidhja e Prizrenit” ishte revistë e përkohshme e organizatës “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”. Botohej në qytetin Inverness, Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me editor të revistës: Shemsedin Vendresha. Organizata “Lidhja Shqiptare e Prizrenit” ishte një organizatë politike, shqiptare-kosovare për mbrojtjen e të drejtave njerëzore, ekonomike, industriale, kulturore, politike, kombëtare, etj të shqiptarëve kosovarë që jetonin brënda kufijve politikë të republikës federale socialiste të Jugosllavisë. Kryetar i organizatës dhe Komitetit Qendror: Ismet Berisha, nënkryetar i parë: Myrvet Muça, nënkryetar i dytë: Kolë Bajraktari, përgjegjës për shtyp e propagandë: Shemsedin Vendresha, anëtar dhe sekretar i Komitetit Qendror: Tom Mriaj, arkëtari i organizatës: Mustafa Demalija. Këshilli i Pleqësisë: Destan Berisha, Gjon Shtufaj, Aziz Mexhani, Adem Çelaj, Musa Vuçiterna, Selim Berisha, Sefedin Maxhuni, Abdyl Azizi, Bajrush Kosova, Mustafa Demalija. Anëtarët e Komitetit Qendror: Fran Sokoli, Gani Perolli, Anton Syku, Hamza Abdullaj, Jusuf Adili, Jusuf Çekiçi, Mustafa Vraniqi, Ali Gacaferi. Në numrin special që po ia paraqesim publikut, shënohet 21 vjetori i themelimit të organizatës dhe rëndësisë historike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Në çdo faqe të revistës gjen shkrime politike e reagime mbi shtypjen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës që gjendeshin nën shtypjen e jugosllavëve. Ismet Berisha, kryetari i organizatës “Lidhja Shqiptare e Prizrenit” i dërgon një letër presidentit të SHBA-së Ronald Reaganit ku i deklaron se “jemi të zhgënjyer nga heshtja e administratës suaj për situatën e rëndë që ekziston në provincën shqiptare të Kosovës, në Jugosllavi. Krimet që janë kryer janë në kufi me gjenocidin. Niveli i shtypjes dhe i burgosjes politike është vetëm paralel me ato të Bashkimit Sovjetik në epokën e Stalinit. Ne ju nxisim, zoti President, të kërkoni lehtësim përmes qeverisë së Jugosllavisë, për vuajtjet që po ndodhin aktualisht brenda Kosovës. Mbrojtja e të drejtave të njeriut të popullit shqiptar të Kosovës është në interes të Shteteve të Bashkuara dhe të gjithë liridashësve në mbarë botën” thuhet në letër-ankesën ndaj presidentit të SHBA.
Revista i kushton një vend të rëndësishëm thirrjes për lirimin nga burgjet serbe të profesorëve të Universitetit të Prishtinës të arrestuar padrejtësisht: Halil Alidemaj, Ukshin Hoti, Hilmi Ratkoceri, Muhamet Ternava, Muharrem Fetiu, Nezir Halili, Shemsi Recica, Ruzhdi Sefa, Ekrem Krzeziu, Ali Kryeziu. Një shkrim shumë i rëndësishëm ka të bëjë me Kongresin e Tretë të Organizatës “Lidhja Shqiptare e Prizrenit” ku pas lutjeve fetare të Imzot Zef Oroshit e Imam Hamit Barollit, personalitete të shquara të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajtën fjalime patriotike e atdhetare duke denoncuar krimet jugosllave në Kosovë si Dr. Rexhep Krasniqi, Abedin Mulosmanaj, Gjon Buçaj, Adem Hodo, Zef Mirakaj, Nderim Kupi, nënkryetari i Vatrës Tonin Mirakaj, Ismet Berisha, Shemsedin Vendresha, Adem Dervishi, Rifat Kolgjini, Remzi Barolli, Preng Gruda, Tom Mrijaj, Mustafa Vraniqi e Gani Perolli.
Një shkrim shumë i fuqishëm me autor Dritëro Agollin e Ismail Kadarenë ku kundërshtohen masat e ashpra të shovinistëve serbë ndaj kulturës e letërsisë shqipe në Kosovë. “Shovinistët synojnë zhdukjen praktikisht të letërsisë shqipe nga programet jugosllave të shkollave, gjë që do të ishte një hap serioz drejt shkombëtarizimit të shqiptarëve të Kosovës e të viseve të tjera të Jugosllavisë” shuhet në artikullin e shkrimtarëve të mëdhenj të kombit shqiptar. Në revistën prej 106 faqesh i kushtohet një shkrim edhe burgosjes së padrejtë të Adem Demaçit e shqiptarëve të tjerë në Kosovë. Revista botohet kryesisht në anglisht me qëllim ndërgjegjësimin ndërkombëtarisht të çështjes kombëtare që trajtohet në revistën “Lidhja e Prizrenit” si organ mediatik i organizatës “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”. Duke studiuar shtypin politik të mërgatës njohim më mirë organizimin patriotik dhe veprimtarinë e ngjeshur atdhetare të shqiptarëve të mërguar përtej Atlantikut. Mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pasur një rol të jashtëzakonshëm në mbajtjen gjallë të shqiptarizmës dhe çështjes kombëtare në shtetin mik e aleat të përjetshëm të kombit shqiptar.