
(23-tetor -11 nëntor 1956)
Me rastin e 65-vjetorit
Nga Skifter Këlliçi
“Për dashurinë jap jetën,
për lirinë fal dashurinë”
Shandor Petëfi, poet i madh hungarez
Prolog
I bazuar në kujtimet e mia, të shtypit të atëhershëm shqiptar dhe sovjetik të mëvonshëm dhe në internet, të njoftimeve të Radio RAI-t, që e dëgjoja disa herë në ditë, veçanërisht në kujtimet e shokut tim të ndjerë, Ilia Dedi, ish-student në Budapest në vitin 1955-56, të hungarezo-amerikanit Nandor Silagi, që kam njohur në Boston, ku jetoj prej 22 vjetësh, po u paraqes lexuesve disa nga episodet më të tragjike të Revolucionit Kundërkomunist Hungarez, në vjeshtë të vitit 1956, kur isha student 18-vjeçar.
PAK HISTORI PER HUNGARINE E VITEVE ‘45-’50-të TE SHEKULLIT TE KALUAR
Në verë të vitit 1949 motra ime, Lili, u kthye nga Budapesti, ku kishte qenë pjesëtare e delegacioit artistik, pjesëmarrës në Festivalin Botëror të Rinisë, që organizohej çdo dy vjet. Dhe ishte kthyer e lumturuar, sepse ishte njohur me një qytet të mahnitëshm, krahasuar me Tiranën dhe, madje, edhe me qytete të tjera të Evropës, siç i kishin thënë disa nga pjesëtarët e delegacionit shqiptar në këtë festival, që kishin parë deri atëherë një çikë botë me sy. Motra na foli edhe për nivelin e jetesës, për dyqanet që ishin plot me mallra, sidomos ushqime që mungonin në Shqipëri, ku buka dhe artikuj të tjerë shiteshin me triska që u shfaqën përsëri në vitet 80-90-të… Dhe kjo sepse, për shkak të refuzimit të ndihmave të UNRRA-s, (Administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Rindërtim), nga qeveria komuniste, se gjoja drejtoheshin nga imperialistët anglo-amerikanë, dhe të prishjes së marrëdhënieve një vit më parë me Jugosllavinë e Titos, të cilit diktatori ynë, Enver Hoxha i kishte falur çdo gjë, gjendja ekonomike e shqiptarëve të gjorë ishte katandisur si mos më keq. Kështu, dalëngadalë, edhe nga mësimet në shkollë, u njoha me Hungarinë e begatë, ndonëse vetëm me fusha e fusha të pamata, me Danubin që çan përmes tij, me të vetmin liqen të quajtur Balaton, u njoha me Hungarinë, që bënte pjesë në të ashtuquajturin bllok të vendeve socialiste, të varur tërësisht nga Bashkimi Sovjetik dhe që drejtohej nga stalinisti Matiash Rakoshi.
Mësova gjithashtu më vonë se gjatë Luftës së Dytë Botërore, Hungaria u bë aleta e Gjermanise naziste, se në shtator të vitit 1944 trupat ruse e çliruan këtë vend të vogël dhe krijuan një qeveri të përkohshme, se në zgjedhjet e nëntorit të vitit 1945 fitoi Partia Agrare, në një kohë që Partia Komuniste u rendit e gjashta, se pushtuesit sovjetikë urdhëruan formimin e një qeverie koalicioni, dhe arritën që sdy drejtues të kësaj partie n dhe Rajkun t’i bënin perkatësisht kryeministër dhe ministër të Brendshëm.
> Veç këtyre, mësova gjithashtu se në zgjedhjet e vitit 1947 në Hungari, gjithnjë në trysninë e sovjetikëve, fituan social-komunistët, që filluan të shtrinin kontrollin e tyre në tërë vendin, se më 18 gusht të vitit 1949 u krijua Republika Popullore e Hungarisë, që ra tërësisht në sferën sovjetike, tashmë me Rakoshin sekretar të Parë të PK Hungareze, se për të eleminuar të ashtuquajturit amiq të atdheut dhe të komunizmit, ai, ashtu si komunistët shqiptarë me Enver Hoxhën në krye, falë Sigurimit Hungarez ndërmori një fushatë të egër spastrimesh, që solli mbi 2000 të vrarë dhe të zhdukur dhe mbi 100.000 të burgosur dhe internuar. Por mësova se niveli ekonomik i Hungarisë së atëhershme, gjithsesi, ishte ku e ku më i mirë se në Shqipëri. Këtë e dëshmonin edhe studentë që nisën të studionin në këtë vend të vogël, por me tradita të mëdha, deri në fund të Luftës së Parë Botërore,(1918) pjesë përbërëse e Perandorisë e famshme Austro-hungareze.
Dihej se Hungaria ishte një vend ku qysh nga viti 1944 ndodheshin trupa sovjetike. Dhe ja, në tetor të vitit 1956, e tërë bota u njoh me një Hungari tjetër, krejt të ndryshme, u njoh me popullin e saj me shpirt të madh liridashës, të frymzuar edhe nga poezitë atdhetare të Petëfit dhe të rapsodive të famshme të Listit, dy prej figurave më të mëdha të popullit hungarez.
6 TETOR 1956 – NE CEREMONINE PERKUJTIMORE TE TE REHABILIIMIT TE LASLO RAJKUT
Rrëfen ngjarje shoku im, Ilia Dedi, ish-student në Budapest, më pas gazetar në Radio Tirana dhe gazetën “Puna”, ngjarje të cilat përputhen me rrëfimet e hungarezo-amerikanit Nandor Silagi, i arratisur nga Hungaria më 1956, të cilin e kam njohur në SHBA.
“Rajku ishte ndër viktimat e para të drejtuesve staliniste në udhëheqjen komuniste hungareze të fundit të viteve 40-të. Pas intrigave djallëzore të Rakoshit, u akuzua si agjent i Titos dhe, si pasojë, i imperializmit amerikan, që kishte dashur kthimin e Hungarisë në një vend kapitalist. U dënua me vdekje më 1950. Me rehabilitimin e tij,në mitingun e organizuar me këtë rast më 21 tetor të vitit 1956 një nga sheshet qendrore të Budapestit, udhëheqësit stalinistë shpresonin që punëtorët, të cilët ishin frymëzuar nga protestat e punëtorëve në Poznan të Polonisë, do të mbeteshin të kënaqur me këtë funeral “riparues” dhe nuk do të ngrinin më zërin për rehabilitimin e viktimave të tjera staliniste. Veç kësaj, ata kishin shpresë se ky funeral do të kalonte si pa u vënë re. Mirëpo atje u grumbulluan turma që i kalonin të 200 mijë vetët. Pas ceremonisë pashë me qindra e qindra punëtorë që, duke mbajtur në duar flamurë kombëtarë, u drejtuan nga qendra e kryeqytetit dhe zunë të thërrisnin me të madhe: “Nuk ndalemi kurrë! Stalinizmi duhet të shkatërrohet me themel!”. Pas tyre vinin studentë që kërkonin që rusishtja të mos ishte e detyrueshmë më në shkolla e universitete.Ishin kërkesa për të cilat kishte filluar të diskutohej në rrethe të ngushta dhe të gjera që në shtator të atij viti.Me kalimin e ditëve ndjehej që Budapesti po ziente, se njerëzit tashmë flisnin më hapur duke shprehur pakënaqësi jo vetem për kushtet e jetesës që po bëhej e vështirë, por edhe për ato që i shqetësonte edhe më shumë krerët stalinistë-për lirinë e fjalës. Forcat e Sigurimit AVH, (Autoriteti për Mbrojtjen e Shtetit), nisën të shumëfishoheshin, ndonëse ato ende nuk ndërhynin”
Pjesa e dyte
23 TETOR, NE BUDAPEST SHPERTHEJNE PA PRTUR PROTESTA
Ishte mbrëmja e 23 tetorit të vitit 1956 dhe unë, duke studiuar me pasion italishten ndiqja, veç emisoneve muzikore e sportive, edhe lajmet e emisionit të njohur Xhornale Radio (Radiogazeta), të orës 19.30 dhe 22.00. Dhe ja, befas, folësi nisi të njoftonte se protesta që kishin nisur në Budapest disa ditë më parë, ishin bërë më të ashpra, sidomos nga studentë të Institutit të Lartë Teknik. Budapesti po hapte sytë tashmë i bindur se diktaturës komuniste po lëkundeshin këmbët.
Përsëri nga rrëfimi i Ilia Dedit:
“Atë mëngjes të ftohtë vjeshte pashë se si brigjeve të Danubit, që ndan Budën me Peshtin, po dyndeshin qindra e pastaj mijëra njerëz. Dukej se gjithçka që kishte ndodhur në Poznan të Polonisë disa muaj më parë, do të përsëritej edhe në Budapest-tubime, revolta, paqësore e pastaj përleshje me forcat e rendit. Në Poloni këto revolta kishin sjellë në fuqi Gomulkën, dënuar me burgim më 1948 për devijim nacionalist. Rehabilitimi i Gomulkës, pranuar nga udhëheqësit komunistë rusë ,i cili kishte dënuar stalinizmin, dukej se ishte edhe preludi i rehabilitimit të Imre Nagit, ish-kryeministër, shkarkuar dhe përjashtuar pastaj nga Byroja Politike, madje nga Partia se ishtë treguar “shumë liberal”. Për, hungarezët, Nagi ishte shëmbëlltyrë e Gomulkës. Siç flitej, nuk kishte prejardhje aristokratike austro-hungareze, ose nga borgjezia e vogël. Përkundrazi, vinte nga fushëtira perëndimore e Hungarisë fshatare. Pra, pas kthimit të Gomulkës në Poloni, hungarezët shpresonin që kjo gjë të ndodhte edhe me Nagin, pra, që edhe ai të dënonte stalinizmin, që të tërhiqeshin trupat sovjetike nga Hungaria, që të fillonin proceset e demokratizimit, që të bëheshin reforma ekonomike. Kështu ndodhi: Nagi i dënuar më parë për pikëpamjet tij liberale, tashmë ishte përsëri kryeministër.Por vetëm nga 23 tetori deri më 4 nëntor 1956.”
Le të tregojmë më gjatë për Nagin. Duke qenë kryeministër me pikëpamje properendimore, ai brakisi politikën e industrializimit të sforcuar dhe të kolektivizimit të bujqësisië, të ndjekur nga Rakoshi, imitues fanatik i Stalinit. Nga shtatori i vitit 1953 dhe deri në mars të vitit 1954, arriti të ulte çmimet e artikujve ushqimorë dhe të ngrinte ndieshëm pagat. Veç kësaj, Nagi synonte që të kufizonte rolit e Sigurimit famëkeq të shtetit (AVH), dhe më 31 tetor të vitit 1953, shpalli amnisti të përgjithshme për të burgosurit politikë. Me lirimin e mijërave prej tyre filluan të bëheshin të njohura publikisht krimet e Rakoshit dhe u zbuluan proceset e kurdisura gjyqësore, me anë të të cilave qenë dënuar njerëz krejt të pafajëshm, ashtu si në proceset staliniste të viteve 1936-38 në Bashkimin Sovjetik…
Mirëpo këto masa të Nagit hasën kundërshtim të rreptë nga forcat burokratike dhe konservatore, që kontrollonin shtetin dhe Partinë, të mbështetuara dhe nga Sigurimi i Shtetit. Me pengesat e tyre ata u bënë shkak që forcat prodhuese të bllokoheshin dhe niveli jetës të fillonte të binte. Si pasojë, Nagi u thirr në Moskë dhe u akuzua se ishte shkaktar i rrënimit të ekonomisë.
I kritikuar ashpër edhe për ide të rrezikshme të së djathtës, ai më 22 mars 1955, u shkarkua si kryeministër dhe u përjashtua nga Komiteti Qendor i Partisë.Dhe ja tani rehabilituar ishte përsëri kryeministër. Por ndërkohë, në Budapest që nga 24 tetori ndodheshin trupa të ushtrisë sovjetike, vërtet “me veprim të kufizuar”, por që , sidoqoftë, hasën rezistencë nga populli kryeqytetas, ndaj u tërhoqën për të respektuar pavarësnë kombëtare të Hungarisë. Aq më tepër që Nagi kishte kërkuar tërheqjen e tyre të menjëhershme. Por më 1 nëntor, dukë parë që trupat sovjetike po përgatitshin të riktheheshin, Nagi u takua me ambasadorin sovjetik në Budapest, Andropov, dhe protestoi ashpërsisht ndaj këtyre veprimeve. Ndërkohë, ai shpalli edhe neutralitetin e Hungarisë dhe për këtë qëllim iu drejtua me një deklaratë edhe OKB-së, që çuditërisht nuk e mbështeti.
Në këtë gjëndje tëpër të nderë, Byroja Politike e KQ të PK të Bashkimit Sovjetik në një mbledhje të shpejtë mori vendim që Hungaria të pushtohej nga forcat sovjetke, madje pa pjesëmarrjen e ushtrive të vendeve të tjera pjesëtare të Traktatit të Varshavës.
Ndërkohë, unë, sëbashku me babain, , duke ndjekur lajmet e Radio Rait, mësoja se zhvillimet e reja në Hungari nuk ishin vetëm vazhdimi i ngjarjeve në Poloni por, para së gjithash, edhe pasojë e raportit të famshëm sekret të Hrushovit në Kongresin e 20-të të PK të Bashkimit Sovjetk,(17-24 shkurt 1956), ku ai kishte dënuar rreptësisht kultin e Stalinit, vdekur tre vjet më parë dhe kishte nxjerrë në pah pasojat e sundimit të tij të egër në të parin vend komunist të botë. Këto zhvillime ishin gjithashtu edhe si dhe kahje e politikës së re hrushoviane, për t’u afruar me vendet perendimore pas Luftës së Ftohtë midis Lindjes dhe Perendimit. Dhe hapi i parë ishte afrimi me Jugosllavinë e Titos, dënuar nga Stalini si tradhtar i parimeve të marksizëm-leninizmit, si revizionist që ishte hedhur në prehrin e imperializmit amerikan.
Në Hungari, ashtu si edhe në Poloni, siç thamë më sipër, ku punëtorët e Poznanit më 27 dhe 28 qershor u ngritën në manifestime të cilat u mbytën në gjak, zhvillimi i punimeve të Kongresit të 20-të të Partisë Socialiste Hungareze thelloi ndarjen midis udhëheqjes konservatore staliniste dhe elementëve liberalë, (të quajtur revizionistë e reformistë). Këta të fundit ndërmorën hapa për të përshpejtuar procesin e rinovimeve në parti dhe, sa më shpejt që të ishte e mundur, për të ndërmarrë reforma, që do t’ia ndryshonin fytyrën vendit, veçanërisht në fushën ekonomike. Diskutime të tilla bëheshin, ndërkohë, edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve, në klubin “Petëfi” si dhe në mjediset studentore.
Në klubin “Petëfi” filluan të organizoheshin debate publike, së pari për orientimet që do të merrnin punimet e Kongresit të 20-të të Partisë Socialiste Hungareze dhe pastaj për një sërë problemesh të karakterit filozofik, ekonomik, historik, debate në të cilat filluan të merrnin pjesë qindra e qindra punëtorë dhe të rinj.
SHPERTHIMI I SHPIRTIT KRYENGRITES
Hungarezi Nandor Silagi fillon tregimin e tij retrospektiv:
“Në ditët e fundit të tetorit dhe fillimit të nëntorit në Universitetin Teknik të Budapestit, u grumbulluan rreth pesë mijë studentë e shumë profesorë, të cilët diskutuan plot zjarr në një mbedhje e cila zgjati deri në orët e para të mëngjesit. Në këtë mbledhje u përvijuan tezat e një programi demokratik, në të cilin ekzaltohej shpirti i Revolucionit Demokratik të vitit 1848, që kishte pasur si simbol Petëfin dhe kërkohej tërheqja e trupave sovjetike nga Hungaria, rikthimi i Imre Nagit në qeveri, zbatimi i Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të Deklaratës së të Drejtave të njeriut.
Në atë kohë në krye të partisë ishte Ernest Gere, një neostalinist më pak fanatik sa Matias Rakoshi, që ishte detyruar të largohej nga skena politike. Mirëpo hija e Rakoshit, këtij udhëheqësi të urryer, ndër dikatorët më të ashëpr të vendeve komuniste, sidoqoftë më i butë se Enver Hoxha juaj, rëndonte ende mbi Hungarinë e sfilitur. Ky Rakoshi, pas ngjarjeve të Poznanit, duke pasur frikë nga intelektualët reformistë, ishte rrekur t’i kundërvinte ata perballë “agjentëve të borgjezisë”, siç quante ata “të mallkuar” që grumbulloheshin në Klubin “Petëfi”. Mirëpo manovrat e Rakoshit nuk përputheshin më me politikën e destalinizimit që kishte nisur Hrushovi. Ja përse në 17 qershor të vitit 1956, me porosi të tij, Mikojani dhe Suslovi, të ardhur enkas në Budapest, kishin zëvendësuar Rakoshin me Geren, proces që ndodhi edhe me disa nga udhëheqësit stalinistë të vendeve të tjera të ashtuquajtura të kampit socialist. Mirëpo ishte një zëvendësim i pamjaftueshm për gjendjen që po krijohej”.
Por le të kthehemi të ngjarjet që po zhvilloheshin në sallën e Universitetit Teknik të Budapestit, këtë radhë sipas kronikës të gazetës italiane “La Republika” të datës 23 tetor të vitit 2006:
“Mbledhja mbyllet me një komunikatë në të cilën studentët ftohen të mblidhen sërishmi të nesërmen.Që më 23 tetor, në orën 14.30 në rrugën “Gorki”, pjesëmarrësit shkojnë parpara selisë së Bashkimit të Gazetarëve, për të arritur pastaj te përmendorja e gjeneralit Jozef Bem, në sheshin Palfi, përpara të cilit vendosin kurora me lule, në shenjë solidariteti me studenëtë polakë të keqtrajtuar në Poznan, të cilët kishin protestuar pas masakrave të policisë sekrete kundër tyre. Citohen pjesë nga komunikata që përfundojnë me thirrjen drejtuar punëtorëve të fabrikave që të bashkohen me studentët. Përplasja nuk fillon me nismën e tyre. Manifestimi studentor, më parë i ndaluar e pastaj, në çastet e fundit, i autorizuar nga qeveria e mbërthyer nga paniku, përfundon me të shtëna parpara godinës së Radios, ku fortafolësit transmtojnë një fjalim të ashpër të Gerës. Studentët kërkojnë që nga mikrofonët e Radios të transmetohet komunikata e tyre, por drejtori i saj e hedh poshtë me përbuzje këtë kërkesë. Reparte të ushtrisë hungareze, të dërguara në atë vend për të vendosur rendin, nuk binden që të qëllojnë mbi turmat dhe shpesh u japin atyre armë.Ndërkohë po më 23 tetor në orën 21.30 masat popullore rrëzojnë përmendoren e Stalinit.”.
> Vazhdon tregimi retrospektiv i hungarezit Nandor Silagi
“Janë më qindra budapestianë të çdo moshe që e tërheqin zvarrë këtë përmendore duke e copëtuar si mundin. Midis tyre edhe unë. Me t’u informuar për këto përleshje që arrijnë deri te godina e Radios dhe Parlamentit, punëtorët e Cepelit, Ujpeshtit dhe lagjeve rrethinore zotërojnë si mundin automjete dhe arrijnë në qendër të Budapestit. Rrugët ndriçohen nga flakadanë, me të cilët digjen simbolet e komunizmit sovjetik, ylli i kuq dhe drapëri me çekan, si dhe libraritë me libra në rusisht. Kështu gjatë natës midis 23 dhe 24 tetorit manifestimi i studentëve, ku marrin pjesë dhe mijëra banorë të Budapestit, shndërrohet në një revoltë popullore që më 28 tetor shtrihet në të gjithë Hungarinë. Para turmave tani ndodhen forca të AVH-së, pra, Sigurimi i Shtetit, i lidhur me shërbimet e Sigurimit Sovjetik, që përpiqet të mbrojë si mundet selinë e KQ të Partisë, të Parlamentit dhe të Centralit Telefonik. AVH-ja e sheh se nuk mund të mbështetet te forcat e rendit dhe aq më tepër te ushtria që bashkohet tashmë tërësisht me popullin. Madje, vë re ushtarë që furnizojnë gjindjen me armë e ushqime e pastaj ka nga ata që vihen në ndjekje të agjentëve të dyshuar se kanë qëlluar mbi turma.Një grup punëtorësh futet ne parlament, duke depërtuar edhe në radhët e njerëzve të AVH-së.(Për ata më pas nuk u mor vesh se ku përfunduan). Turmat në pritje që ata të kthehen, nis e shqetësohet. Fillojnë përleshje me forcat e rendit që kanë rrethuar Parlamentin.Dhe papritur nga dritaret dhe çatia e saj agjentë të AVH-së nisin të qëllojnë më mitrolazë.Turmat u kundërpërgjigjen me armë që ua rrëmbejnë forcave të rendit. Sidoqoftë, ka plot të vrarë..Një masakër e vërtetë”.
Ndërkohë, unë me babain nuk i ndahemi lajmeve të Radios italiane, që përsërit në mënyrë të përmbledhur kronikën e atyre ditëve: Sipas tyre Komiteti Qendror i Partisë, në panik e sipër, merr vendime kontradiktore. Nga një anë rikthen Imre Nagin në Komitetin Qendror dhe e emëron kryetar të qeverisë dhe, nga ana tjetër, kërkon ndërhyrjen e trupave sovjetike që të stabilizojnë gjendjen dhe për këtë të vendosin shtetrrethimin dhe ligjin e luftës që dekretohen me ngut.
Imre Nagi është rehabilituar si Gomulka në Poloni. Mirëpo, sipas lajmeve, zhvillimet politike po shkojnë drejt një zgjidhjeje të tensionuar. Komente të Radios italiane theksojnë se 23 tetori nuk është vecse akti i parë i një revolte që, siç shihet, do të jetë një kryengritje kombëtare kundër pushtimit rus, kundër një regjimi totalitar, për vendosjen e një demokracie të vërtetë”.
> Pjesa e trete
> Nga gazeta italiane “La Republika”, 23 tetor 2006:
“Një nga studiuesit më të njohur të ish-demokracive popullore në Evropë, profesori hungarez Fransua Fejto, thotë se në këtë tetor të vonuar aspiratat e hungarezëve u shprehen me një shpërthim të çrregullt si një fishekzjarre spontane ëndrrash, pasionesh, dobësish. Pesha e shtypjes u thërmua duke i dhënë një shpëthim të vrullshën të gjitha shtresave të një shoqërie që komunizmi real nuk kishte mundur ta mposhtte. Nagi u pa se ishte në një pozicion të vështirë. Komunist leal dhe patriot realist, ai kërkoi të respektonte kompromisin e arritur me sovjetikët, (Suslovi dhe Mikojani ndërkohë kishin arritur me një frymë në Budapest). Sipas këtij kompromisi Hungaria nuk do të dilte nga blloku sovjetik. Por kryengritja ishte shndërruar tashmë në revolucion dhe Nagi nuk kishte mjete për ta udhëhequr dhe përmbajtur, aq më tepër, kur drejtuesit e kryengritjes kërkuan që të denoncohej Pakti i Varshavës, të respektohej pavarësia totale dhe neutraliteti i Hungarisë.
> Pas dëgjimit të lajmeve të Radio Rait bisedoja më babanë në shtëpi dhe me ndonjë shok të ngushtë, me dëshirën që këto ngjarje të shpinin në përmbysjen e regjimit komunist në Hungari. “Zëri i Popullit” dhe Radio Tirana jepnin lajme të thata rreth këtyre ngjarjeve që kishin tronditur Hungarinë dhe që ndiqeshin me vëmendjen më të madhe nga opinioni publik botëror. Ngjarjet në Hungari cilësoheshin si kunderrevolucion fashist ku kishte dorë reaksioni i jashtëm. Njoftime tipike të kopjuara nga shtypi sovjetik,(“Pravda”, “Izvjestija”, “Trud”,”Komsomolskaja Pravda”) që vinte dy herë në javë Tiranë nga Moska dhe që unë dhe shokë të tjerë studentë i blinim në dyqanin “Libri sovjetik”, si dhe nga lajme të marra Agjensia Telegrafike Sovjetike, (TASS).
>Ndërkohë, hungarezët, sipas komenteve nga Radio Rait prisnin ç’veprime do të ndërmerrrte Perendimi dhe kryesisht SHBA-ja. Por që andej nuk vinte veçse një heshtje e nderë.
> Ditë tragjike të revolucionit
> Pas ngjarjeve që shpunë në shpërthimin e revoltave dhe përleshjeve me forcat e AVH-së (Sigurimit të Shtetit), në radhët e të cilëve pati dhe qindra e qindra të vrarë, qeveria e Nagit përjashtoi nga të gjitha postet ministrore shumë stalinistë. (Stalinisti fanatik Rakoshi mezi arriti të shpëtonte dhe u detyrua bashkë me gruan sovjtike te merrte arratinë në Bashkimin Sovjetik, ku vite me pas dhe vdiq, pa guxuar të kthehej asnjëherë në Hungari). Në qeveri u pëfshi edhe filozofi Lukash si dhe elementë të tjerë të moderuar. Por, sidoqoftë, Sekretar i Parë i Partisë u zgjodh Kadari, filohrushovian që zëvendësoi Geren, edhe ai, ashtu si Rakoshi, dishepull i Stalinit.
>U fol atëhërë se masakrat e 23 -25 tetorit, ishin vepër e ushtarëve rusë. Por nuk ishte kështu, siç rrëfen edhe hungarezi Nandor Silagi, ashtu si e kam vënë në dukje më sipër, arratisur nga Hungaria më 1956 dhe sot banues në SHBA, dëshmitar i disa prej këtyre ngjarjeve të cilave ai u kthehet edhe një herë për t’i bërë edhe më të qarta:
> “Forcat ushtarake ruse të vendosura në Budapest, nuk ndërhynë në këto raprezalje që filluan të kishin përmasa të mëdha. Madje edhe më 28 tetor kur, me urdhër të komandës së ushtrisë ruse filloi sulmin masiv i trupave të tyre nëpër rrugët e Budapestit, i cili u mbështetej nga forcat filostaliniste. Dhe të tërë ne mbetëm të shtangur, kur pamë që ushtarët rusë, jo vetëm nuk qëlluan mbi popull, por, madje, pati nga ata që u bashkuan me të. Kështu ndodhi edhe me një pjesë të policisë së drejtuar nga komandanti i tyre, Maleter. Ishin me të vërtetë pamje tronditëse dhe mallëngjyese, që u jepnin zëmër kryengritësve me të cilët qenë bashkuar edhe fëmijë 15-16 vjeçarë, aq sa isha unë asokohe dhe të cilëve nuk iu bënte fare përshtypje vdekja. Ata që qëlluan mbi turma, bile, pabesisht, ishin, si, gjithnjë, forcat e AVH-së, disa nga të cilët u vendosën mbi çatinë e Ministrisë së Bujqësisë. Nga plumbat e tyre ranë të vrarë shumë njerëz, pa ditur nga vinin breshëritë vdekjeprurëse. Megjithatë, kryengritësit arritën t’i pikasnin, të luftonin kudo me ta, t’i kapnin e t’i vrisin në vend, madje edhe kur përpiqeshin të fshiheshin për të shpëtuar kokën, qoftë edhe nëpër shtëpitë e tyre. Gjak lahej me gjak”.
> Ndërkohë, duke dëgjuar Radio Rain, unë me babanë mësoj se në Budapest lindin këshillat e punëtorëve, që kërkojnë tërheqjen e menjëhershme të trupave ruse. Madje, edhe në stacione radiosh vendore, që ngrejnë peshë shpirtin kryengritës të popullit. Rilindin sindikata, gazeta e shoqëri kulturore, të ndaluara nga Rakoshi. Stalinistët, duke parë që po u lëkundet toka ndër këmbë, kërkojnë të ngjallin gjithnjë e më shumë panik me anë të forcave të Sigurimit, AVH. Tani pritet sulmi i dytë i ushtrisë ruse. Nagi, për të mënjanuar pasojat e rënda, që mund të këtë shumë e shumë jetë të humbura, shkon në Moskë ku bisedon, së pari me Andropovin dhe Mikojanin, e pastaj edhe me vetë Hrushovin. Në këto bisedime udhëheqësit e lartë rusë, për nevojat e tyre, e konsiderojnë Nagin element të vlefshëm për të dalë nga gjendja e vështirë, e njëjtë si ajo në Paznan të Polonisë, duke zbatuar kështu politikën “tërhiq e mos këput”.
Nga kujtimet e gazetarit anglez me origjinë hungareze, Viktor Sebestien, dëshmitar i këtyre ngjarjeve, (sipas gazetës italiane, “La Republika”, 23 tetor 2006).
“Më 30 tetor të vitit 1956 u rrethua godina e Komitetit Qendror të Partisë. Pas një beteje prej tri orësh funksionarët e lartë dhe të urryer, dolën nga godina me flamurë të bardhë në duar. U pushkatuan menjëherë dhe trupat e tyre u varën me kokë poshtë si Musolini në Milano, pastaj kufomave iu vu zjarr”. Një ditë më pas në Kremlin anëtarët e Politbyrosë panë foto me disa skena të tilla dhe vendosën të vepronin. Por, besoj se arritën të merrnin një vendim si të gjitha perandoritë: e ndienin se, po të linin Hungarinë, edhe vendet e tjera satelite të Evropës Lindore, do të ngriheshin njeri pas tjetrit. Kështu Moska vendosi të dërgonte një numër të stërmadh tankesh dhë trupash speciale”.
Kjo ishte më se e vërtetë. Sipas komenteve të Radio Rait, sidomos pas shtypjes së revolucionit, dëgjoja se në tetor të vitit 1956 në Budapest ndodheshin 1500 tanke sovjetike. Luftëtarët e lirisë shkatërruan 150, vranë 600 ushtarë dhe disa qindra agjentë besnikë të Moskës. E vërteta është se shumë nga këto tanke ishin të modeleve të vjetra,të tjerët dolën shpejt jashtë përdorimit gjatë përleshjeve me kryengritësit, ose për mungesë benzine. Trupat ruse, të pranishme prej vitesh në Hungari, nuk ishin të specilalizuara dhe kështu u bënë pre e njësive revolucionare, që përbëheshin nga rreth 25 mijë vetë, midis të cilëve edhe gra e fëmijë, të gatshëm për të vdekur. Megjithatë, një ditë para dërgimit të forcave speciale, që përbëheshin nga rreth 150 mijë ushtarësh dhe rreth 4000 tanke, Kadari u deklaroi rusëve se ndërhyrja e Ushtrisë së Kuqe do të reduktonte në hiç besueshmërinë morale të komunistëve para popullit. Madje, ai në bisedë me ambasadorin sovjetik në Budapest, Andropov, dhe pati guximin t’i thoshte tërë mllef se në rast tanket sovjetike do të futeshin në Budapest, ai do të zbriste nëpër rrugë dhe me duar do të luftonte kundër tyre.
Si pasojë Maleteri, ministri i Mbrojtjes, kërkoi takim me udhehëqësit ushtarakë rusë më Moskë, ku tha me vendosmëri se trupat e tyre ushtarake duhej të tërhiqeshin përfundimisht nga Hungaria. Mirëpo gjatë bisedimeve midis të dy delegacioneve, ai u arrestua me urdhër të gjeneralit Serov. Kjo ishte një ngjarje pa precedencë, një kurth, që e detyroi gjeneralin tjetër rus, Malinin, të protestonte, por pastaj të tërhiqej dhe të heshtte. (Sipas artikullit “I fatti d’Ungheria” (“Faktet e Hungarisë”,ital., në internet.)
NGA DESHMIA E ILIA DEDIT
Gjaëtë atyre ditëve të tërë studentet shqiptarë që studionin në Hungari, u vendosën në godinëne ambasaës shqiptare që ndodhej në një nga lagjet e mëdha të Budapestit. Midis tyre dhe Ilia Dedi, që në bisedat që kam pasur vite më pas me të, vazhdonte kështu tregimin e tij:
“Në agimin e 4 nëntorit trupat speciale ruse,të shoqëruara nga avionë e artileri të rëndë, arritën në portat e Budapestit, kurse sekretari i Partisë, Kadar, i kthyer me nxitim nga Moska, njoftoi nga qyteti Solik për krijimin e një “qeverie të re, revolucionare të punëtorëve dhe fshatarëve”. Dhe pikërisht ky Kadar që kishte kërcënuar Andropovin se po të shihte tanket ruse në rrugët e Budapestit, do t’u sulej me duar, tashmë që ka zënë vendin e Nagit, perfundimisht të mënjanuar, deklaron pa pikë turpi se, meqë qeveria e tij nuk është në gjendje të mposhtë trazirat kundërrevolucionare që kanë shpërthyer në vend, i bën tjirrje qeverisë sovjetike që të dërgojë trupa për të rivendosur demokracinë e rrezikuar socialiste. #’e madhe hipokrizi!…Sidoqoftë,para tij Nagi ka kurajë të thotë në një mesazh drejtuar popullit nga Radio Budapesti, se ushtria hungareze do të luftojë për mbrojtjen e vendit që po pushtohet nga ushtria sovjetike, se Hungaria duhet të dalë nga Traktati i Varshavës…Mirëpo është vonë. Kuptohet se rusët tani vendosin vetë për gjithçka në Hungari. Shumë nga tanket ruse para se të futen në Budapest, qëllojnë godinat rrethinore, për të dëshmuar se kjo do të ndodhë edhe në kryeqytet edhe me qytetarët, nëse do të kundërpërgjigjen. Na vinë lajme se qyteti Cepel, rrënohet i tëri nga predhat e tyre. Atëherë Nagi, duke e parë se nuk e pret veçse plumbi, detyrohet të kërkojë strehim politik në ambasadën jugosllave. Bashkimi Sovjetik, ndërkohë, njofton botën se kjo ndërhyrje bëhet në bazë të vendimeve të Traktatit të Varshavës. #’ farsë e absurde…”
Ndërkohë, unë me babain mësonim nga lajmet e Radio Rait se tanket ruse po bëheshin gati të futeshin në Budapest. Filloi ngritja e barrikadave. Të gjithë ishin të përgatitur për luftë me çdo lloj mjeti, që nga gurët, shkopijtë e, doemos armët e municonet që vazhdojnë të vijnë nga fabrikat e prodhimit të arëmëve.
Janë tashmë me mijëra e mijëra hungarezë që thonë se nuk janë vendimtare vetëm armët moderne për të zmbrapsur “proletarët rusë me yll të kuq në ballë”, por edhe fjalët, mbi të gjitha, shpirti i vetë popullit.
Opinioni publik botëror nis e shqetësohet nga ashpërsimi i gjendjes në Hungari. 101 intelektualë të njohur italianë nënshkruajnë një thirrje në shenjë solidariteti me kryengritësit. (Pas shtypjes së revolucionit mbi 300 mijë komunistë italianë largohen të zhgënjyer nga partia. Edhe parti të të tjera komuniste janë në krizë, midis të cilave dhe Partia Komuniste Britanike).
Në këtë periudhë të tensionuar Hrushovi fluturon në Brioni për të biseduar me Titon rreth problemit hungarez. Punëtorët e fabrikave për prodhimin e armëve fillojnë të armatosin kryengritësit. Ushtarë e policë bashkohen gjithnjë e më shumë me ta. Në radhët e tyre bëjnë pjesë jo vetëm të rinj, por, madje,edhe fëmjë, madje edhe 10-12-vjeçarë. Megjithatë, ushtria sovjetike përparon, ndonëse me shumë vështirësi, ngaqë has rezistencën e e kryengritësve. Ushtarët rusë habiten dhe nuk e marrin me mend që një popull i armatosur keq, ka mundur të hedhë në erë kolona tankesh. Ka nga ta që bashkohen vëllazërisht me kryengritësit, si shokë e tyre ditë më parë. Por agjentë e AHV-së përdorin dredhi. Nga çatitë e godinave publike shtien mbi tanket ruse, për të provokuar kundërveprimine tyre. Një grup kryengritësish kërkon që nga godina e Parlamentit të hiqen simbolet e komunizmit, por vriten nga agjentë të këtij sigurimi.
Pjesa e katert
Nga burime historike ne internet rreth ngjarjeve të 4 nëntorit në Budapest
Në sulmin e dytë, të nisur më 4 nëntor, forcat sovjetike, përbëheshin kryesisht nga ushtarërë të mobilizuar nga republikat e Azisë Qendrore, taxhikë, uzbekë, turkmenë, të cilëve u kishin thënë se do të luftonin për të thyer ” trupat imperialiste që kishin pushtuar Egjiptin”. Por shumë kuptuan shpejt të vertetën, kuptuan se po bëheshin mish për top për ambicjet e gjeneraleve rusomëdhenj. Pati nga ata që u çarmatosën, që u dërguan në Rusi, në vagonë të kyçur, sepse refuzuan të zbatonin urdhërat e komandantëve të tyre gjakatarë. Këto urdhëra qenë të qarta: të ndëshkohet klasa punëtore në Budapest. Ndaj tanket përparonin me kujdes nëpër rrugët e qytetit, duke goditur pallate, shkolla, vendstrehime për të plagosurit e të moshuarit. Luftimet qenë të ashpra në zonat punëtore të Budapesti, në Cepelin e kthyer ne gërmadhë, në Ujpest, Kelenfold, Amgiafold në Zuglo.
Punëtori Mark Molnar, i dëbuar nga ushtria gjatë regjmit stalinist të Rakoshit, thoshte: “Jeta jonë është e thjeshtë: tetë orë luftime, tetë orë punë për të fabrikuar armë dhe tetë orë pushim”.
Në mbrëmjen e 7 nëntorit, daja im, me rastin e martesës bënte dasmë në shtëpinë e tij. Dhe ja, në lajmet e orës 18.00 folësja e njohur, Vera Zheji, e cila pak më shumë se një vit më pas do të bëhej mësuesja dhe kolegia ime në mikrofonin e Radio Tiranës, lexoi lajmin e parë ngai cili ne mësuam se trupat ruse në Budapest, tashmë e kishin plotësisht në dorë situatën dhe se kundërevolucioni i kishte ditët e numëruara. Disa nga dasmorët duartrokitën. Por dukej se secili nga ne ishte pushtuar nga trishtimi në ato çaste.
Çdo mbrëmje, duke ndjekur Radio Rain mësoja lajme edhe më të trishta: Më 11 nëntor Revolucioni hungarez ishte mbytur në gjak… Më 22 nëntor Nagi, i strehuar në ambasadën jugosllave, bëri një përpjekje për të ikur, por patrullat ruse ndalën makinën e tij dhe e arrestuan. Më pas u mor vesh se fati i tij ishte përcaktuar pas takimit midis Hrushovit dhe Titos në Brioni. Këtë radhë Titoja, ai që ishte treguar aq entuziast për ndryshimet në Hungari, iu nënështrua vullnetit të atij të cilit, si usta, i kishte mësuar si të shkëputej nga kthetrat e dogmatizmit stalinian.
Thuajse dy vjet më pas, më 16 qershor të viti 1958, Nagi, që së bashku me bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe familjen ishte izoluar diku në rrethinat e Bukureshtit , u pushaktua për tradhti të lartë. Bashkë më të edhe gjenerali Maleter, që, sic e kemi parë, u ishte kundërvënë gjeneralëve rusë, të cilët kishin kërkuar me cdo kusht që Budapesti të pushtohej.
Askush nga drejtuesit e vendeve komuniste nuk e griti zërin per këto mizori. As Mao Ce Duni nga Kina e largët, ndonëse ishte në grindje të fshehtë me Hrushovin. Kurse Enver Hoxha ishte në kulmin e gëzimit për kthesën që po ndodhte në Hungari pas ndërhyrjes së trupave sovjetike.
Me afrimin e dimrit që parashikohej të ishte i ashpër, qeveria e re kërkon dëshpërimisht të rifillojë prodhimi i qymyrgurit,i nevojshëm edhe për prodhimn e energjisë elektrike. Por punëtorët me anë të këshillavë që kanë ngritur, këmbëngulin në kërkesat e tyre: Fabrikat t’u takojnë punëtorëve; drejtori të jetë një punonjës i fabrikës që duhet të zgjidhet nga këshilli me mandat të asamblesë së fabrikës, etj.
Jo vetëm kaq: megjithë shtypjen e kërcënimet e egra, Këshilli Qendror i Punëtorëve të Budapestit, që formohet vetëm disa ditë pas ndërhyrjes së dytë të trupave sovjetike, kërkon me këmbëngulje nga qeveria tërheqjen e trupave ruse nga vendi; liri fjale e shtypi, zgjedhje të lira etj. Por qeveria e Kadarit filosovjetik, zuri të merrte masa represive.Arrestoi drejtuesit e Këshillit të Punëtorëve të Budapestit dhe shpërndau me forcë të gjitha grevat që u organizuan me këtë rast.
Pasojat tragjike pas ndërhyrjes së trupave rusë në Budapest
Dëshmon hungarezi Nandor Silagi:
“Kështu,më 7 nëntor 1956, pas luftimesh të përgjakshme që sollën mposhtjen e revolucionit antikomunist, rusët rivendosën sundimine tyre në Hungari me Kadarin, Sekretar të Parë të Partisë dhe krijimin e një qeverie tërësisht filosovjetike. Shumë kryengritës nisën të ndiqeshin si elementë kundërrevolucionarë.
Si pasojë, u pushkatuan mbi 10 mijë vetë. (Ka shifra shifra të tjera sipas të cilave numri i tyre arrin në rreth 50 mijë të, duke përfshirë edhe 5 mijë ushtare rusë të vrarë). Stalinistët në të gjithë botën deklaruan atëherë me bujë se kjo kryengritje ishte një grusht shteti i tipit fashist. Por për çfarë fashistësh bëhej fjalë, kur të tillë nuk kishte pasur as në popull dhe as në udhëheqje të kryengritjes? Por duhej gjetur një kokë turku. Dhe na doli se ky ishte kardinali hungarez Mincenti. Pra, ky na qenkësh kapoja i kundërevolucionarëve. Dhe gjëja më e çuditshme në këtë situatë tragjike ishte se gjatë kryengritjes Mincenti u detyrua të kërkonte strehim politik në ambasadën amerikane në Budapest, i cilësuar si element reaksionar, që po vepronte në dëm të interesave të klasës punëtore, kur ai kishte mbrojtur pikërisht këshillat punëtore. Mirëpo ato quheshin reaksionare nga qeveritarët e Kadarit. Kardinali Mincenti ndenji për shumë vite i strehuar në ambasadën amerikane dhe vetëm kur unë i arratisur nga Hungaria jetoja në SHBA, mora vesh se kishte fituar lirinë pas një amnistie të qeverisë komuniste. Kjo kishte ndodhur edhe me një “element kundërevolucionar” që, duke mos mundur të arratisej, ishte fshehur për vite të tëra nën çatinë shtëpisë së tij dhe ishte quajtur si i humbur…”.
Hungarezët të tradhtuar nga Perendimi
Siç thamë më sipër, shpërthimi i revoltave masive në Budapest kundër regjmit komunist dhe pushtimit rus tërhoqi vemendjen e opinionit publik botëror. Ai u njoh me ngarjet e përgjakshme nëpërmjet lajmeve të agjensive telegrafike, por edhe pamjeve filmike të kanaleve televizive që kishin filluar të përhapeshin në Evropë dhe Hungari. Por qeveritë perendimore nuk ndërhynë në këtë konflit me përmasa apokaliptike, që solli mbi 25 mijë të vdekur e mbi 250 mijë hungarezë të arratisur, pra, gati 3% e popullisë. U arratisën edhe futbollistët e “Honvedit”, skuadrës së ushtrisë hungareze që ndodhej në një turne nëpër Evropë, midis të cilëve Pushkashi, Cibori, Kocishi, që luajtën për vite në kampionatin spanjoll.
Nga dëshmia e gazetarit anglez,Viktor Sebastienit,me origjinë hungareze, në një intervistëViktor Seestinë një intervistë të botuar në gazetën italiane “La Republika” më 3 tetor të vitit 1956 honmë 3 23 tetor 2006
“Po, hungarezët e ndien veten të tradhtuar nga Perendimi. Veçanërisht nga Amerika. Por presidenti Aizenhauer ishte në prag të zgjedhjeve presidentore dhe nuk e vuri fare në diskutim këtë çeshtje kaq rëndësishme, duke respektuar kështu, me sa dukej, marrëveshtjen e Jaltës për ndarjen e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore, ku Hungaria do t’i përkiste Lindjes, pra, sferës së Bashkimit Sovjetik. Kam lindur në Budapest, kam përjetuar ato ngjarje, sidoqë prindërit e mi nuk morën pjesë aktive në to, por vuajta shpirtëirsht për ato që ndodhën në Hungari. Disa muaj me pas tërë familja jonë emigroi në Perendim, por, megjthatë, nuk e harroj kurrë vititn 1956, që për mua është një jetë e tërë”. (Përsa u përket vendeve të tjera perendimore, duhet thënë se tek ato ndikoi edhe kriza e Kanalit të Suezit në tetor të vitit 1956, ku forca të ushtrive anglo-franko-izraelite luftuan kundër ushtrisë egjiptiane”).
Duke rikujtuar këto ngjarje në Budapest, më 1972
Në qershor të atij,viti, si gazetar sportiv i RTVSH-së, shoqërova skuadrën tonë kombëtare në një ndeshje që ajo luajti në Helsinki me përfaqësuesen finlandeze. Në të kthyer me avion, u ndalëm një ditë në Budapest. Tërë mëngjesin patëm mundësi të shëtitnim më këmbë dhe autobus nëpër disa vende të këtij qyteti të mahnitshëm. Duke ecur bashkë me futbollistët, ndërmenda ngjarjet tragjike të vitit 1956. Ishte fund qershori, por bënte fresk. Rrugët qenë të qeta. Kalimtarët shkonin e vinin, doemos pa i rënë kurrë ndërmend se ç’bluaja unë në mëndje. Me siguri midis tyre kishte plot nga ta që i kishin përjetuar ato ngjarje që shkurtimisht po i pasqyroj në këtë dosier.
Kalova para godinës së Parlamentit e më shëmbelleu se që andej vinin britmat e mijëra qytetarëve që thërrisnn kundër diktaturës komuniste, kundër pushtimit sovjetik, qindra të tjerë që zvarisnin përmendoren e diktatorit Stalin, (ashtu si banorët e Tiranës më 20 shkurt 1991 shtatoren e diktatorit të urryer, Enver Hoxha), kurse nga çatitë e godinave përreth dëgjoheshin të shtëna mitralozësh nga agjentë të policisë sekrete, (AVH). Më bëhej sikur shihja trupa të gjakosur që shëmbeshim për tokë pa jetë, utërimat e tankeve ruse që shtinin mbi gjindjen, kundërveprimet e saj me armë, tanke të djegur, kufoma ushtarësh sovjetikë, sigurimas të copëtuar, një popull i paepur që lufton e nuk dorëzohet. Një klithmë përdëlluese sa nuk m’u shqit nga buzët. Por u përmbajta. Edhe pas kaq vitesh gjendja në Hungari nuk kishte ndryshuar shumë. Vërtet diktatura e Kadarit nuk ishte si ajo e Rakoshit a e Enver Hoxhës, vërtet shihje njerëz të veshur mirë, vajza me minifunde, dëgjohej muzikë e bitëllsave dhe të rinj kërcenin rokenroll, vërtet tregoheshin edhe barceleta të kripura kundër udhëheqjes socialiste filoruse. Por, sidoqoftë, edhe atje kishte vetëm një parti që udhëhiqte, duke marrë gjithnjë urdhëra nga Moska, që të mos përsëriteshin më ngjarjet e vjeshtës së vitit 1956, që hungarezët nuk guxonin t’i zinin ende hapur me gojë.
Pjesa e peste
Gusht 1990, përsëri në Budapest
Këtë radhë, madje me gruan dhe djalin, nisemi për vizitë te miq tanë në Suedi. (Ndërkohë të 5000 mijë shqiptarët e futur një muaj më parë nëpër ambasada, duke treguar urrejtjen kundër tiranisë dhe dëshirën për liri, janë vendosur nëpër vende të ndryshme të Evropës Perendimore).
Ndalemi, si atëherë, në Budapest. Por nuk është më Budapesti i 1972-shit. Eshtë rrëzuar muri i Berlinit dhe në vendet e ish-demokracive popullore, veç Shqipërisë enverhoxhiste, ka nisur të fryjë flladi i lirisë. Tani hungarezët shprehen hapur, me dhëmbje dhe urrejtje për krimet e pushtuseve rusë dhe mercenarëeve të tyre hungarezë në ditët tragjike të tetor-nëntorit të vitit 1956. Jo vetëm kaq: Më 16 qershor të vitit 1989, në një ceremoni të madhe rehabilitohen të gjitha viktimat e kësaj kasaphaneje të mënxyrshme e bashkë me ta edhe Imre Nagi. Mungon presidenti shqiptar, Ramiz Alia. Partia e Punës i qëndron ende besnike idealeve të Stalinit, përmendorja e të cilit vazhdon të kërcënojë këdo nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. (Vetëm në një natë dhjetori të vitit 1990, më së fundi, me urdhër të Ramiz Alisë kjo përmendore, e vetmja në Evropë, zhduket fshehurazi,për t’ia lënë radhën përmendores së Enver Hoxhës që rrëzohet në mënyrë spektakulare më 20 shkurt të viti 1990, nga rreth 100 mijë banorë të kryeqytetit, por 34 vjet pasi ishte rrëzuar këtu në Budapest).
Atë ditë presidenti rus, Gorbaçov, pranon hapur krimet monstruoze në Hungari e Çekosllovaki. Edhe Napolitano, një ndër udhëheqësit kryesorë të P. Komuniste Italiane të asaj kohe, pastaj senator i përjetshëm dhe më pas president i Italisë, ai që i kishte quajtur atëherë kryengritësit hungareze rrugacë, banditë. Po kështu, kërkojnë falje ish-udhëheqës të tjerë të partive komuniste të Lindjes dhe Perendimit. Shqipëria komuniste e Ramiz Alisë vazhdon të heshtë, gjithnjë besnike e Stalinit dhe Enver Hoxhës, i cili në librin e tij famëkeq, “Hrushovianët”, si në të gjitha të ashtuquajturat “Vepra” të tij, duke u ndalur te Revolucioni hungarez i vitit 1956, (të cilin e quan me urrejtje shtazarake kundërevolucion), kur u drejtohej udhëheqësve të atëhershëm hungarezë, shkruante kështu:
“Ç’bëni, more kështu, si rrini duarkryq përpara këtij kundërrevolucioni që po ngrihet? Pse nuk merrni masa të mbyllni klubin “Petëfi”, të arrestoni krerët turbullues, të nxirni kllasën punëtore të armatosur në bulevarde. Në rast se nuk arrestoni dot Mincentin, Imre Nagin nuk e arrestoni dot? Pushkaktoni disa nga krerët kundërrevoucionarë, që ta marrin vesh se ç’është diktatura e proletariatit?”.(faqe 275)
Në këtë mënyrë ishte gati të vepronte ky tiran, të cilit edhe perandori Neron, që i vuri flakët Romës, do t’ia kishte zili. Dhe do ta kishte bërë këtë pas Konferencës së Tiranës që u zhvillua disa muaj para ngjarjeve të Budapestit dhe Poznanit, në prill të vitit 1956, si dallëndyshe paralajmëruese e tyre, ku, siç kam vënë në dukje në pjesën e parë të këtij dosieri, komunistë të ndershëm shqiptarë patën kurajë të kërkonin demokratizimin e jetës së partisë dhe përmirësimin e gjendjes ekonomike të popullit. Por ai arriti ta shtypte që në zanafillë këtë pranverë të demokracisë sonë, duke burgosur e internuar të tërë ata që diskutuan në këtë konferencë, kinse ajo ishte organizuar nga jugosllavët të cilëve vite më pas më pas u shtoi edhe.. sovjetikët.(!?)
Enver Hoxhën e tmerruan ngjarjet e përgjakshme në Poloni dhe Hungari, që ndodhën fill pas Konferencës së Tiranës, dhe siç vë në dukje Ramiz Alia në librin e tij “Jeta ime”, (2010), filloi ta kishte “të theksuar dyshimin ndaj çdo gjëje që vinte nga titistët, ashtu siç e kishte pas edhe më të theksuar për sovjetikët. Një farë paranoje , sipas meje, e justifikuar”. (faqe 199).
Pra, ai vërteton se pas këtyre ngjarjeve tronditëse që lëkundën rëndë sistemin komunist, Enver Hoxha filloi të shfaqte shenja të paranojës, që u shtuan dhe sollën si pasojë që të ndërmerrte veprimet e tij kriminale të viteve 1973-75 dhe 1981-82 me koka të prera jo vetëm të qytetarëve të thjeshtë, por edhe të besnikëve të tij madje dhe byroistë, deri të kryeministrit Mehmet Shehu, dora e djathtë e tij, që e shoqëruan deri në fund të jetës së së tij.
Përsëri Ramiz Alia nuk reflekton per Revolucionin Kundërkomunist Hungarez
Ramiz Alia më 1989 në cilësinë e presidentit të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Sekretarit të Parë të PPSH-së, siç kam theksuar më sipër, nuk pati guximin të shkonte më 16 qershor 1989 në Budapest dhe të merrte pjesë në ceremoninë e rehabilitimit të viktimave të regjimit komunist dhe tankeve sovjetike që shtypën Revolucionin Kundërkomunist Hungarez, sepse nuk mund të dilte hapur kundër Enver Hoxhës, babait të tij shpirtëror, që ende kur ishte gjallë e kishte caktuar “trashëgimtar të fronit të tij”. Por, në qoftë se nuk e bëri atëherë, kur e bënë tërë udhëheqësit e vendeve të Evropës Perendimore dhe Lindore, duhej të bënte në librin e tij jetëshkrimor “Jeta ime”, të botuar më 2011, pra një vit para vdekjes së tij. Fatkeqësisht, jo vetëm nuk e bëri, por, në një mënyrë ose në një tjetër, bëri të kundërtën, kur,duke shkruar për gabimet, sipas tij, të Hrushovit në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik shkruante:
“ PPSH-ja pati divergjenca me Hrushovin edhe lidhur me ngjarjet e Hungarisë në vjeshtën e vitit 1956, ngjarje që i dhanë të drejtë edhe më shumë qëndrimit të rezervuar të PPSH-së ndaj Kongresit XX …”,(faqe 200).
Me fjalë të tjera, Ramiz Alia nuk u hoqi asnjë presje pohimeve të mësipërme makabre të Enver Hoxhës, kur kritikon udhëheqësit e atëhershëm hungarezë me tonin prej diktatori mendjemadh:”Në rast se nuk arrestoni dot Mincentin, Imre Nagin nuk e arrestoni dot? Pushkatoni disa nga udhëheqësit kundërrevolucionarë, që ta marrin vesh se ç’është diktatura e proletariatit”.
Kjo bëhet edhe me e qartë, kur më poshtë në këtë libër ka nënvzuar:
“Ashtu siç u zhvilluan ngjarjet në Hungari, mund të sillnin pasoja serioze politike edhe në vendet e tjera të Evropës Lindore, sepse “vija hungareze” vinte në diskutim disa parime të shoqërisë socialiste ,të cilat kishin të bënin me politikën e brendshme dhe të jashtme të të gjithë Bllokut Lindor”.(Po aty).
Pra, deri në fund të jetës së tij Ramiz Alia vazhdoi të dënonte “vijën hungareze”, këtë revolucion me të vërtetë popullor që donte të shkallmonte regjimin e urryer komunist në Hungari, i cili sigurisht që do të ndikonte që popujt e vendeve te tjera lindore që vuanin nga diktatura komuniste, që të ngriheshin për ta përmbysur atë dhe për ta zevendësuar me një regjim të vërtetë demokratik.
Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe kur në faqet e fundit të librit të tij ”Jeta ime” ai shkrua me krenari:
“Nga pikëpamja e bindjeve të mia unë kam deklaruar dhe ripohoj se i kam takuar dhe i përkas së majtës, idelaleve të socializmit marksist…”.(faqe 504).
Epilog
Duke lënë atë ditë gushti të vitit 1990 Budapestin,u ndala atë ditë para monumentit të poetit të madh hungarez, Shandor Petëfi, që me vështrimin e tij në pafundësi, dukej sikur përsëriste vargjet e tij të pavdekshme:
“Për dashurinë jap jetën/, Për lirinë fal dashurinë!”
Dhe ky rrëfim për ngjarjet rëqethëse të vjeshtës së zymtë hungareze të vitit 1956, pra të 65 vjetëve më parë, është dhe dëshmia më e qartë se ç’mund të bëjë një popull për të ruajtur ose fituar lirinë.