81 vite më parë, më 5 gusht 1943, nisi Lufta e famshme e Konispolit/
Arben Iliazi/
Lufta Antifashiste e popullsise çame, kjo trashëgimi e vyer e historisë kombëtare shqiptare, duhet sjellë në një dritë më realiste, duke i dhënë fund spekulimeve dhe manipulimeve të historiografisë greke.
Është rasti të ripohohet me forcë se në Luftën Antifashiste popullsia shqiptare e Çamërisë inkuadroi në formacionet luftarake shqiptare dhe greke mbi 1000 luftëtarë, pa llogaritur qindra të tjerë që punonin në terren. Vetëm në radhët e ELAS-it dhanë jetën 68 partizanë çamë. Ajo që i shqetësoi më shumë forcat shoviniste greke në fillim të vitit 1943 ishte ngritja e këshillave shqiptare në të gjithë Çamërinë. Në mars të vitit 1943 u formua çeta e parë mikste, e cila bashkëpunonte me EAM-in. Edhe biografët e Zervës, si Mihal Miridhaqi, nuk e mohojnë kontributin dhe pjesëmarrjen e çamëve myslimanë në radhët e rezistencës antifashiste greke, në formacionet e ELLAS-it dhe EAM-it. Historiani i lartpërmendur thekson se çamët nxorrën mbi 1000 luftëtarë. Popullsia çame filloi të organizohej në luftën kundër fashizmit në dimrin e viteve 1942-1943, madje që në verën e vitit 1942 u krijua në Filat grupi ilegal i rezistencës antifashiste, i cili punoi në rrëzë të kufirit të Shkallës së Zorjanit e më thellë për organizimin e rezistencës, për krijimin e bazave të luftës, për popullarizimin e ideve të Kartës së Atlantikut, e cila u garantonte popujve e pakicave etnike liri, barazi dhe të drejtën e vetëvendosjes pas fitores mbi fashizmin. Në shkut të vitit 1943 u krijua çeta “Çamëria” dhe pak më vonë batalioni “Çamëria”, i cili zhvilloi betejën e famshme të Konsipolit kundër gjermanëve, që zgjati 55 ditë.
Në pranverë të vitit 1944 në Qeramicë u formua Batalioni IV “Ali Demi” me më shumë se 500 djem çamë. Ky batalion hyri në përbërje të Regjimentit XV të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Greke (EAM). Gjithashtu, shumë çamë morën pjesë në Brigadën VI, VII, IX dhe XI të ushtrisë greke. Le të analizojmë shkurt vetëm betejën 55 ditore të Konispolit, e cila ishte një luftë e përgjakshme, madhështore, duke e shtyrë pushtimin e Konispolit në 55 ditë. Kjo luftë do të mbetet si një kurorë lavdie në gjerdanin e artë dhe të pavdekshëm të Antifashizmit Çam.
81 vite më parë, më 5 gusht 1943, nisi Lufta e Konispolit. Kjo betejë, e cila zgjati për 55 ditë, ishte luftimi i parë në vendin tonë në kufirin shtetëror me Greqinë kundër batalioneve gjermane. Këto luftime kanë hyrë në histori si luftimet më të gjata në kohë të rezistencës shqiptare.
Komanda gjermane kishte si qëllim të vinte nën kontroll bregdetin Jonian, nga Gjiri i Artës deri në Konispol. Rezistenca u udhëhoq nga Batalioni “Çamëria” i ndihmuar edhe nga forca vullnetare të zones së Konispolit e të fshatrave: Sopik, Pandelejmon, Vagalat, Xarrë e Mursi. Goditjen më të ashpër gjjermanët e bënë gjatë rrugës automobilistike Skalomë – Konispol dhe në drejtimin Lopës – Qafa e Likojanit. Mbrojtja u organizua me sulme e kundrasulme nga të dyja palët ndërluftuese duke shfrytëzuar punimet fortifikuese dhe veprimet luftarake që u zhvilluan me ndërprerje.
Përleshje të ashpra u zhvilluan në datat 5-6 dhe 7-23 gusht në Qafën e Botës, Qafën e Likojanit dhe Konispol. Konispoli u pushtua nga armiku më 23 gusht, i cili pasi u plaçkit tërësisht, dogji dhe mbi 40 shtëpi.
Forcat partizane zhvilluan luftime kundër pushtuesve gjermanë më 1 shtator 1943 në Sajadhë, në urën e Koskës e në Smartë. Nga datat 13 deri më 16 shtator 1943 forcat partizane zhvilluan luftime në qafën e Madhe dhe prej Qafës së Botës deri në fshatin Vërvë, kundër dy batalioneve gjermane.
Në këtë luftë pati shumë të vrarë e të plagosur nga të dyja palët. Pyetja që lind natyrshëm është: Pse u radhitën çamët në aleancën kundër fashizmit e nazizmit, pse luftuan në Konispol në një luftë të përgjakshme dhe të pabarabartë? Në Luftën e Dytë Botërore Shqiptarët e Çamërisë u vunë në shërbim të së drejtës dhe atdheut, duke u radhitur në aleancën kundër fashizmit e nacizmit, me shpresë dhe me premtime se pas çlirimit do t’iu lejohej bashkimi me shtetin amë, Shqipërinë, gjë që nuk iu lejua të ndodhte. Mjafton të kujtojmë Rezolutën e Konferencës së Labinotit për problemin e Kosovës e Çamërisë, ku u arrit në përfundimin se: “Çështja e Kosovës dhe e Çamërisë do të zgjidhet në bazë të Kartës së Atlantikut, në bazë të parimit të vetëvendosjes së popujve, dhe garancia më e madhe për triumfin e këtij principi është vetë lufta që bëjnë dhe do të bëjnë Kosova e Çamëria, krah për krah me popujt jugosllavë e atë grek…”
Pra zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe Çamërisë edhe njëherë u theksua se do të realizohej brenda kuadrit të pranuar nga Aleatët në bashkëpunim me forcat antifashiste të vendeve fqinjë. Nuk duhet harruar që në atë periudhë shqiptarët e Camërisë ishin vënë edhe përballë rrezikut të asgjësimit të shtetit kombëtar në Shqipëri, te i cili kishin shpresën që ta kishin si shtet unik të tyre. Greqia, që prej aneksimit të saj më 1913, synoi homogjenizimin e krahinës së Çamërisë, duke zbatuar politika të ashpra të dhunës dhe spastrimit etnik mbi popullsinë e këtij territori. Për shkak të gjendjes së rrënuar nën qeverisjen greke për rreth tridhjetë vite, popullsia e krahinës u zvogëlua ndjeshëm. Spastrimi etnik i Çamërisë u realizua në një masë të konsiderueshme gjatë harkut kohor 1913-1939.
Ndaj Lufta Antifashiste për popullin çam kishte rëndësi historike, për të kanalizuar energjitë dhe përpjekjet e shqiptarëve në një objektiv të përbashkët – çlirimin kombëtar dhe përfshirjen e shumicës së shqiptarëve në një njësi të përbashkët administrative. Por në luftën e Konispolit, ndodhi edhe dicka e paparishikuar, përfshirja e minoriteteve grekë në rezistencën kundër gjermanëve. Për këtë ndikoi mjaft bashkëpunimi intensiv mes EAM-it dhe FNÇ. Në vjeshtë të vitit 1943, të PKSH dhe PKG vendosën të bashkërendonin veprimet dhe të dërgonin përfaqësues të tyre për të punuar me minoritetet respektive. Përfaqësues të EAM-it u dërguan në zonat ku jetonte minoriteti grek në Shqipëri, ndërkohë që FNÇ dërgoi përfaqësuesit e vet në krahinat shqiptare të Çamërisë. Këta përfaqësues do të vepronin në kuadër të Shtabeve të Përgjithshme të vendeve përkatëse: kështu përfaqësuesit grekë do të udhëzoheshin nga shtabi shqiptar dhe ata shqiptarë nga ai grek.
Mes dëshmorëve që ranë në luftën e Konispolit shquhen vec camëve edhe disa minoritarë grekë: Razo Zenel Birçe (Bolena); Sinan Lame Lizaj (Nivicë); Zaim Selim Ballaxhia (Zhapokikë); Hasan Latif Durka (Shalës T); Jani Vasil Leka (Goranxi); Kosta Tasi Çavo (Vurg); Mustafa Fejzo (Kuç – Çamëri); Nazif Asllan Dedaj (Beçisht T); Nail Fylfos Tona (Çamëri) dhe Enver Safet Llapi (Erind). Kjo është e vërteta historike dhe për këtë duhet të krenohet edhe minoriteti grek. Por duhet të pohojmë se qëndrimi i forcave politike greke gjatë luftës, pavarësisht nga nuancat midis tyre, ishte nacionalist dhe me tipare të qarta shovene dhe antishqiptare. Ky qëndrim ishte faktori themelor që pengoi afrimin dypalësh, rezistencën antifashiste dhe i kontribuoi ruajtjes së tensionit deri në fund të luftës dhe pas saj.
Faktet historike thonë se duke pasur në qendër të politikës së tyre aneksimin e Shqipërisë së Jugut, forcat nacionaliste greke, në pranverën e vitit 1944, hodhën poshtë edhe disa propozime të reja të forcave nacionaliste shqiptare për një bashkëpunim në luftën kundër pushtuesit dhe në betejën e ardhshme kundër rrezikut sllavo – komunist që u kanosej të dy kombeve.
Metamorfoza e elitës politike nacionaliste greke kish filluar menjëherë pas sulmit gjerman kundër Greqisë, në prill të vitit 1941. Ushtria greke donte një kapitullim të shpejtë dhe “të ndershëm” tek gjermanët për të ruajtur avantazhin politik që kishte krijuar nga lufta kundër italianëve. Pjesa themelore e këtij synimi ishte tërësisht politike: ushtria greke nuk donte të paragjykonte pozitën e saj si fituese e luftës kundër italianëve pasi e vlerësonte këtë si një aset dhe përfitim ligjor e politik për pretendimet e saj territoriale. Një pjesë e elitës politike greke u bënë kuislingë. Por, edhe pjesa tjetër e tyre, që ishte shumica, megjithëse u treguan aq të mençur sa të mos bashkëpunonin hapur me qeverinë kuislinge greke dhe me gjermanët, futën pasuesit e tyre në administratën kuislinge dhe bënë shumë pak për të luftuar Boshtin. Kështu vepruan venizellistët dhe metaksistët, që ishin dy grupimet më të mëdha politike të djathta.
Kjo ishte situata në terren. Ndërsa camët u përfshin masivisht në Luftën Antifashiste me formacionet e tyre partizane.
Gazeta “Figaro”, nr.588, 4 korrik 1946, duke bërë fjalë për luftën italo-greke, shkruante: “Çetat shqiptare nga ana e tyre sulmonin autokolonat dhe trupat italiane, në rrugët që çonin në front”. Ndërsa radio “Londra” më 26.10.1940 transmetonte: “Mësohet nga Shqipëria se çeta shqiptare në veprim të prapavijave italiane, presin dhe sabotojnë vijat e komunikacionit, duke u futur tmerrin reparteve italiane të izoluara. Grupe të armatosura kanë mundur të hyjnë në kryeqytet dhe kanë afishuar mbi të gjitha godinat qeveritare dhe deri në pallatin e qeverisë italiane proklamata, me të cilat ftojnë italianët të zbrazin Shqipërinë”. Gjithashtu më 4.1.1941, BBC-ja (radio Londra) transmetonte: “Në rrethet ushtarake vihet re se, shqiptarët u sjellin ndihmë të madhe grekëve kundër italianëve”. Ja pra cila ka qenë popullsia çame. Populli shqiptar i Çamërisë nuk ka qenë kurrë bashkëpunëtor i pushtuesve. Kemi jetuar gjithnjë mirë me popullin grek, me të cilin kemi luftuar krah për krah kundër okupatorëve fashistë italianë e gjermanë.
Qeveria greke bëri një propagandë politike të ethshme për diskreditimin e luftës Antifashiste të shqiptarëve para Aleatëve dhe opinionit të tyre publik. Ndërsa, më 10 nëntor 1944, në prag të çlirimit të Shqipërisë, qeveria greke i kërkoi zyrtarisht qeverisë së SHBA, që Shqipëria të konsiderohej e të trajtohej si një shtet armik dhe që trupat greke të merrnin pjesë në pushtimin e saj deri në lumin Shkumbin.