
Ky libër prej kohësh e kishte mbaruar tirazhin, për shkak të rëndësisë që prezanton, ai u ribotua nga pasardhësit e autorëve, z. Adrian Progni dhe Av. Sokol Dedndreaj .
Më poshtë një pjesë e shkëputur nga libri me autor :
Zef Dodë Dedndreaj
VITET E REGJIMIT KOMUNIST
Gjendja e rëndë ekonomike e krahinës
Çlirimi i Shqipërisë e gjeti Nikaj-Mërturin në gjendje të vajtueshme ekonomike. Tmerret e luftës ishin ndjerë deri këtu. Gjithë djemtë e rinj qenë përfshirë në milici e ushtri. Të tjerët pas partive politike e angarish. Gjithë ato toka mbetën djerrë e tufat e bagëtive u shitën për bukën e gojës. Gjithë ato vite qenë ngjarje rrënqethëse që rëndonin mbi popullin e munduar. Vetëm gratë mbollën e korrën pa meshkuj. Lufta ishte vërtetë mjerim dhe shkatërrim për të gjithë. Kështu, siç qe kjo krahinë e izoluar, s’arrinte asnjëherë të qartësohej për ato që ndodhnin rreth e rrotull. Këtë zonë, çlirimi e gjeti të këputur, me strese pa gjë brenda. Fillimi i atij dimri 1944-1945 po vinte vërtet i trishtuar. Askush nuk kishte ta ndihmonte shokun, andaj kur janë keq të gjithë, eshtë mjerimi i vërtetë.
Në ditët e para të dhjetorit 1945, një grupim i përbërë nga rreth 2000 forca nacionaliste, nga Mirdita, Dibra e Shkodra të udhëhequra nga Mark Gjon Markaj, Alush Leshanaku, Hasan Isufi, Halil Alia, etj., kaluan Dukagjinin dhe erdhën në Nikaj-Mertur. Në këto malësi të veriut, ata mendonin se mund te organizonin ndonjë qëndresë disa ditore, për t’u dhënë shkak anglo-amerikanëve të zbrisnin në vendin tonë dhe të evitonin vendosjen e pushtetit komunist në Shqipëri. Pasi qëndruan dy ditë në krahinë, ata iu drejtuan vaut të Fierzës për të kaluar në Iballe. Kolona e gjatë e këtyre forcave nuk arriti të kalojë Drinin dhe u drejtuan nëpër Geghysen, Gri, Lumi i Valbonës, Arvej. Në zonën e Krasniqes, këto forca hasën në rezistencë të armatosur prej popullit të kësaj krahine, të organizuar nga komandat e vendit dhe këshillat nacional-çlirimtare që ishin në atë kohë. Pas luftimeve që u zhvilluan, nga shkëmbi i Rajës deri në T’pla, shumica e këtyre forcave ishin shpartalluar. Halil Alia u vra, ndërsa pjesa që mbeti me Mark Gjon Markaj, A. Leshanakun dhe H. Isufin u drejtuan për në krahinën e Kukësit.
Masat represive dhe emigrimi politik
Siç vërtetoi koha dhe ngjarjet e zhvilluara, Nikaj-Mërturi me Dukagjinin u gjenden në shënjestër të hakmarrjes politike të diktaturës që po nxirrte krye.
Kjo zonë vërtetë nuk u afrua asnjëherë shpirtërisht me idealet e komunizmit për arsyet që dihen e që janë thënë. Kjo nuk do të thotë që ishin tradhtarë të kombit. Komunizmi i trembte, me ato që kishin mësuar prej vitesh. Ata nuk mund të pranonin të zhvisheshin nga idealet e tyre të traditës së besimit, të familjes, për të marrë një emër të pa fisëm, që njeh vetëm gjuhën e kërbaçit e të përuljes së dinjitetit njerëzor. Vetëm për këto arsye u ngritën në prag të çlirimit të parët në Shqipëri me armë në dorë (17-25 nëntor) kundër komunizmit. Pra, në një mënyrë gjithë këta malësorë qenë kundërshtarë politikë dhe për këtë mbahej mëria për t’i ndëshkuar në masë. Ishte një mëri e gjatë që ruhej brenda urrejtjes politike që nga koha e luftës, kur në këtë trevë nuk arriti asnjëherë Partia Komuniste të gjente atë mbështetje që i duhej. Në gjithë Dukagjinin vetëm një celulë partie, në Pepsumaj të Shoshit pat krijuar bërthamën politike, por që për tre vjet mbeti e izoluar, pa mbështetje të popullit. Këto ishin shkaqet e njohura që kjo zonë kishte filluar të ndjente hakmarrjen komuniste.
Shumë malësorë, qysh ditën e parë morën arratinë nëpër male. U bënë banorë të shpellave. Ishte gjë e trishtë, por edhe e turpshme ta festoje fitoren e çlirimit si kaçak shpellash në borë e cikmë. Partia me atë shpirt jotolerant, kur duhej t’i falte kundërshtarët politikë i kërcënonte me hakmarrje, burgje, tortura, persekutime dhe format më të rënda të luftës klasore mbi gjithë familjen e farefisin, deri në pesë breza. Kështu qe filluar hakmarrja e egër. Ishte ajo psikozë tiranësh që edhe ata nga më të egrit i janë trembur përherë popullit, i cili nuk vdes kurrë në tokën që i ka dhënë gji si foshnjë.
Pas thirrjes për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, mbetën me dhjetëra kaçakë ta shtynin dimrin e egër nëpër male. Këta ishin nacionalistët antikomunistë, me bajraktare e pari që kishin rrokur armët që në luftën e Qafë Kolçit. Nuk kishte tmerr më të madh se sa të jetosh gjallë gjithë një dimër shpellave, duke pritur gjithë ato rrethime vandale, duke iu rezistuar gjithë atyre përpjekjeve që përfundonin me gjak mbi ata të ndëshkuar që po vdisnin edhe nga uria. Gjithë këto masakra makabre u bënë legjendë për një popull malësor që po vuante hakmarrjen e çmendur, me mizori që ushtrohej me kryeneçësi nga qeveria e komunistëve.
Dukagjini me fillimin e pranverës qe mbushur me forca të tjera terrorizuese dhe me disa brigada komplete që lanë zë të kobshëm. Me shpejtësi të rrufeshme qenë ngritur gjithë ato komanda me partizanë vendas me reparte shëtitëse, si dhe një forcë tjetër vullnetare që komandohej nga qendra e rrethit Kodër Shëngjergj. Por tani kishin filluar të vinin edhe forca të divizionit të Mbrojtjes së Popullit e aktivistë të sigurimit të shtetit. Gjithë këto forca për të gjunjëzuar një popull të varfër, por patriot, vuante nga uria e nga hallet që e kishin mbuluar kryekëput. Këtu do të vinin edhe ata që bënin politikën, flisnin si engjej, premtonin parajsën që do të vinte jo nga zoti, por nga komunizmi.
Për qeverisjen e krahinës, në krye të këshillave nacionalçlirimtare dolën ata që nuk kishin jetuar kurrë si njerëz, ata që s’kishin mbathur kurrë një palë opinga. Si rrjedhojë, ashtu siç erdhën në krye të masave, ashtu do të vinin edhe “sukseset e një përparimi” fatal. Kryetarë të tillë këshillash i jepnin shtetasit më shumë se çfarë kërkonin, angari, ushtarë, detyrime, ndërsa hallet zgjidheshin me gram.
Edhe ashtu siç qe katandisur, ky popull o tregua heroik. Ai ndihmoi kaçakët e malit për ta kaluar dimrin e mundimeve, duke pasur kokën në torbë e kërbaçin te koka. Ai do të fshihte me kujdes edhe shumë partizanë, të dezertuar nga repartet e ndryshme të vendit. Ai do të ndihmonte gjithe ato familje që kalonin fatkeqësi apo që kishin mbetur pa meshkuj e krahë pune brenda.
Kur shpresohej se ishin larë hesapet dhe pritej t’i viheshin punës, po qe se donin të rronin, papritur natën e 5 marsit 1945, erdhi brigada e XI-të Sulmuese prej 4 batalionesh, që vinte me urdhër special nga Divizioni II i Shkodrës, për një operacion ndëshkimor në disa zona të Shqipërisë Veri-lindore. Pasi kishin përshkuar zonën e Shllakut, Dushmanit e Toplanës, u derdhën nëpër Nikaj-Mertur si llavë. Populli u zu ngushtë si mos më keq. Të dalë nga dimri i rëndë u duhej të ushqenin 4 batalione për 15 ditë me radhë, të ngriheshin e të shkriheshin orë e çast nga raprezaljet që s’dinin sa kohë do të zgjasnin, sa herë do të prisnin nëpër shtëpitë e tyre kontrolle për armë të fshehura apo sa herë do të thirreshin për t’u pyetur për gjëra të rrezikshme, duke i kërcënuar e torturuar me kërbaç, vezë të ziera në sqetull e këmbë të rrahura me rrip pushke.
Kjo qe situata në Nikaj-Mertur për 15 ditët e marsit. Me Brigadën kishte ardhur vetë komandanti i Divizionit Ndreko Risi i cili e vuri selinë e tij në shtëpinë e Mark Nikut në Lekbibaj.
Falenderim e respekt për këtë burrë fisi që ndërhyri aq herë me guxim të shpëtonte me shpirt viktimat. Shtabi i brigadës XI-të Sulmuese qe vendosur në Shëngjergj në Shtëpinë e Ndue Sokol Zenelit. Kohë me aq telashe, vështirë se mund të gjeje. Që të nesërmen e ardhjes së Batalionit të 1, në fshatin Salcë do t’i dilte flaka shtëpisë së kryetarit të Ballit Gjelosh Nosh Progni, i cili po atë mbrëmje, u arrestua, u dërgua për pushkatim por, arriti t’u ikte nga duart.
Në pak ditë u grumbulluan me dhjetëra armë të nxjerra “me hu” dhe u dërguan në depon e Kodër Shëngjergjit. Në Nikaj-Mertur gjatë kësaj kohe, vepronin disa çeta nacionaliste antikomuniste. Ndër këto, më e njohura ishte çeta e Nik Sokolit e cila ndiqej nga forcat e ndjekjes dhe që ra disa herë në përpjekje me to. Kjo në vitin 1946 përbëhej nga 18 vetë, midis të cilëve ishin, Mark Tunxhi, Gjelosh Noshi, Pjetër Mehmeti, Shpend Sadiku, Fran Ukshini, Mark Sadiku, Zef Binaku, etj. Për hakmarrje politike u pushkatuan që ditën e dytë të ardhjes së operacionit, Smal Qerimi i Kapitit, në oborr të shtëpisë së vet kur doli t’i priste si miq. Po atë natë do të merrej në shtëpinë e vet Halil Çuni i Lekbibajve dhe do të pushkatohej në përrua të Ndërzhushit. Tre ditë më vonë, pas torturash satanike do të pushkatohej pasi të binte në gropë Isuf Sejdia i Shëngjergjit. Po sa të tjerë mbetën të gjymtuar e të lënduar nëpër dy qendrat e hetuesisë së Brigadës së operacionit, ku pati edhe gra të rrahura e të shkulura flokësh. Ky qe fati i asaj zone gjatë operacionit në shtetrrethim. Kjo qe trauma më e madhe e deri atëhershme. Dukej se për ta ende s’kishte mbaruar Lufta e Dytë Botërore. E megjithatë, ajo zonë atyre ditëve do të dëgjonte gjithë ato konferenca politike ku flitej me afsh edukues para këtyre të martirizuarve. Po ky operacion do t’i jepte fshesën gjithë zonës, në ditën e fundit të tij duke mbledhur popullin për çdo fshat dhe duke nxjerrë me gisht gjithë djemtë që kishin mbetur në shtëpitë e tyre për t’i përfshirë ushtarë të detyruar. Kjo qe përshëndeja e fundit me atë popull fatkeq që mbeti thuajse vetëm me gra.
Edhe pas operacionit ndëshkimor to Brigadës XI-të Sulmuese, masat respresive nuk do të pushonin. Në pranverë të vitit 1946, qe dukur se ngritja e komisionit të pajtimit te gjaqeve, me burrat e vendit, sipas traditës, do të ishte një kthesë që ndillte paqe e mirëkuptim. U pajtuan gjithë ato gjaqe që në mbarë Dukagjinin dhe Nikaj-Mërturin. Në votimet e 2 dhjetorit 1945, për deputetët e parë të Asamblesë Kushtetuese, qe shpallë rezultati 100%, në një kohë kur kishte shumë kundërshtarë politik brenda popullit votues. Edhe zona e Nikaj-Mërturi votoi profesor Kolë Prelën, një intelektual nga Dukagjini, me reputacion e kulturë, i vetmi që ngriti celulën e Partisë në Pepsumaj të Shoshit. Qënia e këtij përfaqësues i popullit ishte nje avantazh për zonën e për gjithë Dukagjinin. Ai mund të bënte shumë punë për ta ndihmuar, pasi nuk i mungonte vullneti dhe dashuria për këto male, Për Kolë Prelën, filluan të dyshonin si nacionalist dhe nuk qenë matur shumë t’i hiqnin mandatin, ta burgosnin dhe ta pushkatonin me grupin e deputetëve. Dukagjini mori një plagë të rëndë, por nuk guxoi të shprehte as indinjatën më të vogël për birin e vet. Partia kishte qëlluar në shenjë në dëm të nacionalistëve. Dukagjini përsëri mbetej i padëshirueshëm për Partinë. Lufta do të vazhdonte për sa kohë që nuk do të gjunjëzoheshin. Në vitin 1946, në rrugë djallëzore, Partia kishte përgatitur listat e zeza për arrestimet urgjente të nacionalistëve.
Së pari, u arrestua kreu i organizatës së frontit për rrethin e Dukagjinit, ish-strehuesi i celulës së Partisë gjatë luftës dhe gjak (fis) i Kolë Prelës, Gjelosh Lushi, i cili, i akuzuar për tradhëti, pa asnjë bazë u pushkatua pas një gjyqi të shkurtër me dyer të mbyllura. Fill pas kësaj do të arrestohej kapiten Gjon Vata nga Breg Lumi i Shalës, duke pësuar të njëjtin fat, vdekjen pas torturash mizore. Tani radha ruhej për dy bajraktarët e Shalës e Shoshit, Kolë Ndou me gjithë nip, e Lulash Gjeloshi, djali i të cilit qe pushkatuar dy muaj më parë me grupin e fretërve në Shkodër.
Atë ditë pranvere patrullat e shërbimit rendën me vrap që në mëngjes të arrestonin gjithë grupin brenda një ore të caktuar: Kolë Ndoun, Prelë Markun, Zef Nikën, Lulash Gjeloshin, Lek Vojvodën e Gjon Sokolin e Salcës. Arrestimet nuk patën sukses. Prel Marku, nipi i bajraktarit, ish-anëtari i Gjykatës së Rrethit, u shpëtoi duke u arratisur midis breshërisë së plumbave. Bajraktari i Shoshit u arratis rrugës në pyll të Shoshit, pasi nipi i tij, Bek Delia, vrau tre partizanët e patrullës. Lek Vojvoda, ish-oficer me akademi u arratis edhe ky në pyll të Shoshit duke i ikur nga duart nën/shefit të sigurimit Xhemal Selimi. Kjo ngjarje bëri bujë të madhe në gjithë Shqipërinë. Në Dukagjin nuk ndihej e sigurt Partia. Tani gjashtë burra të tjerë të bajraktarit të Shoshit, të dalë në mal duke lënë pas gratë e fëmijët dhe shtëpinë e djegur kishin vendosur të bënin rezistencë deri në vdekje.
`Të arrestuarit e tjerë, pas torturash, u dënuan shpejt e shpejt: Kol Ndou me burgim të përjetshëm, Zef Nika me pushkatim, por përsëri burgu i Kodër Shëngjergjit priste kurbanë të rinj. Atje do të torturoheshin për vdekje Sokol Pali i Rajës dhe Zog Mala i Mollës së Shoshit. Të dy vdiqën brenda qelisë dhe të dy i hodhën në përroin e kishës, ku pas ca kohe i kishte nxjerrë stuhia nga rëra që i kishte mbuluar. Në atë burg do të shkonte edhe Sylë Martini i Markajve të Mërturit, një nacionalist e derë patriotësh, që u torturua si Krishti e vdiq para turmës së popullit të Dukagjinit nga plumbat e xhelatit Xhemal Selimi. Këto represione të tmerrshme çuan në rritjen e numrit të të arratisurve politikë nacionalistë dhe grupimeve që luftonin dhëmb për dhëmb me komunistët. Këto masa ekstreme çuan në prishje të qetësisë publike dhe rënie ekonomike, e cila u izolua me kufizime të kohës në punë, ku secili detyrohej të kthehej me orar në shtëpi. Ishte kohë kur secili përballej me halle, me dhimbje, me strese. Ushtarakë të të gjithë armëve do të takoje në rrugë, në mal, pas derës së shtëpisë duke përgjuar. Çdo krismë pushke alarmonte gjithë popullin që detyrohej të rendte në ndihmë të forcave të ndjekjes.
Kështu ndodhi në Curraj Epërm, në vitin 1947, kur çeta e Nik Sokolit qe strehuar në mes të fshatit në një stan dushku. Spiunët kishin informuar. Kur arritën forcat e ndjekjes pas tri orë rrugë, e gjetën stanin në rrethim nga pushkatarë civilë. Lufta nisi ndaj të errur dhe çeta nuk dorëzohej. Forcat e ndjekjes i vunë zjarrin çatisë, kasollja mori flakë dhe çeta u detyrua të dilte nën rrebeshin e plumbave. Në oborr mbeti i vrarë Pjetër Mehmeti.
Pjetër Mehmeti, i biri i Mehmet Shpendit të Shalës, ashtu si paraardhësit e tij, ishte burrë trim, atdhetar i flakët dhe besnik i idealeve të nacionalizmit shqiptar. Në Nikaj-Mërtur, ku punonte si tregtar, kishte shumë miq e shokë, burra të njohur të kësaj krahine si: Mark Tunxhi, Gjelosh N. Progni, Mark Shytani, Shpend Sadik Bushati, etj.
Në vitin 1942, bëhet anëtar i Partisë “Balli Kombëtar” dhe që nga ajo kohë, sekretar i kësaj Partie për Nikaj-Mërturin. Punoi me të gjitha forcat për propagandimin e programit (dekalogut) të Ballit dhe për shtimin e radhëve të Partisë me elementë nacionalistë. Ishte njëri nga organizatorët dhe luftëtarët më të dalluar të qëndresës antikomuniste të Nikaj-Mërturit, në nëntor 1944. Si antikomunist i vendosur që ishte, u bë njëri nga kundërshtarët më të rreptë të regjimit komunist që u vendos në Shqipëri. Për të mos rënë në duart e komunistëve, në vitin 1944 doli malit dhe në vitin 1946, me 18 antikomunistët më të njohur të krahinës, formuan çetën antikomuniste të komanduar nga Nik Sokoli. Gjatë gjithë 18 muajve, që qëndroi në çetë, ra disa herë në përpjekje me forcat komuniste të ndjekjes. Në përpjekjen e Qafës së Kolçit, shtator 1946, me guximin e trimërinë që e karakterizonte, u turr drejt kundërshtarëve me bomba në duar, çau rrethimin prej 200-300 forcash komuniste, duke shpëtuar çetën nga asgjësimi. Ai kishte dhënë besën e burrave se “i gjallë nuk do të binte në duart e komunistëve”. Dhe këtë besë e mbajti.
Në vitin 1947, çeta e tradhëtuar nga të pabesët, u gjend e rrethuar në Curraj të Epërm. Në përpjekje për të dalë nga rrethimi, mori disa plumba në gjoks. Në çastin e vdekjes, gjeti forca për t’i thënë mitralierit dhe shokut të tij të çetës, Mark Sadiku: “ Merri dokumentat që kam në xhep! Ec përpara! Dhe mos e ndal mitralozin se unë po vdes pa ra në dorë të komunistëve.”
Gjatë gjithë vitit 1946, zona e Nikaj-Mërturit mbeti në shtetrrethim. Askush nuk mund të largohej nga fshati i tij pa lejen e këshillit popullor. Askush nuk guxonte të lëvizte natën pa pishë, as të ujiste arën e bukës, as të kërkonte bagëtinë e humbur, as për halle të tjera. Jeta qe paralizuar si në kohë lufte. Vetëm forcat e ndjekjes mund të lëviznin ngado e kurdo. Gjithë ditën flinin malit dhe gjithë natën ruanin pritave. Propaganda qesharake, se sakrifikonin kështu për të ruajtur qetësinë e popullit, ishte vetëm një bllof. Nuk i thuhet babait se ta vramë djalin që të kesh siguri jete. Absurditet i neveritshëm. Nuk i thuhet popullit se i qëruam klerikët për t’u shpëtuar nga Zoti. Katër kisha meshe kishte Nikaj-Mërturi me katër fretër, nga të cilët dy u pushkatuan dhe dy u dënuan me nga 20 vjet burg. Askush nuk guxoi të festonte një natë feste shenjtori. Përgjimtarët e natës ta çonin rrezikun në shtëpi. Ishte koha e larjes se hesapeve. Po me cilin laheshin këto hesape? Me atë ajkë të kombit, që me djersë dhe sakrifica të mëdha, mësuan e studiuan nëpër universitetet e Europës, për t’u kthyer një ditë në Atdhe, t’i jepnin vendit kulturë e përparim. Jo pa qëllim qenë ngritur në poste drejtuese analfabetët, jo pa qëllim i qe dhënë komanda klasës punëtore të mbyste inteligjencën, ta fundoste në llucë gjer në gju, kurse ata gajaseshin së talluri me ta. Nga depot i morën armët dhe i fshehën tinës pas altarit të shenjtë, pastaj shkuan e i gjetën vetë ku i kishin vënë. Për këtë “faj”, 6 fretër të pafajshëm do të burgoseshin dhe do të diskreditoheshin institucionet fetare. Me këtë rrugë mashtruese shkuan edhe shumë të tjerë që u pushkatuan pas pretendimit se nuk i dorëzuan armët. Procesi i armëve mbeti procesi më i gjatë e më i ndërlikuar. Ajo plagë nuk diti të mbyllet kurrë. Në kujtimet e hidhura do të mbetej operacioni masiv i Dukagjinit dhe i Nikaj- Mërturit në fund të vitit 1946.
Me 18 shtator të vitit 1946 komunistët mblodhën gjithë burrat e krahinës së Nikaj-Merturtit, te Kodra e Bek Selimit, në Lekbibaj. Të rrethuar me forca të shumta ushtarake, që mbanin në duar pushkë, automatikë dhe mitraloza, mbi burrat u bë një presion psikologjik i rëndë. Kishin apo nuk kishin armë, atyre u kërkohej dorëzimi i tyre. Në këtë tubim, në mënyrë çnjerëzore u soll Majori Musa Daci dhe xhelati Xhemal Selimi. Ata morën disa nga malësorët dhe i pushkatuan. Fetë Sadik Gjolin nga Palçi dhe Uke Çunin nga Tetajt i pushkatuan përpara syve të gjithë pjesëmarrësve. Disa të tjerë i dërguan prapa një kodre dhe pasi i terrorizuan me breshëri automatiku, i dërguan në burg. Fetë Sadiku dhe Mark Çuni ranë si trimat përpara burrave të Nikaj-Mërturit, që u ziente gjaku i urrejtjes kundër komunizmit. Kështu e njohu Nikaj-Mërturi komunizmin. Ato ngjarje makabre mbetën përgjithmonë në kujtesën e popullit të Nikaj-Mërturit.
Ngjarjet politike të vitit 1948, ndërprerja e marrëdhënieve me Jugosllavinë e Titos, pati pasoja edhe në Nikaj-Mërtur. Nga njëra anë u rrit presioni mbi popullsinë, shumë fshatarë u akuzuan, u përndoqën dhe u burgosën për lidhje me kaçakët dhe, nga ana tjetër, u krijuan shanset që çetat antikomuniste, të cilat qëndronin maleve, të kalonin kufirin për t’u strehuar në Jugosllavi. Megjithëse propaganda komuniste kërcënonte se, shkelja e kufirit do të quhej tradhti kundër atdheut, arratisjet filluan kudo. Në Nikaj- Mërtur, të parët që u arratisën përtej kufirit ishin çetat nacionaliste të Nik Sokolit dhe Mark Tunxhit, të cilat kishin qëndruar në mal që nga viti 1946. Më pas numri i të arratisurve do të rritej nga viti në vit. Gjatë viteve 1949-1960 u arratisën një numër i madh malësorësh të pakënaqur nga regjimi. Midis tyre ishin: Gjon Balë Progni, Marash Tush Progni, Bub Matosh Dedndreaj, Pal Cekë Dedndreaj, Mirash Ukë Dedndreaj, Zef Deli Lekndreaj, Ndue Noshi, nga Salca; Zef Binak Geci dhe Zojë Geci nga Palçi; Zef Sadria, Zef Kadria, Ndue Qerimi, Kadri Ceca, Pjetër Zmali, nga Gjonpepaj; Nik Sokoli, Zef Zogu, Ramë Sokoli, Dike Bnakja, Gjelosh Nika, nga Bëtosha; Mark Tunxhi, Dedë Qerimi, nga Shëngjergji; Kolë Ademi, Ndue Ademi, Mark Ademi, Zojë Ademja, Mark Çuni, Gjelosh Çuni, Prelë Ademi, Ndue Adem Geci, nga Curraj Epërm, Gjelosh Çuni, Mirash Ndou, nga Tetaj: Mark Alia, Shpend Sadiku, Nike Delia, nga Lekbibaj: Marash Kola, nga Poraj: Pashk Ademi, Pjetër Kukaj, File Zmalja, nga Raja.
Kundër familjeve të të arratisurve, u morën masa të ashpra dhe represive, sekuestrimi i pasurisë dhe internimet e të gjitha familjeve të të arratisurve, pa kursyer as nënat me fëmijët e vegjël e deri tek plaka, Sut Makja e Salcës, që kur e nisën për rrugë kishte mbushur plot 80 vjet. Në këtë vazhdë internimesh do të përfshihej edhe bajraktari i Mërturit, Tunxh Miftari, në moshën 85 vjeçare, i cili qe dërguar në Tepelenë bashkë me gruan e djalit të arratisur dhe dy nipat e vegjël.