-Presidenti Thaçi, Kryeparlamentari Veseli, Kryeministri Haradinaj priten zëvendëspresidentin e Atlantic Council, Damon Wilson/
PRISHTINË, 27 Maj 2019-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur zëvendëspresidentin e Atlantic Council, Damon Wilson, së bashku me një delegacion nga Senati dhe Kongresi Amerikan.
Presidenti Thaçi e ka falënderuar zëvendëspresidentin Wilson për kontributin e vazhdueshëm të Atlantic Council në Kosovë për forcimin e strukturave të sigurisë.“Në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, populli dhe shteti i Kosovës janë mirënjohës përjetësisht për rolin përcaktues të SHBA-së në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.Kreu i shtetit dhe delegacioni amerikan kanë biseduar edhe për procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës, fillimisht në Partneritetin për Paqe, më pas edhe në NATO.Në këtë takim është biseduar edhe për dialogun Kosovë – Serbi dhe domosdoshmërinë e shfrytëzimit të momentumit për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese.
“Mungesa e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ketë pasoja për sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe i hapë rrugë elementeve antievropiane”, ka thënë presidenti Thaçi.
Nga ana tjetër, zëvendëspresidenti Damon Wilson ka rikonfirmuar angazhimin e Atlantic Council për Kosovën.
Presidenti Thaçi ka thënë se bashkë me SHBA-në do të vazhdojnë angazhimin maksimal për të ruajtur dhe zhvilluar paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon./b.j/
***
MIRËNJOHJE E THELLË E KOSOVËS PËR MBËSHTETJEN E SHTETIT AMERIKAN
-Kryeparlamentari Veseli takoi nënkryetarin e Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson, Këshilli i Atlantikut do të angazhohet edhe më shumë brenda SHBA-së për të shtuar vëmendjen dhe mbështetjen ndaj Kosovës/
PRISHTINË, 27 Maj 2019-Gazeta DIELLI/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim nënkryetarin e Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson, i cili po qëndron në Kosovë në krye të një delegacioni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryeparlamentari Veseli dhe nënkryetari i Këshillit të Atlantikut, Wilson, diskutuan për bashkëpunimin midis Kosovës dhe SHBA-ve dhe për zhvillimet politike në vend dhe rajon.
Kryetari Veseli rikonfirmoi mirënjohjen e thellë të Kosovës e të popullit të saj për gjithë mbështetjen që shteti amerikan ka dhënë dhe po jep për vendin tonë në të gjitha fushat.
Veseli e konsideroi të domosdoshëm vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kosovën edhe në sfidat e tjera që ajo ka para vetes, si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe të konsolidimit të mëtejmë të shtetësisë në rrafshin ndërkombëtar.“Me përfaqësuesit e Këshillit Atlantik dhe të administratës së Kongresit Amerikan pata një diskutim përmbajtjesor për Kosovën dhe zhvillimet rajonale. U fokusuam tek dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ku theksova vendosmërinë tonë për t’u përpjekur në arritjen e një marrëveshje ligjore gjithëpërfshirëse që siguron njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, BE dhe NATO. Për ta bërë këtë gjë, presim që SHBA-të të luajnë një rol më aktiv për të mbështetur këtë proces. Miqtë nga Këshilli i Atlantikut i falënderova për kontributin e tyre të deritanishëm dhe i kërkova mbështetje në fushën e informimit të publikut dhe planifikimit strategjik. Gjithashtu, i informova për nismën time në kuadër të drejtësisë tranzicionale duke shpjeguar se zbardhja e së kaluarës dhe vënia në vend e drejtësisë për krimet e kryera nga shteti serb i shërben përfundimit të konfliktit dhe pajtimit ndër-etnik”, ka thënë ndër të tjera Kryeparlamentari Veseli.Nënkryetari i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson, duke shprehur kënaqësinë që gjendet për vizitë në Kosovë, tha se Këshilli i Atlantikut do të angazhohet edhe më shumë brenda SHBA-së për të shtuar vëmendjen dhe mbështetjen ndaj Kosovës.Po ashtu, ai tha se do ta ndihmojnë Kosovën në ofrimin e ekspertizës më të mirë për të asistuar në procesin e dialogut.
***
AMERIKA, MARRËDHËNIA MË E RËNDËSISHME E KOSOVËS
-Kryeministri Haradinaj: Kosova ndan botëkuptimin e Amerikës në të gjitha çështjet kryesore. Takim me delegacionin nga North Atlantic, të prirë nga zëvendës presidenti ekzekutiv Damon Wilson/
PRISHTINË, 27 Maj 2019-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim delegacionin nga North Atlantic, të prirë nga zëvendës presidenti ekzekutiv Damon Wilson.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj duke kujtuar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha se Amerika është marrëdhënia më e rëndësishme e Kosovës.
“Jam i nderuar që sot ju kemi për vizitë në Kosovë. Ne jemi përgjithmonë mirënjohës dhe në linjë me Amerikën dhe shërbejmë si aleati dhe miku më i madh i Amerikës në Ballkan”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova ndan botëkuptimin e Amerikës në të gjitha çështjet kryesore.Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj shtoi se Kosova po ashtu ka bashkëpunim me ShBA-në në të gjitha fushat e sigurisë, e po ashtu edhe marrëdhënie ekonomike.Sa i përket dialogut me Serbinë, kryeministri Haradinaj theksoi se Kosova e do paqen por edhe një marrëveshje përfundimtare, në mënyrë të drejtë, ligjore dhe se nuk ka shkëmbime të territoreve të cilat çojnë në luftëra të reja dhe zgjojnë tensione në të gjithë rajonin.“Ne jemi të gatshëm të bëjmë një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, në kufijtë ekzistues dhe të mos kemi parakushte”, theksoi kryeministri Haradinaj.Kryeministri Haradinaj i njoftoi delegacionin me të arriturat e vendit në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, reformave të përgjithshme dhe progresin në fuqizimin e ekonomisë së vendit.Nga ana e tij, zv.presidenti ekzekutiv Damon Wilson e falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen e sotme duke shprehur gatishmërinë se ShBA-ja do të jetë gjithmonë partnere e fuqishme e Kosovën në procese jetike të vendit.