Nga Shefqet Kërcelli/
Më datën 29 gusht, dhjetra ishushtarakë që kanë shërbyer në ishullin e Sazanit, bashkë me familjet e tyre vizituan ishullin e Sazanit. Vizita e tyre u realizua nën kujdesin e drejpërdrejtë të Ministres së Mbrojtjes dhe Komandës së Forcës Detare. Lëvizja e pjesmarrësve të aktivitetit nga porti i Vlorës dhe kthim u krye me anijen “Butrinti”. Për disa orë, ishushtarakët dhe familjet e tyre vizituan bazën, vendin ku kanë shërbyer, shtëpitë ku kanë jetuar, duke sjellë plot mbresa e kujtime nga jeta e tyre në këtë ishull. Mjaft prej vizitorëve, ishbanorë të ishullit, tashmë janë emigrantë në vende të ndryshme. Të përmalluar ata i tregonin fëmijëve dhe miqve të tyre, vështirësitë e shërbimit në ishull, detyrat që kanë kryer, jetën dhe aktivitetin, problemet socialekonomike, kushtet familjare, arësimimin e fëmijëve, etj. Ndërkohë ata shprehën plot mendime dhe sugjerime me vlerë se, si mund të jetë perspektiva e ishullit të Sazanit. Në fund ata shprehën mirënjohjen për Komandën e Forcës Detare dhe organizatorët që mundësuan zhvillimin e këtij aktiviteti. Më gjerësisht për këtë vizitë do njiheni me reportazhin “Bijtë e Sazanit”, i cili do botohet së afërmi tek “gazetaDielli”.