Nga Harilla Koçi/.-Pas dorëheqjes, pasojë e asaj ngjarjeje që njihet në histori me emrin “Komploti i Beqir Grebenesë”, Ismail Qemal Vlora, ideatori, strategu i Pavarësisë Kombëtare dhe Kryeministri i parë i Shqipërisë së Pavarur, u largua nga vendi. Por, largimi i tij, nuk ishte përfundimtar. Njihet pak nga historia, aktiviteti i tij deri në momentin kur ndërroi jetë në vitin 1919, në Perugia(Itali), ndërkohë që është shkruar shumë më pak për rikthimin e tij në Shqipëri, në një moment delikat që po kalonte vendi.
– Pas dorëheqjes, Ismail Qemali kthehet sërish në Shqipëri –
Historiani Bardhosh Gaçe, hedh dritë mbi një pjesë të aktivitetit të Ismail Qemalit, pas largimit të tij nga Shqipëria në 24 janar të vitit 1914, që pasoi aktin e dorëheqjes me pëlqimin e Fuqive të Mëdha dhe që u shoqërua me ardhjen në vendin tonë, të Princ Vidit. “Fillimisht ai u vendos në Nisë(Francë) ku qëndroi vetëm pak muaj”, sqaron Gaçe. Në qershor të atij viti, Ismail Qemali, i shqetësuar për problemet e mëdha me të cilat po përballej vendi dhe me situatën dramatike që po përjetonin rreth 100 mijë muhaxhirë, që ishin zhvendosur në zonën e Vlorës nga rajonet e kërcënuara nga shovinistët grekë, u kthye në Shqipëri në krye të një delegacioni të përbërë prej 15 vetësh. Në qershor të vitit 1914 ai u takua me Princ Vidin në Durrës, ku i parashtroi gjendjen e rëndë të vendit, pushtimin e Shqipërisë së Jugut nga shovinistët grekë dhe ndihmën që duhej t’u jepej muhaxhirëve që ishin vendosur në ullishtat e Vlorës. Të njëjtën gjë kërkoi Ismail Qemali edhe nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit(KNK) që kishte marrë kontrollin e pushtetit në Shqipëri pas largimit të qeverisë së Pavarësisë.
-Ismail Qemali, kryetar i Komitetit për Shpëtimin Kombëtar, në vitin 1914-
“Në 15-16 korrik, në qytetin e Vlorës u zhvillua Mbledhja e Popullit ku morën pjesë përfaqësues nga 13 qytete e krahina të vendit dhe ku u krijua Komiteti për Shpëtimin Kombëtar, ku kryetar u zgjodh Ismail Qemali”, tregon historiani Bardhosh Gaçe.
Nga ky Kuvend, u hartua një thirrje drejtuar Fuqive të Mëdha, Princ Vidit dhe Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, nënshkruar nga 30 përfaqësues. “E vetmja masë pas mendimit tonë që mund të mbajë Sovranin mbi fron, është të sigurojë paprekshmërinë tokësore dhe bashkimin e kombit dhe të shpëtojë nga shfarosja e plotë 100 mijë qenie njerëzore, të cilët duke ikur nga zjarri dhe hekuri e duke lënë mallin e shtëpinë, ishin strehuar në të vetmin kënd të Shqipërisë që ishte ende i lirë, në qytetin e Vlorës dhe rrethet e tij”, shkruhej mes të tjerash në këtë thirrje.
-Shpresa e Ismail Qemalit për Shqipërinë, tek SHBA dhe Presidenti Uillson-
Siç shkruan në gazetën “Dielli” të Bostonit në 1 dhjetor të vitit 1915, Ismail Qemali pranonte me dhimbje se, Shqipëria e kishte humbur pavarësinë e saj “e shtërnguar prej të gjitha anëve prej serbëve, malazezëve, bullgarëve dhe grekëve…”. Edhe pse i bëri thirrje Francës për të ndihmuar Shqipërinë përmes qarqeve diplomatike, zëri i tij ra në vesh të shurdhër.
Me krijimin e Partisë Kombëtare Politike të shqiptarëve të Amerikës, në fund të vitit 1917, Ismail Qemal Vlora, sipas historianit Bardhosh Gaçe, u zgjodh delegat i saj në Evropë. Por, e vetmja shpresë që ai ushqeu në vitet e fundit të jetës, ishte që vendi ynë të mbështetej tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tek Presidenti Uillson, për zgjidhjen e çështjes kombëtare”, shprehet Gaçe. Për këtë shkak, ai u largua nga Franca për të qëndruar në Madrid e Barcelonë, ku vazhdoi të zhvillonte një veprimtari të gjerë politike e diplomatike.
Kjo reflektohet edhe në një letër të tij ai shkruan mes të tjerash: “Lipset me çdo mënyrë të fitojmë Kosovën, Manastirin dhe Janinën e Çamërinë…..Unë dua Shqipërinë nën regjimin demokratik federal për popullin shqiptar”.
Këto aspekte të panjohura për publikun e gjerë, provojnë sipas historianit Bardhosh Gaçe, vizionin e Plakut të Vlorës për rrugëtimin e Shqipërisë drejt familjes perëndimore, si një shtet i pavarur dhe i konsoliduar.