
Lazer Stani/
Në një tekst të shkruar para disa viteve për librin me poezi “Shen Shiu” të Bardhyl Londos jam shprehur se:
“Rileximi është një akt i rrezikshëm: edhe kur në leximin e parë, para dhjetë apo njëzet vjetësh, libri të ka befasuar, të ka tronditur, të ka magjepsur; edhe kur autorin e ke mik, ndan me të herë pas here kohë të çmuar. Është si të takosh një grua që e ke dashur para dhjetë, njëzet apo tridhjetë vjetësh. Ti bëhesh gati të shkosh në takim dhe ndihesh i pushtuar nga ankthi, nuk je i sigurt për asgjë, ke frikë se mos do të humbasësh atë imazh të bukur dhe të papërsëritshëm që ka mbetur i ngulitur thellë në memorien tënde.
Për shkak të rileximit i kam humbur disa prej librave dhe disa prej autorëve që kanë qenë shumë të dashur e të çmuar në rininë time. Kam provuar t’i rilexoj pas njëzet apo pas tridhjetë vjetësh dhe ata libra të dashur dikur tashmë më ngjanin krejt të palexueshëm. Librat janë të njëjtët, por kam ndryshuar unë. Për mirë a për keq nuk mund ta përcaktoj. Sidoqoftë, pas rileximeve të tilla, e ndjen se ke humbur diçka të çmuar që shndrinte përtej “portës së ngushtë të ëndrrës”, siç shprehet në një nga poezitë e tij poeti Jacob Glatstein.”
Në fakt, nuk janë të shumtë autorët që i rilexoj. Më shpesh rilexoj poetët e dashur dhe rrallë, tepër rrallë, prozatorët. Kaxanxaqisi e Singeri bëjnë përjashtim; librat e tyre i mbaj gjithmonë në tryezë, i lexoj dhe i rilexoj me një freski që nuk venitet.
Herën e fundit që isha në Tiranë, veç të tjerëve mora edhe librin “Tregtar flamujsh”, të Ernest Koliqit, botim i Shtëpisë Botuese “Buzuku”. E kisha lexuar këtë libër para tridhjetë e kusur vjetësh dhe që atëherë kisha veçuar tregimin “Hânë gjaku” si një nga tregimet më të bukura që unë kisha lexuar nga letërsia shqipe. Më ngjante se ai tregim nuk ishte shkruar në vitet tridhjetë të shekullit të shkuar, por në vitet tridhjetë të këtij shekulli, në të ardhmen e letërsisë shqipe.
E megjithë pasiguritë dhe rrezikun që bart akti i rileximit, nisa të rilexoj tregimet e Koliqit. Ishte si një udhëtim zbulese. Çfarë mjeshtërie rrëfimi, çfarë gjallërie e thellësie, çfarë magjie tronditëse e shprehur nëpërmjet fjalëve. Ashtu sikurse kopshtet e shtëpive të vjetra shkodrane përmbyten nga dielli pranveror, ashtu janë të përmbytura me art tregimet e Koliqit. I përvetshëm, i papërsëritshëm, i pavdekshëm. Dhe një ndjenjë ngazëllimi të pushton pas leximit të çdo tregimi, që përkthehet aty për aty në dashuri për kulturën dhe gjuhën tënde.