
Përktheu: Dr. Luan Topçiu/
Disa vite më parë, ndërsa isha i angazhuar në një projekt mbi historinë e Shqipërisë, hasa në vështirësi për të mbuluar periudhën nga shpërbërja e Lidhjes Shqiptare (1881) deri te shpallja e Revolucionit të Xhonturqve. As librat e përgjithshëm mbi Shqipërinë — dhe shumica e librave mbi këtë vend janë të karakterit të përgjithshëm — as studimet e pakta historike ekzistuese nuk e trajtonin atë periudhë: ato kalonin nga përgjithësime rreth Kongresit të Berlinit tek përgjithësime për kryengritjet shqiptare gjatë regjimit të Xhonturqve. Kur ndonjë syresh nuk e prekte fare atë periudhë, vëmendja përqendrohej kryesisht në rivalitetin midis Austro-Hungarisë dhe Italisë në Adriatik.
Nevoja për të plotësuar këtë boshllëk u njoh gjithashtu — pas botimit të disa artikujve të mi mbi prirjet nacionaliste shqiptare në periudhën në fjalë — nga dy historianë shumë të ndryshëm, të dy me reputacion botëror. Njëri ishte profesori i ndjerë Carlton J. H. Hayes në Universitetin Columbia; tjetri, profesori W. N. Medlicott, më parë në Universitetin e Oksfordit e tani në Universitetin e Londrës. Të dy dijetarët inkurajuan përpjekjet e mia, ndërsa Profesori Hayes më nxiti të shkruaja një libër “me theks mbi nacionalizmin shqiptar.”
Megjithatë, pati disa vështirësi për të çuar përpara projektin. Hapi i parë ishte të nxirrja faktet nga arkivat. Për shkak të interesit të veçantë të Austro-Hungarisë për Shqipërinë, pas Kongresit të Berlinit, arkivat e para që duhej të shqyrtoheshin ishin ato të Vjenës. Gjatë një udhëtimi nga Bashkimi Sovjetik drejt Jugosllavisë, ndalova për një javë në kryeqytetin austriak për të shqyrtuar Haus-Hof-und Staatsarchiv dhe arrita në përfundimin se materiali i ruajtur aty e justifikonte një studim mbi Rilindjen Kombëtare Shqiptare (1878-1912). Dy vjet më vonë, kalova një verë të tërë duke hulumtuar në ato arkiva. Meqenëse Italia kishte qenë rivale e Austro-Hungarisë në Shqipëri në atë kohë, ishte gjithashtu e domosdoshme të studioheshin arkivat italiane në Romë — Archivio Centrale dello Stato dhe Archivio Storico del Ministero degli Affari Esteri — kryesisht për të verifikuar faktet dhe për të arritur një gjykim më të ekuilibruar. Për të plotësuar kërkimin, u shqyrtuan edhe arkivat e një fuqie të tretë, Francës — Archives du Ministère des Affaires Étrangères, Paris — veçanërisht pasi ato ishin mjaft të pasura me informacione mbi çështjet e brendshme shqiptare.
Por materiali arkivor, sado thelbësor të ishte në këtë rast, nuk mund të përcillte një pamje të plotë të zhvillimeve gjatë periudhës në shqyrtim. Kam studiuar gjithashtu materiale të botuara të rëndësishme, veçanërisht periodikë bashkëkohorë dhe broshura politike.
Një vështirësi tjetër u ndesh në trajtimin e materialit. Ekzistonte një ndryshim i dukshëm në zhvillim ndërmjet pjesës jugore dhe asaj veriore të Shqipërisë. Për më tepër, ndarja e popullsisë në tri grupe fetare, secili me orientimin e vet kulturor dhe me interesa politike të veçanta, e bënte tablonë edhe më komplekse. Interesat e fuqive të mëdha — në këtë rast Austro-Hungarisë dhe Italisë — si dhe të shteteve fqinje, të cilat kishin synimet e tyre, e shtonin më tej ndërlikimin.
Redaktorët e dokumenteve mbi Shqipërinë mesjetare kanë mbrojtur idenë se gjatë Mesjetës ky vend ka qenë një “monadë” në të cilën pasqyrohej bota ballkanike. Siç do të shihet në këtë studim, ka arsye të forta për të pohuar se në periudhën 1878-1912 Shqipëria ishte edhe më tepër një “monadë” ballkanike.
Një çështje që duhej hetuar ishte nëse ndërkohë rusët ose shqiptarët kishin shkruar diçka me rëndësi mbi këtë temë. Në vitin 1959, Instituti i Historisë i Akademisë së Shkencave të BRSS botoi në Moskë një libër të I. G. Senkeviçit mbi lëvizjen çlirimtare të popullit shqiptar gjatë viteve 1905-1912 (Osvoboditel’noe dvizhenie albanskogo naroda v 1905–1912 gg.). Edhe pse mban emrin e një autori, ai është padyshim një vepër kolektive, e shkruar me ndihmën e studiuesve shqiptarë. Bazohet kryesisht mbi materialin e Haus-Hof-und Staatsarchiv, të cilin Tirana e ka mikrofilmuar dhe i ka dhënë klasifikimin e vet. Përveç prirjes marksiste, e cila ishte e pritshme, libri sovjetik përmban disa keqinterpretime, të cilët janë theksuar në këtë punim.
Në vitin 1961, historianët shqiptarë përgatitën për studentët e Universitetit Shtetëror të Tiranës dy vëllime të shkurtër të shumëfishuar me daktilograf: njëri mbulonte periudhën 1839-1900; tjetri periudhën 1900-1919. Të dyja janë pa shënime fundore, por kushdo që është i njohur me dokumentet e Haus-Hof-und Staatsarchiv mund të zbulojë lehtë se cilat dokumente janë përdorur. Për periudhën 1905-1912, ekziston një ngjashmëri e habitshme, madje shpesh identike, midis vëllimit të shumëfishuar të Tiranës dhe librit të I. G. Senkeviçit, çka dëshmon për karakterin kolektiv të këtij të fundit. Megjithatë, vëllimet e Tiranës, të botuara pas konfliktit shqiptaro-sovjetik, shfaqin një largim të caktuar nga ndikimet e Moskës dhe një prirje më nacionaliste sesa studimet historike shqiptare të mëparshme. Këto vepra të historianëve komunistë nuk i kam shpërfillur, por i kam përdorur në mënyrë kritike.
Referencat turke në librin e I. G. Senkeviçit apo në vëllimet e Tiranës nuk mbështeten mbi material arkivor osman. Arkivat e perandorisë osmane që lidhen me Shqipërinë ende nuk janë studiuar. Vështirësia duket se qëndron jo aq në vëllimin e tyre, sa në mungesën e klasifikimit dhe të studiuesve kompetentë që të kryejnë kërkimin e nevojshëm. Kur të shfrytëzohen, arkivat osmane do të japin një ndihmesë të çmuar për plotësimin e historisë shqiptare në vitet 1878-1912, sidomos nëse krahasohen me materialin arkivor të gjetur në kryeqytetet e Europës Perëndimore.
Dua të falënderoj nëpunësit e ndryshëm të arkivave që më ndihmuan, veçanërisht Dr. Anna H. Benna të Haus-Hof-und Staatsarchiv, e cila ishte gjithmonë e gatshme të më jepte ndihmën e saj.
Gjatë punës në këtë projekt, përfitova nga inkurajimi i Profesor Philip E. Mosely të Universitetit Columbia, të cilit dua t’i shpreh falënderimet e mia të përzemërta. Mirënjohje të veçantë i detyrohem Dr. John C. Campbell të Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, një specialist i Ballkanit prej shumë kohësh, i cili e lexoi dorëshkrimin me kujdes dhe dha vlerësimin e tij.
Jam gjithashtu thellësisht borxhli ndaj gruas sime, komentet e së cilës ndihmuan në përmirësimin e këtij libri.
Ky projekt nuk do të kishte mundur të përfundohej po të mos ishin grantet bujare, si për kërkimin ashtu edhe për shkrimin, të ofruara nga Komiteti i Përbashkët për Studimet Sllave dhe të Europës Lindore, i Këshilli Amerikan të Shoqërive të Dijes dhe i Këshillit të Kërkimeve të Shkencave Shoqërore, të cilëve dua t’u shpreh mirënjohjen time. Falënderime gjithashtu shkojnë për Universitetin Columbia që mbuloi shpenzimet e daktilografimit të dorëshkrimit.
Instituti mbi Evropën Qendrore-Lindore
STAVRO SKENDI
Universiteti Columbia
Maj 1965