MBYLLJA E KONSULLATËS SË PËRGJITHËSHME TË RSH NË NEW YORK IU BIE NDESH IDEALEVE KOMBËTARE TË RILINDJES – KRYEMINISTRI RAMA TA SHFUQIZOJË MENJËHERË VENDIMIN/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
« Më mirë të mbylleshin 10 ambasada të tjera në vende të ndryshme se sa konsullata e New Yorkut. Ky është një veprim dritëshkurtër. Qofshi ju me këto budallallëqe…“
« O, u tremben diasporës në USA. Le të shkurtojnë fondet në Arabinë Saudite, por jo në NY, ku është qendra e botës. Përse e tremb USA Edi Ramën? Ku i ka qëllimet Edi Rama, drejt Lindjes? Shqiptarët duan Perëndimin. Duan USA jo Lindjen!”
« Këta të Tiranës janë më të paskrupullt me këtë veprim që kanë bërë! Më shumë se 400 mijë Shqiptarë jetojnë në 3 shtetshin NY+NJ+CT! Bushati e ka kthyer në kasolle Ministrinë e Jashtme!“
„Akt banal i qeverisë shqiptare, mbyll Konsullatën e Përgjithshme në qendrën e botes New York, turp!“
Ato që citoj më sipër, janë disa nga komentet e shprehura në Facebook pas botimit të lajmit se qeveria shqiptare vendosi të mbyllë Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në New York dhe funksionin e saj do ta kryejë një zyrë konsullore pranë misionit tonë në OKB.
Ky ishte një nga vendimet që Këshilli i Ministrave mori nën drejtimin e zv.kryeministrit Niko Peleshi, ndërsa kryeministri i Shqipërisë ndodhej për vizitë zyrtare në Vatikan dhe u prit nga Papa Françesku.
Siç shihet nga komentet, ku nuk përjashtohet as qëndrimi emocional, shqiptarët janë shumë më diplomatë se diplomacia shqiptare, e cila pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA, nuk i ka kushtuar asnjëherë rëndësinë e duhur përfaqësimit të shtetit shqiptar në shtetin që i ka mbrojtur interesat e shqiptarëve shumë më tepër se vetë qeveritë shqiptare.
Janë plot përfaqësi shqiptare në Europë dhe botë, të cilat vegjetojnë në letargji ose gjithë aktiviteti i tyre përmblidhet me festimet e 28 Nëntorit, një herë në vit, pa asnjë rol dhe asnjë ndikim, të cilat qeveria shqiptare nëse është në krizë ekonomike mund t’i mbyllë ose të gjejë zgjidhje, që interesat e Shqipërisë t’i mbulojnë përfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe vice versa. Por kjo prapë nuk është zgjidhje e denjë për një shtet demokratik.
Ndërsa në metropolet e diplomacisë botërore dhe shtete të rëndësisë kardinale përsa i përket interesave kombëtare prania diplomatike shqiptare duhet të fuqizohet, të rrisi rolin dhe nivelin e përfaqësimit. Brenda këtij konteksti, SHBA janë kryemetropoli i diplomacisë botërore, aleati më i rëndësishëm strategjik dhe më i populluari prej shqiptarëve. Nuk i di këto qeveria e Shqipërisë?! Qytetarët e thjeshtë i dinë.
Le të kujtojmë kohën më të shkëlqyer për diplomacinë shqiptare në SHBA, atë të Faik Konicës, si një kulm i përfaqësimit të shtetit shqiptar. Megjithatë, edhe gjatë diktaturës, Enver Hoxha sillte në Misionin pranë OKB-së diplomatët që ai i konsideronte më të mirët dhe besnikët e tij. Të njëjtën gjë bënte edhe në vendet që i shihte me rëndësi për interesat e tij. Hysni Kapo, për shembull, që më vonë do të bëhej Nr.2 i shtetit komunist, ishte Ambasador i Shqipërisë komuniste në Beograd.
Niveli i përfaqësimit diplomatik të një vendi shpreh peshën e shtetit që përfaqëson. Le të marrim si shembull Zvicrën, e cila e konsideron diasporën e saj me rreth 700 mijë qytetarë zviceranë që jetojnë në gjithë botën si Zvicra e Pestë. Brenda kufijve të sovranitetit territorial ajo përbëhet nga Zvicra gjermanofone, frankofone, italiofone dhe retroromanish, por diplomacinë e zhvillon si artin dhe praktikën për të forcuar e fuqizuar marrëdhënie me shtetet mikritëse, në ekonomi, kulturë e kudo me qëllim përfitimin e të mirave për vendin. Zvicra për shembull në Francë ka 15 konsullata përfshi edhe ambasadën: Paris,Lyon, Strasbourg, Marseille, Ajaccio, Annecy, Besançon, Dijon, Le Havre, Lille, Montpellier, Mulhouse, Nantes, Nice, Toulouse; në Itali 14: Romë, Gjenovë,Milano, Bari, Bolonja, Kaliari, Katanja, Firence, Napoli, Padova, Rexhio Kalabria, Trieste, Torino, Venecia; në Greqi e Turqi ka ambasadë plus 4 konsullata për seicilin vend; në Rumani, Poloni, Bullgari,Çeki, Hungari etj. ka nga një përfaqësi diplomatike; në Rusi ka një përfaqësi diplomatike në Moskë dhe një konsullatë të përgjithshme në Shën Peterburg. Por shtrirjen më të gjërë me 26 konsullata përfshi Ambasadën e ka në SHBA: Washington D.C., Atlanta, Chicago, Los Angelos, San Francisco, Boston, Buffalo,Charlotle, Cleveland, Dallas, Honolulu, Houston, Indianopolis, Kansas City, Miami, Minneapolis, New Orleans, Orlando,Phoenix, Pittsburgh, Puerto Rico, Denver, Detroid, New York.
Edhe po t’i referohemi historisë së diplomacisë botërore: Thomas Jefferson, përpara se të zgjidhej president, përfaqësonte SHBA si Ministër në Francë; Presidenti George H.W. Bush, shërbeu më parë si Ambasador i SHBA në Kinë; Madeleine Albright, përpara se të emërohej Sekretare e Shtetit, shërbeu Ambasadore e SHBA në OKB. Yitzhak Rabin, kryeministër, ministër i mbrojtjes dhe fitues i Nobelit ka shërbyer si Ambasadori Izraelit në SHBA; Pablo Neruda, poet dhe fitues i çmimit Nobel shërbeu si Ambsador i Kilit në Francë, Giorgos Seferis, nobelist edhe ky, ishte Ambasador i Greqisë në Britaninë e Madhe, nobelisti tjetër meksikan, Oktavio Paz, ka shërbyer si Ambasador i Meksikës në Indi e shembuj të tillë ka plot.
Po Shqipëria çfarë bën. Në vend që t’i kthehet Rilindjes së Faik Konicës e Fan Nolit e të ndërtojë ura komunikimi të reja, i shemb edhe ato që i ka. Kësisoj diplomacia moderne shqiptare e pasdiktaturës, që nisi rimëkëmbjen më 1992 dhe me trazirat e 1997-ës reflektoi kaosin e katastrofës shtetërore, dergjet ende në stanjacion dhe qeveritë shqiptare, sa herë që ndërrohen, e përdorin atë në funksion të emërimeve nepotike dhe shpërblimeve politike, por jo në funksion të të mirës të vendit. I këtij niveli ka qenë edhe përfaqësimi i Shqipërisë në SHBA. Por ishin si ishin, të paktën ishin. Tani qeveria shqiptare, në vend të një strategjie kombëtare të zhvillimit të diplomacisë në një sistem demokratik, e mbyll Konsullatën e Përgjithshme të RSH në New York duke e kthyer situatën në të njëjtin nivel përfaqësimi si në kohën e diktaturës.
Ky akt është një skandal për qeverinë e kryeministrit Rama. Si rrufe në qiell të pastër. Në vend që qeveria e Shqipërisë të ndërmerrte veprime diplomatike për të neutralizuar krizën e „armëve kimike“ me SHBA, ajo bën një lëvizje tjetër bosh në dëm të imazhit të premierit, qeverisë së tij dhe interesave kombëtare të vendit.
Kryeministri Rama duhet ta shfuqizojë menjëherë vendimin që mori zëvendësit i tij, kur ai pritej nga Papa në Romë, sepse Rilindja e vendit lidhet me hapjen e Shqipërisë, me zhbunkerizimin e diplomacisë nga ngërçet dhe krizat e politikës shqiptare.
E si mund të kthehet Shqipëria një atraksion për investitorët e huaj, kur shteti shqiptar mbyll përfaqësitë diplomatike në botë, me qëllimin banal të kursimeve. Ndërsa pushtetarët shqiptarë jetojnë në luks, me vila në mal e det, duke marrë avionët për kapriçiot e tyre vulgare, e si mund të justifikohet mbyllja e Konsullatës të Përgjithëshme në New York, për arsye krize dhe kursimesh. Le të shtrëngojnë rripat qeveritarët e Shqipërisë, le t’i përgjysmojnë të ardhurat, sepse kur një pensionist në Shqipëri jeton me 100 Euro në muaj, një qeveritar mund të reduktojë fitimet që merr prej taksave të qytetarëve. Këtë të bëjë kryeministri Rama, por jo të mbyllin përfaqësitë diplomatike. Sepse ky është turp kombëtar!
Armela Washington DC says
Znj. Bucpapaj,
Ju pergezojme per kete shkrim kaq vizionar!! Bravo, ndoshta do te ndikoje sadopak tek qeveritaret e Shqiperise qe te reflektojne edhe njehere per kete GAFE diplomatike.Dhente Zoti ta kthejne mbrapsht kete idiotesi kursimi ne Nju Jork.Ne kryeqytetin e botes.Shpresa e vetme e emigrantave eshte tashme zeri i Diellit dhe i Vatres per kete ceshtje, ashtu sic e ka ngritur zerin historikisht per Shqiperine dhe Shqiptaret.Ju lutem beni nje peticion dhe le ta nenshkruajne te gjithe Shqiptaret qe jane ne USA.Mos harrojme qe 194 perfaqesi diplomatike nga gjithe bota jane ne Nju Jork, tani do te behen 193,se Shqiperia se paska kete vend ne Nju Jork, duhet te kthehet mbrapa ky vend, jo te rilinde!!!
Sadik Elshani says
Sic eshte pritur, kjo “Rilindje” eshte Rilindja e mjerimit tone kombetar.
lary says
meqenese je shqetesuar pse u mbyll konsullata ne shba.mire moj Elida po pse nuk ke qene me pare e shqetesuar se kush punonin ne kete konsullate.po ta kesh seriozisht me trego emrat e atyre qe kane punuar ketu.mos e ngatero diasporen me keta persona qe merrnin parat por nuk benin pune,tregoj emrat qe kane qene aty qe te behesh e besushme
Viktori says
Konsulata Shqiptare në New York nuk ishte ne sherbim te emigacionit antikomunist dhe nuk ishte fuqi ote. Faktikisht, po ta krahazojsh sherbimin e asaj Konsulate me Konsulatat tjera Evropiane kudo ne Botë do të shofish mungesa teper te medhaja për me gjustifikue emnin Konsulat. Ky opinion bazohet ne fakte konkrete qe i kam dishmue vet. mbydhja e Konsulates Shqiptare ne New York e largon Shqipnine jo vetem prej Amerikes por edhe prej Evropes tue perul Shqipnine si shtet i mprapametun pêr sa i perket drejtave njerzore. Por jam krejtsisht dakord se nji Konsulat plot fuqishem në zonen Metropolitane Tre-shtetnore do ti sherbente interesave kombtare ma shum se sa Konsulata tjera nëBotë qe vazhdoin me u majt në sherbim.
Haki Koka says
Bo bo po ca mbyll konsullate, ca bohet po komuniteti kety ne New York qe eshte komuniteti me i rendesishem, cfare do bej
Linda says
Po clidhje kane njerezit more zoteri.Njerezit eshte shume e lehte t’i zgjedhesh ka plot Shqiperia, vetem te duash!! Problemi eshte se kur e mbyll i ke mbyllur portat vetes!I ke mbyllur portat dhe komunitetit edhe biznesit edhe partnereve.Po ku do te drejtohen tani ne MISION ne OKB!!!??? Misioni ne OKB eshte krejt tjeter natyre pune.KJo eshte thjeshte nje sajese e pajustifikueshme.Ska gje, Koha do ta tregoje qe Ky vendim eshte i gabuar dhe kthim mbrapa!!! Gjithnje Shqiptaret me vonese i kane kuptuar gjerat! Fatkeqesi qe perseritet!!
DURO says
NJË PETJE ZONJËS BUÇPAPA ! THONI SE NË NEW YORK KA 400.000 SHQIPTARË. A NUK JANË NË GJENDJE KËTA QË ME VEPRIMET KONSULLORE TË MBAJNË PERSONELIN E KONSULLATËS PA QENË NEVOJA QË TË FINANCOJË SHTETI PËR PAGAT E TYRE? SHUMË AMBASADA DHE KONSULLATA NË BOTË MBAHEN NË KËMBË NGA PAGESAT QË BËJNË MËRGIMTARËT SHQIPTARË NË GREQI NË DY KONSULLATAT (SELANIK DHE JANINË) DHE NË AMBASADËN TONË NË ATHINË. A MUND TË MË THONI JU LUTEM SA JANË TË ARDHURAT VJETORE NGA VEPRIMET KONSULLORE NË NEW YORK DHE SA JANË SHPENZIMET PËR PAGA E TË TJERA? NJË KONSULLATË QË NUK MBULON SHPENZIMET E VETA NUK KA PSE TË QËNDROJË E HAPUR, NUK KA ASNJË ARSYE QË TAKSAPAGUESIT SHQIPTARË TË PAGUAJNË PËR TË. JETA ËSHTË ARITHMETIKË.