
Prof.Muhamed Mufaku/
Me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, shtëpia botuese “Rilindja”, në vitin 1978 mori me guxim iniciativën për botimin e kompletit të parë të veprave të Sami Frashërit që përfshiu vepra të panjohura deri në atë kohë për publikun shqiptar, gjë që vazhdoi deri në vëllimin 7 me veprën “Kamus al–Alam: Pjesë të zgjedhura” në vitin 1984. Në krahasim me Tiranën ku Sami Frashëri u përqendrua si “ideolog i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”, në Prishtinë u prezantua në një kontekst shumë më të gjerë (kombëtar e kulturor) me kompletin që e botoi “Rilindja”. Më vonë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë nxori më 1988, dy vëllime me disa vepra të Sami Frashërit, duke përfshirë dramën “Besa” me përkthim të orientalistit të shquar Vexhi Buharaja (1920-1987). Më pas, kjo iniciativë e madhe kaloi në Shkup, duke vazhduar me shtëpinë botuese “Logos-A”, e cila botoi gjatë viteve 1994-2003 disa vepra të reja të Sami Frashërit të përkthyera nga turqishtja e arabishtja (“Personalitete shqiptare në Kamus al-Alam”, “Qytetërimi islam”, “Përpjekja e heronjve në përhapjen e Islamit” e të tjera), kurse me rastin e 100-vjetorit të vdekjes më 2004 e nxori kompletin me 20 vëllime duke përfshirë këto që u botuan në Prishtinë, Tiranë e Shkup.
Nacionalist, reformist, panislamist…
Kjo qasje, për njohje më të gjerë të Sami Frashërit në sajë të veprave të tij të botuara në gjuhë të ndryshme (shqip, turqisht e arabisht) në tri qendrat tona kombëtare kulturore, nxiti më shumë interesim për veprimtarinë e Sami Frashërit dhe pikëpamjet e tij të ndryshme, qoftë në këto tri qendra(Tiranë, Prishtinë e Shkup) ose më gjerë. Mu në atë kohë, historiani turk, Bulnet Bilmaz filloi të merrej me veprat e Sami Frashërit prej aspektit kombëtar turk, pasi që shumica e veprave të tij janë shkruar e botuar në turqisht, duke e konsideruar atë si një prej baballarëve të nacionalizmit turk. Mu në atë vit (2004) B. Bilmaz e paraqiti kumtesën e tij “Disa çështje në historinë e librit më të diskutueshëm të Shemseddin Samiut: ‘Shqipëria, ç’ka qenë , ç’është e ç’do të bëhet?”,mu në Prishtinë në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën,Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Këto çështje të shtruara për librin e Sami Frashërit, u bënë më vonë objekt i studimit të filologut Zekerija Ibrahimi në librin e tij “Interlinearis: studime mbi gjuhën shqipe” (Shkup 2014). Kështu, autori në saje të analizës linguistike-stilistike të librit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet?” arrin në përfundim se ka më shumë se një dorë në këtë libër, gjë që më vonë do ta theksonte më ndryshe albanologia franceze, Nathalie Clair.
Në këtë hov të interesimit të shtuar për Sami Frashërin u botua në Prishtinë më 2022 libri i studiueses kosovare, Zeqije Xhafa “Defterët e Sami Frashërit” që përmban tri dorëshkrime në turqisht të pabotuara deri më tani. Vërtet, këto tri shkrime u përgatitën të botohen në “Bibliotekën e xhepit” në Stamboll, në të cilën S. Frashëri botoi shumë vepra që u përkthyen vonë në shqip. Dy prej këtyre dorëshkrimeve (“Bashkimi islamik” dhe “E kaluara dhe e ardhmja e popujve islam”) u kryen më 1881, pra midis dy veprave karakteristike të Sami Frashërit në këtë fushë: “Qytetërimi islam” më 1878 dhe “Përpjekja e heronjve në përhapjen e Islamit” më 1884, pra kur Sami Frashëri paraqitet me pikëpamje panislamiste.
Këtë mendim do ta shprehte albanologia e njohur franceze, Nathalie Clair, në një referim të gjatë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare më 22 gusht 2024. Ajo kishte shprehur edhe me herët se Sami Frashëri në disa vepra paraqitet si panislamist, por kësaj here u përqendrua në librin “Shqipëria: ç’ka qenë , ç’është e ç’do të bëhet?”. Ndonëse nuk e përmendi librin e Z. Ibrahimit që zbërthen se në këtë libër ka më shumë se një dorë, N. Claire u përqendrua gjatë në tezën e saj të re se kjo vepër që u botua më 1899 pa emër të autorit, kurse më vonë doli në turqisht me emër të Sami Frashërit pas vdekjes së tij më 1904 në përkthim të Shihin Kolonjes, është një “projekt familjar”, pra që përfshinte Samiun dhe dhëndrin Sh. Kolonja (burri i Nerveze Naim Frashërit), i cili ishte figurë aktive e Rilindjes kombëtare shqiptare. Ligjërata e N. Clairit zgjoi interesim, por për shkak të tejkalimit të kohës iu lejua vetëm një pyetje që i takoi akademik Rexhep Ismajlit, i cili pyeti me vend: si mund të jetë Sami Frashëri censor (pasi punonte në drejtorinë për censurë) dhe reformist?
Përkthimi i ri si pasurim
Ky interesim i vazhdueshëm për Sami Frashërin u kurorëzua në vjeshtë 2024 me rastin e 120-vjetorit të vdekjes me botimin e dy kompleteve të Sami Frashërit. Në Shkup, “Logos-A” e nxori tani një komplet me 7 vëllime që përfshijnë 30 vepra, disa prej të cilave botohen për herë të parë. Po ashtu, shtëpia botues “Dija” në Prishtinë lansoi një komplet të ri me pesë vëllime që përfshijnë dy romane (“Ndërgjegjja” dhe “Dashuria e Talatit dhe Fitnetës”) e tri drama (“Besa”, “Sejdi Jahja” dhe “Farkëtari Gjiva”) që do të vazhdojë me 10 vëllime tjera gjatë këtij viti: “Qytetërimi islam”, “Gratë”, “Fjalë të urta”, “Metologjia”, “Njeriu”, “Përsëri”, “Njeriu”, “Gjuha”, “Qielli” dhe “Toka” në përkthim të orientalistit Irfan Morina. Këtu kemi përjashtim dramën “Besa” që doli në Sofje më 1901 në përkthim të Abdyl Ypiit, kurse tani del në përkthim të orientalistit të njohur Vexhi Buharaja (1920-1987) me një parathënie të I. Morinës që zbërthen recepsionin e saj te historianët e kritikët turq.
Kuptohet, çdo përkthimi i ri nga origjinali është pasurim për opusin e një figurë shumëdimensionale si Sami Frashëri, kurse fjalën e tyre do të kenë kritikët dhe studiuesit që merren me këtë fushë. Kjo nuk është ndonjë risi pasi që “Iliada” e Homerit u përkthye tri herë në Tiranë gjatë 55 vjetëve (1965-2020) e vepra e Sami Frashërit “Përpjekja e heronjve në përhapjen e Islamit” u përkthye së pari nga Myftar Ajdini dhe doli në tri botime (1986, 1989 dhe 1994), kurse më 2003 u botua përkthimi i ri i Ismail Ahmetit që u përfshi në kompletin e parë më 2004. Sa i përket kompletit të ri në Prishtinë, përveç këtyre veprave letrare-kulturologjike që u përmenden, do të përfshihen edhe vepra tjera nga Sami Frashëri dhe për Sami Frashërin, kështu që ky komplet do të vazhdojë sivjet me risi që ndriçojnë më shumë figurën e Sami Frashërit dhe kontributin e tij për kombin e vet dhe për kombet e tjera.