Pas rezultateve përfundimtare, ankesat e rinumërimet e votave sjellin 3 emra të rinj në listën e deputetëve të Kuvendit të ri të Kosovës, 3 largohen – nga 1 nga 3 parti/
-PRISHTINË, 5 Korrik 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Nga lista e deputetëve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë largohen tre emra e zëvendësohen me tre të tjerë brenda të njëjtave parti, ndërsa nuk ka ndyshim në numrin e deputetëve të subjekteve politike, si rezultat i rinumërimeve të votave që pasuan ankesat pas shpalljes të rezultateve përfundimatre nga Komisioni Qendror.
Në mbledhjen e pasditës së sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, kryesuar nga kryetarja Valdete Daka, u paraqit një raport nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve pas rinumërimit të kutive të votimit, për të cilat kishte vendosur Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Sipas këtij raporti, pas rinumërimit ka rirenditje të listës së kandidatëve për deputetë, ndërsa ndryshimet janë shfaqur në 3 raste.
Kandidati Naser Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës fiton mandatin pas rinumërimit (para rinumërimit 7 mijë e 265 vota, pas rinumërimit 7 mijë e 350) në vend të Imet Rrahmani (para rinumërimit 7 mijë e 275 vota, pas rinumërimit 7 mijë e 272). Osmani ishte deputet edhe në mandatin e kaluar, ndërsa Rrahmani është ministër në qeverinë në detyrë.
Kandidati Fikrim Damka nga partia e komunitetit turk – Kosova Demokratik Turk Partisi fiton mandatin pas rinumërimit (para rinumërimit 2 mijë e 905 vota, pas rinumërimit 2 mijë e 980) në vend të Mahir Yagcilar (para rinumërimit 2 mijë e 929 vota, pas rinumërimit 2 mijë e 928). Damka ishte deputet dhe nënkryetar Kuvendi në mandatin e kaluar, ndërsa Yagcilar është kryetar i partisë e ministër i qeverisë në detyrë.
Kandidati Slavko Simiç nga iniciativa Qytetare Lista Serbe (Građanska Inicijativa Srpska Lista) fiton mandatin pas rinumërimit (para rinumërimit 12 mijë e 051 vota, pas rinumërimit 12 mijë e 603) në vend të Branimir Stojanoviç (para rinumërimit 12 mijë e 245 vota, pas rinumërimit 12 mijë e 464). Simiç është kryetar i partisë, ishte deputet – kryetar i grupit parlamentar në mandatin e kaluar, e Stojanoviç është zëvendëskryeministër i qeverisë në detyrë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme bëri të ditur se është në pritje të vendimeve të Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me ankesat që janë bërë në këtë institucion për të proceduar më tej për çertifikimin e Rezultateve Përfundimtare.
Në 29 qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare, sipas të cilave në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh koalicioni i PDK me 33,74% të votave do t’i ketë 39 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje që garoi e vetme me 27,49% të votave – 32 deputetë, ndërsa koalicioni i LDK me 25,53% të votave – 29 deputetë. Nga subjektet e komuniteteve pakicë, më së shumti deputetë – 9, me 6,12% të votave, ka Lista Serbe. I 10-ti deputet serb është nga Partia e Pavarur Liberale, ndërsa edhe 10 deputetë janë të komuniteteve tjera pakicë. Rezultatet nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm të formojë qeverinë e ardhshme të Kosovës.
Duke filluar nga momenti i shpalljes së rezultateve përfundimtare nisi të rrjedhë afati 24 orësh për subjektet politike dhe kandidatët për të bërë ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.