


Intervistoi: Sokol Paja/
1. Cili është historiku i Radios “Zëri i Shqiptarëve” në Chicago?
Bashkësia shqiptare në Chicago ka një histori të begatë mbi njëqindvjeçare. Shqiptarët kanë jetuar dhe jetojnë ende në vendbanime të ndryshme të shtetit të Illinois-it, Milwaukee-t dhe Wisconsin-it. Ata kanë qenë të organizuar rreth shoqatave “Flamuri i Shqipërisë” dhe “Shoqata Qyteza”, ku shumica e të parëve kanë qenë korçarë, të vendosur në Chicago gjithmonë me dëshirën për t’u bashkuar, për të vepruar dhe për të ruajtur lidhjet mes veti. Takimet e tyre i çlodhnin nga punët e rënda që çdo mërgimtar i ka përjetuar në fillimet e tij.
Shqiptarët gjithmonë kanë qenë në kërkim të informimit se çfarë ndodhte në vendlindje. Para dhjetëra dekadash në Chicago botohej revista Vullnetari, për të cilën aktualisht nuk e di emrin e autorit. Më pas doli revista Krahët e Shqiponjës e shkrimtarit Bilal Xhaferri, por vdekja e papritur e Bilalit i dha fund edhe botimit të saj.
Në vitet ’70 u hap edhe një program radiofonik nga Iljaz Dragovoja dhe Xhemal Muja, por pas dy vitesh, për mungesë fondesh, u detyrua të ndërpritej. Po ashtu kemi pasur një radio-telefon të përgatitur nga LDK-ja me Ramazan Bekteshin, ku në një minutazh prej 30 minutash mund të dëgjonim lajme – edhe ky projekt u ndërpre.
Në vitin 1984 filloi punën edhe TV “Zëri i Shqiptarëve” nga Naser Hoxha, por pas një viti pushon transmetimin për mungesë përkrahjeje dhe stafesh drejtues. Edhe Pajazit Murtishi, për një kohë të shkurtër, pati të njëjtin fat për shkak të mungesës së fondeve, sepse për të realizuar një orë emisioni duhen kohë dhe përkushtim i përditshëm.
Megjithatë, shpresat dhe dëshirat e shqiptarëve për të krijuar një emision radiofonik kurrë nuk kanë munguar. Gjithmonë ka pasur ide, aktivistë dhe grupe të ndryshme që e kanë kërkuar këtë projekt.
Unë në Chicago kam mbërritur më 11 tetor 1991 dhe menjëherë jam përfshirë në aktivitetet e komunitetit shqiptar. Disa prej bashkatdhetarëve i njihja që nga vendlindja, disa të tjerë i kisha takuar gjatë studimeve në Prishtinë. Rrugët e mërgimit na bashkuan sërish në Chicago. Me këtë shkrim dua t’i përshëndes dhe t’u përulem të gjithëve që më kanë pranuar, ndihmuar dhe përkrahur gjatë rrugëtimit tim në aktivitetet e komunitetit, ku kam qenë herë pjesëmarrës, herë iniciator. Falë tyre, “Zëri i Shqiptarëve” prej 30 vitesh ka qenë një nyje e rëndësishme informative mbarëshqiptare.
2.Si lindi ideja për themelimin e Radios?
Në vitin 1992, pas konsultimeve me disa aktivistë të vjetër të komunitetit – Halil Bardhin, Luc Briskun, Iljaz Dragovojën, Muho Durakun, Bahri Hysën, Hasan Gjelajn, Bajram Krajën, Hajredin Islamin, Hasan Ramushin, Miter Pekajn, Mark Gjon Pemën, Pjetër Briskun, Andri Briskun, Pashko Pekajn, Nazim Cucën, Musa Dabecën, Zija F. Millën, Zija S. Millën, Alim Astafën e të tjerë – vendosëm të themelonim Shoqatën “Albanian Democratic League in Montenegro – Chicago Branch”, të regjistruar sipas ligjeve të qytetit të Chicago-s si shoqatë jofitimprurëse. Brenda ditësh, të gjitha familjet shqiptare u bënë anëtare dhe paguan kuotën prej 60 dollarësh.
Në një mbrëmje familjare me ftesë të patriotit të ndjerë Bahri Hysa dhe bashkëshortes së tij Hile, në një apartament të vogël por me zemër të madhe, u mblodhëm dhjetëra aktivistë për të përgatitur ceremoninë e themelimit të shoqatës. Nazim Cuca, gazetar i Radio Ulqinit, na propozoj të lidhnim një komunikim me Radio Ulqinin për të përcjellë një mesazh për zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi. Pasi e autorizuam Nazimin, u realizua lidhja direkte me gazetarin Zenel Katana. Apeli ynë ishte i qartë: shqiptarët të votonin për Partinë Shqiptare, LD në MZ.
Pas kësaj lidhjeje telefonike na lindi ideja për themelimin e një radio-emisioni në gjuhën shqipe. Në Chicago tashmë transmetonin kroatët, serbët, boshnjakët dhe maqedonasit – ndërsa disa prej tyre shpërndanin edhe dezinformata kundër shqiptarëve. Prandaj ishte e domosdoshme të kishim një zë tonin.
Nazim Cuca u ngarkua të hulumtonte për frekuencat dhe procedurat ligjore. Në tetor të vitit 1995, Nazimi thirri një mbledhje nismëtare në restorantin “Hilltop”, me pjesëmarrjen e rreth 50 bashkatdhetarëve. Fillimisht siguruan fondet për dy vite transmetim në WNDZ 750 AM, radio që dëgjohej në pesë shtete.
3.Zgjedhja e emrit të radios, cilat ishin propizimet?
U propozuan tre emra:
Hasan Ramushi – “Radio Skënderbeu”
Nazim Cuca – “Radio Ulqini”
Iljaz Dragovoja – “Radio Zëri i Shqiptarëve”
Me shumicë absolute u zgjodh emri “Radio Zëri i Shqiptarëve”.
Ekipi i parë drejtues (1995):
Nazim Cuca dhe Lindita Fteja – drejtues
Gëzim Mullabeqiri – teknik
Dino Milla – përzgjedhës i muzikës
Riza Milla – redaktor i lajmeve
Emisioni i parë u transmetua në javën e dytë të nëntorit 1995.
Mysafiri i parë: Memo Gjon Zeneli, kryetar i Festës së Flamurit.
Tema: “Përgatitjet për Festën e Flamurit”.
4. Cili ishte programacioni dhe ndikimi patriotik i radios?
Radio ZSH ka pasur gjithmonë si synim informimin e komunitetit për gjithçka që ndodhte në hapësirat shqiptare, sidomos për aktivitetet e komunitetit në Chicago. Që në fillim, orientimi programor ka qenë i qartë: ruajtja e identitetit kombëtar, informimi korrekt, bashkimi dhe organizimi i komunitetit shqiptar në SHBA. Në vetëm 60 minuta transmetim javore, radioja mundohej të pasqyronte ngjarjet më të rëndësishme. Rubrikat përfshinin:
Lajme
Ngjarje dhe data
Mysafiri në studio
Përshëndetje dhe urime
Rubrika e bizneseve shqiptare
Lajmërime të ndryshme
“Ju në telefon – Ne në mikrofon”
5. Si u mikprit radio nga komunitetit shqiptar?
Radioja u prit me entuziazëm dhe mbështetje të vazhdueshme nga dëgjuesit. Sponsorizimet e tyre siguruar jetegjësinë e radios, që për vite të tëra ishte i vetmi mjet informimi në gjuhën shqipe në Chicago.
RZSH mbajti gjithmonë qëndrim jopartiak, duke transmetuar informacione reale nga vendlindja përmes korespondentëve nga Tirana, Prishtina, Struga, Ulqini dhe qytete të tjera. Në studio kanë qenë të ftuar qindra personalitete – nga qytetarë të thjeshtë deri te presidentët e shteteve shqiptare.
Radioja ka bashkëpunuar me administratën e qytetit të Chicago-s, me zyrën e guvernatorit të Illinois-it, me zyrën e Thesarit të qytetit (Maria Pappas), me TV dhe radio shqiptare në Ballkan dhe Amerikë, si dhe me të gjitha shoqatat shqiptaro-amerikane.
Gjatë luftës në Kosovë, RZSH bashkëpunoi me Departamentin e Informimit të Shtëpisë së Bardhë, duke marrë çdo mëngjes informacione zyrtare për zhvillimet e luftës. Një moment i veçantë ishte kur Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, dërgoi deklaratën ekskluzive nga Rambouillet për RZSH, me porosinë të mos publikohej para dalje së saj në media.
6. Cila është e ardhmja e radios në epokën e digjitalizimit?
Radio ZSH ka përmbushur me nder misionin për të cilin u themelua. Sot, në epokën e digitalizimit, dëgjuesit kanë shumë mundësi të tjera për informim dhe argëtim. Unë mendoj se ka ardhur koha që unë, Riza Milla, të zëvendësohem nga një grup i ri vullnetarësh. E gjithë puna është bërë falas, dhe është e vështirë të gjenden njerëz të gatshëm të punojnë vullnetarisht për një kohë të gjatë – shumë kanë ardhur e kanë ikur pas një emisioni të vetëm.
Radio ZSH sot transmetohet në:
WCGO 1590 AM – një herë në javë
24 orë LIVE në VOA.Radio12345.com
Facebook Live në profilin e Radios
Të dielave, 3–4 PM, po ashtu në WCGO dhe online
E ardhmja e Radios varet nga vullnetarët e rinj. Shpresoj që zëri i shqiptarëve të dëgjohet edhe për 50 vite të tjera.
7.Kush është Riza Milla?
Gjithmonë jam përpjekur të jem modest dhe të flas pak për veten. Prej 30 vitesh, mikrofonin e kam përdorur për të informuar dhe për të vlerësuar të tjerët.Jam nga Kështenja e Krajës, ku kam kryer shkollën fillore; shkollën e mesme dhe universitetin i përfundova në Kosovë. Në vitin 1980 fillova punën si mësues (klasat 1–4) ku punova deri më 1991. Ashtu si shumë krajanë, edhe unë u detyrova të largohem për t’i shpëtuar luftës në Kroaci. Më 11 tetor 1991 u vendosa në Chicago me familjen, ku jetoj edhe sot.
Në vitin 1992 isha bashkëthemelues i shoqatës “Albanian Democratic League in Montenegro – Chicago Branch”, e cila më vonë u riemërua “Shoqata Ulqini”, ku shërbeva si kryetar për një mandat. Jam krenar që, bashkë me bashkatdhetarët e përmendur më herët, kemi bashkuar komunitetin shqiptar rreth një sofre të përbashkët, duke festuar për 33 vite me radhë ndërrimin e moteve (1992–2026). Sot në festat tona marrin pjesë edhe fëmijët që dikur luanin me lodra, e tani janë prindër – kjo është pasuria më e madhe.
Po ashtu jam angazhuar në Komunitetin Shqiptaro-Amerikan, ku jam një nga themeluesit e brezit të ri që sot e udhëheq atë. Përmes aktivitetit tim kam pasur kënaqësinë të njoh shumë aktivistë, intelektualë dhe miq nga gjithë SHBA-ja. Ishte nder të merrja pjesë në shtator në ditëlindjen e Dioguardit, ku takova shokë e miq që na bashkon ideali dhe dashuria për atdheun.