Prof.Dr.Ylli Pango/
…kemi qenë e jemi robër të kohës. Në të gjithë kohrat…Në duar të kohës kemi qenë e jemi…ajo na zotëron,..robër…kinse frymorë luksi…robër të saj…
…Që kur jemi lindur në një kohë të quajtur, të caktuar-jemi robër të saj. Jetojmë, endemi, mbyllim ciklin në një kohë të caktuar( të limituar)…Riprodhohemi të programuar brenda mureve kohorë të pakalueshëm…Vdesim në një kohë pak a shumë të përcaktuar. E shohim edhe fundin e pasardhësve tanë, me sytë e kohës, atje tej, në dukje, në pamje aq larg murit tonë të ekzekutimit, gjithsesi fatalisht jo aq larg.Relativisht shumë pranë murit tonë, papërcaktueshmërisht larg mureve pafundësisht të largëta, pa fund të kohës…
Lindim, jemi, mbetemi e tretemi nën diktatin e kohës. Nën kamxhikun e pamëshirshëm të kohës…vit pas viti nën goditjet e fshikullit të kohës, që brazdon e shton rrudhat e zhubrat në fytyrat e trupat tanë…shpirtrat tanë.
…Lodrojmë artistë të gëzuar, qënie të trishtuara, monotonë, narcisë mendjeshkurtër shumë-fytyrash, në teatrin, cirkun, cirkuitin e madh, pa fund të saj…të kohës…
…Ne do jemi të lirë vetëm atëhere kur të shembim muret e kohës që na mban skllavëruar…në Kohë…dhe së fundmi “do të çajmë ferrën” tej në hapsirat pa kohë e pa fund…meteorë të lirë në S’di-se-kund, Askërkund, Kurrë-Kund…
Do vijë njē kohë…antikohë pa an e fund…Me gjasë, a…Kush ende s’e di…
…Gjithsesi, sot për sot, bëni qejf në tokë, në pyll, në plazh…nē diell. Në det…. Me veten, me njeri tjetrin…jini përkohësisht të lumtur…Bēni dashuri me të dashurën tonë Natyrë…me bijtë e bijat e saj bujare…,
të gjithë ata, ato, Deti, pylli, Dielli etj., edhe ne, jemi tanët…janë tuajt, janë si ne…pranë nesh si lloj…Të vdekshëm si ne. E kanë një fund…Edhe ata, dielli. pylli, bora e malit, Mali…Edhe deti…edhe ata janë robër, sado më të mëdhenj se ne…robër edhe ata. Rob Zotër…të Kohës…
Ç’absurd! Se mos vetëm të ikurit…Edhe ne sot e të tjerë më pas…deri nuk dihet kur…nuk do arrijmë ta shkokolepsim dot…
((…”teorina”, po më thotë ndokushi… “
“ e pse nuk i fut, nji mendje të lehtë”…
—Nj’aty m’rri vllajo! …ke t’drejt;
Ani…se s’e pata me ty;
ty s’mundem me “t’rrejt”…))