Sport: Luftën në Dresden të Gjermanisë që zgjati tetë runda e ka fituar Krasniqi me vendimin unanim të gjyqtarëve./
* Prishtina luajti në Bernë si vendees- Fitorja e vonuar e mysafirëve nga Ballkani, sikur simbolizon pritjen e gjatë të lejes së Fifa-s që një klub kosovar të mund të luajë ndeshje ndërkombëtare miqësore/
* Kosovare Asllani shënon për Suedinë
***
Boksieri shqiptar nga Kosova që bokson për Gjermaninë në kategorinë gjysmë të rëndë, Robin (Haxhi) Krasniqi ka shënuar të shtunën mbrëma një fitore bindëse nga boksier çek Tomas Adamek. Luftën në Dresden të Gjermanisë që zgjati tetë runda e ka fituar Krasniqi me vendimin unanim të gjyqtarëve.
Që nga fillimi ai nuk i ka lënë hapësirë kundërshtarit për ta sfiduar. Në vazhdimësi ka përdorur “armën e tij sekrete”, grushtin e djathtë, duke e goditur çekun disa herë fuqishëm që në rundet e para, shkruan portali gjerman i boksit, box.de.
Por edhe Adamek ka treguar se di të boksojë. Me krahët e tij të gjatë ai ia ka dalë që t`i japë Krasniqit gjithashtu disa goditje “bindëse”. Të dy luftëtarët së bashku kanë dhënë një performancë të pëlqyeshme gjatë tetë rundeve.
Megjithatë, dukshëm më aktiv në ring ishte Krasniqi. Në rundin e tetë Adamek provoi edhe një herë që të kthente epërsinë nga vetja, duke treguar një finale ofensive. Por kjo kthesë nuk i bëri shumë punë pasi që Krasniqi u shpall fitues me pikë, me vendimin unanim të gjyqtarëve.
Prishtina luajti në Bernë si vendees
Fitorja e vonuar e mysafirëve nga Ballkani, sikur simbolizon pritjen e gjatë të lejes së Fifa-s që një klub kosovar të mund të luajë ndeshje ndërkombëtare miqësore/
Në ndeshjen për Kupën MLG, FC Prishtina ka realizuar ndeshjen e saj të parë miqësore të luajtur jashtë vendit dhe të lejuar nga Fifa. Mbi 1000 fansa e kanë festuar këtë premierë, të përmbyllur me rezultatin 1:0 për skuadrën mysafire nga Prishtina. Me diellin në fytyrë, me një salsiçe pule në dorë dhe me shumë krenari në zemër Rexhep Mustafa, ish kryetar i FC “Prishtina” të Bernës dhe gjyqtar shumëvjeçar i Ligës së Dytë qëndron në mesin e 1035 vetave, të gjithë pothuaj fansa kosovarë, në stadiumin Liebefeld.
“Është një ndjenjë e mrekullueshme të jem sot këtu”, thotë ai. Njeriu që prej pesë vitesh është kthyer të jetojë në Kosovë , ka ardhur enkas nga Kosova për ndeshjen kundër FC Köniz. “Ngado që të shikoj, po shoh tifozë të disponuar mirë dhe organizatorë që ne kosovarëve, na kanë pritur në mënyrë shumë të përzemërt”.
Në të vërtetë shikuesit ndjehen fare mirë, flasin duartrokasin, këndojnë këngë nga atdheu i tyre. Për tifozët e skuadrës mysafire ishte organizuar edhe muzike kosovare.
Mërgim Zeqiraj 22 vjeç nga Bumpilz-i dhe shoku i tij një vit më i vjetër Adnan Selimi nga Zollikofen-i rrinë në tribuna dhe “nxehin” skuadrën e tyre. “Po ndjehem si në një takim të madh familjar. Është bukur të shohësh kaq shumë bashkatdhetarë të mbledhur në një vend”, thotë Selimi dhe miratohet nga Zeqiraj.
Goool! Durimi, pas shume shanseve të dështuara, më në fund u shpagua. Një minutë para përmbylljes së ndeshjes shënon lojtari biond me frizurën “Irokeze”, Argjent Malaj. 1: 0 për mysafirët. Publiku feston bashkë me shënuesin e golit i cili duket qartë se kënaqet në gjirin e masës.
“Prishtina! Prishtina! Prishtina!”, thërrasin tifozët kur dëgjohet pipi i gjyqtarit dhe dhjetëra fëmijë shpërthejnë në fushë. Disa prej tyre kanë fat dhe fitojnë ndonjë fanellë të futbollistit të preferuar ose pozojnë me buzëqeshje për fotografi kujtimi.
Po kështu i disponuar mirë është edhe Afrim Tovërlani, ish futbollist dhe sot trajner i kampionit të 17 fishtë të Kosovës. “Natyrisht, kam shpresuar se goli do të shënohej në pjesën e parë të ndeshjes. Në përfundim ne ia dolëm të realizonim për mrekulli njërën nga shumë shanset tona”, thotë ai dhe përqafon Ruedi Ruch-un, organizator i kupës.
Ky i fundit me një numër të madh ndihmuesish, në mesin e të cilëve edhe lojtarë të FC Prishtinës nga Berna, ka bërë gjithçka që mysafirët nga Kosova dhe fansat e tyre të ndjehen mirë në Köniz. “Më në fund `dhezi`. Vitin e kaluar ishte refuzuar një ndeshje nga Fifa”, thotë ai.
Fitorja e vonuar e mysafirëve nga Ballkani, sikur simbolizon pritjen e gjatë të lejes së Fifa-s që një klub kosovar të mund të luajë ndeshje ndërkombëtare miqësore. Edhe pse anëtarësimi ende nuk ka ndodhur, Urs Frieden, themelues i shoqatës “Së bashku kundër racizmit”, e konsideron ditën e ndeshjes, 7 korrikun 2013, si satisfaksion. “Unë shpresoj që Fifa ta çoje më shpejt përpara integrimin e Kosovës në botën e futbollit “, shprehet ai.
Frieden kishte organizuar në vitin 1998 një ndeshje miqësore në mes të FC Thun dhe FC Prishtina, natyrisht, pa marrë leje. Dhe kjo kishte shkaktuar një dënim katërshifror në franga për klubin e Thunit.
“Ndeshja e sotme miqësore ka rëndësi të madhe për skuadrën dhe për gjithë futbollin kosovar”, thotë Remzi Ejupi, kryetar i FC Prishtina.
Pas përfundimit të lojës, shumë nga tifozët shijojnë edhe birrën e fundit. Atmosfera të bën të konstatosh se: Ishte kjo një ndeshje ku FC Prishtina ishte vendëse
Kosovare Asllani shënon për Suedinë
Nikoqirja e Kampionatit Evropian në futbollin për femra, Suedia e ka deklasuar kombëtaren e Finlandës, duke e mundur me rezultatin e thellë 5:0. Me këtë fitore të realizuar në stadiumin e Gëteburg-ut, Suedia është në rugë të mirë për të mbërritur në çerekfinalen e kampionatit. Kjo ka qenë ndeshja e tyre e dytë në kampionat ndërsa ndeshjen e parë, atë kundër Danimarkës, suedezet nuk arritjen ta fitonin, por barazuan 1:1. Në gjendjen aktuale Suedia asht si dhe Italia, ka katër pika.
Futbollistja e kombëtares suedeze, Kosovare Asllani ka shënuar njërin nga pesë golat, atë të minutës 38. 23 vjeçja nga Kosova aktualisht luan për klubin francez Paris Saint Germain.