Denion Ndrenika/
Nuk isha marrë shumë me muzikën, ndër vite, pasi sic thuhet ndonjëherë që më kishte hedhur Perëndia gjetkë, te sporti, politika, sidomos gjithëshqiptaria me njerëz dhe territore.
Megjithatë muzika nuk ka qenë e përjashtuar. E kësisoj përfshihet më shumë në historikun dhe njohjen e përgjithëshme se sa te luajtja, apo krijimtaria.
Padyshim që brezi ku hy, ka pasur një errësirë të lemerisshme nga regjimi kriminal komunist, një ndalesë të plotë të jetës “imperialisto-revizioniste”.
Përshtypja e përhershme e imja ka qenë që kusbh ndalon diçka, ka frikë të përballet, ka frikë të pranojë pazotësinë, injorancën dhe ligësinë.
Andaj sporti dhe kultura, veçanërisht muzika, ishte në atë errësirë ku nuk shihej as pop, as rock, as bluz, as jazz, përveçse ndonjë Sanremoje zvarritëse.
Lidhja shpesh bëhej nëse arti ynë, muzikantët, sporti dhe sportistët do të zinin vend në hapësirën e lirë botërore.
Padyshim që shumëkush prej tyre, po.
E bëra këtë hyrje për të thënë se sa pamundësi ka pasur asokohe, se sa rrugë mbylleshin.
Sot krejt ndryshe, krejt tjetër, krejt hapur veç mundësi të kesh dhe të tregosh nëse diçka di.
Grupet muzikorë të pas 1990 me dëshirën e madhe u formësuan nga individë që lanë shenjë. Bledar Sejko “Qepa”, Gjergj Jorgaqi, Redon Makashi, Morena Reka, instrumentistë dhe klasikë të shkolluar brenda apo jashtë Shqipërisë ose edhe jashtë profilit muzikor, por talente, dëshirëmëdhenj dhe punëtorë për të qenë dikushi.
Mirëpo ndërkaq rrymat më pak të njohura ndosha me shumë adhurues të veglave frymore, jazz apo bluz, mbeteshin mbrapa.
Saksofoni ishte simbol kur shihej ish-presidenti amerikan Bill Klinton duke luajtur me të.
Më ka rënë jo pak rasti të kem biseda me instrumentistë frymorë, të zhanreve të tjera, të artit skenik, kinematografisë, arteve figurative.
Në fakt, orkestrat e televizioneve sikur bënë disa hapa përpara, duke u mundësuar krijuesve të dalë nga shkolla me profilin përkatës, më në fund hapësirë dhe pa orientimin klasor apo “imperialist”.
Pasi më parë shkruajta për Lek Negrin, përshtypje më bëri një koleg i tij, Ermal Rodi,
Nuk është se lamë ndonjë orar kafeje, por kohë më parë u takuam dhe folëm për miq të përbashkët përfshi Lekën dhe “Qepën” Bledar Sejkon, që në kohën time i thonim “Xhon Lenon” për lojën në kitarrë dhe syzet e zeza rrumbullake. Me “Qepën” jemi rritur, shokë fëmijërie e dikur ndoshta nga fundvitet ’70, ai ia nisi kitarrës, kurse unë basketbollit.
Ndërkaq, Ermali me Sejkon luajnë në Top Channel, edhe Negri dhe me vite edhe në koncerte, orkestra RTVSh, programe, mësimdhënie tek Artet.
Ermali me tha në bisedë se Jazzi ka improvizim në çast dhe historia amerikane e dëshmoi këtë krijimtari të atij çasti për njerëzit dhe vetë muzikantët, pa e pyetur, por ndoshta ngaqë po flisja shumë për veglat e ndryshme dhe jo saksin.
Po çfarë bëjnë këta sot, çfarë roli ka saksi në morinë e veglave frymore, ku është shkolla, politikat arsimore, krijimtaria?
Ermal Rodi në maj pati nje turne në festivalin jazz në Chianberi në Dijon të Francës, në Zyrih të Zvicrës në Athinën e Greqisë. Në këtë festival është luajtur muzika jonë, siç më tha Ermali, për më shumë se 1000 vetë për çdo koncert që është goxha për muzikën jazz…
E ardhmja? Kjo ishte pyetja ime për Ermalin, i cili mu përgjigj: “Në të ardhmen shpresoj të ndërtoj një grup të ri internacional dhe me muzikantë të ndryshëm nga bota e muzikës jazz të luajmë muzikën tonë shqiptare në jazz koncept.
Për këtë Ermali shton se Amerika si vend i jazzit, krijon hapësirë, pavarësisht kohërave të ndryshme të paslulëzimit të tij.
“Shpresoj ta kem mundësinë për të ekspozuar muzikën time në të ardhmen edhe në Amerikë”, – shton ai.
-Ermal, çfarë sheh të ndyshme te jazz krahasuar me veglat e tjera frymore? Pra, çfarë ka ndryshe jazzi si muzikë krahasuar me muzikën e veglave frymore klarinets, trombe, cyle…
-Ermal Rodi: “Jazz si rrymë të jep mundësinë të improvizosh, pra kompozim në çast, kurse veglat frymore kanë dinamikë dhe janë për mua shumë shprehëse dhe me gjallëri”.
-Çfarë të tërhoqi për jazz, se andej nga ne nuk para ka njohuri…
-Ermal Rodi: “Grupi “Led Zepelin” dhe “Deep Purple”, Rey Charles, BB King James Broën, më çuan në një farë mënyre te jazzi. Mandej, Charlie Parker, Miles Davis bënë punën e vet…
-“Zepelinat” i kisha inat sepse një shoku im i kishte qejf shumë… Unë jam me “Beatles”, Xhim Morrison, tina turner, Elvis Preslin…”Modern Talking” i kisha qejf.
Ermal Rodi: “Yep, e kuptoj”.
-Çfarë duhet bërë që te ne jazz të fitojë terren?
-Ermal Rodi: “Edukimi që të vegjël. Unë jap mësim si i jashtëm në Akademinë e Arteve dhe vetëm 1 nxënës saksofoni kisha… ështe hapur dega në universitet, por jo në high school! Mbrapsht”!
-Përpara se të shkosh për në skenë, je i prirur të improvizosh apo vjen vetiu kur luan?
-Ermal Rodi: “Ka parapërgatitje ndër vite dhe pastaj vjen vetiu, e ke mendjen e qartë dhe je i hapur vetëm që të krijosh diçka të re në atë çast.
-“Muza e zezë me Dunin ka qenë e mirë shumë. Edhe “Zare trëndafilja”. Sa bazë përbën folku për jazzin?
-Ermal Rodi: “Shumë, madje është pika themelore për mua siç përdorën afroamerikanët rrënjët e tyre të Afrikës. Ne shqiptarët bëjmë të njejtën gjë”.
-Shpesh per jaazin thonë se sikur zvarrit, sikur zhbjerr ritmin e këngës. Pse mendohet kështu?
-Ermal Rodi: “Luhet me kohën me tempo ritmin për të arritur atë që quhet në jazz language groove… Si James Broën me ritmin funky, ose vallet tona popullore që orkestra luan duke ndjekur këmbët e valltarëve”.
-Ka ndonjë dominim note muzikore që e dallon jazzin në krijimtari?
-Ermal Rodi: “Nuk ka dominim. Përdoren të gjitha e sa më shumë, për të pasur edhe më shumë alternativa”.
-Cila vegël frymore është më e dashur për jazz, pra që jep më shumë mundësi krijimtarie, veç saksit?
-Ermal Rodi: “Po saksi. Ka qenë si kitarra dhe piano sot. Ishte leader”.
-Emal, tek improvizimi më bëjnë përshtypje dy violincelistët kroatë që bëjnë “namin” në shndërrimin e kësaj vegle klasike, dhome me muzikë joklasike. Sa e bën këtë saksi në jazz?
-Ermal Rodi: “E bën, sepse si violinceli edhe saksi ka tingull unik. Për shembull, si kuartet saksash ngjan si quartet harqesh”.
Ky ishte Ermal Rodi, në një bisedë që nisi si njohje dhe eci si shpjegim se çfarë bën ai dhe çfarë mundet jazzi.