
Flet ambasadori i parë shqiptar në SHBA pas rënies së komunizmit
Bashkëbisedoi: Eneida Jaçaj/New York
Rruzulli tokësor rrezikon të shndërrohet në “fuçi baruti” ashtu siç ndodhi në Luftën e Parë Botërore, pasoja e së cilës solli shkatërrime të mëdha dhe një numër të lartë humbje njerëzish. Situata politike ndërkombëtare paraqitet shumë e tensionuar dhe e nxehtë, për shkak të mosmarrëveshjeve mes shteteve, të cilët po legjitimojnë luftën dhe jo konsensusin. Lufta Rusi-Ukrainë, Israel-Palestinë, konflikti i SHBA-ve kundrejt Kinës dhe Rusisë, konflikti i kahershëm në Lindjen e Mesme dhe tensionet në Ballkanin Perëndimor, duket se do të ndryshojnë rrjedhën e politikës ndërkombëtare dhe mentalitetin e shteteve të botës. Duket se bota po i afrohet më shumë se kurrë Luftës së Tretë Botërore. Politika e jashtme mes shteteve ndryshe mund të quhet “biznes me interesa të larta”, por ata që vuajnë pasojat janë popujt. SHBA dhe Perëndimi, si dy gardiane të sigurisë dhe paqes në botë, po përpiqen të vendosin rregullin dhe qetësinë, por, në fund të fundit do të triumfojnë interesat e shteteve më të fuqishme, ashtu siç e ka treguar historia me Shqipërinë, e cila u përdor “mish për top” për të kënaqur shtetet që morën pjesë në Luftën e Parë Botërore. Nëse shpërthen një luftë botërore, Shqipëria dhe Kosova hyjnë te shtetet që mund të preken, dhe duhet të marrin masa për shkak të rrezikut të jashtëm. Rreth zhvillimeve politike në arenën ndërkombëtare flet ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, ambasadori i parë shqiptar në SHBA, Roland Bimo, i cili, si njohës i mirë i fushës së diplomacisë dhe politikës së jashtme, jep një qasje apo një reflektim mbi mosmarrëveshjet që gjenden shtetet sot mes tyre.
-Marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-SHBA kanë nisur zyrtarisht në vitin 1922, pas mbështetjes së çështjes shqiptare që i dha Presidenti Woodrow Wilson, në Konferencën e Paqes së Parisit, 1919-1920, ndërsa gjatë periudhës së komunizmit nuk shkeli asnjë këmbë amerikani në Shqipëri, dhe ata që ishin u dëbuan. Mbi çfarë kriteresh u ngrit kjo marrëdhënie diplomatike, dhe si u shndërrua SHBA nga një shtet armik, në një shtet kaq të dashur për shqiptarët?
Marrëdhëniet e popullit shqiptar me ShBA janë shumë të veçanta, jo pa shkak jemi quajtur një nga kombet më pro amerikane në botë. Përgjigja ndaj pyetjes kërkon reflektim për një periudhe më shumë se 100 vjeçare, dhe më duket e vështirë të përmbledh në pak rreshta gjithë sa mendoj se ka ndodhur. Por, parë nga larg e lart dhe në “hindsight”, dalja në skenë si fuqia më e madhe botërore e gjigantit SHBA në fillim të shekullit të 20, koinçidon edhe me kurorëzimin me një fitore gjysmake të luftrave shekullore të popullit shqiptar për liri e pavarësi. Them gjysmake, sepse Kosova mbeti jashtë kufijve politikë të Shqipërisë në vitin 1912. Epërsia amerikane në shfronësimin e fuqive të mëparshme shfaqej në dominimin ushtarak, ekonomik dhe politik, por edhe si fuqia më emancipuese në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo u duk qartë në parimet e reja që do të duhej të rregullonin marrëdhëniet ndërkombëtare, të koncentruara në të famshmet 14 pika paraqitur nga Presidenti Wilson, së pari në Kongresin Amerikan dhe më pas në Konferencën e Paqes në Paris. SHBA shpalosën idetë më përparimtare për kohën lidhur me vetvendosjen e popujve dhe konsideronte politikat imperialiste të fuqive evropiane si shkakun kryesor të luftrave. Nga ai moment, Shqipëria e populli shqiptar, në përpjekjet e tij për liri e pavarësi, kanë gëzuar mbështetjen e SHBA. Edhe në Luftën e Dytë Botërore, përpjekja për liri e popullit shqiptar ishte e integruar fort me aleancën antifashiste, pjesë e rëndësishme e të cilit ishin SHBA. Por, vitet e akullit në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe vetizolimi total i Shqipërisë, pasuan vendosjen e komunizmit në Shqipëri. ShBA janë konsideruar për më shumë se gjysëm shekulli armiq, nga regjimi komunist në Shqipëri, por në asnjë rast nga populli shqiptar. Kujtim i mbështetjes së SHBA për pavarësinë e Shqipërisë, vlerat themelore amerikane të lirisë e demokracisë, mënyra amerikane e jetesës, muzika, letërsia, filmi e gjithshka që hyn në kategorinë “fuqi e butë” kanë luajtur rol në ruajtjen e dashurisë e respektit të shqiptarëve për SHBA dhe rezistencën kundër e deri në rrëzimin e komunizmit. Sa sipër nuk do të kishte kuptim pa përmendur ndikimin e jashtëzakonshëm që ka patur në Shqipëri suksesi i diasporës në ShBA. Adhurimi i presuar e i heshtur ndër vite, gjeti rastin e shpërtheu në mikpritjen e treguar ndaj ish-Sekretarit të Shtetit Baker, gjatë vizitës së tij në Tiranë, më 21 qershor 1991. Në themel të marrëdhënieve qëndron mbështetja parimore e SHBA për luftën e një populli të vogël për liri e pavarësi, mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë nga lakmitë e vendeve fqinjë dhe fuqitë e mëdha mbështetëse të tyre, si dhe përpjekjet e përbashkëta për paqe e zhvillim bazuar në demokracinë dhe liritë e njeriut. Thirrja e z. Baker në Tiranë “Freedom ëorks”, rezonoi fuqishëm te një popull i ndrydhur dhe i dërrmuar nga diktatura komuniste.
-Cili ka qenë roli i SHBA-së në këto 32 vite demokraci, në politikën e brendshme, por sidomos në atë të jashtme?
ShBA kanë luajtur rol vendimtar në çrrënjosjen e komunizmit, demokratizimin e vendit, funksionimn e shtetit ligjor dhe avancimin e pozicionit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Elitat politike shqiptare, në mungesë të një tradite demokratike dhe të një ekonomie të zhvilluar, shumë shpesh gjatë të 32 viteve të funksionimit të demokracisë, jo rrallë e klasifikuar nga institucione të ndryshme ndërkombëtare, si “hibride” apo me probleme, kanë shfaqur dukshëm tendenca autoritarizmi dhe prirjen për të kufizuar të drejtat e opozitës, lirinë e fjalës, të shtypit, të grumbullimit etj. Shoqëruar me mungesa të dukshme në efikasitetin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këtë e dëshmojnë një numër raportesh të Organizatave Ndërkombëtare si dhe raporte të specializuara të Departamentit Amerikan të Shtetit. Në këtë këndvështrim, ndonëse me interesa politike e gjeostrategjike shumë të përafërta ose edhe të njëjta, SHBA nuk kanë munguar në asnjë moment të shprehin kritikat e tyre ndaj autoriteteve shqiptare për korigjimin e praktikave që bien ndesh me parimet demokratike. Kjo mund të ketë çuar edhe në episode të pakëndshme personale për politikanë shqiptarë, por kanë rritur më tej besimin e shqiptarëve te SHBA. Mbeshtetja e SHBA për Shqipërinë, është e gjithanshme. Vështirë të thuhet se Shqipëria do të kishte bërë ndonjë hap serioz drejt anëtarësimit në BE pa nxitjen dhe mbështetjen e SHBA. Vetë ekzistenca dhe suksesi i deritanishëm i Bashkimit Evropian i dedikohet mbështetjes që SHBA i kanë dhënë Evropës gjatë gjithë periudhës së Luftës së Ftohtë. Suksesi më i madh i bashkëpunimit në politikën e jashtme është mbështetja e SHBA për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, moment i cili për nga rëndësia është i krahasueshëm me vetë datën e pavarësisë. Së fundi, mbështetja amerikane për reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit kanë rritur më tej pozitivitetin dhe respektin e popullit shqiptar për ShBA.
-A është sot diaspora shqiptare po aq e zjarrtë dhe aktive në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit shqiptar dhe adresimin e çështjeve pikante në instancat më të larta të shtetit amerikan, sa ajo e viteve 20-30 kur lobonte për çështjen e kombit shqiptar?
Nuk është i njëjti efikasitet i punës, por kontributi i saj mbetet domosdoshmëri. Që nga koha kur imzot Fan Noli lëshonte thirrjen drejt Shqipërisë “mbahu Nëno, mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë” ka kaluar shumë kohë, jo vetëm si vite por edhe si zhvillime. Është një periudhë ku revolucioni teknologjik e në mënyrë të veçantë ai në fushën e informacionit dhe komunikimit ka kthyer përmbys shumë raporte dhe mënyra pune. Nga ana tjetër, gjatë kësaj kohe edhe Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në të gjithë drejtimet dhe reputacioni i saj ndërkombëtar është forcuar ndjeshëm. Ndërkohë në diasporë janë forcuar kapacitetet profesionale e organizative me breza të rinj. Bazuar në sa sipër do të duhet të bëhet më tepër për të gjetur e përdorur rrugë e mënyra të ndryshme organizimi e komunikimi, që të arrihet efiçenca e dikurshme e ndikimit të diasporës shqiptare në ShBA. Shqiptarët mbeten të lidhur me atdheun dhe shprehin një dashuri e dhimbsuri të veçantë për vendin dhe të afërmit e tyre. Ajo që ndoshta duhet përshtatur në kushtet e reja, është që ky aktivizim individual e parokial të harmonizohet e koordinohet në një shkallë më të gjerë, me pjesëmarrje më të madhe, pa dallime krahinore apo partiake. Modelet e organizimit aplikuar edhe nga kombe të tjerë, janë nga më të ndryshmet. Para shumë vitesh, SHBA përmes USAID kanë ndihmuar projekte të organizimit të Diasporës Shqiptare në ShBA dhe Evropë, kryesisht në formën e nxitjes së bashkëpunimit të entiteteve ekonomike në diasporë. Këto eksperienca mund të analizohen dhe përsosen më tej. Mendoj se duhet të piqemi më tej politikisht për të dalluar ndryshimin ndërmjet interesave afatshkurtër politike të momentit dhe të partive dhe atyre afatgjatë të kombit dhe komunitetit. Situatat ndërkombëtare pritet të jenë aspak të qeta e të qarta. Ndihma e diasporës mbetet më e nevojshme se asnjëherë për të mbështetur vendlindjen.
-Dihet tashmë se pa rolin e SHBA-së, Kosova nuk do të arrinte pavarësinë. Politika aktuale e Kosovës gjendet shumë e tensionuar për shkak të projektit europian për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kryeministri Albin Kurti ka vendosur disa kushte për realizimin e këtij projekti, ndërsa po has në presionin e SHBA-së për të nxituar në themelimin e asociacionit. A do të krijohej një Serbi e vogël në Kosovë nëse ky projekt do të realizohej, dhe si do të ndikonte më pas Beogradi në politikën e brendshme dhe të jashtme të Kosovës?
Nuk ka shqiptar në vendlindje apo diasporë të mos shqetësohet për pozicionime të ndryshme të faktorit shqiptar apo pjesëve të rëndësishme të tij, në raport me SHBA. Është pothuaj e pamundur të kujtojmë se çfarë kemi menduar deri sa filloi fushata ajrore e NATO-s për zmbrapsjen e agresionit serb në Kosovë, mbrëmjen historike të 24 mars 1999. Serbët e Millosheviçit me siguri nuk e kanë besuar se do të ndodhte angazhimi i fuqisë më të madhe botërore dhe aleancës më të sukseshme të mbrojtjes dhe sigurisë, NATO, në mbrojtjen e një populli dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare. Por historia nuk është deterministe. Fati nuk është i paracaktuar. Rrallë herë në historinë e ndërhyrjeve ushtarake ka patur një përputhje të imperativit moral, (ndalimi i spastrimit etnik) dhe interesi i fuqisë së madhe SHBA për të forcuar sigurinë europiane. Kombinim që nuk besoj se do të shfaqet në një rrethanë tjetër. Duhet shumë mençuri e largpamësi për të parë në të ardhmen. Se si mund të funksionojë Kosova me asociacion apo pa të, është e pamundur të parashikohet me saktësi. Por mund të flitet për pasojat negative që vijnë për Kosovën dhe popullin shqiptar prej mosmarrëveshjeve me SHBA. Aktualisht, situata e faktorit shqiptar në rajon është përtej zenithit, më pak i bashkuar se para disa vitesh. E ardhmja është e pasigurt me armatimin e vazhdueshëm të Serbisë, rritje tensioni, provokime si ai në Banjska, mosmbajtje premtimesh apo mosrespktim të marrëveshjeve nga ana e Serbisë. Në çdo rast do të duhet të mbajmë parasysh se për mirë apo keq, nacionalizmi do të vazhdojë të jetë forcë shtytëse në marrëdhëniet ndërkombëtare në të ardhmen e parashikueshme dhe se SHBA nuk janë superfuqia e pasfidueshme sikurse 20 vite më parë. Në këtë proces të lëvizjes së pllakave tektonike të sigurisë botërore, të konfigurimit të aleancave antiamerikane dhe antiperëndimore, nuk do të ishte i tepërt një debat ndërshqiptar për këputjen sa më shumë të një varësie nga Serbia, si në transport, tregti, energjetikë dhe shqiptarët të orientohen më shumë drejt Detit Adriatik.
-A po e dobësojnë marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në deklaratat nacionaliste të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në një kohë kur shteti më i fuqishëm i kërkon të avancojë me asociacionin e komunave me shumicë serbe?
Marrëdhëniet diplomatike Kosovë-SHBA janë dukshëm të influencuara negativisht për shkak të mosrealizimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Të thuash ndryshe është të mos shikosh realitetin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përgjegjësi të jashtëzakonshme për paqen dhe sigurinë në botë. Shqiptarët si aleatë të ngushtë do të duhet të mbështesin sa të kenë mundësi Shtetet e Bashkuara në këtë pjesë të vogël të rruzullit ku jetojnë.
-OKB votoi rezolutën për përkujtumin e genocidit në Srebrenicë. A është ky një ogur i mirë për njohjen e genocidit serb mbi popullin e Kosovës?
Rezoluta ishte një hap i mirë në drejtimin e duhur dhe ndoshta pak i vonuar. Para dhe pas miratimit të kësaj resolute, ata që duket se nuk duan të njohin realitetet e pasojave të hidhura të politikave të tyre, tentuan politizimin e skajshëm të rezolutës. Nuk ishin Kombet e Bashkuara, përkundrazi, ishin autoritetet e Serbisë që insistuan të identifikoheshin me autorët e genocidit në Bosnie Herzegovinë, Srebrenicë. Rezoluta nuk dënon kombe apo etni, por thjesht ata që kryen genocid. Përballë një politizimi të skajshëm të çdo veprimi në arenën ndërkombëtare, nuk besoj se dënimi i genocidit serb në Kosovë mund të ndodhë së shpejti, por gjthsesi do të duhet të mbetet në prioritetet e punës të diplomacisë së të dy shteteve shqiptare dhe diasporës aktive.
-Për shkak të lëvizjeve demografike, popullsia e Kosovës është tkurrur me 8 për qind. A mendoni se populli kosovar nuk ka besim te politka aktuale, dhe, kjo tkurrje, a është në favor të Serbisë?
Tkurrja e popullsisë është problem në të gjithë Ballkanin, madje edhe më gjerë në Evropë. Serbia vuan ndoshta edhe më shumë këtë fenomen. Disa projeksione të Kombeve të Bashkuara bëjnë fjalë se brenda 20 vjetësh, Serbia do të ketë pak më shumë se 5 milionë banorë.
Largimi nga vendi i të rinjve është problem shumë i mprehtë edhe në Shqipëri, dhe objekt i një debati të ashpër politik. Është evidente se cilado forcë politike që të ishte në pushtet do të ndeshej me të njëjtin fenomen. Mendoj se shqiptarët besojnë se kjo është një çështje themelore e interesit kombëtar dhe që meriton një debat përtej ndarjeve partiake, për të identifikuar shkaqet dhe adoptuar politikat e përshtatshme. Nevoja për fuqi punëtore e vendeve të Bashkimit Evropian është një magnet i fuqishëm, i cili mund të neutralizohet vetëm me politika të përshtatshme nga Kosova dhe Shqipëria. Nuk kam shumë besim se elitat politike në Kosovë apo në Shqipëri do të mësojnë të reagojnë më shpejt se sa realitetet në terren.
-Situata në arenën ndërkombëtare paraqitet shumë e tensionuar, sa i takon luftës Rusi-Ukrainë në njërën anë dhe në anën tjetër lufta Israel-Palestinë. SHBA-të i kanë refuzuar mbrojtjen ajrore Ukrainës, ndërsa kanë rrëzuar raketat dhe dronët mbi Israelin, për të cilin po shkojnë miliarda dollarë në armë dhe municione. Si e shihni rolin e SHBA në këto dy situata lufte?
Tmerret e luftrave, vkitimat e pafund të civilëve të pafajshëm, shkatërrimet e paimagjinueshme që është në gjendje të shkaktojë makineria ushtarake sot, si pasojë e tekonologjive moderne të vrasjes, ushqejnë tek opinioni botëror një ndjesi të papërgjegjshmërisë së elitave për të mbajtur nën kontroll reflekset politike. Gjykatat Ndërkombëtare, si Gjykata e Krimeve apo Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po mundohen të japin kontributin e tyre, duke bërë përgjegjës për krime lufte liderat si Putin në Rusi apo Netanjahu në Izrael. Shtetet e Bashkuara janë në një pozicion delikat dhe përpiqen me gjithë sa munden të ruajnë paqen dhe rendin botëror bazuar në rregulla dhe ligjin ndërkombëtar. Njihen nevojat e Ukrainës për mbrojtje kundërajrore dhe një pjesë e konsiderueshme e ndihmës amerikane prej 61 miliardë dollarësh miratuar nga Kongresi Amerikan pak javë më parë, do të shkojnë pikërisht në këtë drejtim.
-A do të ishte kërcënim për SHBA-në fitorja e Rusisë mbi Ukrainën?
Varet shumë nga definicioni i fitores, çfarë quhet fitore për Rusinë. Humbja e kaq shumë njerëzve në front nga ana e Rusisë, pothuaj një gjeneratë të rinjsh, futja e ekonomisë ruse në binarët e ekonomisë së luftës, izolimi ndërkombëtar, varësia nga Kina, etj, vështirë se mund të kualifikohen si fitore të Rusisë. Imponimi nga ana e Rusisë i mentalitetit të saj për Rendin Botëror dhe mënyrën se si zgjidhen problemet ndërkombëtare, është kërcënim serioz për paqen dhe rendin botëror, natyrisht dhe për SHBA që janë garantorët e këtij rendi. Kërcënim për SHBA dhe gjithë Bashkësinë Ndërkombëtare demokratike është shkelja e ligjit ndërkombëtar nga ana e Rusise dhe legjitimimi i përdorimit të forcës për zgjdhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare.
-Rusia dhe Kina po i shesin armë Serbisë. A mendoni se po Rusia dhe Kina po vijojnë përgatitjet për të shtrirë ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor, dhe sa do t’ia arrijnë?
Përdorimi i armëve në Ballkan do të ishte çmenduri, por provokacionet si ai në Banjska, Kosovë, tregojnë se provokatorët nuk mungojnë. Siguria erdhi nga veprimet profesionale të policisë së Kosovës, ndërkohë që reagimi i Bashkësisë Ndërkombëtare ishte i vakët dhe ende nuk ka një qëndrim zyrtar për ngjarjen. Siguria më e madhe vjen nga prezenca e NATO-s në Kosovë dhe trupave të BE në Bosnje-Herzegovinë. Kosova dhe Shqipëria do të duhet të mendojnë më seriozisht për mbrojtjen, çka duhet të reflektohet në buxhetet e tyre ushtarake.
-Si e shihni përballjen në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, mes Xho Baiden dhe Donald Trump?
Si një admirues i SHBA, ndjej keqardhje që në këtë kompeticion mungon e ardhmja, në kuptimin e moshës së pretendentëve në përballjen politike më të rëndësishme të SHBA në çdo 4 vjet. Pronari i përkohshëm i Shtëpisë së Bardhë është padyshim njeriu më i rëndësishëm dhe i pushtetshëm në botë, por besoj se demokracia dhe zbatimi i ligjit janë më të fuqishme në SHBA se sa instinktet politike të kujtdo që do të donte të deformonte parimet demokratike.
-Çfarë roli pritet të ketë Amerika në dy frontet e luftës, Ukrainë-Rusi, Israel Palestinë, nëse zgjedhjet i fiton Trump?
Mendoj se në mbrëmjen e 5 nëntorit 2024 merr fund debati dhe pasiguria se çfarë do të ndodhë në të ardhmen me pozicionimin e SHBA për problemet më të mprehta që shqetësojnë botën dhe për të cilat pretendentët kanë opinione të ndryshme. Është një praktikë e njohur që diferenca midis premtimeve elektorale dhe realiteteve është shpesh jo e vogël. Ndoshta kufijtë e Jugut të SHBA do të marrin më shumë vëmendje. Me shumë keqardhje, por për momentin nuk duket asnjë kuadër marrëveshje, për të cilën palët në konflikt si në agresionin e Rusisë kundër Ukrainës ashtu edhe të Luftës së Izraelit në Gaza të kenë ndonjë kuadër marrëveshjeje, për të cilën palët të jenë disi afër. Europianët janë në trajektoren e eskalimit dhe Izraeli nuk po tregon ndonjë projekt politik se si do të zgjidhë çështjen Gaza. Kushdo që të jetë në Shtëpinë e Bardhë do të ndeshet me sfida të vështira dhe do duhet të mbështetet nga një bashkëpunim sa më i gjerë ndërkombëtar.