![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2023/01/Ekspozita-Karrigia-Naum.png)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2023/01/Ekspozita-Karrigia.png)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2023/01/Screenshot_20230123-231623__01-754x1024.jpg)
Rafaela Prifti/
Biseda mori shkas nga hapja e një ekspozite të veçantë të tij e quajtur “Një Karrige për Shkrimtarët” paraqitur në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit në Tiranë muajin e kaluar. Fotografi, i nxitur nga ideja për të paraqitur portretet e një plejade të shkrimtarëve shqiptarë, e nisi punën në 1998 por me kalimin e kohës projekti mori trajtat e një gjetje tjetër që u mirëprit nga artdashësit dhe publiku shqiptar në vitin 2022.
I njohur si fotoreporter shqiptar për fotografitë e tij në protestat e dhjetorit të viteve ‘90 në Tiranë, Roland Tasho fotografonte përpara se të ishte fotograf. Kjo është e vërtetë për çdo profesionist por në rastin e tij përjetimet dhe emocionet personale si dhe zanati janë të ndërthurura në formë të pandashme tek uni i tij. I lindur dhe rritur në Tiranë në vitet 60, tek Roland Tasho bashkëjetojnë dy elemente që e formësojnë jetën dhe karrierën e tij: dashuria për fshatin e mamasë Vodicën dhe pasioni për fotografinë. Me qashtërsi thuajse fëminore, ai flet për fshatin juglindor të Kolonjës, ku shkonte në verë te gjyshja, dhe prej nga pa kuptuar përftoi mbresat e stampuara përjetësisht tek ai si artist dhe si njeri. Fotografia erdhi tek Rolandi si mundësi punësimi por duke “pasur një aparat në dorë” thotë ai, shpejt ndjeu sesi përjetimet emocionale u ndërlidhën me vetëdijësimin për profesionin. Pas një dekade pune, në vitet 2000, në sajë të dy bursave, një nga Bashkia e Parisit, Roland Tasho fiton shprehitë e fotografimit në vendlindjen e fotografisë, njohur në kontekstin e kulturës perëndimore. Aty ku Luis Daguerre (1787-1851) kishte shpikur procesin e fotografisë i njohur si tipi dagerrian, aty ku Eugene Atget (1857-1927) kishte krijuar fotografinë dokumentuese për të përjetësuar çdo rrugicë e portal të Parisit përpara se ta përfshinte modernizimi i kohës, aty ku, midis dy luftërave botërore, një brez i tërë i talenteve nga Amerika dhe nga gjithë globi shkonin të bëheshin artistë dhe prej nga u formuan trajtat e arteve figurative në shekullin e 20, aty fotografi shqiptar instinktivisht fotografonte një kishë, një park a stol, Katedralen e Noter Damit. Roland Tasho pohon se aty “nisi të mendoj si fotograf”. Portretet, më pas, erdhën natyrshëm si “rritja e njeriut” thotë Tasho. Meqë për nga vetë natyra, fotografia është dokumentuese, prej aty buruan ciklet që formojnë copëza të portretit të madh të diasporës shqiptare në botë, duke nisur nga Italia me emigrantët më të vonshëm të postkomunizmit në Evropë A’Altra Albania (Shqipëria Tjetër) 1992-2002, (foto e kopertinës) tek të emigruarit në vendin tjetër fqinj Shqiptarë në Greqi (foto e kopertinës), albumi me foto Shqiptarë në Çeki, botimi Shqiptarë në Hungari, Bridge Builders Urë Ndërtuesit Emigracioni Shqiptar në Zvicër (foto e kopertinës), deri te koleksioni me foto të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Unë flas Shqip – I speak Albanian (2010) (foto e kopertinës). Disa nga fotot e tij janë pjesë e arkivave të Kalifornisë dhe arkiva e punëve të tij është e barabartë me atë të një institucioni. Roland Tasho ka kaluar në shumë etapa të historisë së Shqipërisë dhe të fotografisë shqiptare. Ekspozitat dhe projektet e tij sjellin gjithmonë një lidhje midis dy kohëve, dy gjendjeve, midis vendlindjes dhe shqiptarëve, midis asaj që ishte dhe asaj që është. Ai ka punuar me aparatet Praktika të viteve ‘80 dhe sot fotografon me kamera dixhitale por thotë se fokusi i tij gjithmonë ka qenë “gjetja e idesë dhe jo numri i pikseleve”. Për Tashon mund të jetë e lehtë të hap një ekspozitë retrospektive në Tiranë por është i vetëdijshëm për mungesën e vlerësimit të artit të tij.
Fotografija është një art figurativ ku për shkak të teknikave që zëvendësojnë njëra tjetrën dhe avancimeve teknologjike ka shumë “të para” si: peizazhi i parë, portreti i parë, fotoja e parë me negativ, autoportreti i parë, fotoja e parë në hapësirë, e para foto me ngjyra, e para foto dixhitale e shumë të tjera. Por ajo që është konstante është syri i fotografit që shikon gjithçka rreth vetes si nga lentja e aparatit. Për të arritur te prezantimi vizual i subjektit të fotografuar parapërgatitja nis kohë përpara se të fillojë të hapet lentja. Këtu qëndron ‘magjia’ e fotografisë e cila thotë aq shumë pa thënë asnjë fjalë, e përmbledhur në shprehjen e përsëritur shpesh “një foto është e barabartë me një mijë fjalë.”
Nga ky këndvështrim, biseda jonë mund të duket si ‘dekonstruktimi’ i fotografisë së Tashos meqënëse është prezantim verbal i shprehjeve të tij vizuale. Ky do ishte disfavor i madh për fotografinë e krijuar nga Roland Tasho i cili është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare dhe gjashtë konkurseve kombëtare të fotografisë, është paraqitur në rreth 80 galeri arti brenda dhe jashtë vendit, ka hapur ekzpozita në Shqipëri (nga viti 1992, 1993, 2008 e këtej), Itali, (1993, 1994, 2003, 2006) Greqi (2001), Belgjikë, Gjermani (1993), Argjentinë (2000), Austri (2007), Kosovë, Francë (2005), Zvicër (2002), (listë e pjesshme), dhe është autor i 14 librave e albumeve. Për të gjitha këto Dielli tentoi ta shikoj karrierën e tij si koleksion artistik duke e drejtuar lenten në formë figurative drejt fotografit, i cili ka krijuar imazhe për katër dekada me radhë.