
Bekim Adili/
Tematika bazohet në një qasje historiko-analitike dhe synon të identifikojë fazat kryesore të zhvillimit të kulturës diplomatike shqiptare në kontekstin e shtetndërtimit dhe integrimit euro-atlantik të vendit. Analiza argumenton se ky proces të paktën ka kaluar nëpër tri faza kryesore. Periudha e parë e cila lidhet me tranzicionin e viteve (1991–2001), të karakterizuar nga diplomacia e afirmimit të të drejtave dhe kërkesave për barazi. Periudha e dytë që fillon me institucionalizimin, pas Marrëveshjes së Ohrit (2001–2010). E cila krijoi bazat ligjore dhe politike për përfaqësimin e drejtë dhe përfshirjen e shqiptarëve në institucionet shtetërore. Si dhe periudha e tretë që karakterizohet me konsolidimin dhe profesionalizimin diplomatik (2010–2025). Fazë e cila shënon rritjen e rolit të kuadrove shqiptare në diplomacinë shtetërore, proceset euro-atlantike dhe diplomacinë publike.
Pra, punimi konkludon në faktin se diplomacia shqiptare ka evoluar nga një qasje kërkuese drejt një roli aktiv shtetformues, duke u shndërruar në një faktor të rëndësishëm për stabilitetin ndëretnik, integrimin evropian dhe orientimin strategjik të Maqedonisë së Veriut. Pra, që nga viti 1991 kur shteti i ri kërkonte të gjejë balancat e brendshme dhe orientimin e tij ndërkombëtar, shqiptarët u gjendën para detyrës së madhe për të afirmuar të drejtat kolektive. Për të mbrojtur identitetin e tyre dhe për të kërkuar një përfaqësim më proporcional në institucionet publike. Në këtë periudhë, kultura diplomatike shqiptare u formua si formë e durimit, argumentimit dhe këmbënguljes demokratike. Pas vitit 2001 Marrëveshja e Ohrit përbën pikën më të rëndësishme të transformimit diplomatik të shqiptarëve. Përmes saj, u krijuan mekanizma të rinj institucionalë që ndryshuan jo vetëm strukturën e shtetit, por edhe rolin e shqiptarëve brenda tij.
Përfaqësimi i drejtë, përdorimi i gjuhës shqipe, integrimi në sektorët e sigurisë u bënë bazë për ngritjen e një kulture diplomatike reale, të ndërthurura me përgjegjësi shtetformuese. Si epilog, konstatojm se në këto 35 vite, që nga koha e pavarësisë e deri sot, se shqiptarët në aktivitetin e tyre diplomatik kanë kaluar nga faza ku ishin palë kërkuese, duke u shndërruan sot në kontribues aktivë në proceset e stabilizimit dhe reformimit të vendit. Që do të thotë se në dy dekadat e fundit, qasja diplomatike e shqiptarëve në MV, ka marrë dimensione të reja.Ku, sot shqiptarët janë bërë pjesë e pandashme e orientimit euro-atlantik të shtetit, duke kontribuar në anëtarësimin në NATO, dhe aktualisht në përgatitjen për negociatat rreth antarësimit të vendit në Bashkimin Evropian si dhe në krijimin e një klime konstruktive ndër-etnike.
Rritje profesionale e cila përbën një tregues të maturimit të kulturës diplomatike të shqiptarëve në MV. Gjithashtu, një dimension i rëndësishëm, që në shumë raste nuk vlerësohet sa duhet nga studiues të ndryshëm është edhe roli i diasporës shqiptare. E cila ka shërbyer si urë komunikimi, si promotor i imazhit pozitiv të shqiptarëve dhe si forcë e heshtur diplomatike që ka kontribuar përmes lobimit në marrdhënjet ndërkombëtare. Megjithatë, sfidat për një të ardhme të sigurt ende mbeten objektiv i diplomacisë të shqiptarëve në MV. Të cilët vazhdojnë të përballen me nevojën e përfaqësimit etnik në qeveri, që nënkupton, koalicioni apo partia shqiptare e cila fiton më së shumti vota të shqiptarëve të ketë legjitimitetin politik dhe moral për të përfaqësuar shqiptarët në qeveri dhe për të marrë rolin udhëheqës në përfaqësimin e interesave të tyre.
Me përfaqësim më të drejtë dhe të thelluar në diplomacinë e jashtme. Me çështjen e zbatimit të barabartë të ligjit për gjuhën shqipe, të përfaqësimit në punësim dhe emrime si dhe të implementimit të një decentralizimi fiskal dhe të zgjerimit të kompetencave ligjore që pushteti lokal të jetë më autonom në vendimarrje. Gjithashtu, bazuar në zhvillimet globale që ndikojnë në prishjen e balancave në rajonin tonë, shqiptarët për të betonizuar statusin e tyre të barazisë, duhet të kenë si objektivë realizimin e modaliteteve që aplikohen në disa shtete të Bashkimit Evropian me situata të ngjashme me vendin tonë, si modeli belg, zvicëran apo ai spanjoll. Pra, forma të një shteti federal, konfederal, rajonal, apo të një autonomie politiko-territoriale.
Të arritura të cilat do krijonin paqe, qëndrushmëri dhe perspektivë afatgjate. Sfida të cilat nuk dobësojnë por forcojn shtetndërtimin e vendit e të cilat nuk duhet të merren si pengesa, por si një thirrje për një angazhim të ri strategjik. Kështu, sot kultura diplomatike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk matet vetëm me numrin e përfaqësuesve në institucione apo me raportet ndëretnike por ajo matet edhe me vizionin e tyre. Në këtë kuptim, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë vetëm subjekt i kulturës diplomatike, por ata janë edhe aktorë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm në këtë shtet. Ku, me konsolidimin e elitave të reja pokitike dhe diplomatike, roli i shqiptarëve në diplomacinë e vendit do të mbetet thelbësor për të ardhmen euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut.