
Shpetim Axhami/
Muaji Janar është muaji i Kongresit të Lushnjës, ngjarjes më vendimtare për shpëtimin dhe ringritjen e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore.
Roli i Ahmet Zogut në jetësimin e vendimeve të Kongresit të Lushnjës ishte thelbësor dhe i pazëvendësueshëm.
Ahmet Zogu erdhi në Kongresin e Lushnjës si përfaqësues i krahinave me tradita të thella patriotike veriore.
I shoqëruar nga qindra luftëtarë besnikë, ai luajti rol kyç në garantimin e sigurisë së punimeve të Kongresit dhe në zbatimin konkret të vendimeve të tij.
Duke vlerësuar origjinën e tij nga familja e madhe patriotike Zogolliane, aftësitë personale, autoritetin dhe krahinën që përfaqësonte, Kongresi e zgjodhi unanimisht Ahmet Zogun Ministër të Brendshëm, ndonëse ai nuk kishte mbushur ende 25 vjeç.
Menjëherë pas përfundimit të Kongresit, pasditen e 31 janarit 1920, Ahmet Zogu, si Ministër i Punëve të Brendshme, u dërgoi të gjitha prefekturave një qarkore, ku shpjegonte arsyet e mbajtjes së Kongresit Kombëtar të Lushnjës dhe vendimet historike të marra për shpëtimin e Shqipërisë nga rreziqet që e kërcënonin.
Gjatë punimeve të Kongresit, ra në sy temperamenti i vendosur dhe guximi politik i Ahmet Zogut, çka bëri që delegatët të fitonin admirim për të dhe ta votonin unanimisht për një nga postet më delikate të shtetit.
Ndërkohë, Qeveria e Durrësit, e mbështetur edhe nga forcat ushtarake italiane, u përpoq me çdo mjet të pengonte zbatimin e vendimeve të Kongresit të Lushnjës.
Përballë presioneve dhe kërcënimeve të armatosura, disa delegatë nga Tirana, Elbasani, Kavaja dhe Shijaku shprehën mendimin që të qëndronin përkohësisht në Lushnjë, nga frika e sulmeve të mundshme nga forcat italiane, të nxitura nga qeveria e Durrësit.
Këtë qëndrim e kundërshtoi hapur Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu, i cili u tha delegatëve:
“Vendimet e Kongresit do të zbatohen domosdoshmërisht dhe pa asnjë vonesë. Kjo kërkon guxim dhe punë. Unë po nisem për në Tiranë; kush të dojë, le të qëndrojë këtu.”
Siç ishte parashikuar, gjatë rrugës për në Tiranë, në Kavajë, forcat italiane të armatosura me topa dhe mitraloza i prenë rrugën Ahmet Zogut dhe shoqëruesve të tij. Një oficer italian i kërkoi ndalimin e marshimit, por Ahmet Zogu e kundërshtoi prerë, duke deklaruar:
“Unë nuk njoh asnjë autoritet tjetër, përveç Kongresit të Lushnjës.”
Pas një debati të ashpër, që rrezikoi të shndërrohej në përplasje të armatosur, oficeri italian u tërhoq dhe i hapi rrugën Ahmet Zogut për të hyrë në qytetin e Kavajës. Në Kavajë, Ministri i Brendshëm qëndroi për disa ditë, duke emëruar nënprefektin dhe administratën vendore, duke vendosur autoritetin e qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës.
Ky veprim e alarmoi qeverinë e Durrësit, e cila, duke kuptuar se nuk mund ta ndalte dot me forcë, u përpoq të përdorte dredhi politike. Ajo i dërgoi Ahmet Zogut një delegacion, duke propozuar zhvendosjen e kryeqytetit në Vlorë dhe thirrjen e një kongresi tjetër kombëtar, me kusht anulimin e të gjitha vendimeve të Kongresit të Lushnjës.
Ahmet Zogu e refuzoi kategorikisht këtë propozim dhe delegacioni u kthye pa asnjë rezultat. Falë guximit, vendosmërisë dhe këmbënguljes së Ministrit të Brendshëm Ahmet Zogu,
Në detyrën e Ministrit të Brendshlm, ai luajti një rol të pazëvendësueshëm në vendosjen e rendit dhe autoritetit shtetëror në një Shqipëri të trazuar.
Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës u vendos në Tiranë dhe që nga ai moment, Tirana mbetet kryeqytet i Shqipërisë, dhe prej këtu nis kristalizimi real i shtetit modern shqiptar nën udhëhesqjen e Ahmet Zogu si kryeministër, president dhe Mbret i Shqptarëve.