SPECIALE E GAZETES DIELLI-Roli i SHBA, besim dhe garancitë për Kosovën/
Roli i SHBA, besim dhe garancë për Kosovën/
-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u përgjigj edhe në pyetjen Gazetës DIELLI në konferencën për shtyp pas kthimit në Prishtina nga takimi i dytë i fazës finale të dialogut me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Bruksel, ku para takimit trilateral me dy presidentët përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka takuar ndaras fillimisht delegacionin e Kosovës e pastaj të Serbisë/-“Roli i SHBA-ve është besim për ne, është garancë për ne dhe është partneri ynë special apo miku ynë special”, u shpreh presidenti Thaçi. Ai theskoi se, të gjithë janë të vetëdijshëm se, normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, ndërtimi i fqinjësisë së mirë, njohja reciproke, paraqet paqe, stabilitet dhe të ardhme të sigurtë evropiane për të dy vendet dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor/
-Nga arkivi i Gazetës DIELLI: Grupi i Unitetit dhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 20 Korrik 2018/ Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë shtypi në Prishtinë ka folur për takimin e dytë të fazës finale të dialogut me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt normalizimit të marrëdhenieve, kryesuar nga Bashkimi Evropian.
“Natyrisht, kemi pasë edhe konsulta me autoritetet amerikane paraprakisht në Bruksel”, bëri të ditur presidenti Thaçi, në konferencën për shtyp, ku i është përgjigjur edhe interesimeve të korrespondentit të akredituar në Kosovë të Gazetës DIELLI, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA.
Presidenti i Kosovës tha se, në dialogun me Serbinë roli i Bashkimit Evropian është udhëheqës, por pa garancë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe të NATO-s natyrisht si një ekipë e përbashkët ndërkombëtare, nuk ka as marrëveshje, as funksionim, as implementim.
“Roli i SHBA-ve është besim për ne, është garancë për ne dhe është partneri ynë special apo miku ynë special”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai theskoi se, të gjithë janë të vetëdijshëm se, normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, ndërtimi i fqinjësisë së mirë, njohja reciproke, paraqet paqe, stabilitet dhe të ardhme të sigurtë evropiane për të dy vendet dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti kosovar Thaçi tha se takimi i 18 korrikut 2018 me presidentin serb Vuçiç në Bruksel ka qenë më i shkurti në 6 vitet e fundit.
“Por, mund të them lirisht, më i vështiri dhe më i rëndi. Nuk është lehtë me bisedu me serbin Aleksandër Vuçiç që ende mendon se Kosova është pjesë e Serbisë, do të thotë një ëndërr e serbëve. Nuk është lehtë që të bisedosh me një president të Serbisë që mendon që Kosova është zemra e Serbisë, apo Kaçaniku është zemra e Serbisë, siç u përmend.
Do të thotë pozicionet janë shumë të largëta mes veti. Ky pozicion i presidentit Vuçiç është larg realitetit”, tha presidenti i Kosovës, Thaçi.
Duke iu përgjigjur edhe më tej interesimit të medias rreth deklaratave, si në Bruksel ashtu edhe në Prishtinë, se ishte një takim i vështirë me presidentin e Serbisë Vuçiç, presidenti i Kosovës Thaçi tha:
“Nuk është e lehtë të ulesh me një zyrtar serb që deklaron që Kosova është pjesë e Serbisë kur ti përfaqëson vendin sovran dhe të pavarur. Ndoshta edhe për të nuk është e lehtë të dëgjojë atë çka e dëgjoi se Kosova është vend sovran e i pavarur dhe ky proces është i pakthyeshëm. Mirëpo, duhet të flasim me realitete dhe jo me mite. Nuk është e lehtë të dëgjosh opinione që Kosova është zemra e Serbisë, që është një mit, një historiografi e rrejshme, dhe ate që sa larg jemi nga gjetja e ujdisë për marrëveshje që për Kosovën ka kuptim vetëm njohja formale përfundimisht nga Serbia.
Marrëveshja duhet të ketë kuptim vetëm në mes të dy vendeve sovrane dhe kështu është pozicioni i Kosovës, marrëveshja përfundimtare dhe anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe BE-në”.
PYETJA E KORRESPONDENTIT NË KOSOVË TË GAZETËS DIELLI:
President pyetja vjen nga Gazeta DIELLI në SHBA, më e vjetra ne gjuhën shqipe në botë, e themeluar nga Fan Noli e Faik Konica. Po, edhe si një kronist i zhvillimeve në Kosovë shumë vite, do kujtoja fillimisht sot vitin 2005, takimin e parë të Grupit të Unitetit më 6 tetor, ku ishte qëndrimi se i vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia…Përsëri po flitet për një kompromis, sa shoh në deklaratat nga Beogradi pretendohet zhbërja e pavarësisë së Kosovës në një proces bisedimesh. Ju vazhdimisht mbroni pavarësinë që është vullnet i shumicës së popullit të Kosovës. Keni deklaruar se ka pak hapësirë për kompromis brenda shtetit të pavarur të Kosovës, duke nënkuptu për të drejtat e serbëve të Kosovës. Si i komentoni këto qëndrime?
PËRGJIGJA E PRESIDENTIT TË KOSOVËS, HASHIM THAÇI:
Të drejtat e serbëve të Kosovës janë të garantura plotësisht me Dokumentin e Presidentit Ahtisaari, janë më të afirmuara se të çdo komuniteti tjetër në Evropë, ata janë qytetarë të Kosovës, ju kemi qëndruar dhe do të vazhdojmë të jemi afër tyre.
Kosova shumëetnike është vizioni i së ardhmes evropiane.
Pse jemi në dialog apo në negociata. Jemi për hirë të së ardhmes evropiane, sepse është mesazh i qartë i gjithë lidershipit evropian, por edhe qëndrim i Bashkimit Evropian se pa normalizim të raporteve të vendeve përkatëse në Ballkanin Perëndimor, pa fqinjësi të mirë dhe pa i tejkaluar problematikat që i kanë, nuk mund të lëvizin asnjëra drejt Bashkimit Evropian. Dhe për Kosovën, në këtë rast, as drejt perspektivës në NATO. Prandaj, ne nuk e kemi atë luks që të rrimë, të shikojmë dhe të vazhdojmë me këtë gjendje të status quo-së.
Jemi dëshmitarë që për shkak të demarkacionit tre vite kemi pritur një lajm të mirë (për liberalizimin e vizave), lajmi i djeshëm ka mund të publikohet tre vite më herët, apo minimum dy vite e gjysmë.
Andaj, sa më tepër hezitojmë ne, sa më tepër i frikësohemi hapave të rëndësishëm çmimi bëhet edhe më i madh për Kosovën.
Tekefundit, mua më intereson dhe i gëzohem integrimit evropian të çdo vendi të Ballkanit Perëndimor, po unë përfaqësoj shtetin e Kosovës, mua më interson dhe punojmë që të lëvizim më shpejtë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Mirëpo, edhe në Samitin e Sofjes pozicioni i Bashkimit Evropian ishte shumë i qartë: E para, modernizimi i Bashkimit Evropian, e dyta reformimi dhe pastaj zgjerimi. Dhe, është edhe mesazhi tjetër që ka qenë shumë i qartë, ato vende që aspirojnë të ardhmen evropiane duhet t’i zgjidhin problemet e tyre mes veti.
Tash në këtë klimë të favorshme që është krijuar në rajon, në veçanti pas marrveshjes së Maqedonisë dhe Greqisë, mendoj, dhe ju e patë, që menjëherë pas asaj marrëveshje erdhi ftesa për Maqedonië për NATO.
Ne nuk duhet të biem viktimë e politikave ditore, e politikave elektorale, e populizmit, apo edhe e ndonjë zëri nacionalist.
Nëse është aspiratë dhe është e lidershipit të Kosovës e ardhja evropiane duhet të marrim guximin, duhet të jemi bashkë dhe duhet të fitojmë këtë betejë për të ardhmen evropiane siç e kemi fituar lirinë dhe pavarësinë.
Nëse është vullneti i qytetarëve të Kosovës dhe është mbi 95 për qind për të ardhmen evropiane dhe NATO-n, atëherë ne nuk guxojmë si lidership ta vonojmë të ardhmen euroatlantike të vendit tonë. Nuk e kemi atë luks, duhet të marrim thjeshtë përgjegjësitë që na takojnë, për të lëvizë më shpejtë.
E di se ndokush mund të thotë se më mirë pa marrëveshje sesa me marrëveshje jo të lehtë me Serbinë. Unë mendoj se duhet të arrijmë marrëveshje në një proces të rëndë të negociimit me Serbinë. Më së lehti është me qëndru në një vend dhe me akuzu të tjerët, por sot, përgjegjësi shtetërore dhe lidershipi është me qenë aty ku zhvillohet debati, ku zhvillohet dialogu, ku zhvillohen negociatat dhe ku merren vendimet, dhe në asnjë rrethanë spaktatorë. Lehtë është të jeshë në tribuna, po shumë vështitë është të jeshë në fushë dhe në veçanti të shënosh.
Prandaj, është momenti që njerëzit me të vërtetë të zbresin nga tribunat dhe të futen në fushen e debatit, të dialogut, të negocimit dhe të marrjes së përgjegjësive.
Anëtarësimi në NATO është në interesin e të gjithëve, është në interesin e qytetarëve të Kosovës, pse ta vonojmë ne.
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është në interesin e të gjithëve, pse ta vonojmë ne.
E ritheksoi edhe një fakt, ne kemi humbur shansin në 2014-tën për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, kur e kemi pasur pajtueshmërinë e plotë të NATO-s dhe të gjithë partnerëve, për shkak të politikave populiste apo elektorale të një spektri të caktuar politik.
Dhe shikone tash, e kemi humbë atë momentumin e mbështetjes së plotë dhe unike ndërkombëtare të miqëve tanë dhe tash as atë mbëshetje s’mund e rikthejmë, sepse bota po ndryshon. Dhe ne menojmë që gjithë bota vrapon pas nesh dhe na shikon neve dhe mendon se çka mendojmë ne.
Ne duhet të ecim me kohë dhe ndonjëherë të pretendojmë të jemi edhe më të shpejtë.
Dhe të jemi të sigurtë se nëse jemi të përgjegjshëm, nëse ne jemi unikë, nëse ne jemi ata të cilët i kryejmë obligimet që i kemi marrë para qytetarëve në përputhshmëri me vizionin tonë euroatlantik ia lehtësojmë edhe mbështetjen miqëve tonë.
Për aq sa ne ngatërrohemi këtu, atëherë edhe mbështetja ndërkombëtare do jetë shumë më e zbehtë.
Po, një gjë është e qartë, pa normalizim të raporteve me të gjithë fqinjët, kësaj radhe me Serbinë, sikurse edhe Serbia pa normalizim me Kosovën, nuk ka të ardhme evropiane. Nuk ka marrëveshje, do jemi humbës të gjithë. Ka marrëveshje, mund të ketë kritika, po do jemi fitues të gjithë.
Tek e fundit, kritika ka pasë edhe për Rambuje, edhe për Vjenë, edhe për procesin e Brukselit. Dhe çdo marrëveshje ndërkombëtare ka opinionin kritik. Nuk ndodhë kjo vetëm në Kosovë apo në Serbi. Ka kritika edhe në Serbi në raport me presidentin Vuçiç, ka kritika edhe këtu, ka kritika edhe për marrëveshje ndërkombëtare që shtete përkatëse i bëjnë me njëra-tjetrën, ju jeni dëshmitarë vetë, por kur zgjedhesh bartës i institucioneve dhe zgjedhesh lider i një partie politike ke përgjegjësi me dalë përtej opinionit populist elektoral, me marrë vendim në interes të shtetit që përfaqëson.
Dhe, mendoj se kjo veç po ndodhë në Kosovë, hapi i parë është bërë me prezencën e gjithë bartësve të institucioneve të Republikës së Kosovës në Bruksel.
Unë i besoj frymës afruese, bashkuese dhe të bashkëpërgjegjësive, por në të njëjtën kohë, me ndodhjen, me arritjen e marrëveshjes dhe njohjen formale nga Serbia për Kosovën, anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, atëherë duhet të marrin kredi të gjithë, sepse të gjithë janë meritorë. Ne jemi bartësit e institucioneve, do jemi në të ardhmen e afërt edhe nëpër kryeqendrat e ndryshme evropiane dhe botërore, kështu që do jetë një proces dinamik dhe do jetë një proces gjithpërfshirës.
18 KORRIK 2018, NË BRUKSEL U ZHVILLUA TAKIMI I DYTË I FAZËS FINALE TË DIALOGUT KOSOVË-SERBI
Në 18 Korrik 2018, nga paradita në Bruksel u zhvillua takimi i dytë i fazës finale të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, i presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt normalizimit të marrëdhenieve, kryesuar nga Bashkimi Evropian. Është ky takimi i shtatë presidencial, i pesti i presidentëve Thaçi e Vuçiç. Para takimit trilateral me dy presidentët përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka takuar ndaras fillimisht delegacionin e Kosovës e pastaj të Serbisë.
Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin Thaçi, të inauguruar në muajin prill 2016, dhe presidentin Vuçiç, të inauguruar në qershor 2017, takimi i 18 korrikut 2018 është i pesti, pas të katërtit të dielën e 24 qershorit 2018, të dy këto të fazës finale.
Ndërsa takimi i 23 marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 korrik e të dytit në 31 gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 janarit, me pjesëmarrje të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.
Në këto dy raunde presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 janar dhe i fundit që nga i pari në 19 tetor 2012.
Para pesë vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut, të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike.
Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave atëherë Isa Mustafa eAleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.
Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel.
NGA ARKIVI I GAZETËS DIELLI:
GRUPI I UNITETIT DHE DEKLARATA E PAVARËSISË SË KOSOVËS
“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova në 6 tetor 2005, në takimin e parë me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.
“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet, e lexuar nga atëherë kryeministri Hashim Thaçi të dielën e 17 Shkurtit historik 2008, në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme solemne, të nisur në orën 15:00.
GAZETA RILINDJA NË SHKURT 2008: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI
Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.
Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.
Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.
Ky numër i jashtëzakonshëm festiv i gazetës doli në 22 shkurt 2008 edhe me një redaksional që e shkruajta si kryeredaktor i saj, ku mes tjerash theksohej: “Rilindja, del sot, një ditë pas 21 shkurtit – 6-vjetorit të mbylljes, si një mesazh ndjellamirë për rikthimin e gazetës tradicionale të Kosovës pas Pavarësisë… Në këtë numër festiv për Pavarësinë botohen shkrimet ekskluzive Kosova në Rilindje drejt pavarësisë gjatë 63 vjetëve, shkrime këto që mund t’i ketë vetëm një gazetë tradicionale dhe historike. Botohen edhe raporte të gjera nga shpallja dhe festimi i pavarësisë, si dhe për njohjet e para ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.
E përditëshmja Rilindja është dëbuar kundërligjshëm nga Pallati i saj dhe detyrimisht është mbyllë më 21 shkurt 2002, vetëm pak ditë pasi festoi 57-vjetorin”.
Rilindja vazhdonte të dalë me numra të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm edhe pasi u mbyll me dëbim nga Pallati i saj nga UNMIK.