
Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/
Përvoja historike evropiane prodhoi më shumë luftra se sa paqe, më shumë shkatërrime sesa zhvillime, më shumë humbje jetësh njerëzore sesa përparim dhe begati për popujt e Europes. Për shekuj, Evropa u shndërrua në arena betejash midis njëri-tjetrit. Vetëm nga viti 1870 deri në vitin 1945 Franca e Gjermania u përleshën tre herë me njëra-tjetrën, me pasoja tepër tragjike. E kështu mund të renditim me dhjetra dhe qindra konflikte dhe luftra midis vetë vëndeve të europës. Europa asnjëher nuk ishte në gjëndje të vendoste paqen në kontinentin e vjetër. Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, dy polet e tij, SHBA dhe BS nuk ishin të barazvlefshëm. SHBA ishin që nga fillimi i Luftës së Ftohtë dhe mbeti deri në fund të saj superfuqi kryesore. Amerika ishte bërë me kohë, të paktën qysh nga fillimi i shekullit 20-të, fuqia ekonomike dhe ushtarake dominuese e botës. Superioriteti i saj ekonomik dhe ushtarak u evidentua qartë qysh gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur prodhimi industrial ushtarak i SHBA e kaloi atë të të gjitha vëndeve të tjera pjesmarrëse në luftë. Kapacitetet ushtarake të BS mund të thuhet se ishin të barabarta vetëm me forcat ushtarake të Amerikës në Evropë, ndërsa aftësia e Moskës për të projektuar fuqinë e saj në shkallë globale ka qenë gjithnjë shumë më e kufizuar në krahasim me Amerikën. Ndërsa për Evropën Perëndimore, Lufta e Ftohtë ishte një luftë kontinentale, e cila kishte të bënte me mbrojtjen e gjysmës perëndimore të kontinentit evropian nga rreziku sovjetik. Ndërsa nga këndvështrimi i interesave amerikane, ajo ishte një luftë e vërtetë globale, një front i së cilës ishte në Europë.
Për afro gjysëm shekulli Evropa u zhvillua e mbrojtur nën ombrellën amerikane. Çdo hap drejt sigurisë, integrimit ekonomik dhe politik të Evropës, u hodh nën hijen dhe nën mbrojtjen e fuqisë Amerikane dhe të NATO-s. Mjafton ti referohemi vetëm luftrave në Ballkanit të pas Luftës Ftohtë. Ato nxorën edhe një herë në pah mungesën e unitetit në radhët e Evropës dhe dobësinë e saj. Evropa nuk kishte as vullnetin dhe as aftësinë që të vendoste paqe dhe stabilitet në gadishullin e saj Jug-Lindor. Ishin SHBA siç treguan qartë ngjarjet në Bosnje dhe Kosovë, aktori detriminant dhe shumë i rëndësishëm për zgjidhjen e krizave dhe rivendosjen e stabilitetit në këtë rajon të rëndësishëm të Evropës. Përpjekjet e fundit të Evropës për t’u bërë një fuqi e madhe botërore do të kërkonin një kosto financiare shumë të lartë, të cilën europianët e sotëm, në krizën e thellë që ka mbërthyer sistemin e tyre të shtetit të mirëqenies, nuk kanë as vullnetin më të vogël ta përballojnë. Europianët do të preferonin më mirë të vazhdonin të jetonin nën hegjemoninë amerikane. Një Evrope të bashkuar në një mënyrë vërtetë efektive nuk do t’i mungonin kapacitetet e nevojshme për t’u bërë një fuqi botërore më vete. Por fuqia ekonomike dhe financiare e Evropës dhe kapacitetet ushtarake të saj nuk e bëjnë atë një fuqi strategjike globale, çka është një kusht esencial për të marë përsipër rolin e lidershipit global. Këtë edhe për shumë vite të tjera mund ta bëjë vetem SHBA.
Amerikanët bënë zgjedhjen e tyre në votimet presidenciale, bota tani filloi të shohë Ameriken të marrë përgjegjësinë për të ardhshme. Tani po prinë Donald Trump me shpresën e tij të amerikanizmit dhe jo globalizmit. Gjatë administrates Biden, vlera e ndikimit global të SHBA-së u vu në pikëpyetje. Fuqitë rajonale po shkonin secila në rrugën e vet, regjimet autokratike po bëjnë aleancat e tyre dhe luftërat shkatërruese në Ukrainë e Lindjen e Mesme(Gaza) ngritën pyetje të pakëndshme për vlerën dhe rolin e Washingtonit. Presidentit Trump tani i duhet të punojë në një botë që përballet me rrezikun më të madh të konfrontimit mes fuqive të mëdha, që nga Lufta e Ftohtë, pasi luftërat po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u dhënë fund. Trump gjatë fushates deklaroi se është koha që të “rikthehemi tek paqja dhe të ndalojmë vrasjen e njerëzve”. Gjithashtu në orët e para të mëngjesit të 6 nëntorit, në Floridë ai iu drejtua turmës së entuziazmuar të mbështetësve; “Nuk do të pushoj derisa të kemi arritur një Amerikë të fortë, të sigurt dhe të begatë, që fëmijët tanë meritojnë dhe që ju meritojeni”.
Kjo verteton atë se amerikanët e duan me shpirt lirinë, të cilën shumë europianë e marrin si diçka të natyrshme, ose e quajnë naive apo cinike, madje një fantazi amerikane. Perceptimi i përgjithshëm i një lufte në ShBA është krejt i ndryshëm nga ai që kanë europianët për të. Në ShBA, një luftë që zhvillohet prej tyre perceptohet dhe paraqitet shpesh në media si një ngjarje heroike, ku Amerika, me gjithçka që ajo përfaqëson, tregon se çfarë është e aftë të bëjë. Ndërsa për Europën, për shkak të historisë së saj, një luftë evokon qytetet që i shkatërrohen dhe civilët e pafajshëm që i vriten, asgjë më tepër. Kurdoherë që historia e ka kërkuar, SHBA kanë qënë të gatshme të paguajnë çmimin më të lartë për t’u ardhur në ndihmë të shtypurve, madje edhe në shtete që i kanë dashur asaj të keqen. Nisur nga të gjitha këto, me të drejtë lindë pyetja; Përse Europa u bë sot “xheloze”, se ndërhyri amerika për vendosjen e paqes në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme? Ku ishin tre vjet më parë? Më 24 shkurt u mbushen plot tre vjet nga fillimi i luftës në Ukrainë, qytete dhe fshatra që shkatrrohen, dhjetra, mjra ushtarë dhe civil të pafajshem që vriten dhe asnjë ndryshim.
Më 18 shkurt u zhvillua takimi i parë i nivelit të lartë mes SHBA dhe Rusisë që pas nisjes së luftës në Ukrainë. Tryeza e bisedimeve, mes ministrave të jashtëm, Rubio dhe Lavrov që në fillim arriti marrëveshjen për të punuar për paqen në Ukrainë. Palët do të angazhojnë ekipe të nivelit të lartë për ti dhënië fund luftës sa më shpejt që të jetë e mundur dhe u arrit marrëveshja për zhvillimin e zgjedhjeve të reja në Ukrainë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, që ka udhëhequr delegacionin e SHBA-së, theksoi se palët janë pajtuar edhe për të rivendosur stafin e ambasadave dhe që përveç diskutimeve për paqe në Ukrainë, ekipet negociatore do të promovojnë edhe bashkëpunim ekonomik. Ai foli për mungesën e Ukrainës dhe zyrtarëve të Bashkimit Europian në tavolinën e negociuese. Në një konferencë për media Rubio u shpreh se “askush nuk është lënë mënjanë”, dhe që dikur edhe BE-ja do të jetë pjesë e negociatave, sepse edhe blloku europian e ka sanksionuar Moskën. Sipas tij, prej këtyre bisedimeve mund të rezultojnë “disa gjëra shumë pozitive për Shtetet e Bashkuara, për Europen, për Ukrainën, për botën”, por që “e gjitha nis me përfundimin e konfliktit”. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha pas takimit se Rusia dhe SHBA-ja janë pajtuar për të krijuar kushte për të rikthyer plotësisht bashkëpunimin mes dy vendeve.
Takimi i ditës së premte Trump – Zelensky ka ngjallur shumë debate dhe diskutime, por përtej të gjithave ajo që ja vlen të thuhet sot është; Kush është në gjëndje të vendosë paqen në Ukraine dhe të ndalojë shkatrrimet dhe vrasjet, a është kjo vetëm SHBA-ja dhe Presidenti Trump? Unë si shumë të tjerëve mendoj se po. Gjatë fushatës zgjedhore, Trump është zotuar për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë shumë shpejt, ndërsa tani administrata e tij synon të përmbushë këtë zotim në 100 ditët e para prej marrjes së detyrës. Trump dhe Putin kanë zhvilluar bisedë telefonike, të cilën presidenti amerikan e ka përshkruar si sinjal për dhënien fund të izolimit diplomatik të Rusisë. Ata kanë diskutuar edhe për bashkëpunim ekonomik dhe Trump ka bërë thirrje për kthimin e Moskës në grupin e shtatë shteteve më të industrializuara në botë (G7). Rusia është përjashtuar në 2014 pasi e ka aneksuar Krimenë.
Europa me dhimbje e shikon se, investimi i një sasi të madhe kapitali, politik, ekonomik dhe strategjik në luftën kundër Rusisë ka dështuar. Trump e di shumë mirë këtë dhe prandaj po i jep fund luftës. Për shumë ukrainas, që kanë luftuar dhe kanë vdekur duke luftuar forcat ruse, një retorikë e tillë është dhe duhet të jetë e dënueshme. Por nëse shikojmë përtej atyre që janë thënë dhe thuhen, përtej sherreve me Zelenskyn, vetëm Trump megjithëse i papëlqyeshem për shumë europian mund t’i japë dhe po i jep fund luftës në Ukrainë. Evropa asnjëher nuk ka arritur të sjellë paqe, këtë e tregoi edhe takimi i dites së djeshme në Angli, ku nuk u arrit agjë.
Dhe së fundmi për të argumentuar të gjitha këto disa statistika për shpenzimet e mbrojtjes të marra nga Instituti Ndërkombëtar i Studimeve Strategjike. Në vitin 2024, SHBA shpenzoi gati 1 trilion dollarë në buxhetin e saj të mbrojtjes, e barabartë me 3.4% të PBB-së. Ndërsa, vendet e tjera anëtare të NATO-s në Europë dhe Kanadaja shpenzuan mesatarisht 2% të PBB-së për mbrojtjen. Ndërsa buxhetet e mbrojtjes të NATO-s kanë rënë ndjeshëm që nga Lufta e Ftohtë, shpenzimet ushtarake të Rusisë janë rritur me 227% që nga viti 2000 dhe ato të Kinës janë rritur me 566%. Duke analizuar 15 buxhetet më të mëdha të mbrojtjes për vitin 2024, tregon se Ukraina, një vend i përfshirë prej tre vitesh në luftë shpenzoi për vitin 2024 gati tri herë më pak se Arabia Saudite për mbrojtjen.
Pas SHBA-së, në vendin e dytë renditet Kina, me një buxhet prej 235 miliardë dollarësh për mbrojtjen. Rusia ka buxhetin e tretë më të madh të mbrojtjes në rang global, me 146 miliardë dollarë, që përfaqëson 6% të të ardhurave kombëtare të vendit, përqindja më e lartë kjo që nga Lufta e Ftohtë. Ashtu si Kina, kjo shifër është shumë më e lartë në terma realë të fuqisë blerëse, duke u rritur në 461 miliardë dollarë. Sot, arsenali bërthamor i Rusisë rivalizon SHBA-në me 5000 koka luftarake, pavarësisht se është një ekonomi e mesme. Por ajo që vërtet vlen të theksohet është fuqija ushtarake e SHBA, me mbi 895 miliardë dollarë për mbrojtje për çdo vit, mbi 2 milionë ushtarak aktivë, mbi 13 mijë aeroplanë e helikopterë, mbi 4600 mjete tokësore të blinduara dhe të llojeve të ndryshmje përfshirë tanket, 11 aeroplanmbajtëse, etj. Amerika e vetme ka fuqi ushtarake nëse bëhen së bashku, Rusia, Kina, India, Koreja e Jugut, Britania e Madhe, Franca, Japonia, Turqia e Italia. Jo vetëm për nga fuqia në terren, por buxheti i nëntë fuqive ushtarake botërore mbledhur së bashku është 773 miliardë dollarë, 122 miliardë dollarë më pak sesa Amerika. E fundit por më e rëndësishmja, Europa nuk ka bërë asnjëher dhe nuk bën pa Amerikën. Këto besoj janë mjaftueshme për të vertetuar atë që thamë më lartë.
New York 03.04 2025