Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi/Shqipëria në të kaluarën është konsideruar si “shesh beteje” i përplasjeve Lindje-Perendim. Dhe nëse shohim mbrapa në historinë tonë, ky përcaktim është afërsisht i saktë. Pozicioni gjeografik yni ka bërë që të jemi një territor i përplasjeve të mëdha e të vogla gjeopolitike të Fuqive të Mëdha, ose më saktë i shteteve të rajonit, pas të cilave kanë qëndruar e qëndrojnë gjithnjë Fuqitë e Mëdha.
Por bombardimet e NATO-s kundër Serbisë më 1999, vizita e Presidentit Anerikan, George Bush, në Shqipëri në qershor 2007, shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 dhe anëtarësimi në NATO i Shqipërisë në vitin 2009 krijuan kushtet themelore që vendi ynë, si dhe Kosova, të ndjehen të sigurt dhe të konturojnë interesat e tyre në raport me interesat e Perendimit, duke u shndërruar për herë të parë në histori në një rajon gjeografik pa ndeshjen e demave të mëdhenj në territorin tonë. Praktikisht ka ndodhur një përmbysje, krahasuar me shekujt e kaluar të historisë, sidomos me dy shekujt e fundit XIX e XX. Në kuptimin klasik të fjalës, Shqipëria nuk konsiderohet më si vend “As Lindje, as Perendim”, pozicion ky aq i lakmuar nga diktatura komuniste para vitit 1991. Ka vite që nuk përballemi gjithashtu me një koncept tjetër të dëmshëm dhe të rrezikshëm për kombin shqiptar. Eshtë fjala për slloganin “Ballani ballkanasve”, koncept, të cilit i ishte bashkëngjitur jo vetëm një pjesë e opinionit politik, por edhe qeverisja gjatë një periudhe të gjatë kohe.
Përdorimi i këtij termi ishte shpikje e fqinjëve tanë, serbëve dhe grekëve, dhe shkonte në rezonancë me mashtrimin e madh që iu bë shqiptarëve në periudhën e rënies së Perandorisë Osmane, kur territoret shqiptare u pushtuan dhunshëm në Luftrat Ballkanike nga ana e Serbisë dhe e Greqisë, duke shkaktuar mbi 25 mijë viktima të masakruar e të pushkatuar. Që aso kohe funksionoi ky lloj mashtrimi, që shqiptarët të besonin në fabulën e “Ballkanit, ballkanasve” e të mos shihnin qëllimin e fqinjëve për asgjësimin e tyre. Më e pakta pas Luftës së Dytë Botërore nocioni “Ballkani ballkanasve” synoi që të ruante statukuonë në gadishullin tonë dhe Shqipëria e territoret shqiptare të vijonin të mbeteshin peng dhe viktimë e politikës së përplasjes së vazhdueshme midis Rusisë dhe Fuqive të Mëdha Europiane.
Në kushtet e sotme, sa i përket rrezikut të cënimit të territorit, vetëm një çeshtje mbetet ende pezull, çeshtja e Mitrovicës së Veriut, territor në të cilin këto kohët e fundit ka nisur të ndërtohet nga ana e serbëve një mur ndarës. Veriu i Mitrovicës është pjesë integrale e territorit të shtetit të Kosovës, por që kur NATO vendosi trupat e KFOR-it në qershor 1999 ka ekzistuar një ndarje faktike e kësaj pjese midis serbëve dhe shqiptarëve. Sa kohë që nuk do të zgjidhet politikisht çeshtja e ushtrimit të sovranitetit shtetëror të Institucioneve të Kosovës edhe në Mitrovicën e Veriut, aq kohë Serbia dhe serbët e Kosovës do të kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të saj. Pas saj ka qëndruar e qëndron Rusia, e cila shfrytëzon çdo mundësi për të intervenuar në rajonin tonë.
Por le të kthehemi te Shqipëria. Nga pikëpamja e sigurisë territoriale për shkak të qenit anëtar i NATO-s ne ndjehemi të sigurt. Megjithatë diskursi politik dhe grindjet e vazhdueshme me vendin tonë fqinjë, Greqinë, si dhe moszgjidhja e konfliktit midis Kosovës e Serbisë krijojnë një lloj përceptimi se territori ynë në Jug të vendit, si dhe ai në very të Mitrovicës janë ende i rrezikuara. Teorikisht duhet marrë në konsideratë një kërcënim i tillë, sa kohë që Athina mban në fuqi Ligjin e Luftës me Shqipërinë, ligj të cilin e ka abroguar ndaj Italisë, si vend agresor dhe e ruan ende ndaj Shqipërisë, nga territori i së cilës Italia sulmoi Greqinë në vitin 1941 dhe sa kohë që Serbia nuk do të njohë shtetin e Kosovës. Ligji grek i luftës, edhe pse me Greqinë Shqipëria ka nënshkruar një Traktat Miqësie, Paqeje dhe Bashkëpunimi, mund të rikthehet si kazus në rrethana të caktuara për ndonjë aventurë kundër territorit të vendit tonë në Jug të Shqipërisë. Kjo mundësi bëhet më e rrezikshme po të kemi parasysh përpjekjet e Athinës për të imponuar një hartë të minoritetit grek të zgjeruar e të pasaktë, në funksion të ambicjeve të saj territoriale nën formulën e njohur tashmë të “Vorioepirit”, por edhe flirtet e saj me Moskën.
Por mund të theksojmë dy aspekte të çeshtjeve të sigurisë sonë shtetërore e nacionale:
Së pari, rrezik aktual në vendin tonë dhe në hapësirën shqiptare ballkanike është ekstremizmi dhe terrorizmi, para së gjithash ekstremizmi fetar islamik dhe bashkëpunimi me organizatat terroriste të ISIS e të tjera si kjo. Përhapja e këtij rreziku nga Siria dhe rajoni i Lindjes së Mesme në vendet europiane është një sinjal domethënës për vendin tonë dhe rajonin. Kjo luftë është një sfidë, një sfidë për shtetin dhe për shoqërinë shqiptare, përballimi i së cilës na bën të ndjehemi të sigurt ose në të kundërtën të ndjehemi të kërcënuar. Ndjeshmëritë në përgjithësi përkojnë me realitetin.
Eshtë fakt se qindra shqiptarë, nga Shqipëria, Kosova, e Maqedonia janë bërë pjesë e organizatës terroriste të ISIS. Nga Shqipëria rreth 200 persona dhe nga Kosova mbi 300, pa përmendur dhjetra shqiptarë të Maqedonisë. Jemi dëshmitarë të faktit se në disa xhami si në Shqipëri, por në në Kosovë e Maqedoni predikohet islami radikal, i cili nuk ka lidhje me islamin real të përshkruar e të dhënë në librin e shenjtë të Kuranit. Islami radikal është një fenomen i ri për shqiptarët i importuar tri çerekshekkullin e fundit pas rënies së totalitarizmit komunist dhe shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Përvoja na mëson se islami radikal në trojet shqiptare nxitet nga vendet e besimit musliman si Arabia Saudite apo Egjypti, ku gjallojnë shkollat radikale të tij. Por ky lloj ekstremizmi është gjithashtu interes I Serbisë deh Rusisë, të cilat investojnë në krijimin e një klime destabiliteti në rajon e tek ne. Një shqiptar i implikuar në organizatën ISIS dhe i ndaluar nga policia rezultoi të kishte pasaportë ruse. Por ne e dijmë tashmë nga e kaluara e hidhur e marrëdhënieve tona me Serbinë, se shteti serb investon shumë që shqiptarët të angazhohen në grupet terroriste, sidomos në ato që kanë karakter fetar islamik, me qëllim që të provojë para opinionit publik perendimor se “Shqiptarët janë ekstremistët e Ballkanit”, ndërkohë serbët qenkan “aleatët e Perendimit”. Kjo praktikë e nxitjes dhe investimit të jashtëzakonshëm për damkosjen e shqiptarëve është aplikuar që në shekullin e 19-të dhe kush mendon se Beogradi ka hequr sot dorë nga të tilla praktike dhe aventura, besoj se është naiv.
Pra, mobilizimi i dhjetra shqiptarëve për pjesmarrje në grupet islamike terroriste është pasojë e një ndikimit të qarqeve islamike si dhe përpjekjeve antishqiptare të shpallura publikisht në dokumente e memorandum, si ai I Çubrilloviçit I marsit të vitit 1927. Por ndikim të madh këto vitet e fundit po ushtron politika islamike e presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili kujdeset me shumë zell për përhapjen e modelit të tij islamik, të përshtatshëm për një qeverisje autoritare. Megjithatë duhet thënë se përgjegjësia kryesore për ruajtjen e stabilitetit është e institucioneve të shtetit shqiptar e atij të Kosovës. Ato janë përgjegjëse për gjithçka që ndodh në dëm ose në të mirë të stabilitetit, sigurisë dhe paqes në vendet tona.
Shqiptarët kanë për obligim të rrisin përpjekjet për prosperitetin ekonomik e rritjen e të ardhurave, për luftën kundër papunësisë dhe varfërisë, kundër korrupsionit dhe trafiqeve, kundër kriminaliteti dhe krimit të organizuar, kundër tregëtisë së lëndëve narkotike si dhe për rritjen e cilësisë së jetës së njerëzve. Sa kohë që ne renditemi të fundit në rajon për shumicën e këtyre treguesve, aq kohë njerëzit do të joshen nga paratë e pista të organizatave terroriste dhe shërbimeve të vendeve fqinjë për t’u angazhuar në akte terroriste. Nëse shteti dhe shoqëria jonë nuk e vlerësojnë seriozisht rrezikun real të shtetit islamik, atëherë mund të shohim që të ketë viktima të terrorit edhe në Shqipëri, ashtu si në Francë dhe vende të tjera. Në Shqipëri dhe në Kosovë janë hartuar ligje që dënojnë bashkëpunimin me organizatat terroriste, janë arrestuar dhe dënuar grupe të caktuara që bashkëpunojnë me terrozmin ndërkombëtar. Por kjo është e pamjaftueshme. Një pjesë e madhe e të angazhuarve në këto organizata janë mashtruar e me siguri do të donin kthimin e riintegrimin në vendin e tyre. Eshtë detyrë e shtetit dhe e shoqërisë që të krijojë kushtet e mundësitë për këtë.
Së dyti, në kushtet e sotme po shfaqet në horizont ankthi i ndikimit gjeopolitik të Rusisë kryesisht në rajon, por edhe në Shqipëri, në Maqedoni, pse jo edhe në Kosovë, sidomos tek serbët e Kosovës. Rusia po rikthehet në rajonin tonë përmes një veprimtarie hibrid, duke nxitur aplikimin e modelit autoritar rus në zgjedhjet elektorale dhe duke ndërhyrë direkt në këto zgjedhje. Duke nxitur e shfrytëzuar krimin, lidhjet e politikës me krimin dhe shtimin e korrupsionit, si faktorë që ndikojnë në destabilizimin e vendeve të rajonit. Duke ushtruar presion për pjesmarrje në investimet e shumta në energjitikë në rajon, për të kontrolluar territorin tonë. Dukë ushtruar presion dhe duke i korruptuar politikanët me qëllim që të mbajë ndezur vatrat e tensionit në Bosnjë-Hercegovinë përmes Republikës Srpska dhe në Kosovë, përmes serbëve që jetojnë aty. Duke nxit konfliktin politik dhe mbajtur peng reformat demokratizuese në vendet tona.
Ajo që ndodhi kohët e fundit në veri të Ibrit në Mitrovicë, pra ngritja e murit midis shqiptarëve e serbëve, me qëllim ndarjen e territorit, ka në prapavijë ndikimin e Moskës. Ndërkaq në fillim të nëntorit, kur në Mal të Zi u bënë zgjedhjet parlamentare, autoritetet malazeze arrestuan një numër të madh njerëzish të implikuar për akte terroriste, me qëllim që të vinte në pushtet opozita proserbe e proruse e Malit të Zi dhe vendi të mos pranohej në NATO. Grupi terrorist që besohet se kishte qëllim likuidimin e ish-kryeministrit properendimor, Milo Gjukanoviç, përbëhej kryesisht nga pjestarë të etnisë serbe dhe kishte qendrën e stërvitjes në Serbi me instruktorë rusë.
Rusia po përdor disa mundësi për të rritur ndikimin, influencën dhe për të diktuar politikat e saj në Ballkan. Përpjekjet e saj kryesore lidhen me evitimin e mundësisë së pranimit në NATO të Serbisë, Maqedonisë, Bosnjë-Hercegovinës. Në Serbi ka ngritur kampe të stërvitjes së elitave proruse. Ndërkaq ka studime dhe informacione të besueshme se Moska përdor financimin në kanale të zeza të fushatave elektorale, me qëllim që të sjellë në pushtet partitë politike dhe politikanët prorusë në rajon. Akoma më të komplikuar e bën situatën fakti që qeveria greke e ekstremit të majtë të kryesuar nga Tcipras ka një orientim të hapur prorus. Eshtë lajmëruar se në pranverën e ardhshme do të nënshkruhet një marrëveshje për ngritjen e një baze ushtarake detare ruse në detin Egje, nga e cila Greqia do të përfitojë 30 miliard dollarë amerikanë. Greqia dhe Serbia kanë sfiduar sanksionet e Bashkimit Europian ndaj Rusisë, të vendosura për shkak të agresionit të Kremlinit në Ukrainë dhe aneksimit të gadishullit të Krimesë. Por edhe Turqia, në kontrast me interesat e saj strategjike, kohët e fundit është orientuar në një aleancë të ngushtë me Moskën.
Një Rusi e angazhuar fort në Europën Lindore dhe Juglindore kërcënon paqen dhe sigurinë europiane. Por kërcënon gjithashtu stabilitetin dhe sigurinë e vendit tonë dhe të shqiptarëve në rajon. Rikthimi i Rusisë në rajonin tonë është një goditje e rëndë e sistemit të sigurisë, të cilin ne kemi mundur ta implementojmë përmes pranimit në NATO. Ndërhyrja ruse në rajon dhe në Shqipëri e bën akoma më të vështirë rrugën e transformimit demokratik të vendit tonë. Nga pikëpamja e modelit qeverisës shumë politikanë në vendin tonë e në vende të tjera të rajonit do të preferonin modelin e Vladimir Putin, ose të Rexhep Erdogan, sepse kështu do të mund të ruanin pozitën e tyre në pushtet dhe privilegjet që kanë sajuar për veten e tyre gjatë qeverisjes së dy dekadave të fundit. Prandaj dhe rrezikshmëria e fuqizimit të Rusisë dhe shtrirjes së ndikimit të saj në rajonin tonë është e lartë. Rreziku rus në Ballkan, në Shqipëri dhe te shqiptarët është rrezik më i madh sesa ekstremizmi fetar, i cili mund të identifikohet më lehtë e për pasojë të luftohet gjithashtu më lehtë. Ndërsa interferencat ruse në politikat e qeverisjes e të zhvillimit është vështirë të identifikohen e të luftohen. Ato kamuflohen me sa e sa steriotipe, të cilat fshehin gatishmërinë për t’iu kundërvënë këtij rreziku.
Interesi jetik i Shqipërisë dhe shqiptarëve është orientimi euro-atlantik dhe inegrimi në Bashkimin Europian. Ky interes reflektohet edhe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi ku shqiptarët kanë mundësi të bëjnë presion për realizimin e këtyre interesave. Shqipëria dhe shqiptarët në Ballkan janë aleatët më të besueshëm të Perendimit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s. Kjo i jep mundësinë dy shteteve shqiptareqë të promovojnë një qeverisje demokratike liberale, me qëllim që krahas me qeverisjen e mirë të shtohet bashkëpunimi me strukturat euroatlantike si dhe të forcohet pozicioni ynë në rajon.
Në kushtet kur vendet e tjera të rajonit po devijojnë ku më shumë e ku më pak nga orientimi perendimor e po bien gjithnjë e më shumë në ndikimin rus, Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët kanë mundësi që të pozicionohen më mirë dhe të rritin kredencialet në aleancë perendimore. Më së pari do të ishte e domosdoshme përmirësimi i imazhit përmes një qeverisjeje liberale e funksionale demokratike. Por ka dhe mundësi të tjera. Shqipëria mund t’i ofrojë NATO-s një bazë ushtarake psh Gjadrin në Lezhë. Prej këtu avionët e NATO-s mund të operojnë në misione paqeje deri në Lindjen e Mesme. Një bazë ushtarake e NATO-s në Shqipëri do të rritë garancitë për sigurinë e vendit dhe do të bëjë që vendi ynë të shkëputet përfundimisht jo vetëm nga ndikimi, por edhe nga provokimet ruse.
Kampi Bondsteel është baza kryesore e ushtrisë amerikane në Kosovë. I shtrirë në një sipërfaqe prej rreth 40 hektarë, kampi Bondsteel është mikpritës i Grupit Shumkombësh të Betejave nga vendet e NATO-s. Bondsteel mund të shndërrohet në një qendër tranziti për trupa dhe pajisje. Ai gjithashtu mund të jetë një bartës i forcës së reagimit të shpejtë për emergjencat në Baltik dhe Detin e Zi, thotë David Philips, ish-këshilltar për çeshtjet europiane në departamentin e Shtetit Amerikan. Sipas Philips, “në qoftë se SHBA-ja është në kërkim të partnerëve në një botë gjithnjë e më komplekse, ajo mund të mbështetet te shqiptarët. Presidenti i zgjedhur, Donald J. Trump, e di vlerën e një portofoli të larmishëm. Shqipëria dhe Kosova janë asete të domosdoshme. Shqiptarët janë miq të besueshëm”.