
Fatmir Terziu/
Romani “I arratisuri“ i Taip Sulkos (2024; Botimet “Naimi“) më ra në dorë mes miqsh. Ishte interesi im, si në të gjithë rastet të lexoj veprat e atyre që nuk i kam takuar fizikisht. Dhe në këtë rast është njësoj me këtë autor, pasi pashë se romani i tij ndërton një univers narrativ ku koha, kujtesa dhe vetja projektohen përmes teknikave të rrëfimit të thyer dhe poetikës së mozaikut. Ndaj u ndala në këtë studim, krahas leximit të vetë romanit në thelb. Ky studim analizon mënyrën se si romani e shndërron arratisjen nga kategori historike dhe politike në një metaforë të përgjithshme ekzistenciale, duke nënkuptuar edhe thelbin metaforik, arratisjen nga vetvetja, nga koha dhe nga mënyrat e detyruara të të jetuarit. Duke u mbështetur në konceptet e narratologjisë bashkëkohore dhe letërsisë së realizmit konceptual, artikulli shqyrton raportin mes autorit dhe vetjes rrëfimtare, funksionin e qytetit imagjinar Anadell, si dhe marrëdhënien midis kujtesës individuale dhe mitologjive kolektive. Përfundimi argumenton se “I arratisuri“ vendos një dialog të ri me traditën moderne shqiptare, duke e zhvendosur qendrën e peshës nga historia tek përvoja e ndërgjegjes.
Në këtë kontekst duhet theksuar se tek “I arratisuri“ koha si mjegull diskursohet nga fakti drejt metaforës. Le ta bëjmë më të qartë. Tek “I arratisuri“, koha nuk funksionon si linjë kronologjike, por si mjegull që hapet dhe mbyllet. Fragmentet narrative, të ndërprera nga ndërprerje të efektshme kohore refleksive, prodhojnë një përvojë që ngjan me ringjalljen e ëndrrave. Kjo duket si një poezi e kohës së paqëndrueshme që e zhvendos vëmendjen nga ngjarja tek përjetimi. Këtu shfaqet një pikë kyçe. Romani nuk synon të ndërtojë një fabul tradicionale me enigmë dhe zgjidhje, përkundrazi, ai ndërton një kozmos të ndërgjegjes, ku e kaluara, e tashmja dhe projektime të së ardhmes bashkëjetojnë në një hapësirë fluiditeti. Kjo qasje vendos romanin në afërsi me traditat e realizmit magjik dhe prozës moderniste, ku e vërteta artistike nuk qëndron në faktin historik, por në saktësinë e ndjesisë.
Autori deklaron vetëdijen për rrezikun e rrëfimit autobiografik, sepse të “rrëfesh për veten” është një fushë letrare e minuar. Në këtë plan, personazhi qendror, Ermiri, nuk është thjesht alter ego i autorit, por produkt i rikrijimit estetik. Romani arrin të ruajë një ekuilibër fin midis zërit autorial (meditativ, analitik, herë-herë sentencios), dhe vetëpërfytyrimit të personazhit (i cili vepron, shfaqet, gabon, dyshon). Kjo ndërvartësi krijon besueshmëri: personazhet nuk imponohen nga autori; ato zhvillohen përmes vetveprimit. Në termat e narratologjisë, romani shmang “autorialitetin dominues” dhe instalon një polifoni zërash, ku kujtesa individuale përzihet me kujtesa kolektive.
Duke nënkuptuar se teknika e rrëfimit të thyer përbën një rrezik objektiv për çdo prozë të gjatë, mund të cënohet kohezioni i brendshëm. Por në romanin “I arratisuri“, thyerjet organizohen rreth disa nyjave strukturore: arratisjet, Anadelli, rikthimet e personazheve në intervale të papritura. Rrjedhimisht, fragmentariteti nuk është shenjë çorganizimi, por strategji estetike. Secili fragment funksionon si guralec i mozaikut, duke kërkuar nga lexuesi bashkëpunim hermeneutik. Në këtë mënyrë, romani evoluon nga lineariteti drejt topografisë së kujtesës, një rrjet rrugësh që të kthen gjithnjë tek qendra e mungesës.
Si pasojë diskursive Anadelli mbetet qyteti si personazh, po aq dhe si arkiv shpirtëror. Kjo është pra, qyteza Anadell, me etimologjinë e saj (anë + dell), që nuk është thjesht hapësirë gjeografike. Ajo është njësi simbolike, vend ku historia njerëzore dhe historia natyrore takohen. Ndryshe nga qytetet “koloniale” të letërsisë botërore, Anadelli ndërtohet si qendër shqiptare e kujtesës, një arkiv i mënyrave të jetesës, ritualeve, frikave dhe shpresave. Në këtë kuptim, Anadelli afrohet me Makondon e Markezit, apo me qytetin e gurit tek Kadare, por pa rënë në imitacion. Ai shfaqet si metaforë e identitetit kolektiv, e një hapësire që ekziston mes reales dhe mitikes, mes dokumentit dhe legjendës.
Duke ndjekur diskursin e këtij narrativi lexuesi ndjen se arratisja trajtohet si kategori filozofike. Kjo sepse, në nivelin tematik, arratisja nuk është vetëm tentativë fizike për të lënë një vend. Ajo bëhet arratisje nga koha e imponuar, arratisje nga format e rreme të jetës, dhe mbi të gjitha, arratisje nga vetja e frikshme. Kështu, romani na çon drejt përfundimit se njeriu modern mbetet gjithnjë “i arratisur”, i dënuar të jetë në lëvizje brenda vetes. Kjo ide dialogon me traditën ekzistenciale evropiane duke prekur idetë dhe mendimet filozofike të Sartre, Camus, por mbetet organikisht e rrënjosur në përvojën shqiptare.
Themi kështu pasi elementi parësor gjuha e narrativit është një pastërti, ritëm dhe neologji. Shkrimtari Taip Sulko i përket prirjes për pastrim leksikor, duke zgjedhur fjalë shqip dhe renditje sintaksore që prodhojnë nganjëherë një tingëllim origjinal. Ky insistim nuk është thjesht purizëm. Ai shërben për të krijuar ritëm rrëfimtar, për ta afruar prozën me ligjërimin oral, pa e sakrifikuar densitetin poetik. Rezultati tek romani “I arratisuri“ i këtij autori është një gjuhë që bart njëkohësisht thjeshtësi dhe erudicion, duke mbajtur lexuesin në vigjilencë semantike.
Dua të theksoj se vetë diskursi i këtij narrativi më obligon të gjej anën më sublime të tij dhe ta shoh këtë vepër si një roman i ndërgjegjes moderne shqiptare. Kjo sepse “I arratisuri“ shfaqet si një vepër ku ndërthuren tre trajektore, trajektorja e kujtesës personale, ajo e përjetimit kolektiv, dhe dimensioni metafizik i kohës. Duke thyer linearitetin dhe duke përdorur poetikën e mozaikut, romani arrin të krijojë një diskurs të ri për “veten shqiptare”, jo si objekt historik, por si fushë e hapur reflektimi. Në këtë mënyrë, vepra kontribuon në konsolidimin e një estetike bashkëkohore shqiptare, ku historia ndjehet, por nuk sundon; ku arratisja pranohet si kusht i njeriut, por shndërrohet në mundësi për vetëdije.
Referenca orientuese:
Teoria e rrëfimit modern (Joyce, Faulkner, Calvino, Proust).
Poetika e realizmit konceptual (Garcia Marquez; Rushdie).
Konceptet e kujtesës kulturore (Assmann).
Tradita moderne shqiptare (Kadare, Xoxa).