Kleopatra Skarco-Dokle ka lindur buzë Jonit, në Vlorë. Me durimin e maturinë e vajzës së valëve pranë e larg Jonit, plot talent, muzë e passion, me zërin e saj, ajo do të bëhej shumë shpejt një nga këngëtarët më të admiruarat dhe më populloret, jo vetëm brenda Shqipërisë, por në tërë trojet shqiptare. Paradokohe ajo ishte personazh i emisionit “Arratia e Peshkut të Kuq” i gazetares Rezarta Reci në Neës 24, një emision mbresëlënës që përcjell vlera me prirje të forta qytetarie, intelektuale e krijuese. Aty në atë emision do të shihja po atë Kleopatra energjike dhe të talentuar, me interpretimin emocional dhe fuqinë e tingujve të gurrës popullore vlonjate, ashtu sikundër e shihnim në skenë dhe në evente të ndryshme artistike e muzikore ndër vite. E kanë quajtur Mbretëresha e Këngës Vlonjate dhe vlerësuar me Cmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Me atë delikatesë e pasion, talent dhe emocion ajo do të këndonte edhe këngët lumjane të Kukësit, aty ku zë fill familja e saj e mrekullueshme –dashuria e jetës. Artistja e Shquar ka mëse dy dekada që bën një jetë mes Shqipërisë e Bullgarisë. Ka disa muaj që ajo ndodhet në Neë York, pranë familjes së vajzës së saj. Në një takim mikesh mundëm t’i shkëputim këtë intervistë Artistes vlonjate. Në këtë bisedë të ngrohtë e miqësore, Mbretëresha e këngës Vlonjate, Kleopatra Skarco-Dokle gdhend me kujdes, qetësi e buzëqeshje staturën dhe imazhin, natyrën femërore, virtytet, atributet, pjekurinë artistike e muzikore të saj. Kontributin dhe energjitë e saj me dinjitet, krenari e modesti vajza e valëve joniane dhe nusja e këngëve lumjane të Kukësit, i ka vënë në shërbim të integrimit të vlerave shqiptare, duke u shëndrruar kështu një vlerë e cmuar kombëtare dhe historike e Artit dhe kulturës shqiptare. Ju lutem ndiqni bisedën.
Bisedoi:Raimonda MOISIU
Përshendetje znj. Kleopatra, jeni me një karrierë të gjatë në artin e muzikës, e njohur si këngëtare e gurrës popullore. A mund të na përshkruani momente nga eksperienca tuaj? Si jeni ndjerë kur keni kënduar për herë të parë dhe cila është kënga e parë? Cfarë viti?
Aktiviteti im muzikor i parë publik fillon me Ansamblin Popullor të Nartës në vitin 1966, nën udhëheqjen artistike të Themistokli Mones dhe të koreografit Jani Gjergji. Pikërisht në këtë aktivitet këndova këngën time të parë “Një Bahce me Portokalle” me tekst të Flamur Laros dhe muzikë të Themistokli Mones. Emocionet kanë qenë gati të papërmbajtshme e të papërshkrueshme, por akoma më e madhe ka qenë kënaqësia e suksesit të përballjes së parë me publikun, pasi u prita me brohoritje. Në ato vite lëvizja artistike amatore kishte marrë një hov shumë të madh, dhe në Festivalin Kombëtar të Ansambleve Amatore të atij viti, ansambli ynë fitoi flamurin e festivalit. Pritja e mrekullueshme e artdashësve të atij ansambli përcaktoi karrierën time të mëvonshme e deri në ditët e sotme. Në atë vit ky sukses më dha mundësine që me Ansamblin Shtetëror të Valleve dhe Këngëve Popullore, të marr pjesë në turneun prej 2 muajsh e gjysëm në Republikën Popullore të Kinës. Ovacionet e një publiku gjigand në numër siç duket rikonfirmuan pritjen e mrekullueshme që do më shoqëronte gjatë gjithë jetës në skenë. Pas kësaj, me artistët më të zgjedhur të Ansamblit të Shtetit shkuam në turne në Rumani ku krahas artistëve të shquar si Vaçe Zela, Bik Ndoja, Luçije Miloti e Hysen Kocia, isha edhe unë. Në të njejtën kohë morra pjesë në Festivalet Kombëtare të Radiotelevizionit Shqipëtar me këngët hit për kohën si; “Festë në Malësi”, “Nënë dhe Shoqe”, “Ne të Dy”, “Interesant” etj, ku gjithmonë jam vlerësuar me çmime të dyta dhe të treta. Sukseset dhe konfirmimi im si këngëtare në vitet 70-ë vazhdoi me turrneun në Kosovë në vitin 1969-ë, me Ansamblin e Vlorës ku përsëri nderohemi me çmimin e parë dhe kjo bëri që në atë vit të emërohesha si këngëtare profesioniste në estradën e Vlorës.Aty momentet e mia të eksperiencës artistike si dhe në vazhdim me lëvizjet e mia, janë të shumta dhe të mbushura me jetë. Emoconiet nuk më janë ndarë asnjëherë, por po ashtu nuk më është ndarë edhe sodisfaksioni.
–Të kënduarit ka qënë një pasion i hershëm i juaji, apo talent i lindur? -Kush ka ndikuar më së shumti në zhvillimet tuaja muzikore? ? Cfarë iu shtyhu të bëheshit këngëtare dhe pse?
Dashuria për këngën më është rrënjosur e kultivuar nga të dy prindërit e mi, të cilët këndonin shumë bukur, gjë që është trashëguar dhe mbajtur gjallë jo vetëm nga unë por edhe nga motrat e vellezërit e mi. Kënga për ne ka qenë dhe është ushqim i përditshëm. Dëshira për ta cuar më tej talentin dhe pasionin tim, më udhëhoqi e më drejtoi në gjithë rrugëtimin tim si këngëtare. Kënga u bë pjesë e pandarë e imja, me të cilën do të jemi “një”deri në fund të jetës.
-Ju jeni e njohur kryesisht për të kënduar këngë lirike, të lehta, balada, me iso të muzikës popullore dhe si një adhuruese e hershëme e juaja, kam vënë re se ju kini një mirëkuptim mes dinamikës së muzikës, të kënduarit dhe interpretimit emocional, e cila u jep fuqinë e tingujve, melodisë së këngës popullore por edhe asaj të trevave të ndryshme shqiptare në përgjithësi. Na tregoni dicka per karrieren tuaj të larmishme? A keni pasur ndonjë trajnim apo eksperiencë në këto gjini?
Në repertorin tim, krahas muzikës së lehtë të festivaleve apo në Estradën e Vlorës kam kënduar këngë jo vetëm ëVlorës sime por edhe të Gjirokastrës, Fierit, Shkodrës, Korçës pastaj për vite me rradhë edhe këngët e bukura lirike kuksiane. Kjo larmi e ka perfeksionuar procesin tim krijues. Në sajë të bashkëpunimit me shumë muzikantë, që nga Themistokli Mone, Reshat Osmani, Mishel Lako, Haxhi Dalipi, Aleksandër Lalo, Alfred Kaçinari, Ardian Hila, Shpëtim Saraçi si dhe i ndjeri Luan Borova e shumë të tjerë, më është krijuar mundësia të përfitoj më të mirën nga eksperienca e tyre dhe t’ja transmetoj atë publikut. Trajnimi ka ardhur spontan e i natyrshëm, i pandarë në krejt rrjedhën e karrierës time, kjo lidhur jo vetëm me dëshirën për të provuar veten apo për ta cuar më tej talentin por edhe me atë që unë kam qenë në lëvizje. Duke jetuar në vende të ndryshme i jam bashkuar gjithmonë jetës artistike të vendit ku kam jetuar, packa se unë gjithnjë kam pasur bazën time artistike dhe kudo kam ardhur me repertorin tim si këngëtare.
Natyrisht, bashin e vendit e zë Kënga Popullore Vlonjate dhe gjithmonë jam ndjerë e përkëdhelur nga vlerësime të ndryshme si në shtyp ashtu edhe në mediat, si “Mbretëresha e Këngës Vlonjate”.
-A keni shkruar ndonjë tekst këngësh?
Jo, tekst të mirëfilltë këngësh nuk kam shkruar, por natyrisht kam kontribuar dhe bashkëpunuar me ide lidhur me materialet që janë shkruar e kompozuar enkas për mua, kjo për efekt përshtatjeje me mënyrën e të kënduarit dhe vijës melodike.
-Në televizione të ndryshme e rrjete sociale qarkulloni me këngë dhe filmime tuajat të arkivave, por edhe të viteve të fundit, si dhe keni një album me këngë të zgjedhura tuajat. Gjithashtu keni dhënë shumë koncerte brenda e jashtë atdheut .C’mund të na thoni për këtë? Cfarë mund të presin adhuruesit nga ju?
Vitet e fundit jam marrë më pak me këngën, kryesisht si e ftuar në emisione televizive, koncerte apo evenimente festive të ndryshme. Por ndërkohë kam marrë pjesë në Festivalin Ballkanik të zhvilluar në Bullgari ku kam përfaqësuar Shqipërinë, si dhe në Festivalin e Ansambleve në Jaltë në përbërje të Ansamblit “Skënderbeu” të Korçës. Gjithashtu gjatë kësaj kohe kam marrë pjesë në koncerte në Rimini të Italisë, dhe Selanik të Greqisë. Shumë ftesave edhe nuk kam mundur t’u pergjigjem me pjesëmarrjen time, pasi kam qenë në lëvizje me familjen. Albumin me këngët e zgjedhura e realizuam si projekt bashkë me bashkëshortin tim Zehrudin Dokle, i cili ka qenë dhe regjizori im përmbi 15 vjet, si dhe në bashkëpunim me muzikantët e mirënjohur, Shpëtim Saraci, Alfred Kacinari dhe Edmond Zhulali, për orkestacionin. Ishte një dëshirë e imja që ta bëja jo vetëm për kënaqësinë time por edhe për fëmijët e mi, por duhet të them se pati shumë sukses dhe kopjet qarkulluan me shumë shpejtësi, aq sa ndoshta nuk arrita të ngop kërkesat për të, ndaj dhe kjo mbetet projekt në vazhdim.
Për adhuruesit e mi planifikoj të realizoj së shpejti një koncert recital, të shumë kërkuar nga vete ata, e të shumëpritur tashmë, ndaj me shumë kënaqësi po punoj drejt tij.
-Jetoni në Bullgari. Cfarë ju lidh me Vlorën? Po me Kukësin dhe Shkodrën?
Vlora është mëma ime, Vlora jam unë, Vlora është kënga ime.
Në Kukës u martova me bashkëshortin tim, dhe aty zë fill familja ime e mrekullueshme me dy vajzat e para, ku kam kaluar mrekullisht mund të them, dhe jam pritur plot dashuri, e respektuar në maksimum nga të afërmit , jo vetëm si nuse që shkoja nga Vlora në Kukës, por edhe nga kolegët e mbarë bashkëqytetarët kuksianë. Në Shkodër rrita fëmijët, aty linda djalin e vogël. Shkodrën e kam shumë të dashur jo vetëm për këtë fakt, por sepse kemi kaluar shumë bukur e jam trajtuar me shumë admirim dhe respekt, si në ambientet familjare ashtu edhe ato artistike të punës time të përditëshme. Lidhjet e mija me të treja këto treva janë shumë të gjalla edhe sot. Dhe të tilla do të jenë gjithmonë, dhe vizitat janë të shpeshta, është jeta ime dhe e familjes time.Sot jetoj në Sofje të Bullgarisë, një rastësi jete. Dy vajzat e mija studionin në Sofie, e madhja Olta në Universitetin e Sofjes për drejtësi dhe e dyta Borjana në Liceun e Muzikës për violinë. Një verë, pasi mbaroi shkollën djali i vogël, u nisëm për të vizituar vajzat në Sofje. Aty, djali si shumë çapkën, duke luajtur theu këmbën në një vend shumë delikat. Menjëherë ju nënshtrua një ndërhyrjeje ortopedike, dhe kirurgët e mrekullueshëm dhe të përkushtuar, pasi e operuan me shumë sukses, na këshilluan për një regjim shumë rigoroz, për një minimum prej 9 muajsh. Kjo u bë shkak që ne të vendoseshim në Sofje familjarisht në fillim përkohësisht deri sa të kalonte çdo gjë sipas këshillave të mjekëve e më vonë qëndruam përfundimisht.Përshtatja jonë në Sofje ishte fare e lehtë dhe e këndshme, atje populli është mikpritës dhe i çliruar nga komplekset nacionaliste. Në Bullgari nuk ka emigrantë shqipëtarë. Jemi gjithsej rreth 10 familje shqiptare, të integruara me dinjitet, të stabilizuara shumë mirë ekonomikisht, e me femijë të shkolluar në universitetet më prestigjioze të Bullgarisë. Atë mungesë të jetës artistike në Sofje ma plotësonte vajza e dytë e cila si violiniste dha disa koncerte recital aty, ku gjithashtu u ftua edhe nga Presidenti i Bullgarisë në ate kohë në Residencën Presidenciale, për të luajtur një pjesë nga Paganini, me Kuartetin e Harqeve të Filarmonisë të Sofjes. Më pas ajo filloi të merrej me këngën, ku formoi grupin e saj Dokle & Greesh, me të cilin ka videoklipe, pjesëmarrje në koncerte televizive, si dhe morri Çmimin Special në festivalin e 42-të të këngës në Bullgari e plot të tjera aktivitete të sajat. Këtë mangësi akoma me shumë ma plotësoi në vijim edhe djali i cili mbaroi Akademin e Arteve me rezultate të shkëlqyera për aktor teatri, ku është aktivizuar në shfaqje të ndryshme teatrale e në disa filma televizivë. Ndërsa vajza e madhe ma përmbush këtë kënaqësi nëpërmjet duarve të saja dhe krijimtarisë së saj në artet pamore dhe figurative. Gjithnjë në lëvizje, të shpërndarë, të gjithanshëm, por me një trung fort të lidhur familjar ku bashkohemi, për këtë jam më shumë krenare se gjithcka tjetër, për familjen time.
-Në opinionin tuaj si Artiste me prirje të forta qytetarie, intelektuale e talenti, a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrëdhëniet njerëzore dhe në marrëdhëniet mes kulturave të tjera ballkanike e europiane, përsa i përket muzikës?
Nuk do t’më pëlqente të flas për konfuzion lidhur me këtë temë po për larmi. Larmia ballkanike është e njohur kudo dhe arsyet tek unë qëndrojnë lidhur me marrëdhëniet e ndërthurrura historike që në lashtësi e në vazhdim. Por duhet theksuar se Shqipëria ka motive të vetat evidente, të formuara, e të pjekura, ato të muzikës së lehtë, qytetare dhe popullore, dhe cfarë nuk do të ngurroja të thosha për këtë është se ruajtja dhe zhvillimi i tyre vjen duke ruajtur bazën e mirëfilltë, nuk duhet të neglizhohet e aq më keq të shkrihet me të tjera tendenca apo të evitohet në tërësi.
-Si nënë, bashkëshorte intelektuale dhe Artiste e Kombit si ndiheni kur dëgjoni për krimin në familje, apo veset e tjera që kanë përfshirë një pjesë të komunitetit, sikundër droga e krimi? Dhunën ndaj gruas?Si mund të reflektojë shoqëria shqiptare për lehtësimin e këtyre plagëve?
Duke ngritur zërin për sensibilizim, duke gjetur forcën përtej frikës e paditurisë, forcën e pastër njerëzore, atë instiktiven. I dënoj dhe me dhëmbin shumë këto dukuri.
-Me cilin këngëtar të shquar shqiptar dhe të huaj, do dëshiroje të këndoje? Preferencat tuaja për ta?
(Qesh) Dikur doja shumë të këndoja me Gaqo Cakon nga këngëtarët shqiptar dhe Domenico Modugno nga ata të huaj, me të dy pasi i adhuroja si këngëtarë si në përformim ashtu edhe prezencë skenike.
-Kë dëshiron të falenderosh për realizimin e ëndrrës tuaj si këngëtare?
Endërra e vërtetë filloi me mua, por mbështetja është faktor lëvizës. E kur flitet për mbështetje i pari që zë vend në mëndjen time është babai im. Gjithë familjen time të madhe prej 6 motrash e 3 vëllezërish dhe nënën i kam pasur ne krah, por babai në vecanti më dha besim dhe shtytje që në momentin e parë, e kisha shok të mirë.
-Gjërat janë duke ndryshuar në rrjedhën e muzikës komerciale. Cfarë mendimi kini për këtë?
Koha është dhe gjithmonë do të jetë faktor dhe jo vetëm për tregun muzikor e atë të artit në përgjithësi. Gjithsesi arti i mirëfilltë ka pjedestalin e vet e i qëndron cdo kohe, kështu edhe me muzikën dhe këngën ndërkohë qëkurse përdoret fjala pazar apo treg muzikor, detyrimisht do të kërkohet dhe ngopja e tyre. Por në Bullgari, ku unë jetoj thonë një fjalë të urtë: “Për cdo tren do ketë pasagjerë!”
-Cili është instrumenti muzikor i preferuar i juaji? A mund të luani me të?
Ka qenë dhe mbetet kitarra. Luaj pak, me raste dhe në ambiente më të ngushta.
-Çfarë mëkati i njihni vetes si këngëtare që i përket dy kohëve, para dhe pas ’90-s ?
Mëkat do të ishte nëse do të zhgënjeja publikun tim, admiruesit e mi si këngëtare, si para ashtu edhe mbrapa 90-s, por besoj asnjëherë se kam bërë. Ndoshta mëkat bëri koha si para ashtu edhe pas 90-s, në fillim me ndrydhjen e imponuar, pastaj me tranzicionet e trazirat tronditëse duke vazhduar me trysninë e të resë dhe shpejtësinë e kërkesave të saj.
-Kush është Kleopatra Skarco Dokle? Cfarë është dashuria për ju?Kur e ndjen një grua se është e dashuruar? A keni shkruar ndonjë poezi dashurie?
Kleopatra Skarco Dokle është bijë, motër dhe shoqe, një grua e fortë dhe e ndjeshme, amvisë dhe e thjeshtë, një nënë e përkushtuar e tre femijëve dhe gjyshe e dy mbesave dhe një nipi, është artiste, është kengetarja bijë e Vlorës, dhe e skenës shqiptare.
Dashuria për mua është të ikësh nga Vlora për t’u martuar në skajin tjetër, në Kukës,për dashurinë e jetës, pa ditur gati asgjë për atë trevë të mrekullueshme lumjane. Kur vendime të mëdha bëhen të lehta pendë për t’u marrë, e ndjen dhe e di një grua se është e dashuruar. Poezi nuk i kam shkruar dashurisë, por i kam kënduar dashurisë pa rreshtur.
-Kur shprehemi “brezi i mëparshëm”, kë keni ndërmend sipas jush? Cilët janë këngëtarët tuaj më të preferuar, shqiptarë e të huaj?
Do të përmend emra të preferuar, e kështu do të kuptohet edhe cfarë kuptojmë me brez të mëparshëm: Lucije Miloti, Fitnete Rexha, Marije Kraja, Mentor Xhemali, Ramiz Kovaci, Avni Mula, Gaqo Cako e Vace Zela, fat e privilegj i artit e kulturës sonë shqiptare të patjetërsueshëm e të pavdekshëm, ndërsa të huaj do të vecoja italianët pasi ata kam ndjekur atëhere: Mina, Rita Pavone, Marcela, Domenico Modugno, e plot të tjerë nga c’kemi pasur mundësi të ndjekim në ato kohë.
-Cilat janë aftësitë profesionale që këngëtaret e reja kanë nevojë sot? Ndonjë këshillë për ata/ato që aspirojnë të bëhen këngëtarë?
Një talent, shumë punë.
-Projektet tuaja në të ardhmen? Cfarë iu ka mbetur peng?
Asnjë peng. Cdo projekt i ardhshëm do të jetë një kënaqësi, një emocion më shumë i dhënë e i marrë.
-Mesazhi tuaj për inteligjencën e shoqërinë shqiptare sot….
Mos të përqëndrohemi vetëm tek përfitimi por edhe tek kontributi.
Ju faleminderit!