


Atletet femra kanë një ndikim të madh në botën e sportit – veçanërisht vrapueset femra të cilat kanë treguar sfida dhe sakrifica të jashtëzakonshme që femrat mund të arrijnë. Arritjet e tyre shkojnë përtej thyerjes së rekordeve, dhe në garat vrapuese ato tregojnë forcë, qëndrueshmëri dhe rëndësinë e barazisë gjinore në sport. Përfaqësimi ka rëndësi, dhe të shohësh sot femrat që kanë sukses në vrapim i fuqizon të tjerët të besojnë në potencialin dhe energjinë pozitive të femrës. Ikonat e pistës atletike përgatitën fushën për brezat e ardhshëm, duke dëshmuar se femra mund të arrijë gjëra të mahnitshme në sport.
Atletet shqiptare ndër kohëra kanë frymëzuar dhe motivuar, njerëz të panumërt që të nisin vrapimin, qoftë për argëtim apo për gara sportive. Historitë e atleteve shqiptare, janë shëmbulli i përkryer i punës së palodhur dhe suksesit që i inkurajojnë njerëzit e të gjitha moshave të vendosin dhe të arrijnë qëllimet e garave të vrapimit. Një ndër to, është edhe Alma Thano Floqi, ikona korcare e atletikës moderne shqiptare, dhe e Spartakiadave sportive, pionierja kombëtare që mishëronte dhe demonstronte shkathtësinë dhe përkushtimin e saj ndaj përsosmërisë atletike.
Alma Thano Floqi i përket brezit të artë të Atletikës, pionierja korçare e atletikës shqiptare që duket sikur del nga “Muzeu historik i Sportit Shqiptar, dhe Ballkanik.”
Alma Thano Floqi do të mbetet një nga vrapueset më të njohura që ka shkelur ndonjëherë në një pistë, jo për shkak të rekordeve që vendosi, titujve apo medaljeve që fitoi, por për shkak të mënyrës se si u dha zemër, shpresë e optimizëm, atleteve femra, atletëve të rinj e të reja në atletikën garuese të vrapimit.
Origjina, prindërit, familja, përkushtimi dhe pasioni i Almës për atletikën.
Ftesës sime për të zhvilluar një bisedë, e vlerësuar “Shigjeta e Artë”, rekordmenja korcare Alma Thano Floqi iu përgjigj me emocion, nostalgji dhe aspak nuk e ndante buzagazin e saj karakteristik. Kërshëria ime ishte, të dija se si pati trokitur tek Alma, pasioni dhe dashuria për sportin, në mënyrë të vecantë për atletikën, -vrapimin.
Figura simbol dhe pionierja kombëtare e atletikës shqiptare, Alma Thano Floqi, ka lindur më 10 Prill 1962, në qytetin e Korçës. Në këte bisedë, atletja e famëshme korcare ndau sfidat dhe triumfet e saj personale, vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e palëkundur të saj që shkëlqeu dhe lanë një ndikim mbresëlënës në pistat garuese të atletikës në Shqipëri, dhe Spartakiadat Kombëtare dhe asaj Balkanike, në Turqi. Kjo intervistë do të shërbejë si një burim frymëzimi dhe inkurajimi për audiencën sportive në mbarë vendin e trojet shqiptare. Përtej arritjeve të jashtëzakonshme sportive, përkushtimi i atletes së shquar, Alma Thano Floqi, shërben edhe për një arësye tjetër, tejet të rëndësishme e njerëzore, se – përveç statusit të pioneres së atletikës, ajo qëndron ende rekordmenja kombëtare dhe mbështetje për gratë në sport, dhe burim fuqizimi për brezat e ardhshëm të sportit. Frymëzimi, inkurajimi, trashëgimia dhe shembulli i saj mbeten të pashlyeshme.
Rekordmenja korcare Alma Thano Floqi është e martuar me ish-futbollistin e klubit “Skënderbeu” të Korcës, Thoma Floqi, dhe kanë tre fëmijë, një vajzë e dy djem. E gjithë familja jetojnë e punojnë, në emigracion, Greqi.
“Jam bijë e dy prindërve të mrekullueshëm, Andre dhe Ollga Thano, të cilët me kujdes, dashuri, ngrohtësi dhe përkushtim, bënë që fëmijëria ime të ishte një fëmijëri tejet e lumtur.” – Këtu atletes famoze korcare i ndryshoi fytyra, porse ende dallohej buzëqeshja e saj. Ndjente një moment homazhi për mungesën e tyre, por dallohej edhe krenaria për origjinën dhe prindërit e saj.
“Shkolla “Sotir Gurra”, në klasën e 8-ë, (klasa jonë quhej klasë sportive), -ishte ajo ku unë nisa të demostroja fare natyrshëm talentin tim sportiv, atë të vrapimit. Aso kohe zhvilloheshin aktivitete sportive si brenda dhe jashtë shkollës dhe në një kros masiv ndërmjet shkollave të qytetit, dola e para. Pra ishin këto lloj aktivitete ku bëhej edhe përzgjedhja e talenteve të reja për atletikën. Pra, që aty nisi edhe karriera ime sportive. Më pas më aktivizonin në shumë gara dhe pothuajse në të gjitha unë rezultoja fituese me bashkëmoshataret”.
Alma Thano Floqi-është atletja femër më e dekoruara në historinë e atletikës shqiptare, një ikonë që ka arritur sukses të madh në Spartakiadat Kombëtare dhe Kampionatin Ballkanik, në Turqi duke fituar medalje ari dhe argjendi. Rreth cmimeve kombëtare e ndërkombëtare, deri në vendosjen e rekordeve, që në gjuhën sportive do të thotë “thyen rekordin”, dhe garave që kanë lënë mbresa, me atë se cfarë ajo ka arritur në atë kohë, Alma na tregon se: “Me të rejat kam rekorde kombëtare e ballkanike, madje disa herë kam qenë edhe kampione kombëtare, dhe me të rriturat kam rekordet 100/m me rezultatin 11/7. Gjashtë herë jam dekoruar nga Federata e Atletikës Shqiptare, dhe kam pasur rekordet kombëtare më të larta në 100 m me pengesa dhe shtatë-garësh (heptathlon) me 5,553 pikë, rekorde të cilat mbeten të pandryshuara edhe sot. Në Kampionatin Ballkanik që u zhvillua në Turqi, 100m/ rekordi, u vlerësova me 6-ë Medalje Ari, dhe shtypi sportiv turk, shkruante asaj kohe duke më cituar “Raketa Fluturuese” e Shqipërisë. Kam thyer 17-ë rekorde me moshat e të rinjve, që rekordin i 100m-it, ishte 11/7. Jam dekoruar 4 herë nga Federata Shqiptare e Atletikës dhe ajo e Korcës. Në 200m, 24/9 barazim, dhe rekordmene me ekipin tonë kombëtar 4 herë, në 100m, dhe u vlerësova si “Atletja më e mire” e Kampionatit.
Jam vlerësuar “Mjeshtre e Sportit” dhe me “Emblemën e Artë”, nga Bashkia e Qytetit të Korcës.
“Në kohën tonë, – vazhdon Alma, -ne ishim si një familje e madhe, prandaj arritëm të korrim ato suksese kombëtare e ndërkombëtare. Dëshiroj të përmend trainerët ikona e legjenda të atletikës shqiptare, e më tej: Piro Kasati, Tomi Stefanllari, Konstandin Peci, Gjergji Burda, Petrika Jakova, Kristaq Tili, Ladi Thëngjilli, etj, që treguan përkushtimin dhe me arritjet e tyre, ndihmuan profesionalisht në krijimin e një komuniteti vrapimi garues më gjithë-përfshirës dhe mbështetës. Puna e palodhur, sukseset, dhe trashëgimia e tyre na frymëzonin ne vrapueset e reja: Alma Thano Floqi, Pavlina Evro, Eva Licolli, Donika Hanxhara, Alma Qeramixhi, Ëngjëllushe Spaho, Lida Bllazhda, Mariela Kaciroti Burda, rekordmenja, Valbona Sina, Mariela Lico, Anila Menkshi, Natasha Mele, Pëllumbesha Kamenica, Nikoleta Sholla, etj, -që të lidhnim këpucët tona dhe të niseshim në pistë, ata na jepnin frymë dhe energji, të thyenim kufijtë e rekordeve, duke zbuluar kështu, pikat tona më të forta.Të gjithë/a ishim kampionë e rekordmenë, dhe sot e kësaj dite ruajmë marrdhëniet tona miqësore, takohemi dhe kujtojmë me nostalgji ato momente që nuk përsëriten më. Pamvarësisht kohës e moshës që kalon, ne kemi mbetur ende aktivë në promovimin e sporteve dhe mentorimin e atletëve të rinj. Dhe mesazhi im për sportin, dhe atletikën, vecmas për femrën sportiste, -është se “Pa investim ndaj inovacionit dhe përsosmërisë në sportin e atletikës, nuk ka zhvllim!”
Bisedoi: Raimonda MOISIU-SADE
Qershor, 2025, Korcë, Shqipëri.