Dr. Afrim Shabani/
Fan Noli nuk është thjesht një figurë historike e rëndësishme për Shqipërinë; ai është një ikonë kulturore që mishëron ndërlikimet e një kombi në kërkim të identitetit të tij politik dhe shpirtëror. Në veprën e tij më të fundit, Fan Noli Apostulli: Vëllimi i Parë, Ilir Ikonomi na prezanton një portret të një njeriu që lëvizte me mjeshtëri midis roleve të priftit, politikanit, diplomatit, përkthyesit, historianit, etj. Por ndërsa Ikonomi ofron një rrëfim të thellë të shumë aspekteve të jetës dhe veprës së Nolit, ky vëllim i parë ngre pyetjen: A arrin Ikonomi, me stilin e tij të shkruarit dhe organizimin e kujdesshëm të faktografisë, të krijojë një pasqyrim të plotë dhe realist të Fan Nolit si figurë historike dhe njerëzore, duke e çuar përtej thjesht lavdërimit?
Sapo përfundova leximin e parë të librit Fan Noli, Apostulli nga Ilir Ikonomi dhe jam thellësisht i mahnitur. Stili i shkruarit të Ilirit më ka bërë të ndjehem sikur kam udhëtuar në kohë, duke jetuar përkrah Fan Nolit në koloninë shqiptare të hershme në Amerikë. Ndjesia është sikur jam pranë Nolit—jo vetëm duke e dëgjuar, por edhe duke diskutuar me të, madje duke i dhënë këshilla për sfidat e kohës.
Titulli i librit është jashtëzakonisht i përzgjedhur. Nuk ka fjalë më të përshtatshme për të përshkruar rolin e Nolit për shqiptarët në Amerikën e asaj kohe se sa Apostulli. Në fakt, më lejoni t’i jap Ilirit titullin apostull i shkrimit në një periudhë kur jemi të përmbytur nga opinione dhe informacione të çrregullta. Libri i tij dallon për stilin e përkryer, organizimin e kujdesshëm dhe dokumentimin e hollësishëm. Ajo që më impresionon më shumë është se si Iliri ka sjellë natyrën njerëzore të Nolit, përtej thjesht lavdërimit të tij.
Kjo ndjesi më kujton përvojën kur lexova për herë të parë librin e Nolit “Beethoven dhe Revolucioni Francez.” Ashtu si Noli solli rregull në biografinë e Beethovenit, Iliri ka sjellë qartësi dhe rregull mbi gjithçka që është thënë dhe shkruar për Nolin. Për këtë, i jam thellësisht mirënjohës dhe e rekomandoj fuqimisht këtë libër për këdo që dëshiron të mësojë më shumë për këtë figurë të jashtëzakonshme.