
Jusuf Buxhovi/
Përkujtesë historike: 23 mars 1989
Rrënimi i autonomisë së Kosovës nga ana e Serbisë, më 23 mars 1989 në rrethanat e gjendjes së shtetrrethimit, ishin pjesë e skenarit të Beogradit për riformatizimin e Jugosllavisë në një shtet unitarist që do të mbikëqyrej nga Serbia. Demonstratat e 11 marsit 1981, me ç’rast u ripërsërit kërkesa për Republikën e Kosovës nga demonstratat e vitit 1968, u shfrytëzuan si shkas për hapjen e këtij procesi, që do të kthehet në program politik të udhëheqjes serbe me rastin e spalljes së Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve në nëntor të vitit 1986. Dalja e Millosheviqit në skenën politike si dhe përdorimi i lëvizjeve populiste për disciplinimin e federatës jugosllave, duhej të përcillej edhe me ndryshimet kushtetuese, të cilave udhëheqja serbe ua përcaktoi formatin dhe kornizat me kërkesën ” për barazinë e pozitës kushtetuese të Serbisë me subjektet tjera në federatë”. Kjo nuk do të thoshte tjetër pos rrënimi i pozitës kushtetuese të Kosovës në federatë në përputhje me kushtetutën e vitit 1974 kur ajo fitoi statusin e njësisë së barabartë federative e me këtë edhe të largimit nga tutela serbe.
Rrënimi me dhunë i autonomisë së Kosovës nuk do të ishte i mundur edhe pa aminin e njësive të tjera të federatës jugosllave që iu dha Serbisë nga aprovimi i platformës politike për Kosovën nga dy kryesitë e vendit në maj 1981, kur demonstratat e Kosovës u vlerësuan ngjarje kundërrevolucionare, vlerësim ky që hapi procesin e gjatë të diferencimit politik, viktimë e të cilit ishte arsimi, kultura, ekonomia dhe të arriturat tjera insitucionale që solli kushtetua e vitit 1974 si dhe burgosjet e qindra dhe mijëra të atyre që nuk pajtoheshin me këtë gjendje.
Në këtë proces të mundimshëm të diferencimit, udhëheqja e atëhershme politike e Kosovës, nuk ishte në gjendje që t’i kundërvihje Serbisë në rrethanat kur kishte prapa republikat tjera që secila në mënyrën e vet spekulonte me viktimizimin e Kosovës, gjë që ndoqi rrugën e mbijetimit në përputhje me logjikën që të humbet sa më pak, deri te limiti i mbrojtjes me anën e nenit 49, që nënkuptonte mos dhënien e pelqimit për ndryshime, po qe se prekej subjektiviteti i Kosovës në federatë, që shfaqej më shumë iluzion se sa realitet politik.
Në këto rrethana, udhëheqja e atëhershme (Vllasi dhe K. Jashari), në fund të vitit 1988 dhe në fillim të vitit 1989, u përpoqën që fushatës serbe t’i kundërpërgjigjeshin me demonstratat gjithëpopullore në Kosovë kundër këtyre ndryshimeve, me ç’rast u shfrytëzuan edhe minatorët për grevë dhe të ngjashme, që përfunduan me burgosjen e Vllasit dhe shpalljen e gjendjes së jashtazakoshme, që i duhej Beogradit që në Kosovë të përdorej për rrënimin e autonomisë.
Këtë e tregoi edhe farsa e votimit në Kuvendin e Kosovës, më 23 mars 1989, kur delegatët e Kosovës, nën kërcënimin e tankeve dhanë “pelqimin” për këto ndryshime, pos 11 prej tyre, të cilët votuan kundër dhe me këtë nxorën në pah dinjitetin dhe guximin politik dhe njerëzor edhe në rrethanat e kërcënmit me jetë.
RRënimi i autonomisë së Kosovës me anën e puçit kushtetues u përcoll me demonstrata të përgjakshme në gjithë vendin, meqë u përjetua si ripushtim i Kosovës nga Serbia nga pushtimi i pari në vitin 1912, që do të vazhdojë në vitin 1918 dhe 1944.
Krahas demonstratave të përgjakshme që vazhduan për shumë kohë, ripushtimi serb i Kosovës nxori në skenën politike lëvizjen kombëtare, e cila filloi me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 23 dhjetor 1989 nga intelektualët e njohur (shkrimtarë, akademikë, gazetarë dhe të të tjerë) në të cilën u përfshinë e gjithë popullata e Kosovës, me ç’rast u mor përispër jetësimi i procesit të legjtimimit të vullnetit të popullit të Kosovës i manifestuar me Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, shpalljen e Republikës së Kosovës në kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator 1990 si dhe referendumin për pavarësi, në shtator të vitit 1991.
Me to iu dha legjitimiteti demokratik lëvizjes së rezistencës institucionale dhe asaj të armatosur si pjesë e saj integrale, që me ndihmën e vendeve të NATO-s të drejtuara nga SHBA-të, pas bombardimit 72 (nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999), çoi te çlirimi i Kosovës nga pushtimi serb dhe vendosjen e saj nën protekteratin ndërkombëtar me rezolutën 1244 të KS të OKB-së nga 10 qershori 1999. Protektorati ndërkombëtar mori fundi më 17 shkurt 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës.