Bledi FILIPI/
Për këtë shkrim mora shkas nga shkrimet dhe emisionit të ditës së djeshme në mediat e përditshme kommbëtare. Mendoj me vete ku po shkojmë? Është për të ardhur keq që sot kur ecet me gjuhën e shkencës, disave u pëlqen të merren me mite a legjenda e të flasin pa prova dhe si rrjedhojë po bëhemi qesharakë në sy të botës. Nuk po kuptohet vitet e fundit se kush është gjuhëtar, kush mjek, kush jurist e me radhë, dhe mos të them që ka dhe nga ata që i bëjnë të gjitha. Një miku im më nisi dje një shkrim, duke më kërkuar t’i jepja një shpjegim pasi unë merrem paksa me etimologji, por kur pash atë shkrim dhe dhe se autori në fjalë ishte akademik, shtanga, falënderova të madhin Zot që jam një mësues dhe deri më sot u kam ofruar nxënësve ato gjëra që janë të sakta shkencërisht.
Para se të hyj në tematikën që do të trajtoj, dua t’ju them se kohët e fundit edhe ju mbase si unë keni ndjekur emisione “të forta” ku “gjuhëtarë” të vetëshpallur ngrenë zërin e thonë se shqipja është në na e gjuhëve; por ç’ke ti mund të thotë dikush nga ju, s’të pëlqen? Më pëlqen. Dua me gjithë zemër por ashtu si dhe në gjyq duhen dokumente e prova dhe gjuha do dokumente. A i kemi? Kur fillojnë? Disa të tjerë dalin e thonë me plotë bindje se Muhamedi qenka nga Skrapari dhe Jezusi nga një fshat i Mirditës. Nga njëra anë për të qeshur e nga tjetra për të grushtuar kryet. Po le të kthehemi tek çështja jonë vjetërsia e shqipes dhe etimologjia. Edhe këto dy disiplina gjuhësore kanë rregulluat e tyre, madje janë rregulla ndërkombëtare të cilat vërtetohen me dokumente. Para se të kalojmë tek çështja kryesore, do të bëni durim dhe të lexoni se ç’është etimologjia dhe si ndahet ajo. Etimologjia është një degë e shkencës gjuhësore, që merret me prejardhjen e fjalëve. Ajo përcakton se kjo apo ajo fjalë e një gjuhe është fjalë vendi apo e huazuar, zbulon lidhjet e dikurshme midis fjalëve të një gjuhe si edhe lidhjet e tyre gjenetike midis fjalëve me fjalët që u përgjigjen në gjuhët motra.
Etimologjia merr dhe studion kryesisht fjalët rrënjë të një gjuhe dhe ato që sot ndihen të tilla. Për të sqaruar drejt prejardhjen e fjalëve , ajo sjell material për krahasim nga gjuhët e afërta. Kjo është etimologji shkencore. Etimologjia popullore përcakton prejardhjen e fjalëve , duke u mbështetur zakonisht te ngjashmëria e tyre e jashtme, tingullore me fjalët e tjera të njohura zakonisht pa marrë parasysh ligjet e zhvillimit historik të gjuhëve. Fjala etimologji përdoret në praktikë jo vetëm për të treguar atë degë të gjuhësisë , që studion prejardhjen e fjalëve, por edhe për të shënuar vetë prejardhjen e fjalës (kështu themi se etimologjia e kësaj fjale është e vështirë, e paqartë). Përcaktimi i etimologjisë së fjalëve ka, veç interesit shkencor, edhe një rëndësi të madhe njohëse. Studimet etimologjike ndihmojnë drejtpërdrejt në historinë e një populli, sepse historia e një gjuhe nuk mund të shkëputet nga historia e një populli që e flet, ato janë të lidhura ngushtë me njëra–tjetrën.
Gjetja e etimologjive është një punë tërheqëse edhe për njerëzit e zakonshëm, që nuk merren me gjuhësi, por etimologjia shkencore në vetvete nuk është një punë aq e lehtë, ashtu si mund të duket në vështrim të parë. Ajo kërkon një njohje të thellë të ligjeve që kanë vepruar në etapa të ndryshme të zhvillimit historik të një gjuhe, njohje të gjuhëve motra si edhe njohuri të gjera në lëmin e historisë dhe të kulturës së popujve. Në përcaktimin e etimologjive gjuhëtari duhet të mbështetet jo në ngjashmëritë e rastit midis fjalëve, por në korkondancat fonetike, që u përgjigjen ligjeve fonetike që kanë vepruar në etapa të ndryshme të zhvillimit të një gjuhe. Së pari, duhen marrë në shqyrtim ligjet fonetike kur krahasohen fjalët, së dyti, duhet vështruar struktura gramatikore e fjalës dhe ndryshimet e saj dhe së treti, duhen pasur parasysh marrëdhëniet kuptimore midis fjalëve; fjalët krahasuar nga ana fonetike, gramatikore dhe kuptimore. Të tria këto duhet të përforcojnë dhe të plotësojnë njëra-tjetrën.
E di që u zgjata por duhej t’i sqaroja këto që të dalim tek thelbi i shkrimit. Akademiku shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Abdulla Memeti krahas shkrimit etimologjik shkencor, na sjell një arritje, etimologjinë popullore të fjalëve të mëposhtme emri i festave fetare islame të Bajramit, me prejardhje nga gjuha shqipe dhe burim nga traditat e lashta Pellazge-Ilire tezë për diskutime dhe reflektim. Me emrin Bajram, dy festat kryesore fetare Islame njihen vetëm ndër popujt që janë sunduar nga Perandoria Osmane, në trojet e lashta pellazge-ilire, jo edhe në botën arabe, siç e shpjegojnë etimologjia e kësaj fjale në gjuhën shqipe dhe historia e prejardhjes së këtyre festave sipas traditës së lashtë pellazge-ilire.
Prejardhja dhe kuptimi në gjuhën shqipe i fjalës Bajram BAJRAM-I; Bajramin (kall.): BAJ (bëj) – R (i/e re) – AMIN (lutje). Në kuptimin më të gjerë nënkupton: Bërje e lutjes (Amin),
Për pranimin e agjërimit dhe ibadeteve të tjera nga Zoti, për Një fillim të ri, pas agjërimit (pastrimit) në muajin e Ramazanit. Edhe fjala tjetër-Fitër, që i bashkëngjitet fjalës Bajram, gjen shpjegim të plotë në gjuhën shqipe: Fi (t)-ri; fillim i ri; nga fjala fit (fyt), që nënkupton fillimin e ngrënies dhe pijes pas. Kuptimi i fjalës LEBERAN në gjuhën shqipe është më i plotë dhe i qartë se në të gjitha shpjegimet përmes gjuhëve të tjera, që janë bërë nga studiuesit e derisotëm. LE (lind) BE (besim) ANË (vise, vende). Festat që lidhen mefillimin e besimeve monoteiste në ato vende. Me këtë rast duhet të përmendim faktin se, përhapësit e besimeve fetare në një Zot (monoteiste), fillimisht të fesë së Krishterë dhe më vonë të fesë Islame në botën Lindore, kanë qenë padyshim ilirët-shqiptarët, gjatë sundimit të Perandorisë Romake Lindore dhe të Perandorisë Osmane etj., etj.
Kur lexon kësi etiomash dhe nga akademikë, të vjen të ulërish. Qesharake por dhe mjerane se ku po e katandism veten. Njeriu thoshte i ndjeri prof. Demiraj duhet të flasë e shkruaj me mend në kokë dhe këmbë në tokë. Nëse vazhdojmë të flasim kështu do të bëhemi qesharakë në sy të botës. Nga ana tjetër në Top Chanal të ftuar profesori i nderuar Xhevat Lloshi, Elena Kacaqi dhe si fillim fjala i jepet Elenës e cila me pasion flet për gjuhën shqipe si çelës i gjuhëve botërore dhe se çdo fjalë rruzulli ka kuptimin shqip. Flet me pasion për fjalët rrokore etj. Kur merr fjalën prof. Lloshi, dhe flet me gjuhën e shkencës, me maturi dhe kulturë, e Kocaqi mundohet t’i ndërpresë fjalën. Profesor Lloshi sjell fakte të mbështetura në shkollat më në zë dhe literatura botërore të viteve të fundit. Dhe nga ana tjetër me një qetësi shkencëtari filonë të sjellë argumente shkencore dhe arritjet e deritanishme të shkencës gjuhësore shqiptare. Por nga ana tjetër zërit kundra do ti bashkëngjitet edhe Llalla, i cili dashur padashur rrëmbehet nga emocionet dhe fyen profesorin.
Kocaqi nga ana tjetër që hedh baltë mbi nismëtarët e etimologjisë shkencore shqiptare dhe në adresë të AShSh-së. Profesor Lloshi sërish me kulturë mundohet t’i shpjegojë rolin e AShSh-së por sërish ajo zhurmuesen dhe këmbëngulëse që shqipja gjuha më e vjetër në botë.
Por siç e thekson edhe prof. Lloshi nuk mund të flasim për gjuhë të vjetra mbi dy mijë vjeçare, pasi këtu lind gjuhë tjetër e re. Nga debati i krijuar në studio, më pëlqeu shprehja e prof. Lloshit, që duhen ndërgjegjësuar shqiptarët për prejardhjen e shqipes dhe etimologjitë shkencore. Përse them se më pëlqeu? Them më pëlqeu pasi kohët e fundit mediet jaanë mbushur me persona të që i kanë hyrë etimologjisë popullore dhe po keqinformojnë brezat.
Të gjithë duam që gjuha jonë të jetë e stërlashtë, pasi e meritojmë se jemi një popull i lashtëë dhe në tokat tona, porse kur vjen puna tek historia e gjuhës dhe etimologjia duhen fakte, ashtu sikur kërkon dhe historia. Këto gjëra me përpikëri dhe maturi u përpoq profesori i nderuar t’i shpjegonte, porse është e vështirë që shkenca të pranohet nga të gjithë. Gjuhësia shqiptare ka një shkollë të sajë që është arritur me mund e përpjekje, ka fillesat e etimologjisë që ka ecur paralel me ato botërore dhe është mëkat të hidhet baltë mbi punën e vyer të atyre që shkrinë jetën për të. Etimologjia popullore u ngjet përrallave që pëlqehen nga të gjithë, dëgjohen me gojë hapur, por ama etimologjia shkencore përballet me faktedhe krahason. Është bukur të themi që gjuha shqipe është shqip se është “gjuhë e shqyer” siç e cilësojnë etimologë popullorë, por nëse pëballemi me shkencën dalim qesharakë. Nuk ka ngelur fjalë e familjes indoevropiane pa e pasë zanafillën nga shqipja. (Megjithëse tashmë kanë dalë edhe nga ata që po nxjerrin edhe nga familja semitike.) Kur përballesh me gjykatat duhen letra ashtu dhe gjuha do shkrimet e saja për të bërë krahasimet me gjuhë të tjera të po asaj familjeje. Si përfundim, dua të theksoj se emisione të tilla duhen, por të flasin specialistët ashtu siç foli prof. Lloshi. Debati? Po edhe ai duhet pasi nga debati lindin rezultate, por në debate do folur me maturi, duhen sjellur fakte jo të hedhim baltë mbi ata shkencëtarë që e gjetën shkencën e gjuhësisë zero dhe hodhën themelet e hekurta të saj.