KOSTA NAKE/
Nga moria e mënyrave dhe mjeteve për pasurimin e gjuhës shqipe te romani “Karpa” kam veçuar tri raste fjalëformimi me prejqrdhje dhe një rast me kompozita.
Që te romani “Rrathët” e vendosa Camajn krah Kadaresë për parapëlqimin e prapashtesës ~shëm. Edhe te ky roman konstatoj se kjo është prapashtesa më prodhimtare në krijimin e fjalëve të reja. Kam numëruar rreth 85 fjalë që më tingëllojnë të reja dhe më shumë se 50 prej tyre përdoren për here të parë krahasuar me romanin paraprijës. Funksioni kryesor i këtyre fjalëve është ndajfoljor dhe vetëm katër raste janë si mbiemra. Po sjell vetëm ato fjalë që janë përdorur më shumë se një herë:
argëtueshëm, drojshëm, i gjithëmbarshëm, pakujtueshëm, përfrigueshëm, shlirueshëm, vëmendshëm, zilishëm.
Prapashtesa e dytë që më tërhoqi vëmendjen për pasurinë e saj është ~as/z dhe dallohen për një fushë më të gjerë pasurimi pasi përveç mbiemrave dhe ndajfoljeve, shtrihet edhe në sitemin emëror. Mbizotëruese janë ndajfoljet, si: ballafaqas, bashkas, kalamendas, kalaz, mburras, ndamas, ngulmas, pandërpremas, përpiktas, saktas.
Fjalëformimi me parashtesën për~ shtrihet në siistemin emëror, foljor, por edhe te mbiemrat dhe ndajfoljet.
Emra: përditje, përdhunë, përkënaqje, përlavdim, përsjellje.
Folje: përflitet, përjarg, përngjaj, përnjësohet.
Ndajfolje: përbrenda, përethshëm, përfrigueshëm, përkënaqshëm, përpikëtas.
Mbiemra: përbamës, i përbrijshëm, i përndjekun.
Ndër kompozitat mjaft prodhuese shfaqen në pjesën e pare emrat krye dhe punë dhe përemri gjithë si: kryenaltë, kryepincingul, kryepingul, kryevogël, punëdorësi, punëmadhësi, gjithëditën, i gjithëmbarshëm, gjithjetën. Për pjesën e dytë më tërhoqën vëmendjen kompozitat ballafaqas, prishakandas, dijekeqas.
për~: përbamës, përblozë, përbrenda, i përbrijshëm, përbujshëm, përditje (përditshmëri), përdhunë, përethshëm, përflitet, përfrigueshëm, përjarg, përkundra, përmbas (nd), përmbi, përngjaj, përjetës, përjetim, përjetoj, përkënaqem, përkënaqje, përkënaqshëm, përlavdim, përlavdohet, përmajesh (nd), i përndjekun, përngadalë, përnjësim, përnjësohet, përpikëtas, lope përqumështi, përsjellje, përvijë.
~as/z: bestytës, dalëzotës, i dhanë deshtas (me dashje), dijekeqas, haptas, jermas, kobojas (banor), ndërlidhas (nd), përbamës, përzies (e), rrafshas, rrëmbyes (mb), shkëmbyetas, shqyrtues (mb), fshamje trishtuese, shtrihej vutas, zhbiruetas, zhgjetues (mb).
KOMPOZICIONI I NJË VEPRE
(Vepra 8, Onufri 2010,
“DRANJA, madrigale mbi fatin e një frymori të papërsosun”)
E shkruar në gjysmën e dytë të viteve ’70 të shekullit të kaluar, kjo vepër më çon një dekadë para se të shkruhej, atëherë kur beharet e fëmijërisë sime i kishin breshkat një përbërës zbavitës. Shkonim për t’i kullotur bagëtitë deri te Përroi i Thellë afër Ziçishtit e Shënkollasit dhe lirishtat mbi të ishin rezidenca e tyre kryesore, ishin të shumta prandaj kishte për çdo fëmijë; duke qenë ne të vegjël, ato na dukeshin të mëdha, hipnim mbi to dhe i përdornim për të rrëshqitur te faqet e pjerrëta të përroit. Nganjëherë tregoheshim edhe mizorë, sidomos kur kujtonim se ato kishin shërbyer si ushqim për trupat italiane të pushtimit.
Martin Camaj vjen me një personazh të tillë, të quajtur Dranja, por shpejt bëhet lidhja me emrin vajzëror Drande, emër që shkon pastaj te trëndafilja. E konceptuar me tri pjesë dhe e realizuar poetikisht me madrigalë, vepra mund të lexohet në rrafshin e drejtpërdrejtë duke zbuluar autorin si vëzhgues i hollë, por edhe në rrafshin simbolik, pasi largimi i Dranjes nga ana e Drinit bëhet shprehës i fatit të vetë Camajt.
Në dy pjesët e para “Përvojë jete” dhe “Mprehje shqisash” breshka zhvendoset në natyrë duke vështruar me sytë e autorit, kurse në pjesën e tretë “Fryma e ngujueme në asht” jep rizbulimin e Dranjes këtë herë vetëm si zhguall. Arshi Pipa ka bërë një analizë të detajuar për këtë vepër.
VËSHTRIM METRIK
(Vepra 9, Onufri 2010,
përmbledhjet poetike “Nji fyell ndër male” dhe “Kanga e vërrinit”)
Strofat:
Te përmbledhja poetike “Nji fyell ndër male”, botuar në Prishtinë në vitin 1953, bien në sy ndërtimet strofike me një mbizotërim të strofës katërvargëshe në 24 poezi, kurse strofat e tjera janë me numër të pakët, dy pesëvargëshe, një trevargëshe dhe një gjashtëvargëshe.
Te përmbledhja poetike “Kanga e vërrinit”, botuar në Prishtinë vetëm një vit më vonë, ky raport ka ndryshuar duke nxjerrë në plan të parë 22 poezi me varg të lirë, 13 poezi me strofa katërvargëshe, dy poezi me strofa dyvargëshe dhe gjashtëvargëshe, nga një poezi me strofë trevargëshe, një pesëvargëshe dhe një sonnet.
Rimat:
Te përmbledhja poetike “Nji fyell ndër male” mbizotëron rima e kryqëzuar ABAB me 20 poezi, rima e puthur dhe rima e alternuar me nga dy poezi, te poezia me tercina skema është ABA BCB, te dy poezi pesëvargëshe skema është ABABC DEDEC, kurse te dy poezi me strofa gjashtëvargëshe skema është ABABCC.
Te përmbledhja poetike “Kanga e vërrinit”, Camaj ka përdorur vetëm rimën e kryqëzuar me 12 poezi, në një poezi skema është ABCB,
rima e puthur ndeshet vetë te dy poezitë me distikë, te poezitë me tercina, me pesë dhe gjashtë vargje skemat janë njëlloj me vëllimin paraprijës, kurse soneti është shkruar me skemën ABAB CDCD EFG EFG.
Vargjet:
Te përmbledhja poetike “Nji fyell ndër male” ka një larmi vargjesh duke filluar nga 7-rrokëshi te 12-rrokëshi, si dhe kombinime të ndryshme brenda strofave. Camaj nuk është i gurtë ndaj masës së rrokjeve, prandaj ka një mes 11 dhe 13 rrokjeve në 13 poezi. Ndër kombinimet vendin e parë e zë kryqëzimi i 12-rrokëshit me 8-rrokëshin, në strofat katërvargëshe tre vargjet e para janë 11-ose 12-rrokësh, kurse vargu i katërt është 5-, 6- ose 7-rrokësh.
Te përmbledhja poetike “Kanga e vërrinit” Camaj priret nga vargjet e kombinuara me zhvendosje të vargut të shkurtër nga vargu i dytë te i katërti, kurse te strofat gjashtëvargëshe më të shkurtër janë dy të fundit.