
Hisen Berisha/
Ngërçi politik që ka mbërthyer Kosovën pas zgjedhjeve parlamentare, me pamundësinë për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, nuk është thjesht një krizë kalimtare. Ai është manifestim i një sindrome më të thellë: mendësisë moniste të pushtetit, ku vullneti politik i një grupi të vogël, i centralizuar rreth liderëve të caktuar, vihet mbi ligjin, mbi institucionet dhe mbi interesin kombëtar.
Ky bllokim institucional nuk është vetëm pasojë e arrogancës politike, por, sipas burimeve të shumta brenda dhe jashtë vendit, lidhet me frikën nga humbja e imunitetit dhe ndjekja penale e figurave kyçe, përfshirë Kryeministrin në detyrë dhe ministra të rëndësishëm që përballen me akuza të mëhershme për fshehje pasurie apo menaxhim të dyshimtë të fondeve, dhe korrupsion i niveleve të larta si ai në rezervat e shtetit, energjetikë, etj. Për çka po hetohen zyrtarë, ministra dhe vet Kryeministri në detyrë.
Kjo frikë ka prodhuar një strategji të qëllimshme të mbajtjes peng të institucioneve, për të shmangur transparencën, për të bllokuar drejtësinë dhe për të mbajtur të mbyllura kanalet e përgjegjësisë.
Ndërkohë, raportet e vazhdueshme për keqpërdorim të fondeve të dedikuara për projekte të sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë, mungesa e sqarimeve rreth fondeve të Diasporës, si dhe rënia e ndjeshme e lirisë së mediave – e konfirmuar nga raportet ndërkombëtare – vetëm sa e thellojnë krizën.
E gjithë kjo ndodh në një moment kur rendi ndërkombëtar është në tronditje, dhe Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për institucione legjitime, për partneritet me SHBA-të dhe për stabilitet të brendshëm. Por, me një qeverisje që nuk ka pasur asnjëherë certifikim sigurie për të hyrë në komunikim të drejtpërdrejtë me Shtëpinë e Bardhë, dhe me një Kuvend të paralizuar nga kalkulimet e frikës dhe kontrollit politik, vendi është në prag të rrëshqitjes në një vakuum institucional dhe një terren të rrezikshëm për sigurinë nacionale.
Në këtë rrethanë, rreziku real nuk është vetëm zgjedhja e vonuar e institucioneve, por degradimi i konceptit të shtetit funksional. Sepse aty ku nuk ka ndarje të pushteteve, nuk ka më demokraci. Dhe aty ku nuk ka demokraci funksionale, nuk ka më garanci për asnjë aleancë strategjike.
Është momenti për reflektim kombëtar dhe veprim institucional, për të ndalur rrëshqitjen drejt një autokracie të brendshme me pasoja gjeopolitike.