PhD DRITAN DEMIRAJ
(STRATEGJIA RUSE E LUFTËS KIBERNETIKE, HIBRIDE, KONFLIKTIT MEINTENSITET TË ULËT DHE DIZINFORMIMIT NËPËRMJET PËRDORIMITAKTIV TË MEDIAVE SOCIALE DHE JO VETËM).
Prej disa muajsh vëmendja e SHBA-ve, BE-së, NATO-s, shërbimeve inteligjente civile dhe ushtarake është përqëndruar në zhvendosjen e mbi 90.000 trupave ruse së bashku me teknikën e avancuar ushtarake në kufirin lindor të Ukrainës me frikën se mund të përsëritet skenari i vitit 2014, kur Rusia në mënyrë të njëanshme vendosi pushtimin dhe aneksimin e Gadishullit të Krimesë. Këtyre provokimeve i është shtuar edhe presioni që po i bën BE-së pas vendosjes nën sanksione edhe presidenti i Bjellorusisë, diktatori Aleksandër Lukashenko, veprimet e të cilit kanë provokuar futjen e shumë refugjatëve nga Lindja e Mesme në kufijtë e Polonisë, Lituanisë dhe Latvias. Por agresiviteti i ditëve të sotme të Rusisë, nuk është asgjë tjetër më shumë sesa vazhdimi i një plani të qartë 20 vjeçar, i cili vazhdon të zbatohet dhe “suksesi” i saj në gjykimin tim ka ardhur si pasojë e veprimeve, kundërveprimeve dhe masave të dobëta, joproduktive të SHBA-ve (sipas vetë ish zyrtarëve më të lartë të agjensive të sigurisë në SHBA), NATO-s, BE-së dhe aktorëve të tjerë të rëndësishëm në botë. Në këtë shkrim do të mundohem të analizoj përmes disa ngjarjeve dhe fakteve strategjitë e Rusisë, implementimi i së cilave ka bërë që Rusia të shtojë rreziqet, kërcënimet dhe agresivitetin e saj kundër Ukrainës, madje duke kërcënuar edhe se do ta pushtojë atë nëse kalohen “vijat e kuqe” të Kremlinit. Po kështu kemi parë ndërhyrjen e saj në të kaluarën në Gjeorgji, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnje dhe Hercegovinë, Republikën e Kosovës sidomos në këtë të fundit duke përdorur strategjinë e saj të dizinformimit, propagandën, veprimet destabilizuese në veri të vendit, duke implementuar “fuqinë e butë” në bashkëpunim me aleatin e saj strategjik në Ballkanin Perëndimor, Serbinë dhe ministrin e propagandës së Milosheviçit, Aleksandër Vuçiç.1. Në vitin 2004, Rusia filloi të përdorë gjerësisht strategjinë e korruptimit të zgjedhjeve si një përpjekje për të dëmtuar sigurinë e proceseve dhe institucioneve demokratike në vendet e interesit të saj kombëtar. Pas disa përpjekjeve për rreth një dekadë në raport me sistemet elektronike që monitoronin dhe vendosnin përfundimin e rezultateve të makinerisë zgjedhore, Kremlini dhe dy drejtoritë e tij kryesore të inteligjencës ai ushtarak (GRU) dhe drejtoria e shërbimit të huaj të inteligjencës (SVR) përmirësuan dhe modifikuan objektivat dhe qasjen e tyre. Në vitin 2004, Rusia mbështeti fuqishëm gjatë fushatës elektorale kandidatin pro rus Viktor Janukoviçin, duke i dhënë fushatës së tij më shumë se 300 milionë dollarë dhe duke helmuar kundërshtarin e tij kryesor Viktor Jushçenko. Në fakt kjo ndërhyrje provokoi atë që në ditët e sotme njihet si “Revolucioni Portokalli” në Ukrainë.2. Strategjia e Putinit fillimisht filloi të testohej dhe u ekzekutua në vitin 2007 në Estoni. Në vitin 2007, qeveria e Estonisë mori vendim për të hequr monumentin e Luftës së II-të Botërore, atë që njihej si “Ushtari i Bronxit” nga kryeqyteti Tallinn, duke e çuar në një varrezë ushtarake në periferi të kryeqytetit. Vendimi për largimin e saj ishte i diskutueshëm, për shkak se ky monument ishte një simbol përçarës. Ai pasqyronte fitoren e Ushtrisë së Kuqe mbi nazistët, ndërsa për Estoninë dominimin e tyre nga Rusia. Përgjigja e Moskës për heqjen e statujës ishte ekzekutimi i një sulmi kibernetik, i cili paralizoi menjëherë të gjithë vendin, duke ç’aktivizuar gjithë shërbimet online të bankave, mediat sociale dhe të gjithë aktivitetin e ministrive të saj. 3. I njëjti sulm kibernetik u ekzekutua edhe kundër qeverisë së Gjeorgjisë pak më parë se të realizohej pushtimi i saj në vitin 2008. Ky pushtim u realizua në momentin kur SHBA-të kishin përfunduar ristrukturimin e gjithë ushtrisë së saj, duke investuar disa qindra milionë dollarë në reformat e mbrojtjes së ushtrisë së Gjergjisë, e cila ishte pranë marrjes së ftesës për tju bashkuar NATO-s. Gjatë fillimit të konfliktit ushtarak në muajin gusht 2008, i cili siguroi pushtimin e Abkazisë dhe të Osetisë së Jugut nga territori i Gjeorgjisë, Putini përdori si justifikim “Precedentin e Kosovës” me qëllim që të ligjitimonte njohjen ndërkombëtare të këtyre dy republikave, të cilat në ditët e sotme njihen vetëm nga Rusia, Venezuela dhe Nikaragua. Rasti i Gjeorgjisë, tregoi përpjekjet e Rusisë që të përdorte shpalljen e pavarësisë së Kosovës, me qëllim që të realizonte strategjinë e përdorimit të politikës së saj të jashtme në vendet e interesit të ish republikave të Bashkimit Sovjetik.4. Në vitin 2009, Kremlini arriti që të sigurojë fitoren e partisë anti Europiane Pyrrik në Modavi. Megjithëse kjo parti nuk arriti të formonte qeverinë, ajo e detyroi Bashkimin Europian që të ishte më i vëmendshëm në zgjedhjen e ardhshme parlamentare që u zhvilluan në fund të vitit 2009, duke mundësuar fitoren e partive pro Europiane në Modavi.5. Në vitin 2010, Rusia përsëri arriti që me përfshirjen efektive të operativëve të GRU-së dhe të shërbimit të huaj të inteligjencës (SVR) të siguronte fitoren në zgjedhjet presidenciale të presidentit pro rus Viktor Janukoviç në Ukrainë, por në vitin 2014 ai nuk arriti të rizgjidhej, pavarësisht ndërhyrjes aktive të këtyre njësive dhe aplikimit të operacioneve kibernetike, duke përdorur sulme kibernetike me qëllim ndërrimin e rezultatit zgjedhur dhe ‘infektimin’ e serverave ku ndodheshin rezultatet e votave. 6. Të gjitha strategjitë sa më lartë por jo vetëm, krijuan kushtet për pushtimin e Gadishullit të Krimesë në vitin 2014. Në vitin 2014 gjatë pushtimit të Gadishullit të Krimesë Rusia përdori aktivisht luftën hibride. Arkitekti i luftës hibride në Rusi është Gjenerali Valeri Gerasimov, një veteran i luftës së II-të Ruso-Çeçene, i cili u emërua nga presidenti Putin si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë në vitin 2012 dhe vazhdon edhe në ditët e sotme. Një vit pas emërimit të tij, ai publikoi doktrinën e re të luftës së ushtrisë Ruse. Gjenerali Gerasimov e konsideronte luftën konvencionale midis ushtrive të mëdha si diçka që i kishte kaluar koha. Në vend të saj, ai propozonte: “Kryerjen e operacioneve në distanca të largëta, veprime aktive kundër kundërshtarëve, operacione aktive sa i përket fushës së informacionit dhe pajisjeve që i shpërndanin ato. Sipas tij, hapësira e informacionit krijonte mundësi për mundësi asimetrike për të luftuar një kundërshtar të fuqishëm. Është e nevojshme një strategji dhe një model i ri operacionesh ushtarake pasi rregullat e luftës kanë ndryshuar. Aktorët dhe mjetet jo ushtarake janë të rëndësishme për të arritur objektivat politike, strategjike dhe në shumë raste ato kalojnë edhe fuqinë e përdorimit të armëve dhe efektivitetin e tyre”. Kjo në Rusi quhet “Doktrina Ushtarake Gerasimov” ose “Lufta e Gjeneratës së Re”. “Doktrina Ushtarake Gerasimov” u ‘armatos’ në momentin kur Putini urdhëroi pushtimin e Gadishullit të Krimesë në vitin 2014, duke pushtuar në të njëjtën kohë edhe rajonin lindor të Ukrainës, Donbass. “Lufta hibride është një kombinim i shkëlqyer i befasisë, paqartësisë, konfuzionit dhe mohimit të besueshëm, në atë mënyrë që mundëson ndalimin e çdo reagimi efektiv”. Në fillim të sulmit, hakerat rusë sulmuan rrjetin elektrik të Ukrainës, duke nxjerrë jashtë përdorimit tri sistemet shpëndarëse të kompanive të energjisë, duke shkaktuar kaos të madh në vend. Më pas, njerëzit e Gerasimovit ‘njerëzit e vegjël të gjelbër’ pra forcat e operacioneve speciale ruse, të pajisur me pajisjet me moderne të ushtrisë, pa uniforma dhe me maska në kokë, morën kontrollin e të gjitha pikave strategjike të Gadishullit të Krimesë. Në të njëjtën kohë, në terren u dislokuan edhe mercenarët e “Grupit Wagner”, grup i cili u shfaq për herë të parë në vitin 2014 në rajonin e Luhanskut në Ukrainë. Mercenarët rusë dhe serbë u përfshinë në betejën për marrjen e kontrollit të aeroportit në verën e vitit 2014.Si përfundim, sulmet ruse në territorin e Ukrainës dhe në Gadishullin e Krimesë ishin analoge me strategjinë ushtarake të Rusisë, e cila njihet si përdorimi i maskimit dhe mashtrimit taktik ose “maskirovka”. Gjatë kësaj strategjie, kombinohen mirë dizinformimi dhe mohimi i veprimit. Kësaj strategjie në të njëjtën kohë i është shtuar edhe teknologjia përçarëse, hapësira kibernetike, fushatat intensive të dizinformimit, përmbysjet politike, influencimi i zgjedhjeve nëpërmjet manipulimit të serverave, etj me qëllim që t’i mundësojë forcave konvencionale dhe jo konvencionale fitoren kundër kundërshtarit. 7. Në vitin 2015 njësitë e luftës kibernetike të Rusisë sulmuan aktivisht serverat e Parlamentit të Ukrainës, me qëllimin e vetëm që të testonin kapacitetet e tyre operacionale dhe të përgatiteshin për njërin nga operacionet e tyre më të sukseshme në histori, realizimin e sulmeve kibernetike dhe ndërhyrjen e drejtëpërdrejtë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve në vitin 2016. Kjo u konfirmua edhe nga drejtuesi i operacioneve amerikane kundër shërbimeve Ruse deri në vitin 2015 Steven Hall, i cili në atë kohë deklaroi se: “Njësitë ruse të luftës kibernetike sulmuan parlamentin e Ukrainës dhe Parlamentin Gjerman, Holandez, etj duke kontribuar në dëmtimin e demokracisë dhe uljen e besimit të qytetarëve dhe të shoqërisë në atë cilën jetojnë. Nga ana tjetër, kjo i paraprihej edhe testimit se deri ku do të arrinte kundërveprimi i tyre? Ne (amerikanët) dështuam në atë kohë të kuptonim se rusët kishin aftësi të ekzekutonin një luftë hibride, e cila nënkupton realizimin e sulmeve kibernetike në bashkëpunim me dizinformimin e publikut nëpërmjet përdorimit aktiv të mediave sociale”.8. Pas sulmit me raketa kundër ambasadës ruse nga militantët e Ushtrisë së Lirë Siriane në Damask në datën 13 tetor 2015, sulmit terrorist të datës 31 tetor 2015 në avionin e linjës ruse nga Egjipti në Saint Petërsburg ku u vranë 224 pasagjerë në bord, pas rrëzimit të avionit rus SU-24 nga një avion F-16 turk në kufi me Turqinë, etj presidenti Putin urdhëroi dislokimin e avionëve luftarakë, sistemeve të mbrojtjes kundërajrore S-400, njësive të forcave speciale dhe grupin mercenar “Wagner” në muajin tetor 2015 që të fillonin operacionet luftarake në luftën kundër ISIS-it. Në të vërtetë qëllimi i Putinit ishte kundështimi dhe ulja e fuqisë së SHBA-ve në rajon dhe më e rëndësishme përdorimi i territorit të Sirisë për dy qëllime kryesore:1. Testimi i të gjithë sistemeve të reja ushtarake të avionëve Su-35, Su-57, testimi i kapaciteteve të përdorimit të raketave detit “Caliber NK” nga nëndetëset bërthamore, testimi i sistemeve të reja kundërajrore S-400, teknika e re e artilerisë 2S19 Msta-S dhe TOS-1 220 mm, tanket e reja T-90, helikopterët Mi-35M dhe KA-52, dislokimi i forcave speciale, etj. 2. Ti tregonte botës perëndimore dhe më gjerë, se bota tashmë nuk ishte më njëpolare dhe se asnjë vendim për çështje të rëndësishme ndërkombëtare nuk mund të zgjidhej pa konsensus, bashkëpunim dhe marëveshje me Rusinë. Për këtë qëllim ata realizuan mbi 30.000 sulme nga ajri duke vrarë mbi 5000 terroristë dhe shkatërruar mbi 200 facilitete terroriste. Në të njëjtën kohë deri në fillim të vitit 2017, numri i personelit të Grupit Wagner në Siri arriti në 5500 efektivë. Pas fitores në Siri, në muajin mars 2019 Gjenerali Gerasimov deklaroi se: “Lufta Civile në Siri ishte një shembull i suksesshëm i avancimit të mbrojtjes së interesave kombëtare Ruse përtej kufijve tanë shtetërorë”. 9. Të gjitha këto sulme i paraprinë përgatitjes për sulmet që Russia do të realizonte kundër fushatës së zgjedhjeve presidenciale Amerikane në vitin 2016. Në muajin gusht të vitit 2016, ndërkohë që fushata elektorale po afrohej presidenti Obama urdhëroi të gjitha (17) agjensitë e inteligjencës amerikane që të investigonin me intensitet ndërhyrjen ruse. Pas këtij hetimi, doli se të gjitha sulmet kibernetike ishin urdhëruar drejtëpërsëdrejti nga Kremlini. Njësitë ruse të luftës kibernetike kishin penetruar makinat elektorale në më shumë se 39 shtete të Amerikës. 10. Në muajin tetor të vitit 2016 njësitë e shërbimeve sekrete ruse GRU dhe (SVR) intervenuan në mënyrë aktive duke realizuar një fushtatë dizinformacioni me qëllim që të manipulonin rezultatet zgjedhore në funksion të një partie serbe, e cila mbështeste influencën ruse dhe që ishte krejtësisht kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Megjithë investimet e mëdha dhe financimet e shumta me para kesh në mbështetje të kandidatit të opozitës e cila mbështeste Rusinë dhe Serbinë, krijimit të shumë websiteve të reja, përhapjes së informacioneve të rreme në mediat sociale, kryerjes së sulmeve kinernetike kundër qeverisë së Malit të Zi, planit për të vrarë presidentin Gjukanoviç, marrjen me forcë të qeverisë së Malit të Zi, etj përsëri zgjedhjet e fituan nga Gjukanoviçi dhe shërbimet inteligjente të Malit të Zi arrestuan 20 shtetas serbë dhe rusë, të cilët në krye të këtyre operacioneve kishin dy kolonelë të GRU-së ruse. 11. Në vitin 2017, SHBA-të e kishin të qartë se Rusia po ndiqte një strategji agresive për të dëmtuar rëndë demokracinë në SHBA dhe në vendet Perëndimore. Që nga ajo kohë, Rusia filloi aktivisht përdorimin e sulmeve kibernetike dhe fushatat e luftës informative dhe dizinformimit kundër zgjedhjeve në vende të ndryshme të BE-së. 12. Në fillim të vitit 2018, njësitë sekrete ruse realizuan një sulm të fuqishëm kibernetik ‘NotPetra’ në Ukrainë, si pasojë e të cilit fillimisht u infektuan serverat e të gjithë ministrive të qeverisë së Ukrainës, kompanitë e energjisë, sistemi i metrove, bankat, etj.13. Në vazhdim të politikës së tyre destructive, gjatë fushatës zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, ambasada e Rusisë në Shkup u përfshi aktivisht në këto zgjedhje. Diplomatët e kësaj ambasade në bashkëpunim me shumë agjentë të tjerë të shërbimeve sekrete të maskuar nën petkun e diplomatit, ndërhynë në zhvillimet politike të vendit, duke mbështetur vazhdimisht në përhapjen e propagandës anti-perëndimore, kundër NATO-s, me qëllim minimin e demokracisë dhe të proceseve demokratike në vend. Sipas “The Guardian” spiunët dhe diplomatët e shërbimeve ruse janë të përfshirë prej më shumë se një dekade në përhapjen e lajmeve të rreme dhe provokimeve për prishje qetësie në vend. Ata kanë mbështetur haptazi ish kryeministrin Gruevski, drejtues i partisë VMRO-DPMNE, i cili prej një kohë të gjatë ishte orientuar nga Moska për të mbështetur projektet e tyre politike dhe të bisnezit. Sipas raportit të BIRN-it, “Russia insiston se KM Nikolla Gruevski dhe partia e tij VMRO DPMNE kishin fituar zgjedhjet në datën 11 dhjetor. 14. Edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, Ministria e Jashtme e Rusisë dhe shërbimet e saj sekrete janë të përfshira në destabilizimin e situatës, duke mbështetur ndarjen e Republikës Serbska nga Bosnja dhe bashkimin e saj për të forcuar aleatin e tyre të vetëm në Ballkan, Serbinë. Jo më shumë se para dy javëve presidenti i Republikës Serbska Milorad Dodik kërcënoi se asgjë nuk e ndalonte atë që të kërkonte bashkimin me Serbinë, madje ai deklaroi se kishte marrë mbështetje nga Putini të cilin për këtë çështje priste që ta takonte shumë shpejt. Mbështetja e presidentit të Republikës Serbska në vitin 2021, duke marrë në konsideratë investimet e realizuara nga Rusia në këtë republikë, janë shenja të qarta se Rusia e mbështet Serbinë duke krijuar kushtet për rritjen e pavarësisë së tyre në ekonominë e Serbisë, duke e bërë atë një objektiv për investimet strategjike Ruse në Ballkanin Perëndimor. 15. Sa i përket Republikës së Kosovës, Rusia ka qënë shumë aktive për të bllokuar në çdo rast anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Propaganda e mediave ruse në Ballkan ka përjetuar rritjen e publikimeve të rreme për Kosovën vitet e fundit përmes mediave dhe websiteve të ndryshme me Sputnik-un në krye. Në shumë vende përhapja e lajmeve të rreme konsiderohet si kërcënim i sigurisë kombëtare. Në vazhdimësi të objektivave të Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Kosova sulmohet nga propaganda e rreme e Sputnikut në të gjitha gjuhët, me qëllim që të pasqyrohet si një shtet i dështuar në komunitetin ndërkombëtar. Një pikë tjetër me anë të së cilës Rusët e sulmojnë Kosovën, është edhe lidhja e disa qytetarëve të Kosovës me krimin e organizuar, numrin e madh të qytetarëve të Kosovës në të kaluarën si luftëtarëve të huaj në Siri dhe Irak. Në vazhdimësi të politikës antishqiptare, diplomacia ruse në datën 4 shtator 2019 nëpërmjet zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë znj. Maria Zaharova, deklaroi se diplomacia ruse ka identifikuar si një rrezik të madh që i kërcënohet në të ardhmen e afërt Ballkanit dhe Europës nga terroristët shqiptarë. Konkretisht ajo deklaroi si shqetësim ndërkombëtar se: “Në vëmendjen tonë Kosova vazhdon të jetë një kështjellë e terrorizmit. Shqiptarët kosovarë të rekrutuar dhe të stërvitur tek ISIS-i, po kthehen në rajon nga zonat e luftës. Ata e dinë ku po kthehen. Kjo përbën një gropë të zezë, ata mendojnë se mund të ripërtërihen dhe pastaj të përdorin forcën në një rajon tjetër. Kjo çështje krijon rreziqe të dukshme sigurie në Ballkan dhe në Europë”. Alarmet antishqiptare të diplomacisë ruse për të ashtuquajturin “rrezik terrorist shqiptar” janë hiperbola të dizinformacionit klasik rus. Padyshim që kjo propagandë është e pabesueshme për dy arsye.Së pari: Rusia në datën 24 gusht 2014, pushtoi Ukrainën duke shkaktuar mbi 4500 të vrarë, duke vazhduar edhe sot ta kërcënojë se do ta pushtojë.Së dyti: Rusia është një nga shtetet që renditet në vendet e para sa i përket “kontributit” në furnizimin me mbi 6000 luftëtarë të huaj xhihadistë të cilët kanë luftuar për/me ISIS-in dhe JN-in. Të mos harrojmë që ministrat e mbrojtjes së ISIS-it kanë qënë shtetasit Tarkhan Tayumurazovich Batirashvili, ose ndryshe a.k.a. Omar al-Shishani, “Omar Çeçeni” dhe pas vdekjes së tij Gulmurod Salimovich Khalimov, komandant ushtarak Islamik Taxhik, ish kolonel dhe komandant i Forcave Speciale të policisë në MPB të Taxhikistanit deri në vitin 2015 kur iu bashkua ISIS-it. Së fundi, është evidente se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë zhvilluar politika dhe veprime efiçente, të cilat kanë si qëllim që të parandalojnë influencën e Rusisë dhe veprimet destruktive që ajo paraqet përpara këtyre vendeve dhe Republikës së Kosovës. Vitet e fundit Bosnia Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë përballur me aktivitete të shumta të propagandës ruse dhe të lajmeve të rreme nga autlete dhe media që pronarë dhe financuesit e tyre i kanë nga Rusia, të cilat shpërndajnë emisionet dhe lajmet e tyre në gjuhën serbe si psh Sputnik dhe Russia Today (RT). Mediat ruse të cilat i prodhojnë materialet e tyre në gjuhën serbe si psh: R Magazin, Nova Srpska, Politicka Misao, Radio dhe TV Sputnik, kanë si target komunitetin serb i cili jeton në komunat serbe në veri të Kovovës. Përmes këtyre mediave, ata shpëndajnë lajme të rreme duke kontribuar në rritjen e frikës së këtyre banorëve. Qeveria e Albin Kurtit në të ardhmen duhet që të jetë më e vëmendshme sa i përket kontrollit të lajmeve dhe kundërshtimit të këtyre narativave antiperëndimore.D.D. Michigan. Dhjetor 2021.