
Shoqata Shqiptaro-Amerikane “ Skenderbej” Inc./
Me datën 7 Korrik, 2024, Kryesia e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skënderbej” Inc. organizoi aktivitetin , Rrjetëzimi Profesional II, (Networking Professional II), me anëtarë, simpatizantë, dashamirës dhe të ftuar të veçantë. Aktiviteti u mbajt në taracën, katin e 22-të A & Z, në Midtown Manhattan, me pronarin shqiptar, simpatizantin dhe mikun e shoqatës, z. Zamir Vejuka. Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte nxitja e lidhjeve midis shokëve dhe miqve, shkëmbimi i njohurive, si dhe diskutimi i ekspertizave në fusha të ndryshme. Duke bashkuar profesionistë nga sektorë të ndryshëm, aktiviteti synoi të krijojë një mjedis të këndshëm dhe bashkëpunues, me hapësirë për partneritete dhe mundësi të reja lidhjeje në fusha të ndryshme biznesi. Ai ishte një mundësi e shkëlqyer për t’u njohur më nga afër me aktivitetet dhe sukseset e njëri-tjetrit. Aktiviteti ishte nisme e sekretares së shoqates, znj. Alketa Ktona Veshi, e cila u mbeshtet nga kryesia dhe gjithe anëtarësia e shoqatës. I
E ftuara e veçantë në këtë aktivitet ishte këngëtarja shqiptare, sopranoja e talentuar nga Danimarka, znj. Feride Islogu Gillesberg. Sopranoja është e njohur për mbështetjen dhe ruajtjen e traditës operistike shqiptare dhe këndon në pesë gjuhë të huaja. Ajo u shoqërua nga pianisti Elis Lloshi. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe e ftuara e nderit, ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në OKB, znj. Suela Janina dhe përfaqësuesi diplomatik i Republikës së Shqipërisë në OKB, z. Arjan Spasse. Kryesia e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skënderbej” i dha znj. Feride Islogu Gillsberg, një çertifikatë mirënjohjeje me motivacion: Për kontribut te çmuar në promovimin e muzikës klasike shqiptare nëpër botë”. Kryetari i shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej” Inc., zoti Imer Lacaj, ftoi ambasadoren e Republikes së Shqipërise në OKB znj. Suela Janina për t’i dorëzuar çertifikatën e mirënjohjes, sopranos Feride Islogu Gillesberg. Mbrëmja kaloi në një atmosferë të gëzueshme. Ajo afroi edhe më shumë të pranishmit dhe të rinjtë shqiptarë mes njëri-tjetrit. Muzika shqiptare gjithashtu, e bëri edhe më të këndshme atmosferën. Të pranishmit festuan edhe ditëlindjen e gazetares së shoqates, znj. Luljeta Xhediku, datë e cila përkoi në këtë ditë te veçantë dhe i uruan asaj, jetë të gjatë e të lumtur! Aktiviteti u mbyll mes duartrokitjesh dhe dëshirës për t’u mbledhur në takime të ardhshme sociale-argëtuese si dhe dëshirës për të qenë më pranë njëri-tjetrit. Anëtarëve të shoqatës, familjeve të tyre dhe gjithë komunitetit shqiptar, u urojmë suksese dhe pushime të këndshme verore.