Nga BEPPE SEVERGNINI/
Jemi të gjithë për paqën, me përjashtim të ndonjë maniaku. T’a bërtasim – në shesh, në televizion, në një intervistë – është e ligjëshme dhe e kupueshme. Por a shërben? Përgjegjësi i luftës së përbindëshme ukrainase është vetëm një – Vladimir Putin – dhe përqesh ankthin tonë. Për të është vetëm një vegël për të bindur qeveritë perëndimore për t’i hequr ndihmat Ukrainës, në mënyrë që të mundet t’a masakrojë më mirë.
Paqja ka një vlerë të pallogaritëshme e duhet të mbrohet. Bën mirë Papa Francesco që na e kujton gjithmonë. Paqja është e mrekullueshme, si shëndeti: e kuptojmë se sa e rëndësishme është kur rrezikojmë t’a humbim. Për dhjetëvjeçarë, n’Evropë e kemi dhënë për të sigurtë; zhurmat e luftë së afërt na kanë zgjuar. Sot çështja e paqes përmblidhet në dy fjalë: si t’i a arrijmë? Manifestimet në sheshe kanë kuptim nëse frenojnë apo kushtëzojnë përgjegjësit e dhunës. Mendojmë mobilizimin e grave perëndimore në dobi të grave iraniane, të nëpërkëmbura sepse kërkojnë respekt: trysnia është mbi regjimin e Teheranit. Në të shkuarën, protestat për luftën në Vietnam ishin të drejtuara Shtëpisë së Bardhë, që ishte e kushtëzuar. Protestat kundër luftës n’Ukrainë kujt i drejtohen?
Kam lexuar me vëmëndje intervistën e Giuseppe Conte në “Avvenire”, e përditëshmja katolike. Nuhatës i madh i erërave, drejtuesi i Lëvizjes së Pesë Yjeve 2,0 ka kuptuar se kriza e së majtës së moderuar ka lënë të zbuluar një pjesë të botës katolike: dhimbje dhe ndiesi pafuqie janë një ngërthim i llahtarshëm. Conte fton “të manifestohet për të kërkuar një kthesë bashkëbisedimesh që t’i japë fund luftës”. Shumë mirë. Por kujt t’i drejtohemi? Putinit që s’e ka për pesë? Zelenskit, që është i shtrënguar të mbrohet? Apo Bashkimit Evropian, makar duke i kërkuar të heqë sanksionet Rusisë, që nuk pret tjetër gjë?
Isha i ri në kohët e mobilizimeve të së majtës evropiane kundër raketave amerikane n’Evropë. Por jo aq i ri sa të mos kuptonja: nëse protestat do të kishin patur suksese, të vetmet raketa që do të kishin mbetur n’Evropë do të kishin qënë ato sovjetiket. Sot po jetojmë një përkthim të rindrequr e të korigjuar të asaj çështjeje. “Give peace a chance”, jepini një mundësi paqes, për të cituar të pakrahasueshmin John Lennon, duhet t’a këndojmë nën muret e Kremlinit. Provon t ‘aviteni, po mundët.
“Corriere della Sera”, 9 tetor 2022 Përktheu Eugjen Merlika