Nga Erisa Saraçi/ Universitetit të Leipzig, Gjermani/
Që më 18 mars të këtij viti një grup intelektualësh dibranë nisën një peticion online që kërkon përfundimin sa më shpejt e brenda standardeve të Rrugës së Arbërit. Kjo është rruga shekullore Tiranë-Dibër, më kryesorja pas Egnatias, e përdorur nga Skënderbeu në shtetin e parë shqiptar, Principatën Arbërore, nga ku merr edhe emrin.
Aktualisht udhëtimi Tiranë-Dibër – si brenda apo jashtë kufijve shtetëror – bëhet nëpërmjet një rruge të gjatë dredharake dhe aspak efiçente. Të udhëtosh në këtë rrugë nacionale, që është më qesharakja në vend, është njëlloj sikur të kapësh veshin e majtë me dorën të djathtë.
Peticioni për Rrugën e Arbërit është në mënyrë strikte jo-politik. Çdo aktivist i përfshirë nuk bën pjesë në asnjë parti politike dhe as nuk ka aspirata të tilla – ky ka qenë kushti i angazhimit që në fillim! E megjithkëtë, peticioni është akuzuar në fillim nga simpatizantë të djathtë se ishte politik. Pas zgjedhjeve, kur pushteti u rrotullua, simpatizantët e të majtës filluan të bënin naze ndërkohë që të djathtët u bënë më të zellshëm. Në gjithë këtë vorbull, qëllimi i peticionit dhe forca e thirrjes së tij kanë mbetur qëndrueshmërisht të njëjtë.
Pas shumë muajve thirrje të vazhdueshme, ky peticion, që pretendon të promovjë zhvillimin e një prej zonave statistikisht më të varfra të Shqipërisë, rishpërndarjen e popullsisë, decentralizimin e investimeve, sjelljen më pranë të shqipëtarëve të Maqedonisë dhe përmirësimin e infrastrukturës së Ballkanit, mezi ka mbledhur 4000 firma.
Arsyet janë kryesisht skepticizmi i njerëzve në forcën e tyre dhe mos-njohja e çështjes nga personat jashtë Dibrës. Arsyeja për këtë të fundit është se për Dibrën flitet vetëm kur atje ndodh një krim, kur vdesin minatorët e kromit, apo kur ka përfunduar ‘kositja’ e pyjeve të Lurës, kësaj ‘perle të Ballkanit’, sipas Edith Durham dikur, por që tani duket sikur ka përjetuar shpërthimet e Hiroshimës dhe Nagasakit.
Peticionin e shoqërisë civile për Rrugën e Arbërit, mediat e mëdha në Tiranë, kryesisht ata të politizuara, me sa duket nuk e konsiderojnë aq të rëndësishëm për ta përcjellë në lajmet e tyre, që janë jo vetëm mbi axhendën zyrtare të politikanëve, por edhe mbi faktin se ku e pinë kafen, ç’kanë veshur, me kë u martuan e u ndanë… A thua se jane zgjedhur kryesisht për të mbushur faqet e shtypit roze, të cilin edhe mediat më ‘serioze’ po e imitojnë gjithmonë e më shume. Në Shqipëri, media i trajton politikanët si Kim Kardashian. Të isha si ta, do ofendohesha tejet!
Duke parë reagimin e popullit për rrezikun e sjelljes së armëve kimike në Shqipëri dhe rezultatin shpresëdhënës të këtij reagimi, shpresojmë që njerëzit të kenë fituar besim në forcën e tyre dhe që ky besim t’i shtyjë të reagojnë edhe për çështje të cilat i shqetësojnë çdo ditë: plehrat, mungesa e riciklimit të tyre, tymi i duhanit të tjetrit bonus me kafen, uji e korrenti me orar (se si do menaxhoheshin kimkatet toksike pa uje e korrent!!), etj. Po kështu, mbetemi me shpresë që rrugë si kjo e tanishmja Tiranë-Peshkopi të mos egzistojnë më në Shqipëri. Problemi është se populli ynë duket sikur ndonjëherë eksitohet më shumë nga VIP-at dhe VIP-eshat pa vlerë të politikës shqiptare se sa nga rrugët e mundimshme që bëjnë çdo ditë.
Ju lutemi të firmosni peticionin për Rrugën e Arbërit:
http://www.change.org/en-GB/petitions/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit
*Erisa Saraçi është duke kryer studimet e doktoraturës në fushën e Katalizës Heterogjene (Inxhinieri Kimike) pranë Universitetit të Leipzig, Gjermani.