• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESA për Rrugën e Arbërit në 8 vjetorin e peticionit

March 19, 2021 by dgreca

Nga Grupi i Lobimit

Sot, tetë vite më parë, filloi peticioni online për Rrugën e Arbërit.

Prej atëherë deri më sot, pavarësisht dëshirës për më të mirën për rrugën dhe interesin e qytetarëve, një bashkëpunim mes qeverisë, opozitës dhe qytetarëve nuk ka ndodhur.

Kur e nisëm këtë peticion, nuk e kishim menduar se kjo do të zgjaste 8 vite. Sepse premtimet e drejtuesit të opozitës në atë kohë dhe drejtuesit të qeverisë pas zgjedhjeve të vitit 2013 ishte se “rruga do të mbaronte brenda mandatit të parë qeverisës”. Ajo nuk mbaroi as të parin, por nuk po mbaron as të dytin.

Një mungesë transparence mbi këtë investim ka munguar gjithmonë, qoftë kur u miratua ligji special që ia jepte rrugën me koncension një kompanie kineze, qoftë faktit të anulimit të kësaj kontrate ose edhe kontratës së dytë me kompaninë shqiptare.

Si qeverisë, ashtu edhe opozitës, u ka munguar vullneti për të bërë transparente çdo hap në këtë proces: investimi, projektimi dhe standardet e ndërtimit, sepse mesa duket atyre u ka interesuar më shumë fushata elektorale me këtë temë, sesa vetë rruga.

Shqipëria është në vitin e dytë të një situate pandemike dhe opozita vitin e kaluar nisi një fushatë për ndërprerjen e financimit në këtë investim, ashtu si edhe në shumë investime koncensionare të kundërshtuara prej tyre. Por nuk pati asnjë proces se si kjo rrugë e premtuar edhe prej tyre do të ndërtohej apo financohej.

Ndërsa qeveria nga ana e saj është mjaftuar me fushatën se nga një vepër 3D do ta kthejë në realitet. Ajo është krenuar vazhdimisht e periodikisht me ndërtimin e veprave të artit, urat dhe disa tunele në aksin e rrugës, por asnjëherë nuk është treguar e gatshme të tregojë dhe shpjegojë se pse kanë ndodhur shembjet në Tunelin e Murrizit, më i rëndësishmi i këtij aksi. Cilat kanë qenë kostot që mund të shtohen dhe si e sa do të rëndojë ajo në buxhetin e shtetit?

Qeveria dhe kompania premtuan në qershor të vitit 2018 se këtë pranverë rruga do të ishte e hapur për qarkullim. Në këtë fushatë elektorale opozita dhe qeveria janë përfshirë në një debat për cilësinë dhe standardet. Dhe, mesa duket, as këtë pranverë rruga nuk do të bëhet e mundur për kalimin e makinave. Dhe kjo ndodh sepse mungon transparenca në ecurinë e punimeve, për të mos thënë se politika e mban peng atë.

Megjithatë, pavarësisht asaj se çka ndodhur në këto 8 vjet, ne e kemi vlerësuar ecurinë e punimeve, pavarësisht ngadalësisë së tyre. Një vëzhgim i njerëzve tanë në terren konfirmon se traseja e rrugës është e hapur në gjithë gjatësinë e saj, por për ta vënë në funksionim këtë vepër sipas standardeve, duhet akoma punë dhe kohë. Te tuneli i Murrizit akoma po punohet dhe mbarimi i tij do më shumë se 1 vit kohë të mbarojë, ndërsa by-passi në Qafë Murrizë nuk plotëson asnjë kriter për një rrugë nacionale.

Kështu, edhe në qoftë se ajo hapet për efekte elektorale, drejtuesit e mjeteve duhet të jenë shumë të kujdesshëm në qarkullim, ndërsa është e paqartë se kush do të paguajë për aksidentet e mundshme.

Me këtë standard të punimeve vihet në dyshim eficenca e saj për lidhjen e nevojshme me Shkupin. Një pjesë e rrugës është në standarde lokale dhe nuk plotëson parametrat e një rrugë ndërnacionale.

Gjatë 8 viteve të peticionit, Kryeministri Edi Rama nuk mundësoi asnjë hapësirë bashkëpunimi me Grupin e Lobimit. Rruga, sipas projektit që po zbatohet, ka ndryshime me projektin e para viti 2013. Ne mendojmë se, nëse qeveria do të kishte dëgjuar sugjerimet tona, në projektin aktual do të kishte më shumë përmirësime.

Tani që fushata elektorale sapo ka filluar, kjo temë do të vazhdojë të jetë thelbësore për partitë politike.

Një çështje që akoma ka mbetur pa përgjigje është nëse rruga do të jetë ose jo me pagesë. Ndaj i ftojmë qytetarët që në takimet elektorale t’i pyesin kandidatët në lidhje me këtë çështje. Sipas nesh, një rrugë interurbane me standardet e ndërtimit të deritanishëm, nuk ka arsye pse të jetë me pagesë.

Peticioni mund të nënshkruhet këtu:

https://www.change.org/p/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit

Filed Under: Analiza Tagged With: Rruga e Arberit

PRANVERA PA LULE E RRUGËS SË ARBRIT

March 20, 2018 by dgreca

Dyshoj se nuk do të jetë e fundit…/

Le të gabohem unë…/
Le të festojnë dibranët…/

1 rruga e ArberitDhe një shënim për Gëzim Alpion: Bashkohem me ty kur shkruan: “Është për të ardhur keq që, ky brez politikanësh, duket sikur vepron, vetëm kur përballet me protesta rrugësh”.
Mjerisht kjo gjuhë në Dibër nuk njihet…1 Hap i shtrire

“Zyrtarisht”, me foto e filmime televizive, lopata e parë me dhe në “Rrugën e Arbrit”, është hedhur nga Fatos Nano në pranverën e vitit 2005. Vetëm “një lopatë” me një majë guriçkash marrë anës rrugës së vjetër në dalje të Bulqizës, dhe asgjë tjetër. Mbase, për njohje historike, relikte, nuk është vonë që atje mbi një “gurë ciklopik” nga ata që Skënderbeu u hodhi turqve osmanlinj në betejën e njohur të Fushë-Bulqizës, të gdhendet një basoreliev ku të shkruhet “Këtu nisi për tu harruar Rruga e Arbrit”.
Defterët e mëvonshëm të “hallvaxhinjve pushtetarë”, sipas veprimit “kaç e fug”, përcollën shumë majakazmash e majalopatash mbush me nga një “grusht dheu”, gërshërë e shiritash kuq e blu prerë nën bubullima daullesh e vikama adoleshentësh militantë duargrisur përplasjesh frenetike.
Zëri i dibranëve u ngjir së kërkuari “rrugën e tyre” që në fakt është “rrugë e të gjithëve”, udhë në lashtësi me emrin “Rruga e Arbrit”, udhë ilire që vinte në radhë karvanët nga Durrësi në Shkup e Varna të Bullgarisë,
Një peticion shkruar para 20 vjetësh dhe Rruga e Arbrit stela-stela sot, një peticion, një kërkesë  njerëzore firmosur nga 43 intelektualë dibranë e përcjellë strukturave të shtetit shqiptar të kohës që nga presidenti Berisha e me radhë teposhtës së kaskadës shtetërore deri tek prefekti i qarkut të Dibrës.
E gjeta midis relikteve të jetës time që çuditërisht nuk më ka rënë poshtë  rrugës së gjatë të ikjes dhe qëndrimit tash njëzet vjet në troje të huaja.
Gjeta edhe një dorëshkrim timin të marsit 1996 me titull “RRUGA E DIBRËS” – DREJT DIBRËS  me shënimin: “Alternativa për zhvillimin e zonave malore”.
Nuk mund t’i mbajë në arkivin tim, thjesht se ata i përkasin një hapësire  që lidhet me një trevë e me zëra që nuk kanë pushuar së ngrituri deri në shkallën më të lartë të pentagramit zërin  NDËRTONI RRUGËN E ARBRIT!
Nuk është thjesht një peticion që fillon me “Jemi një grup intelektualësh të rrethit të Dibrës…” është një pamflet historik, një thirrje brezash në shekuj që ecën në këmbë kësaj rruge duke shkruar biografinë e saj.
Citohet Aleks Buda në thënien e tij “Dibra ishte ndër pikat kyçe ku vihej në pikëpyetje ekzistenca e Shqipërisë në dy pjesë”.
Citohet Ana Komnena e cila kur flet për fisin ilir të Albanëve-Arbërve, përmend edhe krahinën Albanon që shtrihej gjatë rrugës midis Durrësit e Dibrës, krahina e Arbërisë, me qafa, rrugë të përpjeta dhe kulla të shumta.
Dijetari italian Antonio Baldaçi për këtë rrugë shkruante: “Qytetërimi Romak kishte zhvilluar një rrjet rrugor në Shqipëri, arteriet kryesore transversale të së cilës ishin Via Egnatia… pastaj ajo midis Durrësit e Dibrës duke kaluar nëpër Mat”
Vaid Kormaku, mësues dhe studiues i pasionuar i Dibrës, citohet si “i pari që përmendi faktin se rruga lidhte Stambollin me Detin Adriatik krahas “Via Egnatia” sipas itinerarit: Gallatë – Stamboll – Adrianopol – Filipopol, për të hyrë në trekëndëshin Sofie – Nish – Shkup, gjatë luginave Morava – Vardar, Lugut të Vardarit – Fushës së Pollogut – Gostivar – Mavrovë – Grykë të Radikës bri katundeve Trebisht – Radostush – Dibër e Madhe – Grykë të Vogël – Grykë të Madhe – Valikardhë – Qafë Buall – Guri Bardhë (Petralba) – Shkallë e Tujanit – Krujë – Durrës.
Intelektualët argumentojnë se “Që në mesjetën e hershme…Krahina e Arbrit ka qenë vendi i kryqëzimeve transversale e horizontale të trojeve etnike të kombit shqiptar – epiqendër e trojeve etnike. Këto rrugë janë kthyer në arterie të rëndësishme që kryejnë lidhjet e kombit në kohët moderne”.
Duke folur me gjuhën e argumentit historik etnik, intelektualët dibranë  deklarojnë se “Vetëm një rrugë dhe pikërisht ajo më strategjikja nuk është kthyer në rrugë moderne automobilistike. Është fjala për Rrugën e Arbrit, të quajtur më vonë Rruga e Katriotëve, Rruga Durrës – Fusha e Tiranës  – Tujan – Qafë Murrizë – Guri i Bardhë – Ura e Vashës – Plani i Bardhë – Qafa e Buallit – Vajkal – Ura e Qytetit (Valikardhë) – Homesh – Dibër.”
Protesta e tyre se… “Nuk ka krahinë që të lidhet me kryeqytetin dhe portin e Durrësit në mënyrën më diskrete dhe qesharake se krahina e Dibrës”… pason deklaratën – argument: “Mos të harrojmë se në qoftë se flasim për zona të populluara dhe bujqësore të Shqipërisë së sotme politike, këto janë pellgu i Korçës dhe Lugina e Drinit të Zi”.
Ata argumentojnë se “Kalimi i Qafës së Murrizit (1120 m.), sikur edhe pa asnjë tunel e shkurton rrugën 75 kilometër…”
Intelektualët nuk e mbajnë për vete idenë e ndërtimit të rrugës tradicionale nëpër Shkallën e Tujanit. Ata deklarojnë se ajo është shtruar për zgjidhje  që në vitin 1929 kur parashikohej ndërtimi i dy tuneleve njeri në hyrje të Shkallës së Tujanit dhe tjetri në të dalë të Shkallës…
Intelektualët argumentojnë se pushteti diktatorial kurrë nuk i dha Dibrës atë që i merrte…kromin, mermerin, pasuritë e mëdha të nëntokës e mbitokës, për të arritur deri në deklaratën e  vitit 1972 të kryeministrit Mehmet Shehu i cili tha se “…përmirësimin e kësaj rruge mund ta shfrytëzonte armiku për agresion mbi Tiranë” (?!)”, një argument qesharak që e la Dibrën me një rrugë me 4 metra gjerësi.
Grupi i intelektualëve Dibranë i kërkonte presidentit Berisha, qeverisë, institucioneve si dhe organizmave shtetërore e shoqërore që varen prej tyre…”T’i kthejë Dibrës rrugën e vet tradicionale që edhe dibranët të lidhen me kryeqytetin e vet më të shkurtër…”
Zëri i intelektualëve dibranë mbeti në “koshin e plehrave” të presidentit të atëhershëm të shtetit shqiptar, kryeministër për tetë vjet më vonë, në “koshin e plehrave” të kryeministrave që pasuan…Fatos Nanos, Ilir Metës, Pandeli Majkos, Edi Ramës…
Jo vetëm ai peticion, por edhe më i riu, ai i iniciuar nga Gëzim Alpion, Bujar Karoshi e të tjerë, firmosur online dhe me kalem në dorë nga 15 mijë dibranë e bashkëkombës në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e në të gjithë botën.
Me dhjetëra kanë qenë deputetët dibranë të të gjitha ngjyrave partiake ulur në karriget e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Asnjeri nuk u ngjit në tribunën e Kuvendit me peticionin e shkruar dhe me zërin e dibranëve të incizuar në dorë për të kërkuar me forcë ndërtimin e Rrugës së Arbrit. ASNJERI?!
Rruga e Arbrit është aktualisht stela – stela, arna – arna, pa kokë, pa trup, pa këmbë, pa zë e pa figurë.
Për ndërtimin e saj nuk mjafton nënshkrimi i 42 intelektualëve, nënshkrimi i mijëra të tjerëve. Pushtetarët nuk kanë veshë për të dëgjuar e as sy për të lexuar…
Për ndërtimin e saj është çjerrë me zërin e ngjirur në shkallën sipërore të pentagramit, tash tre vjet, pranverë, verë, vjeshtë e dimër kryeministri Edi Rama, herë me tepsi copa-copa e herë me tepsi bidevi për vete. Premtime, premtime, premtime… Shumë zhurmë, shumë zhurmë…Dhe asgjë.
Erdhi edhe pranvera e parë e tepsisë së madhe…
Me një tender që s’ka as germa për t’i lexuar e as fjalë për t’i dëgjuar…
Erdhi pa lule…
Pranvera pa lule e “Rrugës së Arbrit”…
Dyshoj se nuk do të jetë e fundit…
Le të gabohem unë…
Le të festojnë dibranët…

Abdurahim Ashiku

Athinë, pranverë 2018

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Abdurrahim Ashiku, Rruga e Arberit

Disa pyetje për Qeverinë me rastin e 5-vjetorit të peticionit për Rrugën e Arbërit

March 18, 2018 by dgreca

16,000 përkrahës kërkojnë që peticioni të pranohet formalisht nga Kryeministri Edi Rama/

Nga Gëzim Alpion & Grupi i Lobimit/

1 Gezim AlpionSot është 5-vjetori i peticionit online për Rrugën e Arbërit. Me këtë rast, falenderojmë të gjithë nënshkruesit dhe mediat për përkrahjen e vazhdueshme.

Peticioni filloi para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, me shpresë se do të rezultonte në një dialog konstruktiv, me Qeverinë e re, për këtë vepër të zvarritur që nga viti 2005. Ne theksuam që në fillim se peticionin do ta mbajmë të hapur deri në përfundimin e rrugës me standarde ndërkombëtare dhe se nuk do të ndikohemi nga asnjë forcë politike.

Premtimet i kemi mbajtur, por Kryeministri Edi Rama refuzoi ta pranonte peticionin formalisht gjatë mandatit të parë. Kohët e fundit, disa anëtarë të Grupit të Lobimit kanë pranuar ftesa nga Kryeministri për tu takuar me të në veprimtari të ndryshme. Ne shpresojmë se, në një kohë të përshtatshme për z. Rama, interesimin personal të të cilit për këtë vepër e vlerësojmë, do të na krijohet mundësia të ndajmë me të mendimet, sugjerimet dhe shqetësimet tona, disa nga të cilat do t’i përmendim më poshtë.

Në vendet demokratike, kur një peticion siguron një numër të caktuar nënshkrimesh, shqyrtohet nga institucionet shtetërore. Në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, një vend me 65.5 milionë banorë, një peticion me 10,000 nënshkrime, merr përgjigje nga qeveria; kur numri i përkrahësve arrin në 100,000, debatohet në Parlament.

Përse në Shqipëri, ku popullsia është më pak se 3 milionë, një peticion me më shumë se 16,000 përkrahës (13,000 online dhe 3,000 në formularë) jo vetëm që nuk përfillet, po edhe përçmohet kaq gjatë nga Qeveria? Çfarë mesazhi i përcjell ky qëndrim nënshkruesve, numri i të cilëve sa vjen e shtohet? Po dibranëve, të cilët, që nga copëtimi i kësaj zone në 1913-tën, kanë njohur vetëm injorim nga qeveritë në të dyja anët e kufirit dhe vazhdojnë të jenë viktima të ‘kolonializmit intra-nacional’, që shfrytëzon çdo pasuri pa bërë asnjë investim të dukshëm? Po bashkëatdhetarëve, në zona të tjera të ‘largëta’ dhe po aq të lëna pas dore? Po intelektualëve, që nëpërmjet një nisme të tillë, po dëshmojnë, edhe pse në mënyre modeste, se nuk janë të shkëputur nga problemet e vendit? Po elitës në diasporë, të cilën kryeministri i radhës e fton në Tiranë, gjoja për të kontribuar në zhvillimin e vendit, por askush, deri tani, nuk duket se ka ngenë të marrë parasysh propozimet e saj konkrete? Dhe mbi të gjitha, po brezit të ri, që për fat të keq, edhe pas afro tre dekadash amullie, synon të largohet nga vendi pasi nocionet ‘demokraci’ dhe ‘shtet i së drejtës’ i janë zvetënuar?

Dikush mund të pyes, përse edhe pas pesë vitesh, ne jemi të gatshëm për të biseduar me qeverinë? Sepse, si intelektualë, ne besojmë në dialog. Është për të ardhur keq që, ky brez politikanësh, duket sikur vepron, vetëm kur përballet me protesta rrugësh.

Ja disa nga çështjet që do të ngremë ne në takimin me Kryeministrin, po qe se na jepet mundësia.

Ne duam sqarime se kush mban përgjegjësi për veprimet e mëparshme arbitrare në lidhje me Rrugën e Arbërit? Përse vazhdoi sharada me kinezet kur ne kishim paralajmëruar që në fillim se, edhe pas hartimit të një ligji të posaçëm nga Parlamenti, dhe nënshkrimit të një kontrate me palën kinez, gjithçka do të dështonte?

Siç thamë në fillim, ne i përshëndesim përpjekjet e Kryeministrit dhe Qeverisë për të siguruar fondet në mënyrë që punimet për ndërtimin e kësaj vepre, që është bërë prej kohësh një tregues i frikshëm dhe i turpshëm i shkallës së ulët të efikasitetit të shtetit, më në fund, të fillojnë. Megjithatë, duhet te jesh naivë të besosh se kjo çështje është e ‘përfunduar’ ngaqë u bë një prezantimi virtual.

Dibranëve u është uruar edhe më parë kjo vepër iluzive. Prandaj, kanë të drejtë të jenë skeptikë për aq kohë sa nuk ka transparencë për fondet, projektin, kur fillojnë, sa do të zgjasin dhe kur do të përfundojnë punimet, për kompetencën teknike të kompanive që do të angazhohen në realizimin e kësaj vepre, për penalitetet me të cilat Qeveria dhe sipërmarrësit do të përballen po qe se ka devijime në projekt, dhe nëse dibranët do të ‘diskriminohen’ përsëri duke ju kërkuar të paguajnë për ‘privilegjin’ për të ardhur në Tiranë.

Po qe se Qeveria nuk është në gjendje të sqarojë publikun për çështjet e mësipërme, nuk ka asnjë garanci se, ajo që ndodhi me rrugën e Kukësit dhe të Elbasanit, ku kostot u shumëfishuan gjatë kohës së ndërtimit dhe punimet u bënë me cilësi të dobët, të mos përsëritet edhe me Rrugën e Arbërit.

Në videoprezantimin e rrugës nga Ministria e Transportit, segmenti aktual ‘Bulqizë-Ura e Çerenecit’, konsiderohet i ndërtuar. Ne konstatojmë se ky segment nuk i përmbush standardet e rrugëve europiane. Prandaj, kërkojmë që Qeveria ta rishikojë këtë segment.

Nëse ky segment është kuti me të cilin do të matet cilësia e punimeve, kjo do të thotë se edhe segmentet e reja do të jenë me cilësi të dobët. Ndërtimi shkel e shko i Rrugës së Arbërit do të jetë një përbuzje tjetër jo vetëm për 200,000 dibranë po edhe për të gjithë taksapaguesit shqiptarë.

Ne shpresojmë që kjo nuk do të ndodhë, dhe se Rruga e Arbërit do të jetë vërtet, siç e ka cilësuar Kryeministri, ‘rruga e parë me standarde europiane’ në Shqipëri.

___________________________________

Peticioni mund të nënshkruhet këtu: http://chn.ge/1NZeyGu

Filed Under: Analiza Tagged With: Disa Pyetje, Gezim Alpion, Peticioni, Rruga e Arberit

RRUGA E ARBERIT DHE RIPREMTIMET E KRYEMINISTRIT

August 26, 2016 by dgreca

Edi Rama u ripremton dibranëve premtimin për Rrugën e Arbërit por mandatit të tij po i vjen fundi/

Reagim i Grupit të Lobimit në lidhje me komentin e Edi Ramës për Rrugën e Arbërit në prezantimin në Peshkopi të kandidatit socialist për bashkinë e Dibrës/

Grupi i Lobimit për Rrugën e Arbërit ndoqi me interesim të veçantë vizitën dhe fjalën e Kryeministrit Edi Rama në takimin prezantues të kandidatit të së majtës për drejtimin e Bashkisë së Peshkopisë dhe anëtarëve të tjerë të koalicionit.

Ne vëmë re me shqetësim se politikanët akoma nuk kanë mësuar të flasin me programe dhe në bazë të premtimeve, por sipas interesave të tyre të momentit.

Ne mendojmë se Kryeministrit do t’i shërbente më mirë heshtja rreth kësaj çështje. Duke folur dhe duke ripremtuar, ai i është bashkuar armatës së madhe të politikanëve majtas e djathtas, deputetëve, ministrave e kryeministrave paraardhës, duke dëshmuar kështu se, rreth Dibrës, askush nuk ka folur e punuar seriozisht deri më tani.

Edi Rama ka premtuar në fushatën e kaluar se Rruga e Arbërit është një nga prioritetet e kësaj qeveria dhe në programin e saj, zhvillimi i infrastrukturës në vend nis nga kjo rrugë.

Premtimi se ai nuk largohet nga posti pa mbaruar Rrugën e Arbërit është i papranueshëm për ne. Ne nuk na intereson se kush është kryeministër kur rruga të ndërtohet, por se cili kryeministër e çon procesin përpara.

Edi Rama u ripremton dibranëve premtimin për Rrugën e Arbërit ndërsa mandatit të tij po i vjen fundi. Rama ka një tabor këshilltarësh, mes tyre edhe dibranë, por me sa duket asnjëri prej tyre nuk pati zemër t’i thonte se përse heshtja rreth çështjes së Rrugës së Arbërit në takimin e fundit në Peshkopi do t’i bënte më mirë fushatës së tij.

Rama nuk ka kohë të merret me intelektualë që nuk i bëjnë temenara. Por ne do të kemi kohë të merremi me të për aq kohë sa do të zgjas mandati aktual.

Në besojmë se çështja e ndërtimit të Rrugës së Arbërit nuk është çështje partie, por është një detyrim që qeveria shqiptare ua ka banorëve të këtyre krahinave. Dibra nuk ka kërkuar shumë nga qeveria: vetëm një rrugë prej 20 vitesh. Çdo kërkesë tjetër ka qenë e parëndësishme.

Ne do të vazhdojmë lobimin rreth kësaj çështje. Tani që procesi po vonohet, ne kemi detyrim që të angazhohemi më shumë në mënyrë që ta bindim qeverinë se çdo vonesë në këtë proces është përpjekje për të lënë një Dibër të pazhvilluar e të paintegruar dhe një Shqipëri të prapambetur.

GRUPI I LOBIMIT

23 Gusht 2016

Filed Under: Politike Tagged With: DHE RIPREMTIMET, e kryeministrit, Gezim Apion, Rruga e Arberit

Qeveria Rama ka edhe pak kohë të dëshmojë se nuk po mashtron me Rrugën e Arbërit

July 4, 2016 by dgreca

Deklaratë e Grupit të Lobimit pas interpelancës së 9 qershorit 2016 të Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Edmod Haxhinasto, kërkuar nga deputetja Mesila Doda/

 Pas debatit të zhvilluar në seancën plenare të datës 9 qershor në Kuvendin e Shqipërisë me objekt “Rrugën e Arbërit”, vërejmë me shqetësim se Qeveria Shqiptare nuk e ka marrë seriozisht çështjen e Rrugës, ashtu siç kishte premtuar gjatë fushatës elektorale në vitin 2013 dhe gjatë miratimit të programit të qeverisë.

Seanca e 9 qershorit 2016 ishte një kopje e shëmtuar e debatit parlamentar të zhvilluar për këtë çështje së paku në 10 vitet e fundit; njëra për të fituar kredo politike në kurriz të çështjes dhe tjetra në përpjekje për të justifikuar vonesat.

Debati parlamentar duhet të synonte së paku, zbardhjen e negociatave mes Qeverisë Shqiptare dhe  ‘China State Construction Company’ si dhe të bënte transparentë koston financiare të debatueshme në këto negociata, në zbatim të ligjit nr. 41/2015, dt. 16.4.2015, të miratuar po nga këta deputetë që ishin në sallë.

Ministri i Transportit Edmond Haxhinasto përdori shifra të pasakta, të dhëna të vjetruara, mashtrime me të dhënat teknike të projektit, madje arriti deri aty sa të kërcënonte deputetët e parlamentit se “në qoftë se ata vendosin të investojnë në këtë rrugë, gjithë buxheti vjetor për rrugët do të shkonte te Rruga e Arbërit”.

Ky kërcënim është i papranueshëm për ne. Duhet të ishte i tillë edhe për së paku gjashtë deputetë të drejtëpërdrejtë të Dibrës, me në krye Shkëlqim Canin, të cilët, ndërsa në prill të vitit të kaluar deklaronin se “qeveria ka vendosur ta ndërtojë rrugën”, “rruga e shpresës së madhe” “punimet nisin në 2016”,  “dibranët ta gëzojnë rrugën” etj,, tani paturpësisht heshtën. Ata duhet të reagonin me një zë kundër spekullimeve të ministrit Haxhinasto.

Në i ftojmë deputetët në parlament që të mos bëhen më aktorë të skenave të tilla të turpshme. Ne i ftojmë ata të ushtrojnë të gjithë të drejtën e tyre ligjore dhe demokratike për të zgjidhur financimin e rrugës në një kohë sa më të shpejtë.

Deklaratat pa përgjegjësi të Ministrit të Transportit, jo vetëm që janë të pasakta dhe spekullative, por tregojnë papërgjegjshmëri të qeverisë lidhur me këtë çështje.

Ky debat parlamentar kaloi pa reagimin e duhur nga opinioni publik, përveç ndonjë zëri të vetmuar të anëtarëve të shoqërisë civile apo atyre që kanë lidhje me çështjen. Ne u kërkojmë projektuesve të rrugës të bëjnë publike projektet dhe kostot financiare. Mospublikimi i projektit dhe kostos financiare të nevojshme për ndërtimin e rrugës, është një mënyrë e duhur për të ndihmuar zhvillimin e aferave korruptive sot dhe në të ardhmen në Rrugën e Arbërit.

Megjithatë, premtimi për Rrugën e Arbërit u është dhënë dibranëve nga Kryeministri Edi Rama dhe deputeti Shkëlqim Cani. Ne kërkojmë prej tyre të distancohen nga deklaratat e Haxhinastos si dhe sa më parë të bëjnë zbardhjen e negociatave me kompaninë kineze. Këto negociata nuk mund të jenë pa fund, por edhe duhet të jenë transparente dhe të ditura për publikun.

Gjithashtu, ftojmë kompanitë shqiptare apo të huaja, të interesuara për ndërtimin e Rrugës së Arbërit, të bëjnë publike ofertat e tyre financiare. Të kërkosh të marrësh përsipër ndërtimin e një objekti publik pa zbardhur ofertën financiare, është një mënyrë abuzive në kurriz të takspagueve shqiptare.

Ne, ashtu si dhe më parë, deklarojmë se nuk mbështesim asnjë parti politike, por jemi të vendosur që të ushtrojmë presionin e nevojshëm ndaj ligjvënësve dhe qeveritarëve, në mënyrë që njëherë e mirë të ndahemi nga e kaluara e premtive boshe. Fushata elektorale e radhës është në prag, por ne nuk do të qëndrojmë indiferencë. Ne jemi të vendosur që çështja e Rrugës së Arbërit nuk do të jetë më temë e premtimeve elektorale në Dibër, Mat dhe në lindje të Tiranës.

Dr Gëzim Alpion

Në emër të Grupit të Lobimit

2 Korrik 2016

_____________________________________________________

Ju lutemi nënshkruani peticionin këtu: http://chn.ge/1NZeyGu

Filed Under: Opinion Tagged With: Gezim Alpion, Qeveria Rama, Rruga e Arberit

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 12 QERSHOR, 1987 – THIRRJA NË BERLIN E PRESIDENTIT RONALD REAGAN: “Zoti Gorbachov, shëmbe këtë mur”
  • Kosova e  lirë nga 12 Qershori 1999, me NATO-n…
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme” Monografi e autorëve Prof. Hamit Boriçi dhe Dr. Jolanda Lila
  • Kuvendi i Kosovës, perpetuum mobile e seancave pa kufi
  • Lidhja e Prizrenit, thirrje për bashkim edhe në ditët e sotme
  • Propaganda serbe kundër UÇK-së
  • BREZAT E RINJ SHQIPTARË DHE ARSIMIMI  NË AMERIKË
  • Kur kryeministri Pandeli Evangjeli i dha nënshtetësinë shqiptare Aleksandër Moisiut dhe bashkëshortes së tij gjermane
  • Book Event Massacres in Kosovo 1998-1999 by Shkelzen Gashi marks the 26th Anniversary of Kosova’s Liberation Day and Sparks a Debate
  • HOMAZH NDERIMI PËR NJË BIR TË MADH TË KOSOVËS – DR. BUJAR BUKOSHIN
  • 12 qershori 1999 dhe 12 qershori i vitit 2025
  • NYPD Honors Albanian-American Police Officer for Heroism
  • 26 VJETORI I ÇLIRIMIT TË KOSOVËS, VATRA TELEGRAM URIMI
  • SHUMË PYETJE TË VËSHTIRA PËR TË DJESHMEN, TË SOTMEN DHE TË NESËRMEN E SHQIPËRISË
  • METODA DHE STILI SHKENCOR I ILIR IKONOMIT

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT