Poezi,
tregime,
ese, –
libra të 3 miqve të mi, bashkëvuajtës të burgut, m’i kanë nisur nga larg, nga vende të ndryshme, si letra të vyera i çmoj, na bashkoi vuajtja dhe qëndresa, i ndjej si dhimbjet…
Kur kujtoj se i kishim të ndaluara shkrimet, po edhe të lexonim çfarë do të mund të donim, edhe të jetuarit si njerëz e kishim të ndaluar, kurse tani ka ardhur një letërsi tjetër nga burgjet dhe internimet, e shkruar fshehurazi, nëpër rreziqe e sakrifica, që solli të vërtetat që mungonin dhe moralin, dëshminë e gjallë me një bukuri tronditëse, me estetikën e tragjedive, duke u dhënë forcë tjetër letrave shqipe, në fund të fundit duke i pasuruar ato.
1.
Ja, poezi nga Kujtim Murataj, metafora dhe rima që kumbojnë si hapa që u ngjiten të përpjetave, “Sikur qielli të ishte blu” – thotë autori në titull të librit, – si qielli brenda nesh, se jashtë nesh është me re dhe shtrëngata dhe mugëtirë si jeta jonë…
Tek isha në pranga dhe bëja lutje,
vegime nimfash më vinin shpesh
dhe befas ëndrrat më çonin tutje,
madje shumë herë dhe sipër resh.
Ëndrrave s’u vinin dot pranga gjithsesi.
2.
Qëndruam në vuajtje dhe dhunë, mbetëm njerëz dhe atje ku ishte e vështirë, në burg, – na e dëshmon tregim pas tregimi dhe Memisha Gjonzeneli në tre përmbledhjet e tij, “Piramida e Plakut”, “Nëna”, “Pendimi”, copa jete, një realizëm i ashpër, ku mirësia arrin të spikasë mbi ligësitë, dashuria mposht urrejtjet si hekurat e burgjeve, rrugët hapen, nga qelia – atje ku nuk besohej, në Amerikë, koka e kthyer pas nga malli, vegimet e së shkuarës janë bagazhet në mërgimet për një të ardhme tjetër…
3.
Po ne dimë të jetojmë së bashku në fund të fundit, – duket se nxjerr përfundimin e tij Muharrem Xhydollari në esenë për vendlindjen, “Pogradeci dhe rrethinat në bashkëjetesën fetare”, ku vë në spikamë këtë virtyt të shqiptarëve, mirëkuptimin me tjetrin, edhe i fesë tjetër në qoftë, kishat dhe xhamitë nuk na kanë ndarë, jemi dashur dhe të besojmë në dashuri e Zot. Rrëfime të thjeshta, aq familjare, domethënëse. “Me përulësi” – është fjala e fundit e librit.
Dhe kjo i karakterizon tre autorët e mi bashkëvuajtës, që me të hequr prangat nga duart, morën penën, kompjuterat e mërgimit dhe po hidhnin vargjet, elegjinë e nisur, po tregonin vuajtjen, urtë e me dinjitet, pa britmat e mburrjeve dhe pozat e konvertimeve, pa thënë se jemi heronj, as se po bëjmë letërsi burgu ose jo, ëndërrthyer, donin të studionin letërsi, shkenca, nuk i lanë, por dhe ata nuk po e lënë pa e dëshmuar veten, një e drejtë e gjithsecilit.
Dhe kam mall deri në mallëngjim sublim, u dëgjoj zërat, shfletoj librat… shih si duken, si copa të një rruge të përbashkët, por edhe si flatra…
Visar Zhiti